Book of Common Prayer
137 Atje, pranë lumenjve të Babilonisë, rrinim ulur dhe qanim, duke kujtuar Sionin;
2 mbi shelgjet e kësaj toke kishim varur qestet tona.
3 Atje, ata që na kishin çuar në robëri, na kërkonin fjalët e një kënge, po, ata që na shtypnin kërkonin këngë gëzimi, duke thënë: "Na këndoni një këngë të Sionit".
4 Si mund të këndonim këngët e Zotit në një vend të huaj?
5 Në rast se të harroj ty, o Jeruzalem, e harroftë dora ime e djathtë çdo shkathtësi;
6 m’u lidhtë gjuha me qiellzën, në rast se nuk të kujtoj ty, në rast se nuk e vë Jeruzalemin përmbi gëzimin tim më të madh.
7 Mbaji mënd, o Zot, bijtë e Edomit, që ditën e Jeruzalemit thonin: Shkatërrojini, shkatërrojini që nga themelett".
8 O bijë e Babilonisë, që duhet të shkatërrohesh, lum ai që do ta lajë të keqen që na ke bërë!
9 Lum ai që merr foshnjët e tua dhe i përplas kundër shkëmbit!
144 Bekuar qoftë Zoti, kështjella ime, që i mëson duart e mia për luftë dhe gishtërinjtë e mi për betejë.
2 Ai është hiri im dhe kështjella ime, streha ime e lartë dhe çliruesi im, mburoja ime në të cilën gjej strehë, ai që ma nënshtron mua popullin tim.
3 O Zot, çfarë është njeriu që ti të kujdesesh për të, ose biri i njeriut që ti ta përfillësh?
4 Njeriu është si një frymë dhe ditët e tij janë si hija që kalon.
5 Uli qiejtë e tu, o Zot, dhe zbrit, dhe ata do të nxjerrin tym.
6 Hidh rrufetë dhe shpërndaji, lësho shigjetat e tua dhe bëji të ikin.
7 Shtrije dorën tënde nga lart, më shpëto dhe më çliro nga ujërat e mëdha dhe nga dora e të huajve,
8 goja e të cilëve thotë gënjeshtra dhe dora e djathtë e tyre është një e djathtë mashtrimi.
9 O Perëndi, do të këndoj një kantik të ri, do të këndoj lavdet e tua me një harpë me dhjetë tela.
10 Ti, që u jep fitoren mbretërve dhe që çliron shërbëtorin tënd David nga shpata e kobshme,
11 më shpëto dhe më çliro nga dora e të huajve, goja e të cilëve thotë gënjeshtra dhe dora e djathtë e tyre është një e djathtë mashtrimi.
12 Bijtë tanë në rininë e tyre qofshin si një bimë e harlisur, dhe bijat tona qofshin si shtylla qosheje, të gdhendura mirë për të zbukuruar një pallat.
13 Hambaret tona qofshin plot dhe paçin nga të gjitha të mirat; kopetë tona u shtofshin me mijëra dhe dhjetra mijëra në fushat tona;
14 qetë tanë tërheqshin ngarkesa të rënda dhe mos pastë asnjë sulm të papritur, dalje të papritur as britmë në sheshet tona.
15 Lum ai popull që është në gjendje të tillë, lum ai popull që ka për Perëndi Zotin.
104 Beko, o shpirti im, Zotin! O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi.
2 Ai të mbështjell me dritë si të ishte një mantel dhe i shtrin qiejtë si një çadër;
3 ai ndërton mbi ujërat dhomat e tij të larta, i bën retë si qerren e tij dhe ecën mbi krahët erës.
4 I bën erërat lajmëtarë të tij dhe flakët e zjarrit shërbëtorë të tij.
5 Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë.
6 Ti e kishe mbuluar me humnerë si me një rrobe; ujërat ishin ndalur mbi malet.
7 Në qortimin tënd ato ikën, në zërin e gjëmimit tënd u larguan me nxitim.
8 Dolën malet dhe luginat u ulën në vendin që ti kishe caktuar për to.
9 Ti u vure ujërave një kufi që nuk duhet ta kapërxenin; ato nuk do të kthehen më të mbulojnë tokën.
10 Ai bën që të dalin burime në luginat; ato rrjedhin midis maleve,
11 dhe u japin për të pirë tërë kafshëve të fushës; gomarët e egër shuajnë etjen e tyre.
12 Pranë tyre banojnë shpendët e qiellit; midis gjelbërimeve lartojnë këngën e tyre.
13 Nga dhomat e sipërme të tij ai u jep ujë maleve; toka ngopet me frytin e veprave të tua.
14 Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij,
15 dhe verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që bën të shkëlqejë fytyra tij dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut.
