Book of Common Prayer
121 Unë i ngre sytë nga malet; nga do të më vijë ndihma?
2 Ndihma me vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.
3 Ai nuk do të lejojë që të të merren këmbët, ai që të mbron nuk do të dremitë.
4 Ja, ai që mbron Izraelin nuk dremit dhe nuk fle.
5 Zoti është ai që të mbron, Zoti është hija jote, ai ndodhet në të djathtën tënde.
6 Dielli nuk ka për të të goditur ditën, as hëna natën.
7 Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe; ai do të ruajë jetën tënde.
8 Zoti do të ruajë daljet dhe hyrjet e tua, tani dhe përjetë.
122 U gëzova kur më thanë: "Shkojmë në shtëpinë e Zotit".
2 Këmbët tona u ndalën brenda portave të tua, o Jeruzalem.
3 Jeruzalemi është ndërtuar si një qytet i bashkuar mirë,
4 ku ngjiten fiset, fiset e Zotit, për të kremtuar emrin e Zotit.
5 Sepse aty janë vënë fronet për gjykimin, fronet e shtëpisë së Davidit.
6 Lutuni për paqen e Jeruzalemit, le të begatohen ata që të duan.
7 Pastë paqe brenda mureve të tua dhe begati në pallatet e tua.
8 Për hir të vëllezërve të mi dhe të miqve të mi tani do të them: "Paqja qoftë te ti".
9 Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë, unë do të kërkoj të mirën tënde.
123 Drejt teje i ngre sytë e mi, drejt teje që je ulur në qiejtë.
2 Ja, ashtu si sytë e shërbëtorëve drejtohen te dora e zotërve të tyre dhe sytë e shërbëtores te dora e zonjës së saj, kështu sytë tona drejtohen te Zoti, Perëndia ynë deri sa ai të ketë mëshirë për ne.
3 Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, sepse jemi velur jashtë mase me përçmimin.
4 Shpirti ynë është velur jashtë mase me talljen e arrogantëve dhe me përçmimin e krenarëve.
131 O Zot, zemra ime nuk është mendjemadhe dhe sytë e mi nuk janë krenarë, dhe unë nuk merrem me gjëra tepër të mëdha dhe tepër të larta për mua.
2 E kam qetësuar dhe e kam tulatur me të vërtetë shpirtin tim, si një fëmijë i zvjerdhur në gjirin e nënes së tij; shpirti im brenda meje është si një foshnje e zvjerdhur.
3 O Izrael, shpreso tek Zoti, tani dhe përjetë.
132 Mbaje mend, o Zot, Davidin dhe të gjitha mundimet e tij,
2 ashtu si ai iu betua Zotit dhe lidhi kusht me të Fuqishmin e Jakobit, duke thënë:
3 "Nuk do të hyj në çadrën e shtëpisë sime, nuk do të hipi mbi shtratin tim;
4 nuk do t’i jap gjumë syve të mi as pushim qepallave të mia,
5 deri sa të kem gjetur një vend për Zotin, një banesë për të Fuqishmin e Jakobit".
6 Ja, dëgjuam të flitet për të në Efratah, e gjetëm në fushat e Jaarit.
7 Le të shkojmë në banesën e tij, le ta adhurojmë përpara fronit të këmbëve të tij.
8 Çohu, o Zot, dhe eja në vendin ku pushon ti dhe arka e forcës sate.
9 Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, dhe le të këndojnë nga gëzimi shenjtorët e tu.
10 Për hir të Davidit, shërbëtorit tënd, mos e dëbo fytyrën e të vajosurit tënd.
11 Zoti iu betua Davidit në të vërtetë dhe nuk do të ndryshojë: "Unë do të vë mbi fronin tënd një fryt të të përbrendëshmëve të tua.
12 Në rast se bijtë e tu do të respektojnë besëlidhjen time dhe porositë e mia, që unë do t’u mësojë atyre, edhe bijtë e tyre do të ulen përjetë mbi fronin tënd".
13 Duke qenë se Zoti e ka zgjedhur Sionin, ai e ka dashur atë për banesën e tij:
14 "Ky është vendi im i pushimit përjetë; këtu do të banoj, sepse e kam dashur.
15 Do të bekoj fort zahiretë e tij, do t’i ngop me bukë të varfërit e tij;
16 do t’i vedh priftërinjtë e tij me shpëtim, do të ngazëllojnë shenjtorët e tij me britma gëzimi.
17 Këtu do ta rris fuqinë e Davidit dhe do t’i jap një llambë të vajosurit tim.
18 Do t’i mbuloj me turp armiqtë e tij, por mbi të do të lulëzojë kurora e tij".
63 Kush është ai që vjen nga Edomi, nga Botsrahu, me rrobat e ngjyrosura me bojë të kuqe flakë? Ky, i veshur shkëlqyeshëm, që ecën në madhështinë e forcës së tij? "Jam unë që flas me drejtësi dhe jam i fuqishëm për të shpëtuar".
2 Pse veshja jote është e kuqe dhe rrobat e tua si ata që shtrydhin rrushin në gaviç?
3 "Gaviçin e shtypa vetëm dhe asnjë nga popujt nuk ishte me mua. I shtypa në zemërimin tim dhe i shkela në tërbimin tim. Gjaku i tyre spërkati rrobat e mia dhe njollosa tërë veshjet e mia.
4 Sepse dita e hakmarrjes ishte në zemrën time dhe viti i çlirimit tim ka ardhur.
5 Shikova, por nuk kishte asnjeri që të më ndihmonte; shtanga që askush nuk po më ndihmonte. Atëherë vetë krahu im më ka shpëtuar dhe tërbimi im më ka ndihmuar.
18 “Edhe engjëllit të kishës në Tiatirë shkruaji: Këto gjëra thotë Biri i Perëndisë, ai që ka sytë si flakë zjarri dhe këmbët e tij janë të ngjashëm me bronz të shkëlqyeshëm.
19 Unë i njoh veprat e tua, dashurinë tënde, besimin tënd, shërbimin tënd, durimin tënd dhe di që veprat e tua të fundit janë më të shumta se të parat.
20 Por kam disa gjëra kundër teje, sepse ti e lejon gruan Jezabel, që e quan veten profeteshë, të mësojë dhe t’i mashtrojë shërbëtorët e mi të kurvërojnë dhe të hanë gjëra të flijiuara idhujve.
21 Dhe i dhashë kohë që të pendohet për kurvërinë e saj, por ajo nuk u pendua.
22 Ja, unë e flakë atë në një shtrat vuajtjesh, dhe ata që kurvërojnë me të, në shtrëngim të madh, po nuk u penduan për veprat e tyre;
23 Dhe do t’i godas me vdekje bijtë e saj; dhe të gjitha kishat do të njohin se unë jam ai që heton mendjet dhe zemrat; dhe do t’i jap gjithsecilit nga ju sipas veprave të veta.
24 Por juve dhe të tjerëve që janë në Tiatirë, që nuk kanë këtë doktrinë dhe nuk i kanë njohur thellësirat e Satanit, siç e quajnë ata, unë them: nuk do të vë barrë tjetër mbi ju;
25 por mbajeni fort atë që keni, derisa të vij.
26 Dhe kujt fiton dhe i ruan deri në fund veprat e mia, do t’i jap pushtet mbi kombet;
27 dhe ai do t’i qeverisë ata me një shufër hekuri dhe ata do të thyhen si enë argjile, sikurse mora edhe unë pushtet prej Atit tim;
28 dhe unë do t’i jap atij yllin e mëngjesit.
29 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave.”
5 Pas këtyre ngjarjeve ishte një festë e Judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem.
2 Në Jeruzalem, afër portës së dhenve, është një pellg që në hebraisht quhet Betesda, dhe ka pesë portikë.
3 Nën to dergjeshin një numër i madh të lënguarish: të verbër, të çalë dhe të paralizuar, të cilët prisnin lëvizjen e ujit.
4 Sepse një engjëll, kohë pas kohe, zbriste në pellg dhe e lëvizte ujin; dhe i pari që hynte, mbasi uji ishte lëvizur, shërohej nga çfarëdo sëmundje që të kishte.
5 Aty ishte një njeri i lënguar prej tridhjetë e tetë vjetësh.
6 Jezusi, duke e parë shtrirë dhe duke ditur se prej shumë kohe ishte në atë gjendje, i tha: “A dëshiron të shërohesh?.”
7 I lënguari u përgjigj: "Zot, unë s’kam njeri që, kur lëviz uji, të më fusë në pellg; dhe, ndërsa unë po shkoj, një tjetër zbret para meje.”
8 Jezusi i tha: “Çohu, merr vigun tënd dhe ec!.”
9 Njeriu u shërua në çast, mori vigun e tij dhe eci. Atë ditë ishte e shtunë.
10 Prandaj Judenjtë i thanë atij që u shërua: “Éshtë e shtunë; nuk është e ligjshme për ty të ngresh vigun tënd!.”
11 Ai iu përgjigj atyre: “Ai që më shëroi më tha: "Merre vigun tënd dhe ec!".”
12 Atëherë ata e pyetën: “Kush është ai njeri që të tha: "Merre vigun tënd dhe ec"?.”
13 Por ai që ishte shëruar nuk e dinte kush ishte, sepse Jezusi ishte larguar për shkak të turmës që ishte në atë vend.
14 Më vonë Jezusi e gjeti në tempull dhe i tha: “Ja, ti u shërove; mos mëkato më që të mos të të bëhet një gjë më e keqe.”
15 Ai njeri shkoi dhe u tregoi Judenjve se Jezusi ishte ai që e shëroi.