Book of Common Prayer
68 Perëndia u çoftë dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, dhe ata që e urrejnë ikshin para tij.
2 Ti do t’i shpërndash ashtu si zhdavaritet tymi, ashtu si shkrihet dylli para zjarrit; kështu do të vdesin të pabesët përpara Perëndisë.
3 Por të drejtët do të gëzohen, do të ngazëllohen përpara Perëndisë dhe do të galdojnë me këngë gëzimi.
4 Këndojini Perëndisë, këndojini lavde emrit të tij; pregatitini rrugën atij që kalon me kalë në shkretëtirë; emri i tij është Zoti; ngazëlloni para tij.
5 Perëndia në banesën e tij të shenjtë është babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave.
6 Perëndia bën që i vetmuari të banojë në një familje, çliron të burgosurit dhe siguron begatinë; por rebelët mbeten në tokë të djegur.
7 O Perëndi, kur dole përpara popullit tënd, kur marshove nëpër shkretëtirë. (Sela)
8 toka u drodh; edhe qiejtë lëshuan ujë në prani të Perëndisë, vetë Sinai u drodh në prani të Perëndisë, Perëndisë të Izraelit.
9 Ti ke derdhur një shi të bollshëm, o Perëndi, dhe i ke dhënë përsëri fuqi trashëgimisë sate.
10 Kopeja jote gjeti një banesë dhe në mirësinë tënde, o Perëndi, je kujdesur për të varfërit.
11 Zoti shpalli fjalën dhe i madh ishte numri i atyre që e kanë shpallur:
12 "Mbretërit e ushtrive ikin me ngut, ndërsa kush ka mbetur në shtëpi ndan plaçkën.
13 Edhe në se keni mbetur për të pushuar ndër vatha, ju jeni si krahët e pëllumbeshës të mbuluara me argjend dhe si pendët e saj të arta që shkëlqejnë".
14 Kur i Plotfuqishmi i shpërndau mbretërit në vend, Tsalmoni u mbulua me borë.
15 Një mal i Perëndisë është mali i Bashanit, një mal me shumë maja është mali i Bashanit.
16 O male me shumë maja pse shikoni me zili malin që Perëndia ka zgjedhur për banesë të tij? Po, Zoti do të banojë atje përjetë.
17 Qerret e Perëndisë janë një mori, mijëra e mijëra, Zoti është midis tyre ashtu si në Sinai, në shenjtërinë e tij.
18 Ti je ngjitur lart, ke burgosur robërinë, ke marrë dhurata nga njerëzit edhe nga rebelët, me qëllim që ti, o Zot Perëndi të mund të qëndrosh atje.
19 I bekuar qoftë Zoti, që për ditë mbart barrat tona; ai është Perëndia i shpëtimit tonë. (Sela)
20 Perëndia është për ne Perëndia që çliron, dhe Zotit, Zotit, i përket çlirimi nga vdekja.
21 Po, Perëndia do të shtypë kokën e armiqve të tij, kokën me flokë të gjata të atyre që ecin në mëkat të tij.
22 Zoti ka thënë: "Do t’i kthej nga Bashani, do t’i kthej nga humnerat e detit,
23 me qëllim që ti të dërrmosh armiqtë e tu, duke futur thellë këmbën tënde në gjakun e tyre, dhe gjuha e qenve të tu të ketë pjesën që i takon".
24 Ata kanë parë varganin tënd, o Perëndi, varganin e Perëndisë tim, e Mbretit tim në shenjtërore.
25 Këngëtarët ecnin përpara, ata që u binin veglave vinin në fund, dhe në mes qëndronin vajzat që u binin dajreve.
26 Bekoni Perëndinë në kuvendet; bekoni Zotin ju që jeni nga gurra e Izraelit.
27 Ja, Beniamini, më i vogli, por udhëheqësi i tyre, princat e Judës me trupat e tyre, princat e Zabulonit, princat e Neftalit.
28 Perëndia yt ka vendosur forcën tënde; forco, o Perëndi, sa ke bërë për ne.
29 Për shkak të tempullit tënd në Jeruzalem, mbretërit do të të sjellin dhurata.
30 Shaj kafshën e kallamishteve, tufën e demave me viçat e popujve, deri sa të poshtërohen duke sjellë shufra argjendi; shpërndaji popujt që kënaqen duke bërë luftë.
31 Nga Egjipti do të sjellin metal që shkëlqen, Etiopia do të nxitojë t’i shtrijë Perëndisë duart e saj.
32 O mbretëri të tokës, këndojini Perëndisë; këndojini lavde Zotit, (Sela)
33 atij që shkon me kalë mbi qiejtë e qiejve të përjetshme, ai nxjerr zërin e tij, një zë të fuqishëm.
34 Pranoni fuqinë e Perëndisë, madhështia e tij qëndron mbi Izraelin dhe fuqia e tij është në qiejtë.
35 O Perëndi, ti je i tmerrshëm nga shenjtorja jote; Perëndia i Izraelit është ai që i jep forcë dhe fuqi popullit. I bekuar qoftë Perëndia!
