Book of Common Prayer
40 Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin, dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time.
2 Më nxorri jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia.
3 Ai vuri në gojën time një kantik të ri për të lëvduar Perëndinë tonë; shumë njerëz kanë për ta parë këtë, do të dridhen dhe do t’i besojnë Zotit.
4 Lum ai njeri që i beson Zotit dhe nuk u drejtohet krenarëve dhe as atyre që marrin rrugë të keqe duke u dhënë pas gënjeshtrës.
5 O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë, dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne. Po të duhej t’i shpallja dhe t’i tregoja, do të ishin tepër për t’i radhitur.
6 Ti nuk kënaqesh as me flijime as me oferta; më ke shpuar veshët. Ti nuk ke kërkuar as olokauste as flijime për mëkatin.
7 Atëherë unë thashë: "Ja, po vij. Në rrotullin e librit shkruhet për mua.
8 Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time".
9 E shpalla drejtësinë tënde në kuvendin e madh; ja, unë nuk i mbaj buzët të mbyllura, o Zot, ti e di këtë.
10 Nuk e kam fshehur drejtësinë tënde në zemrën time; kam shpallur besnikërinë tënde dhe shpëtimin tënd; nuk e kam fshehur mirësinë tënde as të vërtetën tënde para kuvendit të madh.
11 Mos më moho, o Zot, mëshirën zemërbutë; mirësia jote dhe e vërteta jote më mbrofshin gjithnjë.
12 Sepse të këqija të panumërta më rrethojnë; paudhësitë e mia më kanë zënë dhe nuk mund të shikoj; janë më të shumta se flokët e kokës sime, dhe zemra po më ligështohet.
13 Prano, o Zot, të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.
14 U turpërofshin dhe u pështjellofshin ata që duan të shkatërrojnë jetën time. Rënçin poshtë të mbuluar nga turpi ata që gëzohen me fatkeqësitë e mia.
15 U trëmbshin për turp të tyre ata që më thonë: "Ah, ah…!".
16 U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, ata që duan shpëtimin tënd thënçin: "Lëvduar qoftë Zoti".
17 Sa për mua, unë jam i varfër dhe nevojtar, por Zoti kujdeset për mua. Ti je mbështetja ime dhe çlirimtari im; Perëndia im, mos u vono.
54 O Perëndia im, më shpëto me emrin tënd dhe siguromë drejtësi me fuqinë tënde.
2 O Perëndia im, dëgjo lutjen time dhe vëru veshin fjalëve të gojës sime.
3 Sepse disa të huaj janë ngritur kundër meje dhe njerëz të furishëm kërkojnë jetën time, njerëz që nuk e kanë Perëndinë para syve të tyre. (Sela)
4 Ja, Perëndia është ndihma ime, Zoti e përkrah jetën time.
5 Ai do t’i ndëshkojë armiqtë e mi për të keqen që më kanë bërë; në besnikërinë tënde shkatërroji.
6 Me gjithë zemër do të ofroj flijime; do të kremtoj emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë;
7 sepse më ke çliruar nga çdo ankth, sytë e mi kanë parë mbi armiqtë e mi atë që unë dëshiroja.
51 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.
2 Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,
3 Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.
4 Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.
5 Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.
6 Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.
7 Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.
8 Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.
9 Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.
10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.
11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.
12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.
13 Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.
14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.
15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.
16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti.
17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.
18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.
19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.
20 Kështu Ashabi dërgoi e thirri tërë bijtë e Izraelit dhe i mblodhi profetët në malin Karmel.
21 Atëherë Elia iu afrua tërë popullit dhe tha: "Deri kur do të lëkundeni midis dy mendimeve? Në qoftë se Zoti është Perëndia, shkoni pas tij; por në qoftë se përkundrazi është Baali, atëherë ndiqni atë". Populli nuk tha asnjë fjalë.
22 Atëherë Elia i tha popullit: "Kam mbetur vetëm unë nga profetët e Zotit, ndërsa profetët e Baalit janë katërqind e pesëdhjetë.
23 Le të na jepen dy dema të rinj; ata të zgjedhin një dem për veten e tyre, le ta copëtojnë dhe ta vënë mbi drutë pa i ndezur ato; unë do të përgatis demin tjetër dhe do ta vendos mbi drutë pa i ndezur ato.
24 Ju do t’i bëni thirrje perëndisë suaj dhe unë do të thërres Zotin; perëndia që do të përgjigjet me anë të zjarrit është Perëndia". Tërë populli u përgjigj dhe tha: "E the bukur!".
25 Atëherë Elia u tha profetëve të Baalit: "Zgjidhni një dem të ri dhe përgatiteni të parët sepse jeni më shumë; pastaj kërkoni ndihmën e perëndisë suaj, pa e ndezur zjarrin".
26 Kështu ata morën demin që u dhanë dhe e përgatitën; pastaj përmendën emrin e Baalit nga mëngjesi deri në drekë, duke thënë: "O Baal, na u përgjigj!". Por nuk u dëgjua asnjë zë dhe asnjeri nuk u përgjigj; ndërkaq ata kërcenin rreth altarit që kishin ndërtuar.
27 Në mesditë Elia filloi të tallet me ta dhe tha: "Ulërini më fort sepse ai është zoti; ndofta është duke menduar thellë, ose është i zënë me punë ose udhëton, ose ka rënë në gjumë e duhet zgjuar".
28 Dhe kështu ata filluan të ulërijnë më fort dhe të priten me shpata dhe shtiza sipas zakoneve që kishin, deri sa të kullonin gjak.
29 Me të kaluar mesdita, ata bënë profeci deri në kohën që ofrohej blatimi; por nuk u dëgjua asnjë zë, asnjeri nuk u përgjigj dhe askush nuk ua vuri veshin.
