Book of Common Prayer
45 Më burojnë nga zemra fjalë shumë të ëmbla; unë i këndoj mbretit poemën time. Gjuha ime do të jetë si pena e një shkruesi të shpejtë.
2 Ti je shumë i bukur ndër të gjithë bijtë e njerëzve; buzët e tua janë plot nur, prandaj Perëndia të ka bekuar në përjetësi.
3 Ngjeshe shpatën në brezin tënd, o trim, i rrethuar nga shkëlqimi yt dhe nga madhështia jote,
4 dhe në madhështinë tënde shko përpara mbi qerren fitimtare për çështjen e së vërtetës, të shpirtmadhësisë dhe të drejtësisë, dhe dora jote e djathtë do të të tregojë vepra të tmerrshme.
5 Shigjetat e tua janë të mprehta; popujt do të bien poshtë teje; ato do të hyjnë në zemërën e armiqve të mbretit.
6 Froni yt, o Perëndi, vazhdon në përjetësi; skeptri i mbretërisë sate është një skeptër drejtësie.
7 Ti e do drejtësinë dhe urren mbrapshtinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të ka vajosur me vaj gëzimi përmbi shokët e tu.
8 Tërë rrobat e tua mbajnë erë mirre, aloe dhe kasie; nga pallatet e fildishta veglat muzikore me tela të gëzojnë.
9 Midis zonjave të nderit që të rrethojnë ka bija mbretërish; në të djathtën tënde është mbretëresha, e zbukuruar me ar Ofiri.
10 Dëgjo, vashë, shiko dhe vër veshin; harro populin tënd dhe shtëpinë e atit tënd,
11 dhe mbreti do të dëshirojë me të madhe bukurinë tënde; bjer përmbys para tij, sepse ai është Zoti yt.
12 Bija e Tiros do të të sjellë disa dhurata dhe të pasurit e popullit do të kërkojnë favoret e tua.
13 Tërë shkëlqim është brenda e bija e mbretit; rrobat e saj janë të qëndisura me ar.
14 Atë do ta çojnë te mbreti me rroba të qëndisura, të shoqëruar nga virgjëresha shoqe të saj, që do të të paraqiten ty.
15 Ato do t’i çojnë me gëzim dhe hare dhe do të hyjnë në pallatin e mbretit.
16 Bijtë e tu do të zënë vendin e etërve të tu; ti do t’i bësh princa për tërë tokën.
17 Unë do të shpall kujtimin e emrit tënd për të gjitha brezat; prandaj popujt do të të kremtojnë në përjetësim, përjetë.
47 Duartrokisni, o popuj; kremtojeni Perëndinë me britma triumfi.
2 Sepse Zoti, Shumë i Larti, është i tmerrshëm, një mbret i madh mbi gjithë dheun.
3 Ai do të na nënshtrojë popujt dhe kombet do t’i vërë nën këmbët tona.
4 Ai do të zgjedhë për ne trashëgiminë tonë, lavdinë e Jakobit që ai e do. (Sela)
5 Perëndia është ngritur në mes brohoritjesh gëzimi, Zoti me tingujt e borive.
6 Këndojini lavde Perëndisë tonë, këndojini lavde! Këndojini lavde mbretit tonë, këndojini lavde!
7 Sepse Perëndia është mbreti i gjithë dheut, këndojini lavde me zotësi.
8 Perëndia mbretëron mbi kombet; Perëndia ulet mbi fronin e tij të shenjtë.
9 Princat e popujve, populli i Perëndisë të Abrahamit, janë mbledhur bashkë; sepse Perëndisë i përkasin mburojat e tokës; atë e lëvdojnë me të madhe.
48 I madh është Zoti dhe meriton të lëvdohet në kulm në qytetin e Perëndisë tonë, në malin e tij të shenjtë.
2 I bukur për nga lartësia e tij, gëzimi i gjithë dheut është mali i Sionit, nga ana e veriut, qyteti i Mbretit të madh.
3 Në pallatet e tij Perëndia u bë i njohur si një kala e papushtueshme.
4 Ja, mbretërit ishin mbledhur dhe shikonin përpara bashkarisht,
5 por sa e panë, mbetën të shushatur dhe ikën të tmerruar.
6 Atje i zunë drithmat dhe si të prerat e lindjes,
7 në të njëjtën mënyrë si era e lindjes që i bën copë-copë anijet e Tarshishit.
8 Siç e kishim dëgjuar, ashtu pamë në qytetin e Zotit disa ushtri, në qytetin e Perëndisë tonë; Perëndia do ta bëjë të qëndrueshëm përjetë.