72 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,
2 dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.
3 Malet do t’i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.
4 Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.
5 Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.
6 Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.
7 Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.
8 Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.
9 Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.
10 Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t’i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t’i ofrojnë dhurata.
11 Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë.
12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.
13 Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.
14 Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.
15 Dhe ai do të jetojë; dhe do t’i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën.
16 Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.
17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.
18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli.
19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.
20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait.
10 Dhe Jakobi u nis në Beer-Sheba dhe shkoi në drejtim të Haranit.
11 Arriti në një farë vendi dhe aty kaloi natën, sepse dielli kishte perënduar. Atëherë mori një nga gurët e atij vendi, e vuri nën krye të tij dhe aty ra në gjumë.
12 Dhe pa në ëndërr një shkallë të mbështetur mbi tokë, maja e së cilës prekte qiellin; dhe ja engjëjt e Perëndisë hipnin e zbrisnin në të.
13 Dhe ja, Zoti ndodhej në majë të saj dhe i tha: "Unë jam Zoti, Perëndia i Abrahamit, babait tënd, dhe Perëndia i Isakut; tokën mbi të cilën je shtrirë do të ta jap ty dhe pasardhësve të tu;
14 dhe pasardhësit e tu do të jenë si pluhur i tokës, dhe ti do të shtrihesh në perëndim dhe në lindje, në veri dhe në jug; dhe tërë familjet e tokës do të bekohen nëpërmjet teje dhe pasardhësve të tu.
15 Dhe ja, unë jam me ty dhe do të të mbroj kudo që të vesh, dhe do të të sjell përsëri në këtë vend; sepse nuk do të të braktis para se të bëj atë që të kam thënë".
16 Atëherë Jakobit i doli gjumi dhe tha: "Me siguri Zoti është në këtë vend dhe unë nuk e dija".
17 Dhe pati frikë e tha: "Sa i tmerrshëm është ky vend! Kjo nuk është tjetër veçse shtëpia e Perëndisë, dhe kjo është porta e qiellit!".
18 Kështu Jakobi u ngrit herët në mëngjes, mori gurin që kishte vënë nën krye të vet, e ngriti si një përmendore dhe derdhi vaj mbi majën e saj.
19 Dhe e quajti këtë vend Bethel, kurse më parë emri i qytetit ishte Luc.
20 Pastaj Jakobi lidhi një kusht duke thënë: "Në qoftë se Perëndia do të jetë me mua dhe do të më mbrojë gjatë këtij udhëtimi që jam duke bërë, në qoftë se do të më japë bukë për të ngrënë dhe rroba për t’u mbuluar,
21 dhe do të kthehem në shtëpinë e babait tim në paqe, atëherë Zoti do të jetë Perëndia im;
22 dhe ky gur që kam ngritur si përmendore, do të jetë shtëpia e Perëndisë; dhe nga të gjitha ato që do të më japësh, unë do të japë të dhjetën"
13 Të gjithë këta vdiqën në besim, pa marrë premtimet e bëra, por i panë ato për se largu dhe u bindën dhe i përshëndetën ato me gëzim duke rrëfyer se janë të huaj dhe shtegtarë mbi dhe.
14 Sepse ata që flasin të tilla, tregojnë se kërkojnë atdhe.
15 Dhe, po ta kishin pasur në mend atë nga e cila kishin dalë, do të kishin gjetur kohë të ktheheshin atje.
16 Por ata tani dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë qiellor; prandaj Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndi i tyre, sepse u bëri gati atyre një qytet.
17 Me anë të besimit Abrahami, pasi u vu në provë, ofroi Isakun dhe ai që kishte pritur premtimet ofroi birin e tij të vetëm,
18 ndonëse Perëndia i pati thënë: “Te Isaku do të quhet pasardhja jote (që do të mbajë emrin tënd),”
19 sepse Abrahami mendonte se Perëndia ishte i fuqishëm sa ta ringjallte edhe prej së vdekurish; prej të cilëve edhe e mori atë përsëri si një lloj figure.
20 Me anë të besimit Isaku bekoi Jakobin dhe Esaun, për gjërat që do të ndodhnin.
21 Me anë të besimit Jakobi, duke vdekur, bekoi secilin nga bijtë e Jozefit dhe adhuroi duke u mbështetur mbi majën e shkopit të tij.
22 Me anë të besimit Jozefi, duke vdekur, përmendi eksodin e bijve të Izraelit dhe dha porosi për eshtrat e tij.
7 Prandaj Jezusi u tha atyre përsëri: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve.
8 Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; por delet nuk i kanë dëgjuar.
9 Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë.
10 Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.
11 Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet.
12 Kurse rrogëtari, që nuk është bari, dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet dhe ikën; dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet.
13 Rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar dhe nuk do t’ia dijë për delet.
14 Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua,
15 ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet.
16 Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t’i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm.
17 Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri.