Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 93

93 Zoti mbretëron; ai është veshur me madhështi; Zoti është mbuluar me mantel, është ngjeshur me forca. Po, bota është e qëndrueshme nuk do të tundet kurrë.

Froni yt është nga përjetësia i qëndrueshëm; ti je i tillë nga përjetësia.

Lumenjtë kanë ngritur, o Zot, lumenjtë kanë ngritur zërin e tyre; lumenjtë kanë ngritur valët e tyre plot zhurmë;

por Zoti në vëndet shumë të larta është më i fuqishëm së zërat e ujërave të mëdha, më i fuqishëm se baticat e detit.

Statutet e tua janë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Shenjtëria i shkon shtëpisë sate, o Zot, përjetë.

Psalmet 96

96 Këndojini Zotit një këngë të re, këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës!

Këndojini Zotit, bekoni emin e tij; lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij.

Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mekullitë e tij midis tërë popujve.

Sepse Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë; nga ai duhet të kemi frikë përmbi gjithë perënditë e tjera.

Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë.

Shkëlqimi dhe madhështia janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij.

Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.

Jepini Zotit lavdinë që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani në oborret e tij.

Bini përmbys përpara Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij, dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës.

10 U thoni gjithë kombeve: "Zoti mbretëron; bota është vendosur mirë dhe nuk do të luajë nga vendi; ai do t’i gjykojë popujt me drejtësi".

11 Le të gëzohen qiejtë dhe të gëzohet toka; le të zhurmojë deti dhe gjithçka gjindet në të.

12 Le të ngazëllohet fusha dhe gjithçka gjindet në të. Atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit,

13 sepse ai vjen, vjen për të gjykuar tokën. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi dhe popujt në besnikërinë e tij.

Psalmet 34

34 Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time.

Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen.

Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij.

Unë e kërkova Zotin, dhe ai m’u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia.

Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan.

Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij.

Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron.

Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai.

Kini frikë nga Zoti, ju shenjtorë të tij, sepse asgjë nuk u mungon atyre që kanë frikë prej tij.

10 Luanët e vegjël vuajnë nga mungesa e madhe dhe nga uria, por atyre që kërkojnë Zotin nuk u mungon asgjë.

11 Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t’ju mësoj frikën e Zotit.

12 Cili është ai njeri që dëshiron jetën dhe do ditë të gjata për të parë të mirën?

13 Mbaje gjuhën tënde larg së keqes dhe buzët e tua të mos thonë gënjeshtra.

14 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe siguroje.

15 Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre.

16 Fytyra e Zotit është kundër atyre që sillen keq, për të çrrënjosur kujtimin e tyre nga faqja e dheut.

17 Të drejtët bërtasin dhe Zoti i dëgjon dhe i çliron nga të gjitha fatkeqësitë e tyre.

18 Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar.

19 Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha.

20 Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet.

21 Ligësia do të vrasë të keqin, dhe ata që urrejnë të drejtin do të shkatërrohen.

22 Zoti shpengon jetën e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë te ai nuk do të shkatërrohet.

2 i Mbretërve 4:8-37

Ndodhi që një ditë Eliseu shkoi në Shunem, ku banonte një grua e pasur, dhe kjo e detyroi të hante pak ushqim. Kështu sa herë që ai kalonte andej, shkonte të hante tek ajo.

Ajo i tha burrit të saj: "Ja, unë jam e sigurt që ai që kalon gjithnjë te neve është një njeri i shenjtë i Perëndisë.

10 Të lutem, të ndërtojmë një dhomë të vogël me mur në katin e sipërm dhe të vëmë për të një shtrat, një tryezë, një karrige dhe një shandan; kështu, kur të vijë te ne, mund të rrijë në atë dhomë".

11 Një ditë që Eliseu po kalonte andej shkoi në dhomën lart dhe u shtri.

12 Pastaj i tha Gehazit, shërbëtorit të tij: "Thirre këtë Shunamite". Ai e thirri dhe ajo u paraqit përpara tij.

13 Pastaj Eliseu i tha shërbëtorit të tij: "I thuaj kështu: "Ja, ti ke treguar një kujdes të veçantë për ne; çfarë mund të bëj për ty? A dëshiron t’i them diçka në emrin tënd mbretit apo komandantit të ushtrisë?"". Ajo u përgjigj:

14 "Unë jetoj në mes të popullit tim". Atëherë Eliseu i tha: "Çfarë mund të bëj për të?". Gehazi u përgjigj: "Të thuash të vërtetën, ajo nuk ka fëmijë dhe burri i saj është i vjetër".

15 Eliseu i tha: "Thirre!". Ai e thirri dhe ajo u ndal te porta.

16 Atëherë Eliseu i tha: "Në këtë stinë, mot, ti do të përqafosh një bir". Ajo u përgjigj: "Jo, imzot; o njeri i Perëndisë, mos e gënje shërbëtoren tënde!".

