Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 31

31 Gjeta strehë te ti, o Zot; bëj që unë të mos ngatërrohem kurrë; çliromë për drejtësinë tënde.

Ma vër veshin, nxito të më çlirosh; bëhu për mua një kështjellë e fortë dhe një vend i fortifikuar që të më shpëtosh.

Sepse ti je kështjella ime dhe kalaja ime; për hir të emrit tënd më udhëhiq dhe tregomë udhën.

Nxirrmë jashtë rrjetës që më kanë ngritur fshehurazi, sepse ti je kështjella ime.

Në duart e tua unë e besoj frymën time; ti më shpengove, o Zot, Perëndi e së vërtetës.

Unë i urrej ata që kanë dëshirë për t’u dukur, por kam besim te Zoti.

Unë do të ngazëlloj dhe do të kënaqem me mirësinë tënde, sepse ti ke parë pikëllimin tim dhe i ke kuptuar ankthet e shpirtit tim,

dhe nuk më dorëzove në duart e armikut, por m’i vure këmbët në një vend të gjerë.

Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse jam me ankth; syri im, shpirti im dhe të përbrendshmet e mia po treten nga dhembja,

10 sepse jeta ime po mpaket nga pikëllimi dhe vitet e mia nga të qarat; forca ime po mpaket për shkak të mëkatit tim dhe kockat e mia po treten.

11 Jam bërë një turp për tërë armiqtë e mi, veçanërisht për të afërmit e mi dhe një tmer për të njohurit e mi; ata që më shohin rrugës, ikin larg meje.

12 Zemra e tyre më ka harruar si të isha një njeri i vdekur; i përngjaj një vazoje të thyer.

13 Sepse dëgjoi shpifjet e shumë njerëzve; rreth e qark sundon tmerri, ndërsa ata këshillohen midis tyre kundër meje dhe kurdisin komplote për të më zhdukur.

14 Por unë kam besim te ti, o Zot; kam thënë: "Ti je Perëndia im".

15 Ditët e mia janë në dorën tëndë; çliromë nga duart e armiqve të mi dhe të atyre që më përndjekin.

16 Bëj që të shkelqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd; shpëtomë për hir të mirësisë sate.

17 O Zot, bëj që unë të mos jem i pështjelluar, pse të kam kërkuar; u pështjellofshin të pabesët dhe rënçin në heshtje në Sheol.

18 Mbeçin pa fjalë buzët gënjeshtare, që flasin pa turp kundër të drejtit, me mëndjemadhësi dhe përçmim.

19 Sa e madhe është mirësia jote që ti u rezervon atyre që kanë frikë nga ti, dhe që ti përdor në prani të bijve të njerëzve ndaj atyre që gjejnë strehë te ti!

20 Ti i fsheh në strehën e fshehtë të pranisë sate nga grackat e njerëzve, ti i ruan në një çadër të mbrojtur nga grindjet me fjalë.

21 Qoftë i bekuar Zoti, sepse më është treguar shumë dashamirës, duke më vendosur si në një vend të fortifikuar.

22 Kurse unë, në hutimin tim, thoja: "Më kanë larguar nga prania jote"; por ti dëgjove zërin e lutjeve të mia kur të klitha ty.

23 Duajeni Zotin, ju, gjithë shenjtorë të tij! Zoti i mbron besnikët dhe i shpaguan gjerësisht ata që veprojnë me kryelartësi.

24 Qofshi të fortë, mbarë ju që shpresoni tek Zoti, dhe ai do ta bëjë të patundur zemrën tuaj.

Psalmet 35

35 O Zot, përleshu me ata që përleshen me mua; lufto me ata që luftojnë kundër meje.

Merr mburojën dhe parzmoren dhe çohu të më ndihmosh.

Nxirre shtizën dhe zëru rrugën atyre që më përndjekin; thuaji shpirtit tim: "Unë jam shpëtimi yt".

Mbetshin të shushatur dhe të turpëruar ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe mbetshin të shushatur ata që kurdisin të keqen kundër meje.

U shpërndafshin si byku nga era dhe engjëlli i Zotit i dëboftë.

Qoftë rruga e tyre e errët dhe me shkarje, dhe Engjëlli i Zotit i përndjektë.

Sepse pa pasur arsye më kanë ngritur fshehurazi rrjetën e tyre; pa pasur arsye ma kanë hapur gropën.

Një shkatërrim i papritur u rëntë mbi krye, i zëntë rrjeta që kanë fshehur dhe rënçin në gropën që kanë përgatitur për shkatërimin tim.

Atëherë shpirti im do të ngazëllejë tek Zoti dhe do të gëzohet për shpëtimin e tij.

