Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 140

140 Më çliro, o Zot, nga njerëzit e këqij; më mbro nga njerëzit e furishëm,

që thurrin ligësi në zemër të tyre; ata mblidhen vazhdimisht për të bërë luftë.

Mprehin gjuhën e tyre si gjarpëri dhe kanë helm gjarpëri nën buzët e tyre. (Sela)

Më mbro, o Zot, nga duart e të pabesit dhe më mbro nga njeriu i dhunës, që komplotojnë për të më rrëzuar.

Kryelartët kanë fshehur për mua një lak dhe litarë, më kanë ngritur një rrjetë buzë shtegut, kanë vënë kurthe për mua. (Sela)

Unë i thashë Zotit: "Ti je Perëndia im; dëgjo, o Zot, britmën e lutjeve të mia.

O Zot Perëndi, ti je forca e shpëtimit tim, ti e ke mbuluar kokën time ditën e betejës.

O Zot, mos u jep të pabesëve atë që dëshirojnë; mos favorizo planet e tyre, që të mos lavdërohen. (Sela)

Bëj që koka e atyre që më rrethojnë të mbulohet nga çoroditja e vetë buzëve të tyre.

10 Rënçin mbi ta qymyre të ndezur; i hedhshin në zjarr, në gropa të thella, nga ku të mos mund të ngrihen.

11 Njeriu gojëkeq mos qoftë i qëndrueshëm mbi tokë; fatkeqësia përndjektë njeriun e dhunës deri në shkatërrim".

12 Unë e di që Zoti do të mbrojë çështjen e të pikëlluarit dhe do t’i sigurojë drejtësi të varfërit.

13 Sigurisht të drejtët do të kremtojnë emrin tënd, dhe njerëzit e ndershëm do të banojnë të praninë tënde.

Psalmet 142

142 Unë i këlthas me zërin tim Zotit; me zërin tim i lutem Zotit.

Para tij paraqes vajtimin tim, para tij parashtroj fatkeqësinë time.

Kur fryma po më dobësohej, ti e dije ecjen time. Ata kanë përgatitur një lak për mua te shtegu që po kaloja.

Vështroj në të djathtën time dhe ja: nuk ka njeri që të më njohë; çdo rrugë shpëtimi është e mbyllur; asnjeri nuk kujdeset për jetën time.

Unë të këlthas ty, o Zot, dhe të them: "Ti je streha ime, pjesa ime në tokën e të gjallëve.

Dëgjo me vëmendje klithmën time, sepse jam katandisur si mos më keq; më çliro nga përndjekësit e mi, sepse janë më të fortë se unë.

Më nxirr nga burgu që të mund të kremtoj emrin tënd. Të drejtët do të mblidhen tok rreth meje, sepse ti do të më mbushësh me të mira".

Psalmet 141

141 O Zot, unë të këlthas ty; nxito të më përgjigjesh. Vëri veshin zërit tim, kur të këlthas ty.

Le të arrijë lutja ime para teje si temjani, ngritja e duarve të mia si flijimi i mbrëmjes.

O Zot, vër një roje para gojës sime.

Mos lejo që zemra ime të priret nga asgjë e keqe dhe kështu të kryejë veprime të këqija bashkë me ata që bëjnë paudhësi; dhe bëj që unë të mos ha ushqimet e tyre të shijshme.

Le të më rrahë madje i drejti, do të jetë një mirësjellje nga ana e tij; le të më qortojë ai, do të jetë si vaji mbi kokë; koka ime nuk ka për ta refuzuar. Por lutja ime vazhdon të jetë kundër veprimeve të tyre të këqija.

Princat e tyre i hodhën nga skërkat dhe ata do t’i dëgjojnë fjalët e mia, sepse ato janë të këndshme.

Ashtu si ai që lëron dhe çan tokën, kështu kockat tona janë të përhapura në hyrje të Sheolit.

