Book of Common Prayer
63 O Perëndi, ti je Perëndia im, unë të kërkoj në mëngjes; shpirti im është i etur për ty; ty të dëshiron mishi im në tokë të thatë dhe të djegur, pa ujë.
2 Kështu të admirova në shenjtërore, duke soditur forcën tënde dhe lavdinë tënde.
3 Me qenë se mirësia jote vlen më tepër se jeta, buzët e mia do të të lëvdojnë.
4 Kështu do të të bekoj deri sa të jetoj dhe në emrin tënd do të ngre duart e mia.
5 Shpirti im do të ngopet si të kishte ngrënë palcë dhe dhjamë, dhe goja ime do të të lëvdojë me buzë të gëzuara.
6 Të kujtoj në shtratin tim, të mendoj kur rri zgjuar natën.
7 Duke qenë se ti ke qenë ndihma ime, unë këndoj tërë gëzim në hijen e krahëve të tu.
8 Shpirti im mbahet ngushtë te ti; dora jote e djathtë më mban.
9 Por ata që kërkojnë jetën time për ta shkatërruar, do të zbresin në pjesët më të ulta të tokës.
10 Ata do t’i dorëzohen pushtetit të shpatës dhe do të bëhen pre e çakejve.
11 Por mbreti do të gëzohet te Perëndia; kushdo që betohet për të do të përlëvdohet, sepse goja e gënjeshtrave do të detyrohet të mbyllet.
98 Këndojini Zotit një himn të ri sepse ka bërë mrekulli; dora e tij e djathtë dhe krahu i tij i shenjtë i kanë siguruar shpëtimin.
2 Zoti ka bërë të njohur shpëtimin e tij dhe ka shprehur drejtësinë e tij përpara kombeve.
3 Ai ka mbajtur mend mirësinë e tij dhe besnikërinë e tij për shtëpinë e Izraelit; të tëra skajet e tokës kanë parë shpëtimin e Perëndisë tonë.
4 Dërgojini britma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës, shpërtheni në këngë gëzimi, ngazëlloni dhe këndoni lavde.
5 Këndojini lavde Zotit me qeste, me qesten dhe me zërin e këngës.
6 Dërgoni britma gëzimi me boritë dhe me zërin e bririt përpara Zotit, Mbretit.
7 Le të zhurmojë deti dhe gjithçka ndodhet në të, bota dhe banorët e saj.
8 Lumenjtë le të rrahin duart dhe malet le të ngazëllohen tok nga gëzimi përpara Zotit,
9 sepse ai vjen të gjykojë tokën; ai do të gjykojë botën me drejtësi dhe popujt me paanësi.
103 Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.
2 Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.
3 Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua,
4 shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri;
5 ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja.
6 Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve.
7 Ai i tregon Moisiut rrugët e tij dhe bijve të Izraelit veprat e tij.
8 Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.
9 Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë.
10 Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona.
11 Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij.
12 Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona.
13 Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij.
14 Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.
15 Ditët e njeriut janë si bari; ai lulëzon si lulja e fushës;
16 në qoftë se era i kalon sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet më.
17 Por mirësia e Zotit vazhdon nga përjetësia në përjetësi për ata që kanë frikë prej tij, dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve,
18 për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe mbajnë në mendje urdhërimet e tij për t’i zbatuar në praktikë.
19 Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejtë, dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka.
20 Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij.
21 Bekoni Zotin, ju, tërë ushtritë e tij, ju, tërë ministrat e tij, që zbatoni vullnetin e tij.
22 Bekoni Zotin, ju, të gjitha veprat e tij, në të tëra vendet e sundimit të tij. Shpirti im, beko Zotin!
47 "Zbrit dhe ulu në pluhur, o e virgjër bijë e Babilonisë. Ulu në tokë, pa fron, o bijë e Kaldeasve, sepse nuk do të quajnë më të brishtë dhe të njomë.
2 Vër dorën mbi mokrën dhe bluaj miellin; lëvize velin tënd, ngrije bishtin e fustanit, zbulo këmbën dhe kalo lumenjtë.
3 Lakuriqësia jote do të zbulohet dhe do të shihet gjithashtu turpi yt; do të hakmerrem dhe asnjeri nuk do të ndërhyjë".
4 Shpëtimtari ynë, emri i të cilit është Zoti i ushtrive, është i Shenjti i Izraelit.
5 "Ulu në heshtje dhe shko në terr, o bijë e Kaldeasve, sepse nuk do të të quajnë më zonjë të mbretërive.
6 Jam zemëruar me popullin tim, kam përdhosur trashëgiminë time dhe i kam dhënë në pushtetin tënd, por ti nuk ke perdorur për ta kurrfarë mëshire; zgjedhën tënde e ushtrove sidomos mbi të moshuarit,
7 dhe the: "Unë do të jem zonjë përjetë," dhe kështu nuk i vure këto gjëra në zemër dhe nuk more parasysh fundin e gjithë kësaj ngjarjeje.
8 Por tani dëgjo, o epshndjellëse, që banon në një vend të sigurt dhe thua në zemrën tënde: "Unë, dhe asnjë tjetër! Nuk do të mbetem kurrë e ve dhe s’kam për të njohur humbjen e fëmijëve".
9 Por këto dy gjëra do të të ndodhin në një çast, në po atë ditë: humbja e fëmijëve dhe vejëria; do të të bien plotësisht mbi kurriz, për shkak të numrit të madh të magjive të tua dhe për morinë e yshtjeve të tua.