10 Të gjitha kockat e mia do të thonë: "O Zot, kush është si ti, që e çliron të mjerin nga ai që është më i fortë se ai, të mjerin dhe nevojtarin nga ai që plaçkit?".

11 Dëshmitarë të pamëshirshëm ngrihen kundër meje dhe më pyesin për gjëra për të cilat unë nuk di asgjë.

12 Të mirën e shpërblejnë me të keqen, duke e lënë kështu të pangushëlluar jetën time.

13 Megjithatë, kur ishin të sëmurë, unë vesha grathoren dhe e mundova shpirtin tim me agjerim, dhe lutesha me kokën e përkulur mbi gjoks.

14 Shkoja rreth e rrotull, sikur të ishte fjala për një shok o për vëllanë tim; shkoja fort i kërrusur nga dhembja, ashtu si një njeri që mban zi për të ëmën.

15 Por kur u pengova, ata u gëzuan dhe u mblodhën bashkë; u mblodhën kundër meje disa shpifës, të cilët nuk i njihja; më kanë shqyer pa pushim.

16 Bashkë me disa palaço zemërkatranë kërcëllijnë dhëmbët kundër meje.

17 O Zot, deri kur do të vazhdosh të shikosh? Shpëto jetën time nga shkatërrimet e kurdisura prej tyre, të vetmen pasuri që kam nga dhëmbët e luanëve.

18 Unë do të të kremtoj në kuvendin e madh, do të lavdëroj në mes të një populli të shumtë.

19 Mos u gëzofshin me mua ata që pa hak më janë bërë armiq, mos e shkelshin syrin ata që më urrejnë pa arsye,

20 sepse nuk flasin kurrë për paqe, por kurdisin mashtrime kundër njerëzve paqësorë të vendit.

21 Po, e hapin gojën e tyre kundër meje dhe thonë: "Ah, ah! E kemi parë me sytë tanë".

22 O Zot, ti i ke parë këto gjëra, mos hesht; o Zot, mos u largo nga unë.

23 Zgjohu dhe çohu, për të më siguruar drejtësi dhe për të mbrojtur çështjen time, o Perëndi dhe Zoti im.

24 Gjykomë sipas drejtësisë sate, o Zot, Perëndia im, dhe bëj ata të mos kënaqen me mua,

25 dhe të mos thonë në zemër të tyre: "Ah, pikërisht ashtu siç e donim"; dhe të mos thonë: "E gëlltitëm".

26 U turpërofshin dhe u pështjellofshin gjihë ata që gezohen nga e keqja ime; u mbulofshin me turp dhe me fyerje ata që ekzaltohen kundër meje.

27 Këndofshin dhe gëzofshin ata që kanë në zemër çështjen time të drejtë dhe thënçin vazhdimisht: "Lëvduar qoftë Zoti, që e do paqen e shërbëtorit të tij".

28 Gjuha ime do të kremojë drejtësinë tënde dhe do të këndojë lëvdimin tënd tërë ditën.

1 i Mbretërve 11:26-43

26 Edhe Jeroboami, shërbëtor i Salomonit, ngriti krye kundër mbretit. Ai ishte bir i Nebatit, Efrateut të Tseredës, dhe kishte nënë një të ve me emrin Tseruah.

27 Arsyeja pse ngriti krye kundër mbretit ishte kjo: Salomoni, duke ndërtuar Milon, kishte mbyllur të çarën e qytetit të Davidit, atit të tij.

28 Jeroboami ishte një njeri i fortë dhe trim; dhe Salomoni, duke parë se si punonte ky i ri, i besoi mbikqyrjen e të gjithë atyre që merreshin me punimet e shtëpisë së Jozefit.

29 Në atë kohë, ndërsa Jeroboami po dilte nga Jeruzalemi, profeti Ahijah nga Shilohu, që kishte veshur një mantel të ri, e takoi rrugës; dhe ishin ata të dy vetëm në fushë.

30 Ahijahu mori mantelin e ri që vishte dhe e grisi në dymbëdhjetë pjesë;

31 pastaj i tha Jeroboamit: "Merr për vete dhjetë pjesë, sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do ta heq mbretërinë nga duart e Salomonit dhe do të të jap ty dhjetë fise,

32 (por atij do t’i mbetet një fis për hir të Davidit, shërbëtorit tim, dhe për hir të Jeruzalemit, për qytetin që kam zgjedhur midis gjithë fiseve të Izraelit),

33 sepse ata më kanë braktisur dhe kanë rënë përmbys përpara Ashtorethit, perëndeshës së Sidonitëve, përpara Kemoshit, perëndisë së Moabit, dhe përpara Milkomit, perëndisë së bijve të Amonit, dhe nuk kanë ecur në rrugët e mia për të bërë atë që është e drejtë në sytë e mi dhe për të respektuar statutet dhe dekretet e mia, ashtu si bëri ati i tij, Davidi.