Por sytë e mia janë drejtuar te ti, o Zot, Zoti im; unë strehohem te ti, mos më lër të pambrojtur.

Më ruaj nga laku që më kanë përgatitur dhe nga kurthet e njerëzve që kryejnë paudhësi.

10 Të pabesët rënçin vetë në rrjetat e tyre, ndërsa unë do të kaloj tutje.

Psalmet 143

143 Dëgjo lutjen time, o Zot, vëru veshin lutjeve të mia; përgjigjmu me besnikërinë dhe drejtësinë tënde.

Dhe mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, sepse asnjë i gjallë nuk do të jetë i drejtë para teje.

Sepse armiku më përndjek, ai e ka rrëzuar deri për tokë jetën time; më detyron të banoj në vende të errëta, ashtu si ata që kanë vdekur prej një kohe të gjatë.

Prandaj fryma ime dobësohet brenda meje, dhe zemra ime e ka humbur krejt brenda trupit tim.

Kujtoj ditët e lashta; bie në mendime të thella mbi tërë veprat e tua; reflektoj mbi gjëra që kanë bërë duart e tua.

I zgjas duart e mia drejt teje; shpirti im është i etur për ty, si një tokë e thatë. (Sela)

Nxito të më përgjigjesh, o Zot, fryma ime po dobësohet; mos më fshih fytyrën tënde, që të mos bëhem i ngjashëm me ata që zbresin në gropë.

Më bëj të ndjej mirësinë tënde në mëngjes, sepse unë kam besim te ti; më trego rrugën nëpër të cilën duhet të eci, sepse unë e lartoj shpirtin tim drejt teje.

Më çliro nga airmiqtë e mi, o Zot, te ti unë fshihem.

10 Më mëso so ta plotësoj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im; Fryma jote e mirë le të më udhëheqë në tokë të shenjtë.

11 Gjallëromë, o Zot, për hir të emrit tënd; me drejtësinë tënde më shpëto nga fatkeqësia.

12 Në mirësinë tënde shkatërro armiqtë e mi dhe zhduki tërë ata që e pikëllojnë shpirtin tim, sepse unë jam shërbëtori yt.

2 i Samuelit 19:24-43

24 Edhe Mefiboshethi, nip i Saulit, i doli përpara mbretit. Ai nuk i kishte mjekuar këmbët, nuk e kishte rruar mjekrën dhe nuk i kishte larë rrobat nga dita që kishte ikur mbreti deri në kthimin e tij në paqe.

25 Kur arriti nga Jeruzalemi për të takuar mbretin, ky i tha: "Pse nuk erdhe me mua, Mefibosheth?".

26 Ai u përgjigj: "O mbret, imzot, shërbëtori im më mashtroi, sepse shërbëtori yt kishte thënë: "Unë do të shaloj gomarin, do të hip mbi të dhe do të shkoj me mbretin," sepse shërbëtori yt është çalaman.

27 Përveç kësaj, ai ka shpifur kundër shërbëtorit tënd pranë mbretit, zotërisë sime; por mbreti, zotëria im, është si një engjëll i Perëndisë; bëj, pra, atë që do të të pëlqejë.

28 Në fakt tërë ata të shtëpisë së atit tim nuk meritojnë tjetër gjë veç vdekjes përpara mbretit, zotërisë tim; megjithatë ti e kishe caktuar shërbëtorin tënd ndër ata që hanin në tryezën tënde. Prandaj çfarë të drejte tjetër do të kisha për t’i bërtitur mbretit?".

29 Mbreti i tha: "Nuk është nevoja të shtosh fjalë të tjera. Unë kam vendosur; Ti dhe Tsiba ndajini tokat".

30 Atëherë Mefiboshethi iu përgjigj mbretit: "Le t’i marrë të gjitha, sepse mbreti, zotëria im, u kthye në paqe në shtëpinë e tij".

