Book of Common Prayer
69 Shpëtomë, o Perëndi, se ujërat më kanë arritur deri në grykë.
2 Jam zhytur në një batak të thellë dhe nuk gjej asnjë pikë mbështetjeje; kam arritur në ujëra të thella dhe rryma më rrëmben me vete.
3 Jam lodhur duke bërtitur, gryka më është tharë; sytë e mi konsumohen në pritje të Perëndisë tim.
4 Ata që më urrejnë pa shkak janë më të shumtë se flokët e mi; janë të fuqishëm ata që duan të më shkatërrojnë dhe që janë pa të drejtë armiq të mi; jam i detyruar të kthej atë që nuk kam vjedhur.
5 O Perëndi, ti e di marrëzinë time dhe fajet e mia nuk të janë fshehur.
6 Mos u ngatërrofshin për shkakun tim ata që kanë shpresë te ti, o Zot, Zoti i ushtrive; mos u turpërofshin për shkakun tim ata që të kërkojnë, o Perëndi i Izraelit.
7 Për hir të dashurisë sate unë po heq një poshtërim dhe turpi më mbulon fytyrën.
8 Unë jam i bërë një i huaj për vëllezërit e mi dhe për bijtë e nënes sime.
9 Sepse zelli i shtëpisë sate më ka përpirë dhe fyerjet e rënda të atij që të fyen kanë rënë mbi mua.
10 Kam qarë duke pikëlluar shpirtin tim me agjërim, por kjo më ka sjellë çnderim.
11 Kam veshur madje si rroba një thes, por u bëra për ta objekt talljeje.
12 Ata që ulen te porta flasin për mua, dhe u bëra kënga e pijanecëve.
13 Por sa për mua, o Zot, lutja ime të drejtohet ty, o Zot, në kohë të pranueshme; në dhembshurinë tënde të madhe përgjigjmu, o Perëndi, në shpëtimin tënd të siguruar.
14 Më nxirr nga bataku që të mos fundosem në të, dhe bëj që të çlirohem nga ata që më urrejnë dhe nga ujërat e thella.
15 Mos më mbuloftë rryma e ujërave, mos më përpiftë humnera dhe mos u mbylltë gryka e pusit mbi mua.
16 Përgjigjmu, o Zot, sepse mirësia jote është e çmuar; në dhembshuritë e tua të mëdha sillu nga unë.
17 Mos e fshih fytyrën tënde nga shërbëtori yt, sepse jam në ankth; nxito të më përgjigjesh.
18 Afrohu te unë dhe më shpjego; çliromë nga armiqtë e mi.
19 Ti e njeh poshtërsinë time, turpin tim dhe çnderimin tim; armiqtë e mi janë të gjithë para teje.
20 Fyerja e rëndë më ka copëtuar zemrën dhe jam plot hidhërime; prita dikë që të më përdëllentë por më kot; prita dikë që të më ngushëllonte, por nuk u paraqit asnjë.
21 Më dhanë përkundrazi vrer në vend të ushqimit dhe për të ma shuar etjen më dhanë për të pirë uthull.
22 U bëftë tryeza e tyre një lak para tyre, dhe begatia e tyre një kurth.
23 Ju errshin sytë atyre kështu që të mos shohin më, dhe bëj që ijët e tyre të lëkunden vazhdimisht.
24 Zbraz mbi ta zemërimin tënd dhe i zëntë zjarri i indinjatës sate.
25 Banesa e tyre u shkretoftë dhe askush mos banoftë në çadrat e tyre,
26 sepse përndjekin atë që ti ke goditur dhe flasin me kënaqësi për dhembjen e atyre që ti ke plagosur.
27 Shto këtë faj fajit të tyre dhe mos arrifshin kurrë të kenë pjesë në drejtësinë tënde.
28 U shofshin nga libri i jetës dhe mos u shkrofshin midis të drejtëve.
29 Tani jam i hidhëruar dhe i dëshpëruar; shpëtimi yt, o Perëndi, më lartoftë.
30 Unë do ta kremtoj emrin e Perëndisë me një këngë, dhe do ta madhështoj me lavde.
31 Dhe kjo do t’i pëlqejë Zotit më tepër se një ka o një dem me brirë dhe thonj.
32 Njerëzit e përulur do të shohin dhe do të gëzohen; dhe për ju që kërkoni Perëndinë, u përtëriftë zemra juaj.
33 Sepse Zoti kënaq nevojtarët dhe nuk përçmon robërit e tij.
34 E mburrshin qiejtë dhe toka, detet dhe gjithçka lëviz në to.
35 Sepse Perëndia do të shpëtojë Sionin dhe do të rindërtojë qytetet e Judës; atëherë ata do të banojnë në to dhe do t’i zotërojnë.
