Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 30

30 Do të të lëvdoj, o Zot, sepse ti më ngrite lart, dhe nuk i lejove armiqtë e mi të tallen me mua.

O Zot, Perëndia im, unë të kam klithur ty, dhe ti më ke shëruar.

O Zot, ti e ke nxjerrë shpirtin tim jashtë Sheolit, më ke mbajtur gjallë që të mos zbrisja në gropë.

I këndoni lavde Zotit, ju, shenjtorë të tij, dhe kremtoni shenjtërinë e tij,

sepse zemërimi im mban vetëm një çast, por mirësia e tij mban një jetë të tërë. Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.

Kur kisha bollëk thoja: "Unë nuk do të prekem kurrë".

O Zot, për hirin tënd e kishe fortësuar malin tim, ti e fshehe fytyrën tënde, dhe unë mbeta i trembur.

Unë të klitha ty, o Zot, iu luta fort Zotit,

duke thënë: "Çfarë dobie do të kesh nga gjaku im po të jetë se zbres në gropë? A mundet pluhuri të të kremtojë? A mundet ai të shpallë të vërtetën tënde?

10 Dëgjo, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, o Zot, bëhu ti ndihma ime".

11 Ti e ke kthyer vajtimin tim në valle; ma ke hequr grethoren dhe më ke mbushur me gëzim,

12 me qëllim që shpirti im të mund të të këndojë lavdi pa pushim. O Zot, Perëndia im, unë do të të kremtoj përjetë.

Psalmet 32

32 Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin!

Lum ai njeri të cilin Zoti nuk e padit për paudhësi dhe në frymën e të cilit nuk ka vend mashtrimi.

Ndërsa po heshtja, kockat e mia treteshin midis rënkimeve që kisha tërë ditën.

Sepse ditë e natë dora jote rëndonte mbi mua, fuqia ime i përngjante thatësisë së verës. (Sela)

Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: "Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit," dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim. (Sela)

Prandaj çdo njeri i përshpirtshëm do të të thërrase në kohën që mund të gjendesh; edhe sikur ujërat e mëdha të vërshojnë, ato nuk do të arrijnë deri tek ai.

Ti je vendi im i strehimit, ti do të më ruash nga fatkeqësia, ti do të më rrethosh me këngë çlirimi. (Sela)

Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty.

Mos u bëni si kali dhe si mushka që nuk kanë mend, goja e të cilëve duhet të mbahet me fre dhe me kapistër, përndryshe nuk të afrohen.

10 Të shumta janë dhembjet e të pabesit, por ai që ka besim tek Zoti do të rrethohet nga mirësia e tij.

11 Gëzohuni tek Zoti dhe ngazëlloni, o njerëz të drejtë; lëshoni britma gëzimi, ju të gjithë, o njerëz me zemër të drejtë.

Psalmet 42-43

42 Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi.

Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?

Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".

Duke kujtuar këto gjëra, brenda vetes sime i jap shfrim të lirë shpirtit tim, sepse kisha zakon të shkoja me turmën, duke e udhëhequr në shtëpinë e Perëndisë, në mes të këngëve të gëzimit dhe të lëvdimit të një turme në festë.

Pse ligështohesh, o shpirti im, pse vajton brënda trupit tim? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma për çlirimin e pranisë së tij.

O Perëndia im, shpirti më është ligështuar përbrenda; prandaj më kujtohesh ti nga vendi i Jordanit dhe nga majat e Hermonit, nga mali i Mitsarit.

Një hon thërret një hon tjetër në zhurmën e ujërave të tua; të gjitha dallgët e tua dhe valët e tua kanë kaluar përmbi mua.

Ditën Zoti më jep mirësinë e tij, dhe natën i ngre atij një kantik, një lutje Perëndisë të jetës sime.

Unë do t’i them Perëndisë, kështjellës sime: "Pse më harrove? Pse endem i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?".

10 Kockat e mia po vuajnë për vdekje për shkak të fyerjeve nga ana e armive të mi, që më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".

11 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon përbrenda meje? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma; ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.

43 Siguromë drejtësi, o Perëndi, dhe mbro çështjen time nga njerëzit e këqij; më çliro nga njeriu i rremë dhe i lig.

Mbasi ti je Perëndia që më jep forcë, pse më ke kthyer? Pse shkoj i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?

Dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde; këto le të më udhëheqin dhe të më çojnë në malin tënd të shenjtë dhe në vendin e banesës sate.

Atëherë un do të vij tek altari i Perëndisë, te Perëndia, që është gëzimi im dhe kënaqësia ime; do të të kremtoj me qeste, o Perëndi, Perëndia im.

Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon brenda meje? Ki shpresë te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma, sepse ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.

Isaia 46

46 Beli ka rënë, Nebo është rrëzuar; idhujt e tyre i kanë çuar tutje me kafshë barre dhe me pela; gjërat që ju transportonit janë ngarkuar si pesha të rënda për kafshët e lodhura.

Janë shembur, kanë rënë bashkë; nuk kanë mundur të shpëtojnë ngarkesën, por ata vetë kanë shkuar në robëri.

"Dëgjomëni, o shtëpi e Jakobit, dhe tërë mbetja e shtëpisë së Izraelit, që ju kam përkrahur që kur keni lindur, që jeni mbajtur nga unë qysh në bark të nënës;

"Deri në pleqërinë tuaj unë do të mbetem po ai, unë do t’ju mbaj deri sa të thinjeni. Unë ju kam bërë dhe unë do t’ju përkrah; po, do t’ju mbaj dhe do t’ju shpëtoj".

Me cilin doni të më barazoni, me cilin doni të më krahasoni që mund të jemi të njëllojtë?

