Book of Common Prayer
56 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sepse njerëzit do të donin të më përpijnë; më luftojnë vazhdimisht me sulmet e tyre.
2 Armiqtë e mi do të donin vazhdimisht të më përpijnë. Po, janë të shumtë ata që më luftojnë në kryelartësinë e tyre.
3 Kur të kem frikë, do të mbështetem te ti.
4 Me ndihmën e Perëndisë do të kremtoj fjalën e tij; kam vënë besimin tim te Perëndia, nuk do të kem frikë. Çfarë mund të më bëjë njeriu?
5 Ata i shtrëmbërojnë vazhdimisht fjalët e mia; gjithë mendimet e tyre synojnë të më bëjnë të keq.
6 Mblidhen tok, rrinë në pritë; ruajnë hepat e mia, në pritje që të më marrin jatën.
7 Ata mendojnë të shpëtojnë me anë të ligësisë; në zemërimin tënd, o Perëndi, hidhi për tokë popujt.
8 Ti i ke numëruar hapat e bredhjes sime; vendosi lotët e mia në calikun tënd; a nuk i ke regjistruar në librin tënd?
9 Ditën që do të të thërrasë ty, armiqtë e mi do të kthejnë krahët. Këtë e di, sepse Perëndia është për mua.
10 Me ndihmën e Perëndisë do të kremtoj fjalën e tij; me ndihmën e Zotit do të kremtoj fjalën e tij.
11 Kam vënë besimin tim te Perëndia, nuk do të kem frikë. Çfarë mund të më bëjë njeriu?
12 Kushtet që kam lidhur me ty, o Perëndi, më detyrojnë. Do të të lëvdoj.
13 Sepse ti ke çliruar shpirtin tim nga vdekja dhe ke ruajtur këmbët e mia nga rënia, në mënyrë që unë të eci përpara Perëndisë në dritën e të gjallëve.
57 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, ki mëshirë për mua, sepse shpirti im gjen strehë te ti; gjej strehë në hijen e krahëve të tu deri sa të kalojnë fatkeqësitë.
2 Unë do t’i thërras Perëndisë, Shumë të Lartit, Perëndisë që kryen çdo gjë për mua.
3 Ai do të dërgojë nga qielli për të më shpëtuar, ai qorton ashpër atë që dëshiron të më përpijë. (Sela) Perëndia do të dërgoj mirësinë e tij dhe të vërtetën e tij.
4 Shpirti im është si në mes të luanëve; banoj midis njerëzve që vjellin zjarr, midis njerëzve dhëmbët e të cilëve janë shtiza dhe shigjeta, dhe gjuha e tyre është një shpatë e mprehur mirë.
5 U lartofsh mbi qiejtë, o Perëndi; shkëlqeftë lavdia jote mbi të gjithë tokën.
6 Ata kanë shtrirë një rrjetë mbi hapat e mia; unë jam i tëri i kërrusur; kanë hapur një gropë para meje, por ata vetë ranë brenda. (Sela)
7 Zemra ime është e prirur mirë, o Perëndi, zemra ime është e prirur mirë; unë do të këndoj dhe do të lëvdoj.
8 Rizgjohu, fryma ime; rizgjohuni, psaltir dhe qeste; unë do të rizgjoj agimin.
9 Do të të kremtoj midis popujve, o Zot, do të këndoj lavdet e tua midis kombeve,
10 sepse e madhe deri në qiell është mirësia jote, dhe e vërteta jote arrin deri në retë.
11 U lartofsh mbi qiejtë, o Perëndi; lavdia jote shkëlqeftë mbi të gjithë tokën.
58 A flisni pikërisht sipas drejtësisë ju, o të fuqishëm? A gjykoni ju drejt, o bij të njerëzve?
2 Në zemrën tuaj ju bluani përkundrazi të keqen; duart tuaja përhapin dhunën mbi tokë.
3 Këta të pabesë janë prishur që në barkun e nënës; këta gënjeshtarë kanë marrë rrugë të keqe që në lindje.
4 Helmi i tyre i ngjan helmit të gjarprit; janë si gjarpri helmues i shurdhër që i zë veshët e vet,
5 për të mos dëgjuar zërin e magjistarëve apo të atij që është i aftë të bëjë magji.
