Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 138:1-139:23

138 Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj lavdet e tua.

Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër.

Ditën në të cilën të kërkova, ti m’u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim.

Tërë mbretërit e tokës do të të kremtojnë, o Zot, kur të dëgjojnë fjalët e gojës sate,

dhe do të këndojnë rrugët e Zotit, sepse e madhe është lavdia e Zotit.

Ndonëse Zoti është i shkëlqyeshëm, ai tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë, por mëndjemadhin e njeh nga larg.

Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë.

Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua.

139 Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh.

Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim.

Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.

Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht.

Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua.

Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij.

Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate?

Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty.

Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit,

10 edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë.

11 Po të them: "Me siguri terri do të më fshehë," madje edhe nata do të bëhet dritë rreth meje:

12 terri vetë nuk mund të të fshehë asgjë, madje nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty.

13 Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime.

14 Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.

15 Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës.

16 Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.

17 Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre!

18 Po të doja t’i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty.

19 Me siguri, ti do vrasësh të pabesin, o Perëndi; prandaj ju, njerëz gjakatarë largohuni nga unë.

20 Ata flasin me pabesi kundër teje; armiqtë e tu përdorin më kot emrin tënd.

21 A nuk i urrej vallë ata që të urrejnë, o Zot, dhe a nuk i urrej ata që ngrihen kundër teje?

22 Unë i urrej me një urrejtje të përsosur; ata janë bërë armiqtë e mi.

23 Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia.

Psalmet 147

147 Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t’i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh.

Zoti ndërton Jeruzalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit.

Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre.

Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre.

I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij.

Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij.

Këndojini Zotit me falenderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë,

që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet.

Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin.

10 Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut.

11 Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij.

12 Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion.

13 Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje.

14 Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë.

15 Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun.

16 Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi.

17 Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t’i bëjë ballë të ftohtit të tij?

18 Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin.

19 Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij.

20 Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.

Isaia 65:1-9

65 Më kanë kërkuar ata që nuk pyesnin për mua, më gjetën ata që nuk më kërkonin. Dhe thashë: "Ja ku jam, ja ku jam" një kombi që nuk thërriste emrin tim.

I shtriva tërë ditën duart e mia në drejtim të një populli rebel, që ecën nëpër një rrugë jo të mirë, duke ndjekur mendimet e tij;

një popull që vazhdimisht provokon zemërimin tim me pafytyrësi, që ofron flijime në kopshte dhe djeg temjan mbi altarë prej tullash,

që rri midis varreve dhe kalon netët në vende sekrete, që ha mish derri dhe ka në enët e tij supa gjërash të neveritshme,

që thotë: "Rri për llogari tënde, mos u afro, sepse jam më i shenjtë se ti". Këto gjëra janë për mua një tym në hundë, një zjarr që digjet tërë ditën.

"Ja, e tërë kjo është shkruar para meje; unë nuk do të hesht, por do të shpaguaj, po, do të shpaguaj në gji të tyre

paudhësitë tuaja dhe paudhësitë e etërve tuaj të gjitha së bashku," thotë Zoti. "Ata kanë djegur temjan mbi male dhe më kanë fyer mbi kodra; prandaj shpërblimin e sjelljes së tyre të kaluar do ta llogaris në gji të tyre".

Kështu thotë Zoti: "Ashtu si thuhet kur gjendet lëng në vilën e rrushit: Mos e prishni, sepse në të ka një bekim,," kështu do të bëj unë për hir të shërbëtorëve të mi dhe nuk do të shkatërroj çdo gjë.

Unë do të nxjerr nga Jakobi pasardhës dhe nga Juda një trashëgimtar të maleve të mia; të zgjedhurit e mi do të zotërojnë vendin dhe shërbëtorët e mi do të banojnë aty.

Zbulesa 3:1-6

“Dhe engjëllit të kishës në Sardë shkruaji: këto gjëra thotë ai që ka të shtatë Frymërat e Perëndisë dhe të shtatë yjet. Unë i di veprat e tua; ti ke emrin se jeton, por je i vdekur.

Ji syçelë dhe forco mbetjen e gjërave që gati po vdesin, sepse nuk i gjeta të përkryera veprat e tua përpara Perëndisë tim.

Kujto, pra, atë që more dhe dëgjove, dhe ruaje edhe pendohu. Po të mos rrish zgjuar, unë do të vij te ti si vjedhës, dhe nuk do të dish në ç’orë do të vij te ti.

Por ke disa veta në Sardë, që nuk e ndotën petkat e tyre; edhe do të ecin me mua të veshur në të bardha, sepse janë të denjë.

Kush fiton do të vishet me rroba të bardha dhe unë nuk do ta fshij emrin e tij nga libri i jetës, por do të rrëfej emrin e tij përpara Atit tim dhe para engjëjve të tij.

Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave.”

Gjoni 6:1-14

Pas këtyre gjërave, Jezusi kaloi përtej detit të Galilesë, domethënë të Tiberiadës.

Dhe një turmë e madhe e ndiqte, sepse shikonte shenjat që ai bënte mbi të lënguarit.

Por Jezusi u ngjit mbi malin dhe atje u ul me dishepujt e tij.

Dhe Pashka, festa e Judenjve ishte afër.

Jezusi, pra, i ngriti sytë dhe, duke parë se një turmë e madhe po vinte tek ai, i tha Filipit: “Ku do të blejmë bukë që këta të mund të hanë?.”

Por ai e thoshte këtë për ta vënë në provë, sepse ai e dinte ç’do të bënte.

Filipi iu përgjigj: “Dyqind denarë bukë nuk do të mjaftojnë për ata, që secili prej tyre mund të ketë një copë.”

Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, një nga dishepujt e tij, i tha:

“Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël; por ç’janë këto për aq njerëz?.”

10 Dhe Jezusi tha: “Bëjini njerëzit të ulen!.” Por në atë vend kishte shumë bar. Njerëzit, pra, u ulën dhe ishin në numër rreth pesë mijë.

11 Pastaj Jezusi mori bukët dhe, pasi falenderoi, ua ndau dishepujve dhe dishepujt njerëzve të ulur; të njëjtën gjë bënë edhe me peshqit, aq sa deshën.

12 Dhe mbasi ata u ngopën, Jezusi u tha dishepujve të vet: “Mblidhni copat që tepruan, që të mos shkojë dëm asgjë.”

13 I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa nga ato pesë bukë prej elbi që u tepruan atyre që kishin ngrënë.

14 Atëherë njerëzit, kur panë shenjën që bëri Jezusi, thanë: Me të vërtetë ky është profeti, që duhet të vijë në botë.”