36 Dhe pasardhësit e shërbëtorëve të tij do të kenë trashëgiminë dhe ata që e duan emrin e tij do të banojnë aty.
73 Me siguri Perëndia është i mirë me Izraelin, me ata që janë të pastër nga zemra.
2 Por, sa për mua, gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin.
3 Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij.
4 Sepse nuk ka dhembje në vdekjen e tyre, dhe trupi i tyre është i majmë.
5 Ata nuk po heqin si vdekatarët e tjerë, as pësojnë goditje si njerëzit e tjerë.
6 Prandaj kryelartësia i rrethon si një gjerdan dhe dhuna i mbështjell si një rrobe.
7 Sytë u dalin jashtë nga dhjami dhe përfytyrimet e çoroditura të zemrës së tyre vërshojnë.
8 Ata tallen dhe kurdisin me pabesi shtypjen, flasin me arrogancë.
9 E drejtojnë gojën e tyre kundër qiellit dhe gjuha e tyre përshkon tokën.
10 Prandaj njerëzit e tyre kthehen nga ajo anë dhe pijnë me të madhe ujërat e tyre,
11 dhe thonë: "Si është e mundur që Perëndia të dijë çdo gjë dhe të ketë njohuri te Shumë i Larti?".
12 Ja, këta janë të pabesë; megjithatë janë gjithnjë të qetë dhe i shtojnë pasuritë e tyre.
13 Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time.
14 Sepse jam goditur tërë ditën dhe jam ndëshkuar çdo mëngjes.
15 Sikur të kisha thënë: "Do të flas edhe unë kështu," ja, do të kisha mohuar brezin e bijve të tu.
16 Atëherë kërkova ta kuptoj këtë gjë, por ajo m’u duk shumë e vështirë.
17 Deri sa hyra në shenjtoren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre.
18 Me siguri, ti i vë në vënde të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim.
19 Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri!
20 Ashtu si në një ëndërr, kur zgjohesh, kështu edhe ti, o Zot, kur të zgjohesh, do të përbuzësh pamjen e tyre të kotë.
21 Kur zemra ime acarohej dhe e ndjeja veten sikur më shponin nga brenda,
22 unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë.
23 Por megjithatë unë jam gjithnjë me ty; ti më ke kapur nga dora e djathtë.
24 Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi.
25 Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje.
26 Mishi im dhe zemra ime nuk mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi.
27 Sepse ja, ata që largohen prej teje do të vdesin; ti shkatërron tërë ata që, duke kurvëruar, largohen prej teje.
28 Por sa për mua, e mira është t’i afrohem Perëndisë; e kam bërë Zotin tim, Zotin, strehën time, për të treguar gjithë veprat e tua.
2 Ashaziahu ra nga dritarja e katit të sipërm në Samari dhe u dëmtua. Atëherë dërgoi lajmëtarë të cilëve u tha: "Shkoni të konsultoni Baal-Zebubin, perëndinë e Ekronit, për të ditur në se do ta marr veten nga kjo fatkeqësi".
3 Por një engjëll i Zotit i tha Tishbitit Elia: "Çohu dhe u dil përpara lajmëtarëve të mbretit të Samarisë dhe u thuaj atyre: "Mos vallë nuk ka Perëndi në Izrael, që ju shkoni të konsultoheni me Baal-Zebubin, perëndinë e Ekronit?
4 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ti nuk do të zbresësh më nga shtrati në të cilin ke hipur, por me siguri ke për të vdekur"". Pastaj Elia u largua.
5 Lajmëtarët u kthyen te Ashaziahu, që i pyeti ata: "Pse u kthyhet?".
6 Ata u përgjigjën: "Një njeri na doli përpara dhe na tha: "Shkoni te mbreti që ju ka dërguar dhe i thoni: Kështu thotë Zoti: Mos vallë nuk ka asnjë Perëndi në Izrael që ti dërgon njerëz për t’u konsultuar me Baal-Zebubin, perëndinë e Ekronit? Prandaj nuk do të zbresësh nga shtrati mbi të cilin ke hipur, por me siguri ke për të vdekur"".