31 Edhe Galaaditi Barzilaj zbriti nga Rogelimi dhe kaloi Jordanin bashkë me mbretin, për ta shoqëruar matanë Jordanit.

32 Barzilaj ishte shumë i vjetër, tetëdhjetë vjeç; ai e kishte furnizuar me ushqime mbretin kur ky ndodhej në Mahanaim, sepse ishte shumë i pasur.

33 Mbreti i tha Barzialit: "Eja me mua matanë lumit dhe unë do të kujdesem për ushqimin tënd pranë meje në Jeruzalem".

34 Por Barzilaj iu përgjigj mbretit: "Sa vjet jetë më kanë mbetur akoma që unë të shkoj me mbretin në Jeruzalem?

35 Tani unë jam tetëdhjetë vjeç; a mund të dalloj akoma atë që është e mirë nga ajo që është e keqe? A mund ta shijojë akoma shërbëtori yt atë që ha o atë që pi? A mund të dëgjojë unë akoma zërin e këngëtarëve dhe të këngëtareve. Pse shërbëtori yt duhet t’i bëhet barrë mbretit, zotërisë tim?

36 Shërbëtori yt do të shkojë me mbretin matanë Jordanit për një copë rrugë; po pse mbreti duhet të ma lajë me një shpërblim të tillë?

37 Por lëre shërbëtorin tënd të kthehet prapa dhe që unë të mund të vdes në qytetin tim pranë varrit të atit tim dhe të nënës sime! Por ja shërbëtori yt Kimham; le të vijë ai me mbretin, zotërinë tim, dhe bëj për të atë që do të të pëlqej".

38 Mbreti u përgjigj: "Kimhami do të vijë me mua dhe unë do të bëj për të atë që do të të pëlqejë ty; po, unë do të bëj për ty të gjitha ato që më kërkon".

39 Kështu tërë populli kaloi Jordanin dhe e kaloi edhe mbreti. Pastaj mbreti e puthi Barzilain dhe e bekoi, dhe ai u kthye në shtëpinë e vet.

40 Mbreti vazhdoi rrugën në drejtim të Gilgalit, i shoqëruar nga Kimhami. Tërë populli i Judës e përcolli mbretin dhe kështu bëri edhe gjysma e popullit të Izraelit.

41 Atëherë tërë Izraelitët erdhën te mbreti dhe i thanë: "Pse vëllezërit tanë, njerëzit e Judës, të kanë marrë fshehurazi dhe kanë bërë të kalojnë Jordanin mbreti, familja e tij dhe të gjithë njerëzit e Davidit?".

42 Tërë njerëzit e Judës iu përgjigjën njerëzve të Izraelit: "Sepse mbreti është fisi ynë i afërt. Pse zemëroheni për këtë? Mos kemi ngrënë, vallë me shpenzimet e mbretit, ose na ka dhënë ndonjëherë dhurata?".

43 Por njerëzit e Izraelit iu përgjigjën njerëzve të Judës, duke thënë: Ne na takojnë dhjetë pjesë të mbretit, prandaj Davidi është më tepër yni see sa juaji; për çfarë arësye na keni përçmuar? Nuk kemi qenë ne të parët që propozuam kthimin e mbretit tonë?". Por fjala e njerëzve të Judës ishte më e ashpër se ajo e njerëzve të Izraelit.

Veprat e Apostujve 24:24-25:12

24 Pas disa ditësh Feliksi, që kishte ardhur me gruan e vet Druzila, që ishte jude, dërgoi ta thërresin Palin dhe e dëgjoi lidhur me besimin në Jezu Krishtin.

25 Dhe, duke qenë se Pali fliste për drejtësi, për vetëkontroll dhe për gjyqin e ardhshëm, Feliksi, shumë i trembur, u përgjigj: “Për tani shko, dhe kur të kem rast, do të dërgoj të të thërrasin.”

