Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:97-120

97 Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.

98 Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua.

99 Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime.

100 Kam më tepër zgjuarësi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua.

101 Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde.

102 Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar.

103 Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time.

104 Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarësinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti.

105 Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.

106 Unë jam betuar dhe do ta mbaj betimin që të respektoj dekretet e tua të drejta.

107 Unë jam shumë i pikëlluar, gjallëromë, o Zot, sipas fjalës sate.

108 O Zot, prano ofertat spontane të gojës sime dhe mësomë dekretet e tua.

109 Ndonëse e kam gjithnjë shpirtin në pëllëmbë të dorës, nuk e harroj ligjin tënd.

110 Të pabesët më kanë ngritur kurthe, por unë nuk jam larguar nga udhërimet e tua.

111 Porositë e tua janë trashëgimia ime përjetë; ato janë gëzimi i zemrës sime.

112 Jam zotuar me gjithë zemër për t’i zbatuar në praktikë statutet e tua përjetë, deri në fund.

113 Unë i urrej njerëzit që gënjejnë, por e dua ligjin tënd.

114 Ti je streha ime dhe mburoja ime; unë shpresoj në fjalën tënde.

115 Largohuni, o njerëz të këqij, sepse unë dua të respektoj urdhërimet e Perëndisë tim.

116 Më ndihmo sipas fjalës sate, që unë të jetoj, dhe të mos lejoj të ketë hutim në shpresën time.

117 Përforcomë dhe unë do të shpëtoj, dhe do t’i kem gjithnjë statutet e tua përpara syve të mi.

118 Ti i hedh poshtë të gjithë ata që largohen nga statutet e tua, sepse mashtrimi i tyre është gënjeshtër.

119 Ti zhduk si fundërrina tërë të pabesët e tokës; prandaj unë i dua porositë e tua.

120 Mishi im dridhet i tëri nga frika jote, dhe unë kam frikë nga dekretet e tua.

Psalmet 81-82

81 I këndoni me gëzim Perëndisë, forcës sonë; lëshoni britma gëzimi për Perëndinë e Jakobit.

Lartoni një këngë dhe i bini dajres, harpës melodioze bashkë me lirën.

I bini borisë ditën e hënës së re, ditën e hënës së plotë, ditën e festës sonë.

Sepse ky është një statut për Izraelin, një ligj i Perëndisë të Jakobit.

Ai e caktoi si një dëshmi te Jozefi, kur doli kundër vendit të Egjiptit. Atëherë unë dëgjova një gjuhë që nuk e kuptoja;

"O Izrael, unë e hoqa barrën nga shpatullat e tua; duart e tua e kanë lënë shportën.

Kur ishe keq ti më klithe mua dhe unë të çlirova; t’u përgjigja i fshehur në bubullimë, të vura në provë në ujërat e Meribas. (Sela)

Dëgjo, o populli im, dhe unë do të qortoj. O Izrael, sikur ti të më dëgjoje!

Mos pastë në mesin tënd asnjë perëndi të huaj dhe mos adhuro asnjë perëndi të huaj.

10 Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit; hap gojën tënde dhe unë do të ta mbush.

11 Por populli im nuk e ka dëgjuar zërin tim dhe Izraeli nuk më është bindur.

12 Prandaj i braktisa në ashpërsinë e zemrës së tyre, me qëllim që të ecnin sipas bindjeve të tyre.

13 Ah, sikur populli im të më dëgjonte, sikur Izraeli të ecte në rrugët e mia!

14 Do të poshtëroja menjëherë armiqtë e tij dhe do ta ktheja dorën time kundër kundërshtarëve të tij.

15 Ata që urrejnë Zotin do t’i nënshtroheshin dhe fati i tyre do të caktohej përjetë.

16 Dhe unë do ta ushqeja (Izraelin) me grurin më të mirë dhe do ta ngopja me mjaltin që pikon nga shkëmbi".

82 Perëndia rri në kuvendin e Perëndisë, ai gjykon në mes të perëndive.

Deri kur do të gjykoni padrejtësisht dhe do të mbani anët e të pabesëve? (Sela)

Mbroni të dobëtin dhe jetimin, sigurojini drejtësi të vuajturit dhe të varfërit.

Çlironi të mjerin dhe nevojtarin; shpëtojeni nga dora e të pabesit.

Ata nuk dinë asgjë dhe nuk kuptojnë asgjë, dhe ecin në terr; të gjitha themelet e tokës po luajnë.

Unë kam thënë: "Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit.

Megjithatë ju do të vdisni si njerëzit e tjerë dhe do të bini si çdo i fuqishëm tjetër".

Çohu, o Perëndi, gjyko tokën, sepse ti do të trashëgosh tërë kombet.

2 i Samuelit 9

Davidi tha: "A ka mbetur akoma ndonjë nga shtëpia e Saulit, ndaj të cilit mund të sillem mirë për hir të Jonathanit?".