17 Gruaja mbeti me barrë dhe lindi një djalë vitin tjetër, në po atë stinë siç i kishte thënë Eliseu.

18 Fëmija u rrit; një ditë që kishte vajtur tek i ati bashkë me korrësit,

19 i tha të atit: "Koka ime, koka ime!". I ati urdhëroi shërbëtorin e tij: Çoje tek e ëma!!".

20 Ky e mori dhe e çoi tek e ëma. Fëmija qëndroi në prehrin e saj deri në mesditë, pastaj vdiq.

21 Atëherë ajo u ngjit, u shtri në shtratin e njeriut të Perëndisë, mbylli portën prapa tij dhe doli.

22 Pastaj thirri burrin e saj dhe i tha: "Të lutem, më dërgo një nga shërbëtorët e tu dhe një gomare; po vrapoj te njeriu i Perëndisë dhe po kthehem".

23 Ai e pyeti: "Pse dëshiron të shkosh tek ai pikërisht sot? Nuk është as dita e hënës së re, as e shtuna". Ajo u përgjigj: "Çdo gjë do të shkojë mbarë!".

24 Pastaj vuri t’i shalojnë gomaren dhe urdhroi shërbëtorin e vet: "Më udhëhiq dhe shko përpara; mos e ngadalëso hapin për mua, veçse po ta urdhërova unë".

25 Kështu ajo u nis dhe shkoi te njeriu i Perëndisë, në malin Karmel. Sa e pa njeriu i Perëndisë nga larg, i tha Gehazit, shërbëtorit të tij: "Ja, Shunamitja!

26 Të lutem, shko ta takosh dhe i thuaj: "A je mirë? A është mirë burri yt? Dhe fëmija a është mirë?"". Ajo u përgjigj: "Janë mirë".

27 Kur arriti te njeriu i Perëndisë në mal, i përqafoi këmbët. Gehazi u afrua për ta larguar, por njeriu i Perëndisë i tha: "Lëre të qetë, sepse e ka shpirtin të trishtuar, dhe Zoti ma ka fshehur dhe nuk ma ka treguar".

28 Ajo tha: "A i kisha kërkuar, vallë një bir zotit tim? A nuk të kisha thënë vallë: "Mos më gënje"?".

29 Atëherë Eliseu i tha Gehazit: "Ngjeshe brezin, merr në dorë bastunin tim dhe nisu. Në qoftë se takon ndonjë njeri, mos e përshëndet; dhe në qoftë se dikush të përshëndet, mos iu përgjigj: do ta vendosësh bastunin tim mbi fytyrën e fëmijës".

30 E ëma e fëmijës i tha Eliseut: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që edhe ti rron, unë nuk do të të lë". Kështu Eliseu u ngrit dhe i shkoi pas.

31 Gehazi i kishte paraprirë dhe kishte vënë bastunin mbi fytyrën e fëmijës, por nuk pati as zë as përgjigje. Prandaj ai u kthye të takohet me Eliseun dhe i tregoi atë që i kishte ndodhur, duke i thënë: "Fëmija nuk u zgjua".

32 Kur Eliseu hyri në shtëpi, e pa fëmijën të vdekur dhe të shtrirë në shtratin e tij.

33 Atrëherë ai hyri, mbylli derën pas atyre të dyve dhe iu lut Zotit.

34 Pastaj hipi mbi shtratin dhe u shtri mbi fëmijën; vuri gojën e vet mbi gojën e tij, duart e veta mbi duart e tij; u shtri mbi të dhe mishi i fëmijës filloi të ngrohet.

35 Pastaj Eliseu u tërhoq prapa dhe shkoi sa andej e këtej nëpër shtëpi; pas kësaj u ngjit përsëri dhe u shtri mbi fëmijën; fëmija teshtiu shtatë herë dhe hapi sytë.

36 Atëherë ai thirri Gehazin dhe i tha: "Thirre Shunamiten". Ai e thirri; kur ajo arriti tek Eliseu, ky i tha: "Merre djalin tënd".

37 Ajo hyri dhe u hosh në këmbët e tij, duke u shtrirë për tokë; pastaj mori djalin e saj dhe doli.

Veprat e Apostujve 9:10-31

10 Në Damask ishte një dishepull me emër Anania, të cilit Zoti i tha në vegim: “Anania!.” Dhe ai u përgjigj: “Ja ku jam, Zot!.”

11 Dhe Zoti i tha: “Çohu dhe shko në rrugën e quajtur E drejtë, dhe kërko në shtëpinë e Judës një njeri nga Tarsi me emër Saul, i cili po lutet;

12 ai ka parë në vegim një njeri, me emër Anania, duke hyrë dhe duke i vënë duart për t’ia kthyer dritën e syve.”

13 Atëherë Anania u përgjigj: “O Zot, nga shumë veta kam dëgjuar për këtë njeri se sa të këqija u ka bërë shenjtorëve të tu në Jeruzalem.

14 Dhe ai ka këtu një autorizim nga krerët e priftërinjve për të burgosur të gjithë ata që thërrasin emrin tënd.”

15 Por Zoti i tha: “Shko, sepse ai është vegla që unë kam zgjedhur për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit.