26 Njëkohësisht ai shpresonte se Pali do t’i jepte para që ta lironte; dhe prandaj e thërriste shpesh dhe bisedonte me të.

27 Por pas dy vjetësh, Feliksit ia zuri vendin Porc Festi; dhe Feliksi, duke dashur t’ua bëjë qejfin Judenjve, e la Palin në burg.

25 Kur Festi arriti në krahinë, mbas tri ditësh u ngjit nga Cezarea në Jeruzalem.

Kryeprifti dhe krerët e Judenjve i paraqitën akuzat kundër Palit dhe i luteshin,

duke kërkuar t’u bënte favorin që Palin ta binin në Jeruzalem; kështu ata do ta vrisnin në një pritë rrugës.

Por Festi u përgjigj që Pali ruhej në Cezare dhe që ai vetë do të shkonte aty shpejt.

“Prandaj njerëzit me influencë midis jush,” tha ai, “le të zbresin me mua; dhe, në qoftë se ka ndonjë faj te ky njeri, le ta akuzojnë.”

Si qëndroi midis tyre jo më shumë se tetë a dhjetë ditë, Festi zbriti në Cezare; të nesërmen zuri vend në gjykatë dhe urdhëroi që të sillnin Palin.

Kur erdhi ai, Judenjtë që kishin zbritur nga Jeruzalemi e rrethuan, dhe drejtuan kundër Palit shumë akuza të rënda, të cilat nuk mund t’i vërtetonin.

Në mbrojtje të vet Pali thoshte: “Unë nuk kam mëkatuar as kundër ligjit të Judenjve, as kundër tempullit, as kundër Cezarit.”

Por Festi, duke dashur t’u bëjë qejfin Judenjve, iu përgjigj Palit e tha: “A dëshiron të ngjitesh në Jeruzalem për t’u gjykuar para meje për këto gjëra?.”

10 Atëherë Pali tha: “Unë jam para gjykatës së Cezarit, ku duhet të gjykohem; unë nuk u kam bërë asnjë të padrejtë Judenjve, sikurse ti e di fare mirë.

11 Në qoftë se kam vepruar keq ose kam kryer diçka që meriton vdekjen, nuk refuzoj që të vdes; por nëse s’ka asgjë të vërtetë në gjërat për të cilat këta më akuzojnë, askush nuk mund të më dorëzojë në duart e tyre. Unë i apelohem Cezarit.”

12 Atëherë Festi, pasi e bisedoi me këshillin, u përgjigj: “Ti i je apeluar Cezarit; te Cezari do të shkosh.”

Marku 12:35-44

35 Dhe Jezusi, duke i mësuar në tempull, tha: “Vallë, si mund të thonë skribët se Krishti është Bir i Davidit?

36 Sepse vetë Davidi, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, tha: "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, derisa t’i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua".

37 Vetë Davidi, pra, e quan Zot; si mund të jetë vallë bir i tij?.” Dhe pjesa më e madhe e dëgjonte me ëndje.

38 Dhe ai u thoshte atyre në doktrinën e vet: “Ruhuni nga skribët, të cilëve u pëlqen të shëtisin me rroba të gjata dhe t’i përshëndetin në sheshe,

39 dhe të kenë vendet e para në sinagoga dhe vendet e para në gosti,

40 që i gllabërojnë shtëpitë e të vejave dhe, për t’u dukur, luten gjatë; ata do të marrin një gjykim më të rreptë!.”

41 Dhe Jezusi u ul përballë arkës së thesarit dhe vërente se njerëzit hidhnin aty denar; shumë të pasur hidhnin shumë.

42 Erdhi një e ve e varfër dhe hodhi dy monedha të vogla, domethënë një kuadrant.

43 Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha atyre: “Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët.

44 Sepse të gjithë hodhën aty nga teprica e tyre, kurse ajo, me skamjen e vet, hodhi gjithë sa kishte për të jetuar.”