Kishte një shërbëtor në shtëpinë e Saulit, që quhej Tsiba, dhe atë e çuan te Davidi. Mbreti i tha: "Ti je Tsiba?". Ai u përgjigj: "Jam shërbëtori yt".

Pastaj mbreti pyeti: "A ka njeri tjetër të shtëpisë së Saulit, të cilit mund t’i kushtoj mirësinë e Perëndisë?". Tsiba iu përgjigj mbretit: "Éshtë akoma një djalë i Jonatanit, që është sakat nga këmbët".

Mbreti i tha: "Ku është?". Tsiba iu përgjigj mbretit: "Éshtë në shtëpinë e Makirit, birit të Amielit, në Lodebar".

Atëherë mbreti David dërgoi ta marrë nga shtëpia e Makirit, birit të Amielit, në Lodebar.

Kështu Mefiboshethi, bir i Jonatanit, bir i Saulit erdhi te Davidi, ra përmbys me fytyrën për tokë. Davidi i tha: "Mefibosheth!". Ai u përgjigj: ja shërbëtori yt!!".

Davidi i tha: "Mos ki frikë, sepse kam ndër mend të sillem mirë me ty për dashurinë që kisha për Jonatanin, atin tënd; do të të kthej tërë tokat e Saulit, të parit tënd, dhe ti do të hash gjithnjë në tryezën time".

Mefiboshethi ra përmbys dhe tha: "Ç’është shërbëtori yt, që ti të përfillësh një qen të ngordhur si unë?".

Atëherë mbreti thirri Tsiban, shërbëtorin e Saulit, dhe i tha: "Tërë ato që i përkisnin Saulit dhe tërë shtëpisë së tij, po ia jap birit të zotërisë tënd.

10 Kështu, pra, bashkë me bijtë dhe shërbëtorët e tu, do të punosh tokën për të dhe do të mbledhësh prodhimet e saj, me qëllim që i biri i zotërisë tënd të ketë bukë për të ngrënë; por Mefiboshethi, bir i zotërisë tënd do të hajë gjithnjë në tryezën time". Tsiba kishte pesëmbëdhjetë bij dhe njëzet shërbëtorë.

11 Tsiba i tha mbretit: "Shërbëtori yt do të bëjë të gjitha ato që mbreti, zotëria im, i urdhëron shërbëtorit të tij". Kështu Mefiboshethi hante në tryezën e Davidit si një nga bijtë e mbretit.

12 Mefiboshethi kishte një djalë të vogël që quhej Mika; dhe tërë ata që rrinin në shtëpinë e Tsibas ishin shërbëtorë të Mefiboshethit.

13 Mefiboshethi banonte në Jeruzalem, sepse hante gjithnjë në tryezën e mbretit. Ishte sakat nga të dy këmbët.

Veprat e Apostujve 19:1-10

19 Dhe ndërsa Apollo ishte ende në Korint, Pali, mbasi shkoi në vendet më të larta, arriti në Efes dhe, si gjeti disa dishepuj, u tha atyre:

“A e keni marrë Frymën e Shenjtë, kur besuat?.” Ata iu përgjigjën: “Ne as që kemi dëgjuar se paska Frymë të Shenjtë.”

Dhe ai u tha atyre: “Me se, pra, u pagëzuat?.” Ata u përgjigjën: “Me pagëzimin e Gjonit.”

Atëherë Pali tha: “Gjoni pagëzoi me pagëzimin e pendimit, duke i thënë popullit se duhet t’i besonte atij që do të vinte pas tij, domethënë Jezu Krishtit.

Dhe ata, si dëgjuan, u pagëzuan në emër të Zotit Jezus.

Dhe, kur Pali vuri duart mbi ta, Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta dhe ata folën në gjuhë të tjera dhe profetizuan.

Dhe gjithsej ishin rreth dymbëdhjetë burra.

Pastaj ai hyri në sinagogë dhe u foli lirisht njerëzve tre muaj me radhë, duke diskutuar dhe duke i bindur për gjërat e mbretërisë së Perëndisë.

Por, duke qenë se disa ngurtësoheshin dhe nuk besonin dhe flisnin keq për Udhën përpara turmës, ai u shkëput prej tyre, i ndau dishepujt dhe vazhdoi të diskutojë çdo ditë në shkollën e njëfarë Tirani.

10 Dhe kjo vazhdoi dy vjet me radhë, kështu që të gjithë banorët e Azisë, Judenj dhe Grekë, e dëgjuan fjalën e Zotit Jezus.

Marku 8:34-9:1

34 Pastaj e thirri pranë vetes turmën me dishepujt e vet dhe iu tha: “Kushdo që don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë,

35 sepse ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë.

36 Ç’dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet?

37 Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet?

38 Sepse kujtdo që do t’i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të arrijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë.”

Pastaj u tha atyre: “Në të vërtetë ju them se midis jush që jeni këtu ka disa që nuk do ta shijojnë vdekjen para se të shohin të vijë me fuqi mbretëria e Perëndisë.”