34 Megjithatë nuk do të heq nga duart e tij tërë mbretërinë, sepse e kam caktuar princ për të gjithë kohën e jetës së tij, për dashurinë që ndjej për Davidin, shërbëtorin tim, që unë kam zgjedhur dhe që ka respektuar urdhërimet dhe statutet e mia.

35 Por do të heq mbretërinë nga duart e të birit, dhe do të të jap ty dhjetë fise;

36 birit të tij do t’i lë një fis, me qëllim që Davidi, shërbëtori im, të ketë gjithmonë një llambë para meje në Jeruzalem, qytet që kam zgjedhur për t’i vënë emrin tim.

37 Kështu do të të marr ty dhe ti do të mbretërosh mbi gjithçka dëshiron zemra jote, dhe do të jesh mbret i Izraelit.

38 Në rast se dëgjon me kujdes të gjitha ato që po të urdhëroj dhe ecën në rrugët e mia, dhe bën atë që është e drejtë në sytë e mi, duke respektuar statutet dhe urdhërimet e mia, ashtu siç veproi Davidi, shërbëtori im, unë do të jem me ty dhe do të të ndërtoj një shtëpi të qëndrueshme, ashtu si ja ndërtova Davidit, dhe do të të jap Izraelin;

39 për këtë do të poshtëroj pasardhësit e Davidit, por jo për gjithnjë"".

40 Prandaj Salomoni kërkoi të shkaktonte vdekjen e Jeroboamit; por Jeroboami u ngrit dhe iku në Egjipt pranë Shishakut, mbretit të Egjiptit, dhe qëndroi në Egjipt deri sa vdiq Salomoni.

41 Pjesa tjetër e bëmave të Salomonit, gjithë ato që bëri dhe dituria e tij a nuk janë vallë të shkruara në librin e bëmave të Salomonit?

42 Salomoni mbretëroi në Jeruzalem mbi të gjithë Izraelin dyzet vjet.

43 Pastaj Salomonin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros në qytetin e Davidit, atit të tij; në vend të tij mbretëroi i biri, Roboami.

Jakobit 4:13-5:6

13 Dhe tani, ju që thoni: “Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, dhe do të rrijmë atje një vit, do të tregtojmë dhe do të fitojmë,”

14 ndërsa nuk dini për të nesërmen. Sepse ç’është jeta? Éshtë avull që duket për pak, dhe pastaj humbet.

15 Në vend që të thoni: “Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë, ne do të bëjmë këtë ose atë gjë.”

16 Ju, përkundrazi, mburreni në arrogancën tuaj; çdo mburrje e tillë është e keqe.

17 Ai, pra, që di të bëjë të mirë edhe nuk e bën, bën mëkat.

Dhe tani ju, o pasanikë: qani dhe vajtoni për të këqijat që do t’ju zënë!

Pasuria juaj u kalb dhe rrobat tuaja i brejti tenja.

Ari dhe argjendi juaj u ndryshkën, dhe ndryshku i tyre do të jetë një dëshmi kundër jush dhe do t’ju përpijë mishërat si zjarr; keni mbledhur thesare në ditët e fundit.

Ja, paga që u keni ngrënë puntorëve që ju korrën arat, po këlthet; dhe klithmat e atyre që korrën, arritën në vesh të Zotit të ushtrive.

Jetuat mbi tokë ndër qejfe dhe shkapërderdhje; i ushqyet zemrat tuaja si për ditë të të therurit.

Dënuat dhe vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshtoi.

Marku 15:22-32

22 Pastaj e çuan Jezusin në vendin të quajtur Golgota, që do të thotë: Vendi i Kafkëss".

23 I dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.

24 Dhe, pasi e kryqëzuan, i ndanë rrobat e tij duke hedhur short, për të ditur çfarë do t’i binte secilit.

25 Ishte ora e tretë kur e kryqëzuan.

26 Dhe mbishkrimi që tregonte shkakun e dënimit, i cili ishte vënë përmbi të, thoshte: "Mbreti i Judenjve".

27 Bashkë me të kryqëzuan edhe dy vjedhës, njërin në të djathtën e tij dhe tjetrin në të majtën e tij.

28 Kështu u përmbush Shkrimi që thotë: “Ai u përfshi ndër keqbërësit.”

29 Dhe ata që kalonin aty afër e fyenin, duke tundur kokën, dhe duke thënë: “Hej, ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë,

30 shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi!.”

31 Po ashtu edhe krerët e priftërinjve me skribët, duke e tallur, i thoshnin njeri tjetrit: “Të tjerët i shpëtoi, por veten s’mund ta shpëtojë.

32 Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim dhe ta besojmë.” Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të, e fyenin atë.