16 Kështu ngopen drurët e Zotit dhe kedrat e Libanit që ai ka mbjellë;
17 aty bëjnë folenë e tyre zogjtë, ndërsa lejleku bën nëpër selvitë banesën e tij.
18 Malet e larta janë për dhitë e egra, shkëmbinjtë janë streha e lepujve.
19 Ai ka bërë hënën për stinët, dielli e di orën e perëndimit të tij.
20 Ti dërgon terrin dhe bëhet natë; gjatë asaj shkojnë rreth e qark gjithë kafshët e pyllit.
21 Luanët e vegjël vrumbullojnë duke kërkuar gjahun dhe i kërkojnë Perëndisë ushqimin e tyre.
22 Por, kur lind dielli, ata tërhiqen dhe rrinë në strofkat e tyre.
23 Atëherë njeriu del për të punuar dhe punon deri në mbrëmje.
24 Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.
25 Ja deti, i madh dhe i gjerë, ku gëlojnë krijesa të panumërta;
26 e përshkojnë anijet dhe Leviathani, që ti ke formuar për t’u tallur në të.
27 Të gjithë presin që ti t’u japësh ushqimin në kohën e duhur.
28 Ti ua jep atyre dhe ata e mbledhin; ti hap dorën dhe ngopen me të mira.
29 Ti fsheh fytyrën tënde dhe ata e humbasin fare; ti heq frymën, dhe ata vdesin duke u kthyer përsëri në pluhurin e tyre.
30 Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut.
31 Lavdia e Zotit të rrojë përjetë; le të gëzohet Zoti me veprat e tij;
32 ai shikon tokën dhe kjo dridhet; ai prek malet dhe ato nxjerrin tym.
33 Unë do t’i këndoj Zotit deri sa të kem jetë; do t’i këndoj lavde Perëndisë tim deri sa të jem.
34 Le të jetë mendimi im i pëlqyer prej tij; unë do të ngazëllohem tek Zoti.
35 Le të zhduken mëkatarët nga toka dhe të pabesët mos qofshin më. Shpirti im, bekoje Zotin! Aleluja.
23 Këto janë fjalët e fundit të Davidit. Kështu thotë Davidi, bir i Isait, kështu thotë njeriu që u ngrit lart, i vajosuri i Perëndisë së Jakobit, këngëtari i ëmbël i Izraelit:
2 "Fryma e Zotit ka folur nëpërmjet meje dhe fjala e tij ka qenë mbi buzët e mia.
3 Perëndia i Izraelit ka folur, Kalaja e Izraelit më ka thënë: "Ai që mbretëron me drejtësi mbi njerëzit, ai që mbretëron në frikën e Perëndisë,
4 është si drita e mëngjesit në të dalë të diellit, në një mëngjes pa re, ashtu si shkëlqimi mbas shiut, që bën të mbijë bari i njomë nga dheu".
5 A nuk është vallë kështu shtëpia ime përpara Perëndisë? Sepse ai ka lidhur me mua një besëlidhje të përjetshme që parashikon çdo gjë dhe që është e sigurt. A nuk do të bëjë ai të lulëzojë shpëtimi im i plotë dhe të gjitha ato që unë dëshiroj?
6 Njerëzit e kobshëm do të hidhen tej të gjithë si gjembat, sepse nuk mund të kapen me duar.
7 Kush i prek duhet të armatoset me një hekur ose me shkopin e një ushte; ato digjen plotësisht në vend me zjarr".
13 Tre nga tridhjetë krerët zbritën në kohën e korrjes dhe erdhën te Davidi në shpellën e Adullamit, ndërsa një grup Filistejsh kishte ngritur kampin e tij në luginën e gjigantëve.
14 Davidi ndodhej atëherë në kala dhe kishte një garnizon Filistejsh në Betlem.
15 Davidi pati një dëshirë të madhe dhe tha: "Ah, sikur dikush të më jepte të pija ujë nga pusi i Betlemit, që është afër portës".
16 Të tre trimat çanë në mes të kampit të Filistejve dhe morën ujë nga pusi i Betlemit, pranë portës; pastaj e morën me vete dhe ia çuan Davidit. Por ai nuk desh ta pinte, por e derdhi përpara Zotit,
17 duke thënë: "Larg qoftë për mua, o Zot, një veprim i tillë! A nuk u vu, vallë gjaku i njerëzve, jeta e tyre në rrezik?". Dhe nuk deshi ta pinte. Kështu vepruan ata tre trima.
13 Pas disa ditësh mbreti Agripa dhe Berenike erdhën në Cezare për të përshëndetur Festin.
14 Dhe, mbasi ata ndenjën disa ditë, Festi ia parashtroi çështjen e Palit mbretit, duke thënë: “Feliksi ka lënë të burgosur njëfarë njeriu,
15 kundër të cilit, kur isha në Jeruzalem, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e Judenjve, kishin paraqitur akuza, duke kërkuar dënimin e tij.