10 Ti kishe besim në djallëzinë tënde dhe thoje: "Askush nuk më sheh". Dituria jote dhe njohuritë e tua të kanë mashtruar, dhe ti thoje në zemrën tënde:
11 "Unë dhe askush tjetër". Prandaj do të të vijë një fatkeqësi dhe nuk do të dish se nga të vjen; do të bjerë një fatkeqësi, që nuk do të jesh në gjendje ta shmangësh me asnjë lloj shlyerje; do të bjerë papritmas në trup një shkatërrim, që nuk e ke parashikuar.
12 Rri tani me yshtjet e tua dhe me morinë e magjive të tua me të cilat je lodhur që në rininë tënde. Ndofta do të nxjerrësh prej tyre ndonjë përfitim, ndofta do të arrish të ndjellësh frikë.
13 Je lodhur me turmën e këshilltarëve të tu; le të ngrihen, pra, astrologët, ata që studiojnë yjet dhe bëjnë parashikime çdo muaj dhe le të të shpëtojnë nga gjërat që do të bien në kurriz.
14 Ja, ato do të jenë si kashta; zjarri do t’i harrxhojë. Nuk do të shpëtojnë veten e tyre nga fuqia e flakës; nuk do të ketë prush për t’u ngrohur, as zjarr para të cilit të ulesh.
15 Kështu do të jenë ata me të cilët je munduar dhe ke dhënë e ke marrë që në rininë tënde. Secili do të rravgojë për llogari të vet, dhe askush nuk do të të shpëtojë".
19 Duke pasur, pra, o vëllezër, liri të plotë për të hyrë në shenjtërore me anë të gjakut të Jezusit,
20 me anë të një udhe të re dhe të gjallë që ai përuroi për ne me anë të velit, domethënë të mishit të tij,
21 edhe duke pasur një kryeprift mbi shtëpinë e Perëndisë,
22 le t’i afrohemi me zemër të vërtetë, me siguri të plotë besimi, duke i pasur zemrat tona të lara prej ndërgjegjës së ligë dhe trupin të larë me ujë të kulluar.
23 Le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi.
24 Dhe le të kujdesemi për njeri tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira,
25 pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njeri tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet.
26 Sepse, në qoftë se ne mëkatojmë me dashje mbasi kemi marrë dijeni të së vërtetës, nuk mbetet më asnjë flijim për mëkatet,
27 por vetëm një pritje gjyqi e tmerrshme dhe një e ndezur zjarri që do të përpijë kundërshtarët.
28 Kushdo që shkel ligjin e Moisiut vritet pa mëshirë me deponimet e dy ose tre dëshmitarëve.
29 Ç’dënim më të keq meriton, sipas mendimit tuaj, ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë dhe e ka konsideruar profan gjakun e Besëlidhjes me të cilin u shenjtërua, dhe ka fyer Frymën e hirit?
30 Sepse ne e dimë atë që ka thënë: “Hakmarrja më takon mua, unë do ta jap shpagimin,” thotë Perëndia. Dhe përsëri: “Perëndia do të gjykojë popullin e vet.”
31 Gjë e tmerrshme është të bjerë njeriu në duart e Perëndisë së gjallë.
2 Në Jeruzalem, afër portës së dhenve, është një pellg që në hebraisht quhet Betesda, dhe ka pesë portikë.
3 Nën to dergjeshin një numër i madh të lënguarish: të verbër, të çalë dhe të paralizuar, të cilët prisnin lëvizjen e ujit.
4 Sepse një engjëll, kohë pas kohe, zbriste në pellg dhe e lëvizte ujin; dhe i pari që hynte, mbasi uji ishte lëvizur, shërohej nga çfarëdo sëmundje që të kishte.
5 Aty ishte një njeri i lënguar prej tridhjetë e tetë vjetësh.
6 Jezusi, duke e parë shtrirë dhe duke ditur se prej shumë kohe ishte në atë gjendje, i tha: “A dëshiron të shërohesh?.”
7 I lënguari u përgjigj: "Zot, unë s’kam njeri që, kur lëviz uji, të më fusë në pellg; dhe, ndërsa unë po shkoj, një tjetër zbret para meje.”
8 Jezusi i tha: “Çohu, merr vigun tënd dhe ec!.”
9 Njeriu u shërua në çast, mori vigun e tij dhe eci. Atë ditë ishte e shtunë.
10 Prandaj Judenjtë i thanë atij që u shërua: “Éshtë e shtunë; nuk është e ligjshme për ty të ngresh vigun tënd!.”
11 Ai iu përgjigj atyre: “Ai që më shëroi më tha: "Merre vigun tënd dhe ec!".”
12 Atëherë ata e pyetën: “Kush është ai njeri që të tha: "Merre vigun tënd dhe ec"?.”
13 Por ai që ishte shëruar nuk e dinte kush ishte, sepse Jezusi ishte larguar për shkak të turmës që ishte në atë vend.
14 Më vonë Jezusi e gjeti në tempull dhe i tha: “Ja, ti u shërove; mos mëkato më që të mos të të bëhet një gjë më e keqe.”
15 Ai njeri shkoi dhe u tregoi Judenjve se Jezusi ishte ai që e shëroi.
16 Për këtë Judenjtë e përndiqnin Jezusin dhe kërkonin ta vrisnin, sepse bënte këto gjëra të shtunave.
17 Por Jezusi u përgjigj atyre: “Im Atë vepron deri më tash, e edhe unë veproj.”
18 Për këtë Judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin, sepse jo vetëm se shkelte të shtunën, por edhe se thoshte se Perëndia ishte ati i vet, duke e barazuar veten me Perëndinë.