9 Në tempullin tënd, o Perëndi, ne kemi rënë në mendime mbi mirësinë tënde.
10 Ashtu si emri yt, o Perëndi, kështu lëvdimi yt arrin deri në skajet e tokës; dora jote e djathtë është tërë drejtësi.
11 Le të gëzohet mali Sion, le të ngazëllojnë vajzat e Judës për gjykimet e tua.
12 I bini rrotull Sionit, vizitojeni, numëroni kullat e tij,
13 këqyrni fortesat e tij, admironi pallatet e tij, me qëllim që të mund t’ia tregoni brezave që do të vijnë.
14 Sepse ky Perëndi është Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë; ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje.
23 Në vitin e tridhjetë e njëtë të Asas, mbretit të Judës, Omri filloi të mbretërojë mbi Izraelin dhe mbretëroi dymbëdhjetë vjet. Gjashtë vjet mbretëroi në Tirtsah,
24 pastaj bleu nga Shemeri malin e Samarisë për dy talentë argjendi; ndërtoi në mal një qyetet të cilin e quajti Samaria, nga emri i Shemerit, zotëria i malit.
25 Omri bëri atë që është e keqe për sytë e Zotit dhe u suall më keq se të gjithë paraardhësit e tij;
26 ndoqi tërësisht rrugën e Jeroboamit, birit të Nebatit, dhe mëkatet që ky kishte detyruar Izraelin t’i kryejë, duke shkaktuar zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit, me idhujt e tij.
27 Pjesa tjetër e bëmave të kryera nga Omri dhe trimëritë e tij a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?
28 Pastaj Omrin e zuri gjumi me etërit e tij dhe e varrosën në Samari. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ashabi.
29 Ashabi, bir i Omrit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në vitin e tridhjetë e tetë të Asas, mbretit të Judës; dhe Ashabi, bir i Omrit, mbretëroi në Samari mbi Izraelin njëzet e dy vjet.
30 Ashabi, bir i Omrit bëri ato gjëra që shihen me sy të keq nga Zoti më tepër se ata që e kishin paraprirë.
31 Përveç kësaj, sikur të ishte për të një gjë e vogël ndjekja e mëkateve të Jeroboamit; birit të Nebatit mori për grua Jezebelën, bijën e Ethbaalit, mbretit të Sidonitëve, dhe shkoi t’i shërbejë Baalit dhe të bjerë përmbys para tij.
32 I ngriti pastaj një altar Baalit, në tempullin e Baalit, që kishte ndërtuar në Samari.
33 Ashabi bëri edhe një Asherah; Ashabi provokoi zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit, më tepër se gjithë etërit e Izraelit që e kishin paraprirë.
34 Gjatë ditëve të sundimit të tij, Hieli nga Betheli rindërtoi Jerikon; hodhi themelet e tij mbi Abiramin, të parëlindurin e tij, dhe ngriti portat mbi Segubin, më të riun nga bijtë e tij, sipas fjalës që Zoti kishte thënë me anë të Jozueut, birit të Nunit.
12 Tani, vëllezër dua ta dini, se gjërat që më kanë ndodhur ndihmuan më shumë për përhapjen e ungjillit,
13 aq sa gjithë pretoriumi dhe të tjerët mbarë e dinë se unë jam në vargonj për Krishtin;
14 dhe pjesa më e madhe e vëllezërve në Zotin, të inkurajuar nga vargonjtë e mia, kanë marrë me shumë guxim në shpalljen e fjalës së Perëndisë pa frikë.
15 Disa me të vërtetë predikojnë Krishtin edhe për smirë dhe për grindje, por disa të tjerë me vullnet të mirë.
16 Këta e predikojnë Krishtin për grindje, me qëllime jo të pastra, duke menduar që t’u shtojnë pikëllimin vargonjve të mia.
17 kurse ata e bëjnë nga dashuria, duke ditur se unë jam vënë për mbrojtjen e ungjillit.
18 Ç’rëndësi ka? Sido që të jetë, me shtirje o sinqerisht, Krishti shpallet; dhe për këtë unë gëzohem, dhe do të gëzohem.
19 E di në fakt, se kjo do të dalë për shpëtimin tim, me anë të lutjes suaj dhe me ndihmën e Frymës së Jezu Krishtit,
20 sipas të priturit tim me padurim dhe me shpresë, se unë nuk do të turpërohem në asnjë gjë, por me çdo guxim, tani si gjithmonë, Krishti do të madhërohet në trupin tim, ose me jetën ose me vdekjen.