16 Unë u dhashë përgjigje se nuk është zakon i Romakëve të dorëzojnë dikë për vdekje para se i akuzuari të ballafaqohet me paditësit e tij, dhe t’i jetë dhënë mundësia që të mbrohet nga akuza.
17 Prandaj, kur ata u mblodhën këtu, pa e shtyrë punën, u ula të nesërmen në gjykatë dhe urdhërova të ma sjellin këtë njeri.
18 Kur u ngritën paditësit e tij, nuk paraqitën kundër tij asnjë akuzë për gjërat që unë dyshoja.
19 Por kishin vetëm disa pika mospajtimi për fenë e tyre dhe për njëfarë Jezusi, që ka vdekur, dhe për të cilin Pali thoshte se është i gjallë.
20 Dhe duke qenë se unë mbeta ndërdyshas përpara një konflikt i të këtij lloji, e pyeta nëse ai donte të shkonte në Jeruzalem dhe të gjykohej atje lidhur me këto gjëra.
21 Por, mbasi Pali u apelua tek Augusti për të marrë gjykimin e tij, dhashë urdhër që ta ruanin derisa të mundem ta dërgoj te Cezari.”
22 Agripa i tha Festit: “Do të doja edhe unë ta dëgjoja këtë njeri.” Dhe ai u përgjigj: “Do ta dëgjosh nesër.”
23 Kështu të nesërmen Agripa dhe Berenike erdhën me shumë madhështi dhe, mbasi hynë në auditor me tribunët dhe me parinë e qytetit, me urdhër të Festit, e sollën Palin aty.
24 Atëherë Festi tha: “O mbret Agripa, dhe ju të gjithë që jeni të pranishëm këtu me ne, ju po shihni atë kundër të cilit gjithë turma e Judenjve m’u drejtua mua në Jeruzalem dhe këtu, duke thirrur se nuk është më i denjë të jetojë.
25 Por unë, duke parë se s’ka bërë asnjë gjë që të meritojë vdekjen, dhe duke qenë se ai vetë i është apeluar Augustit, vendosa ta dërgoj.
26 Dhe duke qenë se s’kam asgjë konkrete që t’i shkruaj perandorit për të, e solla këtu para jush, dhe kryesisht para teje, o mbret Agripa, që pas kësaj seance të kem diçka për të shkruar.
27 Sepse më duket e paarsyeshme të dërgosh një të burgosur pa treguar akuzat kundër tij.”
13 Ndërsa ai po dilte nga tempulli, një nga dishepujt e vet i tha: “Mësues, shih ç’gurë e ç’ndërtesa!.”
2 Dhe Jezusi duke iu përgjigjur i tha: “A po i shikon këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar.”
3 Dhe pasi ai ishte ulur mbi malin e Ullinjve përballë tempullit, Pjetri, Jakobi, Gjoni dhe Andrea e pyetën veçmas:
4 “Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e kohës në të cilën të gjitha këto gjëra do të duhet të mbarohen?.”
5 Dhe Jezusi duke u përgjigjur atyre nisi të flasë: “Kini kujdes që të mos ju mashtrojë njeri.
6 Sepse do të vijnë shumë në emrin tim duke thënë: "Unë jam!"; dhe do të mashtrohen shumë veta.
7 Por, kur të dëgjoni të flitet për luftëra dhe për ushtime luftërash, mos u shqetësoni; sepse këto gjëra duhet të ndodhin; por nuk do të jetë ende mbarimi.
8 Në fakt do të ngrihet kombi kundër kombit dhe mbretëria kundër mbretërisë; do të ndodhin tërmete në vende të ndryshme, zi buke dhe turbullira. Këto gjëra nuk do të jenë tjetër veçse fillimi i dhembjeve të lindjes.
9 Kujdesuni për veten! Sepse do t’ju dorëzojnë gjyqeve dhe do t’ju rrahin ndër sinagoga; do t’ju nxjerrin përpara guvernatorëve dhe mbretërve, për shkakun tim, që të dëshmoni përpara tyre.
10 Por më parë duhet që t’u përhapet ungjilli gjithë popujve.
11 Tani, kur t’ju çojnë për t’ju dorëzuar në duart e tyre, mos u shqetësoni që më parë për atë që do të duhet të thoni dhe mos e paramendoni; por thoni çfarë t’ju jepet në atë çast, sepse nuk jeni ju që flisni, por Fryma e Shenjtë.
12 Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t’i bëjnë të vdesin.
13 Dhe ju do të jeni të urryer nga të gjithë për shkak të emrit tim; por ai që do të ngulmojë deri në fund, do të shpëtohet.”