30 Atëherë Elia i tha tërë popullit: "Afrohuni pranë meje!". Kështu tërë populli iu afrau dhe ai ndreqi altarin e Zotit që e kishin prishur.
31 Pastaj Elia mori dymbëdhjetë gurë, sipas numrit të fiseve të bijve të Jakobit, të cilit Zoti i kishte thënë: "Emri yt do të jetë Izrael".
32 Me gurët ndërtoi një altar në emër të Zotit dhe hapi një gropë rreth tij me një kapacitet prej dy masash gruri.
33 Pastaj rregulloi drutë, copëtoi demin dhe e vuri mbi drutë. Dhe tha: Mbushni katër enë me ujë dhe i derdhni mbi olokaustin dhe mbi drutëë".
34 Përsëri tha: "Bëjeni një herë të dytë". Dhe ata e bënë një herë të dytë. Ai tha akoma: "Bëjeni për të tretën herë". Dhe ata e bënë për të tretën herë.
35 Uji rridhte rreth altarit dhe ai mbushi me ujë edhe gropën.
36 Në orën që ofrohej blatimi, profeti Elia u afrua dhe tha: "O Zot, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, vepro në mënyrë të tillë që të dihet që ti je Perëndi në Izrael, që unë jam shërbëtori yt që i bëra tërë këto gjëra me urdhrin tënd.
37 Përgjigjmu, o Zot, përgjigjmu, që ky popull të pranojë që ti, o Zot, je Perëndia, dhe ke bërë të kthehen te ti zemrat e tyre".
38 Atëherë ra zjarri i Tzotit dhe konsumoi olokaustin, drutë, gurët dhe pluhurin, si dhe thau ujin që ishte në gropë.
39 Para kësaj pamjeje tërë populli u shtri me fytyrën për tokë dhe tha: Zoti është Perëndia!..
40 Pastaj Elia u tha atyre: "Zini Profetët e Baalit; mos lini t’ju ikë as edhe një!". Kështu ata i kapën dhe Elia i zbriti në përruan Kishon, ku i theri.
3 Së fundi, o vëllezërit e mi, gëzohuni në Zotin; për mua nuk është e rëndë t’ju shkruaj të njëjtat gjëra, po për ju është siguri.
2 Ruhuni nga qentë, ruhuni nga punëtorët e këqij, ruhuni nga të prerët.
3 Sepse rrethprerja e vërtetë jemi ne, që i shërbejmë Perëndisë në Frymë dhe që mburremi në Krishtin Jezus pa besuar në mish,
4 megjithëse unë kam përse të besoj edhe në mishin; nëse ndonjë mendon se ka përse të besojë, unë kam akoma më shumë:
5 u rrethpreva të tetën ditë, jam nga kombi i Izraelit, nga fisi i Beniaminit, Hebre nga Hebrenj, dhe sipas ligjit farise,
6 sa për zellin, përndjekës i kishës; për sa i përket drejtësisë, që është në ligj, i pa qortueshëm.
7 Por gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje.
8 Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin,
9 dhe që të gjendem në të, duke pasur jo drejtësinë time që është nga ligji, por atë që është nga besimi në Krishtin: drejtësia që është nga Perëndia, me anë të besimit,
10 që të njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij dhe pjesëmarrjen në mundimet e tij, duke u bërë vetë i ngjashëm me të në vdekjen e tij,
11 që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ringjalljes prej së vdekurish.
12 Jo se unë tashmë e fitova çmimin ose jam bërë i përsosur, por po vazhdoj të rend për ta zënë, sepse edhe unë u zura nga Jezu Krishti.
13 Vëllezër, sa për vete, nuk mendoj se e kam zënë, por bëj këtë: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara,
14 po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus.
15 Pra, të gjithë ne që jemi të përsosur, le të kemi këto mendime; dhe në qoftë se ju mendoni ndryshe për ndonjë gjë, Perëndia do t’jua zbulojë edhe këtë.
16 Por në pikën ku kemi arritur, le të ecim sipas së njëjtës rregull me të njejtën mendje.
3 Tani në ato ditë erdhi Gjon Pagëzori, që predikonte në shkretëtirën e Judesë,
2 dhe thoshte: “Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!”
3 Dhe në fakt për Gjonin kishte folur profeti Isaia kur tha: “Një zë i atij që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij".”
4 Tani Gjoni vet kishte veshur një rrobë prej leshi të devesë dhe një brez prej lëkure në bel; ai ushqehej me karkaleca dhe mjaltë të egër.
5 Në atë kohë njerëzit e Jeruzalemit, nga gjithë Judeja dhe nga krahina e Jordanit rendnin tek ai,
6 dhe pagëzoheshin nga ai, në Jordan duke rrëfyer mëkatet e tyre.
7 Por ai, kur pa se shumë farisenj dhe saducenj po vinin për t’u pagëzuar tek ai, u tha atyre: “Pjellë nepërkash, kush ju ka mësuar t’i arratiseni zemërimit që po vjen?
8 Jepni pra fryte të denja të pendesës!
9 Dhe mos t’ju shkojë mendja të thoni me vete: "Ne kemi Abrahamin për atë"; sepse unë po ju them se Perëndia mund të nxjerrë bij të Abrahamit edhe prej këtyre gurëve.
10 Dhe tashmë sëpata është në rrënjën e drurëve; çdo dru, pra, që nuk jep fryt të mirë, do të pritet dhe do të hidhet në zjarr.
11 Unë po ju pagëzoj me ujë, për pendim; por ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as të mbaj sandalet e tij; ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin.
12 Ai mban në dorë terploten dhe do ta pastrojë plotësisht lëmin e tij; grurin e tij do ta mbledhë në hambar, por bykun do ta djegë me zjarr të pashueshëm.”