6 O Perëndi, thyej dhëmbët e tyre në gojë; o Zot, thyej dhëmbët e luanëve.
7 U shkrifshin si uji që rrjedh. Kur gjuan shigjetat e tij, ato u bëfshin si shigjeta pa majë.
8 U bëfshin si kërmilli që shkrihet ndërsa po shkon; si dështimi i gruas mos pafshin diellin.
9 Para se tenxheret tuaja të ndjejnë zjarrin e ferrishteve, qofshin këto të blerta apo të ndezura, ai do t’i heqë tutje si një vorbull.
10 I drejti do të gëzohet duke parë hakmarrjen; do të lajë këmbët në gjakun e të pabesit.
11 Dhe njerëzia do të thotë: "Me siguri ka një shpërblim për të drejtin; me siguri ka një Perëndi që gjykon mbi tokë".
64 Dëgjo zërin tim, o Perëndi, në vajtimin që të drejtoj ty; ruaje jetën time nga tmerri i armikut.
2 Më fshih nga dredhitë e njerëzve të këqij dhe nga turma zhurmëmadhe e atyre që kryejnë paudhësi.
3 Këta e mprehin gjuhën e tyre si një shpatë, dhe në vend të shigjetave lëshojnë fjalë të hidhura
4 për të goditur fshehurazi të pafajmin; e godasin papritur pa asnjë frikë.
5 I japin zemër njeri tjetrit në veprime të liga; flasin si të na vënë kurthe dhe thonë: "Kush ka për t’i parë?".
6 Kurdisin gjëra të këqija dhe thonë: "Kemi përgatitur një plan të përsosur". Mendimet e fshehura dhe zemra e njeriut janë të panjohëshme.
7 Por Perëndia do të hedhë kundër tyre shigjetat e tij dhe ata do të rrëzohen papritur.
8 Ata do të bien dhe e keqja që kanë bërë gjuhët e tyre do të bjerë mbi ta; kushdo që ka për t’i parë do të tundë kokën.
9 Atëherë tërë njerëzit do të kenë frikë dhe do të tregojnë veprën e Perëndisë, dhe do të njohin atë që ai ka bërë.
10 I drejti do të gëzohet tek Zoti dhe do të kërkojë strehë tek ai, dhe të gjihë të drejtët nga zemra do të përlëvdohen.
65 Ty, o Perëndi, të përket lëvdimi në Sion; dhe do të kryhen zotimet para teje.
2 Te ti, që plotëson lutjen, do të vijë çdo krijesë.
3 Mëkatet më kishin mundur, por ti siguron faljen për shkeljet tona.
4 Lum ai njeri që ti e zgjedh dhe e afron pranë vetes, që të banojë në oborret e tua; ne do të ngopemi me të mirat e shtëpisë sate, me gjërat e shenjta të tempullit tënd.
5 Në drejtësinë tënde, ti na përgjigjesh me vepra të tmerrshme, o Perëndia i shpëtimit tonë, ti që je shpresa e skajeve të tokës dhe e deteve të largëta.
6 Me fuqinë tënde i ke bërë malet të patundshëm dhe i ke ngjeshur me forcë.
7 Ti qetëson zhurmën e deteve, zhurmën e valëve të tyre dhe trazirën e popujve.
8 Dhe ata që banojnë në skajet e tokës kanë frikë nga mrekullitë e tua; ti bën që të shpërthejnë britma gëzimi nga lindja dhe nga perëndimi.
9 Ti e viziton tokën dhe bën që ajo të prodhojë më tepër, e pasuron në një masë të madhe; lumi i Perëndisë është plot ujë; ti u siguron njerëzve grurin e tyre, mbasi e ke përgatitur tokën.
10 Ti i mbush me ujë brazdat e saj, sheshon plisat, e zbut me shirat dhe bekon filizat.
11 Ti e kurorëzon motin me bujarinë tënde të madhe dhe gjurmët e tua dallohen me bollëkun e të mirave.
12 Kullotat e shkretëtirës janë plot me ujë, dhe kodrinat janë mbuluar me gëzim.
13 Kullotat mbulohen me kope dhe luginat mbulohen me grurë; ato lëshojnë britma gëzimi dhe këndojnë.
21 Mbas këtyre ngjarjeve, ndodhi që Nabothi i Jezreelit kishte një vresht në Jezreel, afër pallatit të Ashabit, mbretit të Samarisë.
2 Kështu Ashabi i foli Nabothit dhe i tha: "Më jep vreshtin që ta bëj kopsht perimesh, sepse ndodhet afër shtëpisë sime. Në këmbim do të jap një vresht më të mirë ose, po të të pëlqejë më tepër, barasvlerën në të holla".
3 Por Nabothi iu përgjigj Ashabit: "Të më ruajë Zoti të të lë trashëgiminë e etërve të mi!".
4 Prandaj Ashabi u kthye në shtëpi i trishtuar dhe i zemëruar për përgjigjen që Nabothi i Jezreelit i kishte dhënë: "Nuk do të jap trashëgiminë e etërve të mi!". Ra mbi shtratin e tij, ktheu kokën mënjanë dhe nuk deshi të hante.
5 Atëherë Jezebeli, bashkëshortja e tij, iu afrua dhe i tha: "Pse e ke frymën kaq të trishtuar dhe nuk ha?".
6 Ai iu përgjigj: "Sepse fola me Nabothin e Jezreelit dhe i thashë: "Më jep me para vreshtin tënd ose, po të të pëlqejë më shumë, të të jap një vresht tjetër si këmbim". Por ai m’u përgjigj: "Nuk do të të jap vreshtin tim!"".
7 Atëherë gruaja e tij Jezebel i tha: "A nuk je ti që mbretëron tani mbi Izrael? Çohu, ha dhe zemra jote të gëzohet; vreshtin e Nabothit në Jezreel do të ta jap unë".
8 Kështu ajo shkroi disa letra në emër të Ashabit, i vulosi me vulën e këtij dhe ua dërgoi pleqve dhe parisë që banonin në po atë qytet me Nabothin.
9 Në letrat ajo shkruante kështu: "Shpallni agjërimin dhe e ulni Nabothin në rreshtin e parë përpara popullit;
10 i vini përballë dy njerëez të poshtër që të deponojnë kundër tij, duke thënë: "Ti ke blasfemuar Perëndinë dhe mbretin"; pastaj çojeni jashtë, goditeni me gurë dhe kështu të vdesë".
11 Njerëzit e qytetit të Nabothit, pleqtë dhe paria që banonin në qytetin e tij vepruan ashtu si Jezebeli kishte dërguar t’u thoshte, siç ishte shkruar në letrat që u kishte drejtuar.
12 Shpallën agjerimin dhe e ulën Nabothin përpara popullit.
13 Pastaj erdhën dy njerëz të poshtër që u ulën përballë tij; dhe këta dy të poshtër deponuan kundër Nabothit përpara popullit, duke thënë: "Nabothi ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin". Pastaj e çuan jashtë qytetit dhe e vranë me gurë; kështu ai vdiq.
14 Pas kësaj i çuan fjalë Jezebelit: "Nabothi u vra me gurë dhe vdiq".
15 Kur Jezebeli mësoi që Nabothi ishte vrarë me gurë dhe kishte vdekur, i tha Ashabit: "Çohu dhe shtjere në dorë vreshtin e Nabothit në Jezreel, që ai nuk pranoi të të japë me para, sepse Nabothi nuk jeton më, por ka vdekur".