7 Atëherë mbreti i pyeti ata: "Si ishte njeriu që ju doli përpara dhe ju tha këto fjalë?".
8 Ata u përgjigjën: "Ishte një njeri i veshur me rroba leshi dhe me një brez prej lëkure rreth ijeve"; Ashaziahu tha: "Éshtë Elia, Tishbiti!".
9 Atëherë mbreti dërgoi tek Elia një kapiten pesëdhjetësheje me pesëdhjetë njerëzit e tij; ai u ngjit tek ai dhe e gjeti Elian të ulur në majë të malit. Kapiteni i tha: "O njeriu i Perëndisë, mbreti të urdhëron të zbresësh".
10 Elia u përgjigj dhe i tha kapitenit të pesëdhjetëshes: "Në rast se jam një njeri i Perëndisë, të zbresë zjarr nga qielli dhe të të zhdukë ty dhe të pesëdhjetë njerëzit që janë me ty!". Dhe nga qielli zbriti një zjarr, që zhduku atë dhe të pesëdhjetë njerëzit e tij.
11 Atëherë mbreti i dërgoi një kapiten tjetër pesëdhjetësheje me pesëdhjetë njerëzit e tij, që iu drejtua Elias dhe i tha: "O njeriu i Perëndisë, mbreti të urdhëron të zbresësh menjëherë".
12 Elia u përgjigj dhe u tha atyre: "Në qoftë se jam një njeri i Perëndisë, le të zbresë zjarr nga qielli dhe të të zhdukë ty dhe pesëdhjetë njerëzit e tu". Dhe nga qielli zbriti zjarri i Perëndisë që zhduku atë dhe të pesëdhjetë njerëzit e tij.
13 Mbreti dërgoi edhe një kapiten të tretë pesëdhjetësheje me pesëdhjetë njerëzit e tij. Ky kapiten i tretë pesëdhjetësheje u ngjit dhe shkoi e u shtri para Elias, duke e lutur: "O njeriu i Perëndisë, të lutem, jeta ime e këtyre pesëdhjetë shërbëtorëve të tu qofshin të çmuara në sytë e tu!
14 Ja, një zjarr zbriti nga qielli dhe zhduku dy kapitenët e parë të pesëdhjetëshes me pesëdhjetë njerëzit e tyre; por tani jeta ime qoftë e çmuar në sytë e tu".
15 Engjëlli i Zotit i tha Elias: "Zbrit me të dhe mos ki frikë prej tij". Prandaj Elia u ngrit dhe zbriti bashkë me të te mbreti,
16 dhe i tha: "Kështu thotë Zoti: "Pse nuk paska në Izrael asnjë Perëndi, me fjalën e të cilit të mund të këshillohesh, që ti dërgove lajmëtarë te Baal-Zebubi, perëndi e Ekronit? Për këtë arësye ti nuk do të zbresësh nga shtrati në të cilin ke hipur, por ke për të vdekur me siguri"".
17 Kështu Ashaziahu vdiq, sipas fjalës së Zotit, të cilën e shqiptoi Elia. Me qenë se nuk kishte bij, Jerohami filloi të mbretërojë në vend të tij, gjatë vitit të dytë të Jerohamit, birit të Jozafatit, mbretit të Judës.
16 A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?
17 Në qoftë se dikush e prish tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta prishë atë, sepse tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju, është i shenjtë.
18 Askush të mos mashtrojë vetveten; në qoftë se ndonjë nga ju mendon se është i urtë në këtë kohë, le të bëhet i marrë, që të mund të bëhet i urtë.
19 Sepse dituria e kësaj bote është marrëzi pranë Perëndisë, sepse është shkruar: “Ai i zë të urtët në dinakërinë e tyre”;
20 dhe përsëri: “Zoti i njeh mendimet e të urtëve se janë të kota.”
21 Prandaj asnjë të mos mburret në njerëzit, sepse të gjitha gjërat janë tuajat;
22 Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, gjërat e tanishme dhe gjërat e ardhshme, të gjitha gjërat janë tuajat.
23 Dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë.
11 Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim.
12 Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush.”
13 “Ju jeni kripa e tokës; por në qoftë se kripa bëhet e amësht, me se mund ta rifitojë shijen? Nuk vlen për asgjë, veçse për t’u hedhur dhe ta shkelin njerëzit.
14 Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet.
15 Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t’u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi.
16 Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.”