Këta harxhojnë arin e çantës dhe peshojnë argjendin me peshore, paguajnë një argjendar që me to të sajojë një perëndi; pastaj bien përmbys para tij dhe e adhurojnë.

E ngarkojnë mbi kurriz dhe e mbartin, e vënë në vendin e tij dhe mbetet atje; nga vendi i tij nuk lëvizet më. Edhe sikur dikush t’i thërrasë atij, ai nuk i përgjigjet as e shpëton nga fatkeqësia e tij.

Kujtoni këtë dhe tregohuni burra! Silleni atë ndërmend, o shkelës.

Kujtoni gjërat e kaluara të kohëve shumë të vjetra, sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër; jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua,

10 që shpall fundin që në fillim, dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë, duke thënë: "Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen,"

11 duke thirrur nga lindja një zog grabitqar dhe nga një tokë e largët njeriun që do të zbatojë planin tim. Po, kam folur dhe do të bëj që të ndodhë; kam bërë planin dhe do ta realizoj.

12 Dëgjomëni, e zemërkryeneçë, që i jeni larguar drejtësisë.

13 Po e afroj drejtësinë time, ajo nuk është larg; shpëtimi im nuk do të vonojë. Do ta vë shpëtimin te Sioni dhe do t’i tregoj lavdinë time Izraelit".

Efesianëve 6:10-24

10 Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij.

11 Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit,

12 sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore.

13 Prandaj merreni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e mbrapshtë dhe të mbeteni më këmbë pasi t’i keni kryer çdo gjë.

14 Qëndroni, pra, të fortë, duke patur në ijë brezin e së vërtetës, të veshur me parzmoren e drejtësisë,

15 dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes,

16 mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.

17 Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë,

18 duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim me çdo ngulmim dhe lutje për të gjithë shenjtorët,

19 dhe edhe për mua, që kur të hap gojën time, të më jepet të flas lirësisht për ta bërë të njohur misterin e ungjillit,

20 për të cilin jam i dërguari në pranga, që të mund të shpall lirësisht, siç e kam për detyrë.

21 Por, që ta dini edhe ju si jam dhe çfarë bëj, Tikiku, vëllai i dashur dhe shërbenjësi besnik në Zotin, do t’ju informojë për të gjitha;

22 të cilin pikërisht për këtë qëllim po ju kam dërguar, që të jeni në dijeni të gjendjes sonë dhe të ngushëllojë zemrat tuaja.

23 Paqe vëllezërve dhe dashuri me besim nga Perëndia Ati dhe nga Zoti Jezu Krisht.

24 Hiri qoftë me të gjithë ata që duan Zotin tonë Jezu Krisht me sinqeritet.

Marku 5:1-20

Kështu arritën në bregun tjetër të detit, në krahinën e Gadarenasve.

Dhe, sapo Jezusi zbriti nga barka, menjëherë i doli përpara nga varrezat një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë,

i cili banonte në varreza dhe kurrkush s’kishte mundur ta lidhë, qoftë edhe me zinxhirë.

Shpesh herë, pra, e kishin lidhur me pranga e zinxhirë; por ai gjithnjë i thyente zinxhirët dhe i këpuste prangat; dhe kurrkush nuk e kishte bërë dot zap.

Vazhdimisht, natën dhe ditën, nëpër varre e mbi male, shkonte duke bërtitur dhe duke e rrahur veten me gurë.

Tani kur e pa Jezusin prej së largu, ai u turr dhe ra përmbys përpara tij,

dhe me një britmë të madhe tha: “Ç’ka ndërmjet mes nesh dhe teje, o Jezus, Bir i Perëndisë të shumë të lartit? Unë të përgjërohem në emrin e Perëndisë, mos më mundo!”;.

Sepse ai i kishte thënë: “Frymë e ndyrë, dil prej këtij njeriu!.”

Atëhere Jezusi e pyeti: “Cili është emri yt?.” Dhe ai u përgjigj duke thënë: “Unë quhëm Legjion, sepse jemi shumë.”

10 Dhe i lutej me të madhe që ai të mos i përzinte nga ajo krahinë.

11 Tani aty ishte, në brinjë të malit, një tufë e madhe derrash që kulloste.

12 Atëhere gjithë demonët e lutën duke thënë: “Na dërgo në derrat, që të hymë në ta.”

13 Dhe Jezusi menjëherë u lejoi atyre; atëherë frymërat e ndyra mbasi dolën, hynë në derrat dhe tufa u hodh poshtë nga gremina në det; ishin afërsisht dymijë krerë, dhe u mbytën në det.

14 Atëherë ata që i kullotnin derrat ikën dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra; dhe njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur.

15 Kur erdhën te Jezusi, panë të idemonizuarin ulur, të veshur dhe me mendje në rregull, atë që ishte idemonizuar nga Legjoni, dhe kishin frikë.

16 Dhe ata që e kishin parë ngjarjen u treguan atyre se çfarë i kishte ngjarë të idemonizuarit dhe çështjen e derrave.

17 Atëhere ata filluan t’i luten Jezusit që të largohej nga krahina e tyre.

18 Kur ai po hynte në barkë, ai që kishte qenë i idemonizuar i lutej që të mund të rrinte me të;

19 por Jezusi nuk e lejoj, madje i tha: “Shko në shtëpinë tënde, te të tut dhe u trego atyre çfarë gjërash të medha bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty.”

20 Dhe ai shkoi dhe nisi të predikojë nëpër Dekapolis për të gjitha ato që i kishte bërë Jezusi; të gjithë u mrrekulluan.