21 Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim.
22 Por nuk e di se jeta në mish të jetë për mua një punë e frytshme, as mund të them çfarë duhej të zgjedh,
23 sepse unë jam i shtrënguar nga dy anë, sepse kam dëshirë të iki nga kjo çadër dhe të jem bashkë me Krishtin, gjëja më e mirë,
24 por të qëndruarit në mish është më i nevojshëm për ju.
25 Këtë e di me siguri, që do të rri dhe qëndroj me ju të gjithë për përparimin tuaj dhe për gëzimin e besimit tuaj.
26 që mburrja tuaj për mua të teprojë në Jezu Krishtin, për praninë time sërish midis jush.
27 Ju veç, silluni në mënyrë të denjë në ungjillin e Krishtit, që, kur të vij e t’ju shoh, ose nga larg kur s’jam aty, të dëgjoj për ju se qëndroni fort në një frymë të përbashkët, duke luftuar bashkë me një shpirt për besimin e ungjillit,
28 duke mos u lënë të trembeni në asnjë gjë nga kundërshtarët; kjo është për ta një provë humbjeje, kurse për ju shpëtimi, edhe kjo nga ana e Perëndisë.
29 Sepse juve ju është dhënë hiri për hir të Krishtit, jo vetëm që të besoni në të, por edhe të vuani për të,
30 duke patur të njejtën beteje që e patë në mua, dhe tani po dëgjoni që është në mua.
16 Si kaloi e shtuna, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit, dhe Salomeja blenë aroma për të shkuar të vajosin Jezusin.
2 Në mëngjesin e ditës së parë të javës, shumë herët, ato erdhën te varri, kur po lindte dielli.
3 Dhe thonin në mes tyre: “Kush do të na rrokullisë gurin nga hyrja e varrit?.”
4 Por, kur ngritën sytë, panë se guri ishte rrokullisur, megjithëse ishte shumë i madh.
5 Hynë, pra, në varr dhe panë një djalosh që ishte ulur në të djathtë, të veshur me të bardha, dhe mbetën të trembura.
6 Dhe ai u tha atyre: “Mos u trembni! Ju kërkoni Jezusin Nazareas që ka qenë kryqëzuar; ai u ringjall, nuk është këtu; ja vendi ku e kishin vënë.
7 Por shkoni dhe u thoni dishepujve të tij dhe Pjetrit se ai po ju pararend në Galile; atje do ta shihni, ashtu siç ju pati thënë.”
8 Dhe ato dolën shpejt dhe ikën nga va-rri, sepse i zuri tmerri dhe habia; dhe nuk i thanë asgjë kurrkujt, sepse kishin frikë.
9 Tani Jezusi, pasi ishte ringjallur në mëngjesin e ditës së parë të javës, iu shfaq së pari Marisë Magdalenë, nga e cila pati dëbuar shtatë demonë.
10 Dhe ajo shkoi dhe ua tregoi atyre që kishin qenë bashkë me të, të cilët ishin të pikëlluar dhe e qanin.
11 Por këta, kur dëgjuan se ishte gjallë dhe se u pa nga ajo, nuk i besuan.
12 Mbas këtyre gjërave, iu shfaq në trajtë tjetër dyve prej tyre, që po shkonin në fshat.
13 Edhe ata shkuan dhe ua treguan të tjerëve; por as këtyre nuk u besuan.
14 Në fund iu shfaq të njëmbëdhjetëve kur ishin në tryezë dhe i qortoi për mosbesimin e tyre dhe për ngurtësinë e zemrës, sepse nuk u kishin besuar atyre që e kishin parë të ringjallur.
15 Pastaj u tha atyre: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese;
16 ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar.
17 Dhe këto janë shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë: në emrin tim ata do t’i dëbojnë demonët, do të flasin gjuhë të reja;
18 do t’i kapin me dorë gjarpërinjtë, edhe nëse do të pijnë diçka që shkakton vdekjen, nuk do t’u bëjë asnjë të keqe; do t’i vënë duart mbi të sëmurët dhe këta do të shërohen.”
19 Zoti Jezus, pra, mbasi u foli, u ngrit në qiell dhe u ul në të djathtë të Perëndisë.
20 Pastaj ata dolën dhe predikuan kudo, ndërsa Zoti bashkëvepronte me ta dhe e vërtetonte fjalën me shenjat që e shoqëronin. Amen.