16 Sepse unë do t’i tregoj atij sa shumë i duhet të vuajë për emrin tim.”

17 Atëherë Anania shkoi dhe hyri në atë shtëpi; dhe, duke i vënë duart, tha: “Vëlla Saul, Zoti Jezus, që të është shfaqur në rrugën nëpër të cilën ti po vije, më ka dërguar që të kesh përsëri dritën e syve dhe të mbushesh me Frymën e Shenjtë.”

18 Në këtë çast i ranë nga sytë disa si luspa, dhe ai fitoi përsëri të parit; pastaj u ngrit dhe u pagëzua.

19 Dhe, mbasi mori ushqim, ai u ripërtëri në forcë. Pastaj Sauli qëndroi disa ditë me dishepujt që ishin në Damask.

20 Dhe filloi menjëherë të predikojë Krishtin në sinagoga se ai është Biri i Perëndisë.

21 Dhe të gjithë ata që e dëgjonin çuditeshin dhe thoshnin: “Po a nuk është ky ai që në Jeruzalem përndiqte të gjithë ata që e thërrisnin këtë emër, dhe ka ardhur këtu me synim që t’i çojë si robër te krerët e priftërinjve?.”

22 Por Sauli bëhej gjithnjë e më i fortë dhe i hutonte Judenjtë që banonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezusi është Krishti.

23 Pas shumë ditësh, Judenjtë u konsultuan bashkë që ta vrasin.

24 Por komploti i tyre u mor vesh nga Sauli. Dhe ditë e natë ata i ruanin portat e qytetit që të mund ta vrisnin;

25 atëherë dishepujt e morën natën dhe e zbritën poshtë nga muri, në një shportë.

26 Si arriti në Jeruzalem, Sauli u përpoq të bashkohej me dishepujt, por të gjithë kishin frikë nga ai, sepse nuk mund të besonin se ai ishte dishepull.

27 Atëherë Barnaba e mori dhe e çoi tek apostujt, dhe u tregoi se si ai, gjatë udhëtimit, e kishte parë Zotin që i kishte folur, dhe si kishte folur në Damask lirshëm në emër të Jezusit.

28 Kështu ai qëndroi me ta në Jeruzalem, dhe shkonte e vinte, dhe fliste lirshëm në emër të Zotit Jezus.

29 Ai u fliste dhe diskutonte me helenistët, por ata kërkonin ta vrisnin.

30 Por vëllezërit, kur e morën vesh, e çuan në Cezare dhe që andej e nisën për në Tars.

31 Kështu në mbarë Judenë, në Galile dhe në Samari kishat kishin paqe dhe ndërtoheshin. Dhe duke ecur në druajtjen e Zotit dhe në ngushëllimin e Frymës së Shenjtë, shumoheshin.

Luka 3:7-18

Ai, pra, u thoshte turmave që shkonin të pagëzoheshin prej tij: “Pjellë nepërkash, kush ju ka mesuar t’i arratiseni zemërimit që po vjen?

Bëni, pra, fryte të denja pendimi dhe mos filloni të thoni brenda jush: Ne kemi Abrahamin për Atë,," sepse unë po ju them se Perëndia mund t’i nxjerrë fëmijë Abrahamit edhe nga këta gurë.

Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve; çdo pemë që nuk jep fryt të mirë do të pritet dhe do të hidhet në zjarr.”

10 Dhe turmat e pyesnin, duke thënë: “Dhe ne, pra, ç’të bëjmë?.”

11 Atëherë ai, duke përgjigjur, u tha atyre: “Ai që ka dy tunika le t’i ndajë me atë që s’ka, dhe ai që ka të hajë le të veprojë po kështu.”

12 Tani erdhën edhe disa tagrambledhës që të pagëzohen dhe e pyetën: “Mësues, ç’duhet të bëjmë?.”

13 Dhe ai u tha atyre: “Mos vilni asgjë më tepër nga sa ju është urdhëruar.”

14 Edhe ushtarët e pyetën duke thënë: “Dhe ne, ç’duhet të bëjmë?.” Dhe ai u tha atyre: “Mos i bëni shantazh asnjeriu, mos i bëni akuza të rreme kurrkujt dhe jini të kënaqur me pagën tuaj!.”

15 Dhe populli ishte në pritje dhe të gjithë pyesnin në zemrat e veta nëse Gjoni ishte Krishti vetë.

16 Gjoni u përgjigj duke u thënë të gjithëve: “Unë ju pagëzoj me ujë; por vjen ai që është më i fortë nga unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidh lidhëset e sandaleve; ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr.

17 Ai mban në dorë lopatën e vet, për ta pastruar krejt lëmin e vet dhe për të mbledhur grurin në hambarin e tij, por bykun do ta djegë me zjarr që nuk shuhet.”

18 Kështu ai e ungjillizonte popullin duke e këshilluar me shumë mënyra të tjera.