16 Me të dëgjuar Ashabi që Nabothi kishte vdekur, u ngrit dhe u nis për të shtënë në dorë vreshtin e Nabothit në Jezreel.
1 Pali, i thirrur apostull i Jezu Krishtit, me anë të vullnetit të Perëndisë, dhe vëllai Sosten,
2 kishës së Perëndisë që është në Korint, të shenjtëruarve në Krishtin Jezus, të thirrur shenjtorë, bashkë me të gjithë ata që në çdo vend e thërrasin emrin e Jezu Krishtit, Zotit të tyre dhe tonit:
3 hir dhe paqe për ju nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.
4 Përherë i falem nderit Perëndisë tim për ju, për hirin e Perëndisë, i cili ju është dhënë me anë të Jezu Krishtit,
5 sepse në atë ju u bëtë të pasur në të gjitha, në çdo fjalë dhe në çdo njohuri,
6 sikurse dëshmimi i Krishtit që u vërtetua ndër ju,
7 kaq sa nuk ju mungon asnjë dhunti, ndërsa prisni zbulesën e Zotit tonë Jezu Krishtit,
8 i cili edhe do t’ju vërtetojë deri në fund, që të jeni të paqortueshëm në ditën e Zotit tonë Jezu Krishtit.
9 Besnik është Perëndia, nga i cili jeni thirrur në bashkësinë e Birit të tij Jezu Krishtit, Zotit tonë.
10 Tani vëllezër, ju bëj thirrje në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit të flisni që të gjithë të njëjtën gjë dhe të mos keni ndasi midis jush, por të jeni plotësisht të bashkuar, duke pasur një mendje dhe një vullnet.
11 Sepse më është treguar për ju, o vë-llezër, nga ata të shtëpisë së Kloes, se në mes jush ka grindje.
12 Dhe dua të them këtë, që secili nga ju thotë: “Unë jam i Palit,” “unë i Apolit,” “unë i Kefës” dhe “unë i Krishtit.”
13 Vallë i ndarë qenka Krishti? Mos Pali u kryqëzua për ju? Apo ju u pagëzuat në emër të Palit?
14 E falënderoj Perëndinë që nuk kam pagëzuar asnjë nga ju, me përjashtim të Krispit dhe të Gait,
15 që askush të mos thotë se e pagëzova në emrin tim.
16 Unë pagëzova edhe familjen e Stefanës; përveç tyre nuk di të kem pagëzuar ndonjë tjetër.
17 Sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj ungjillin, jo me dituri fjale, që kryqi i Krishtit të mos dalë i kotë.
18 Sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë.
19 Sepse është shkruar: “Do të bëj të humbasë dituria e të diturve, dhe do ta asgjësoj zgjuarësinë e të zgjuarve.”
4 Atëherë Fryma e çoi Jezusin në shkretëtirë, që djalli ta tundonte.
2 Dhe, mbasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund e mori uria.
3 Atëherë tunduesi, pasi iu afrua, i tha: “Në qoftë se je Biri i Perëndisë, thuaj që këta gurë të bëhen bukë.”
4 Por ai, duke iu përgjigjur, tha: “Éshtë shkruar: "Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë".”
5 Atëherë djalli e çoi në qytetin e shenjtë dhe e vendosi në majë të tempullit
6 dhe i tha: “Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar: Ai do t’u japë urdhër engjëjve të tij për ty; edhe ata do të mbajnë mbii duart e tyre që të mos ndeshësh me këmbën tënde ndonjë gur".”
7 Jezusi i tha: “Éshtë shkruar gjithashtu: "Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd".”
8 Djalli e çoi sërish mbi një mal shumë të lartë dhe i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre,
9 dhe i tha: “Unë do të t’i jap të gjitha këto, nëse ti bie përmbys para meje dhe më adhuron.”
10 Atëherë Jezusi i tha: “Shporru, Satan, sepse është shkruar: "Adhuro Zotin, Perëndinë tënde, dhe shërbeji vetëm atij".”
11 Atëherë djalli e la; dhe ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin.