Book of Common Prayer
113 Aleluja. Lëvdoni, o shërbëtorë të Zotit, lëvdoni emrin e Zotit.
2 Qoftë i bekuar emri i Zotit tani dhe përjetë.
3 Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij u lëvdoftë emri i Zotit.
4 Zoti shkëlqen mbi tërë kombet, lavdia e tij ndodhet përmbi qiejtë.
5 Kush i përngjan Zotit, Perëndisë tonë, që banon në vende shumë të larta,
6 kush ulet për të parë gjërat që ndodhen në qiejtë dhe mbi tokë?
7 Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe nevojtarin nga plehrat,
8 për ta bërë të ulet me princat, me princat e popullit të tij.
9 Ai bën që gruaja shterpe të banojë në familje, si nënë e lumtur e fëmijëve. Aleluja.
122 U gëzova kur më thanë: "Shkojmë në shtëpinë e Zotit".
2 Këmbët tona u ndalën brenda portave të tua, o Jeruzalem.
3 Jeruzalemi është ndërtuar si një qytet i bashkuar mirë,
4 ku ngjiten fiset, fiset e Zotit, për të kremtuar emrin e Zotit.
5 Sepse aty janë vënë fronet për gjykimin, fronet e shtëpisë së Davidit.
6 Lutuni për paqen e Jeruzalemit, le të begatohen ata që të duan.
7 Pastë paqe brenda mureve të tua dhe begati në pallatet e tua.
8 Për hir të vëllezërve të mi dhe të miqve të mi tani do të them: "Paqja qoftë te ti".
9 Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë, unë do të kërkoj të mirën tënde.
20 Në kohën e caktuar, Ana mbeti me barrë dhe lindi një djalë të cilit ia vunë emrin Samuel, duke thënë: "Sepse ia kërkova Zotit".
21 Atëherë burri i saj Elkanahu u ngjit me gjithë familjen e tij për t’i ofruar Zotit flijimin vjetor dhe për të plotësuar kushtin e lidhur.
22 Por Ana nuk u ngjit, sepse i tha burrit të saj: "Unë nuk do të ngjitem deri sa fëmija të jetë zvjerdhur; atëherë do ta çoj me qëllim që ta paraqes para Zotit dhe të mbetet pranë tij për gjithnjë".
23 Burri i saj, Elkanahu, iu përgjegj: "Bëj si të të duket më mirë; qëndro deri sa të të jetë zvjerdhur, mjaft që Zoti ta mbajë fjalën!". Kështu gruaja mbeti në shtëpi dhe i dha gji birit të saj deri sa ky u zvordh.
24 Mbasi e zvordhi e mori me vete, bashkë me tri dema të vegjël, një efë mielli dhe një calik verë; dhe i çoi në shtëpinë e Zotit në Shiloh. Djali ishte akoma shumë i vogël.
25 Pastaj ata flijuan një dem dhe ia çuan djalin Elit.
26 Ana i tha: "Imzot! Ashtu siç është e vërtetë që jeton shpirti yt, o imzot, unë jam ajo grua që rrinte këtu, afër teje, dhe i lutej Zotit.
27 Jam lutur për të pasur këtë djalë, dhe Zoti më dha atë që i kisha kërkuar.
28 Prandaj edhe unë ia fal Zotit; deri sa të rrojë, ai do t’i kushtohet Zotit". Dhe aty ranë përmbys para Zotit.
14 Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë.
15 Sepse ju nuk keni marrë një frymë robërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: “Aba, o Atë!.”
16 Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë.
17 Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë më të dhe lavdohemi me të.
18 Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne.
19 Sepse dëshira e flaktë e krijesës pret me padurim shfaqjen e bijve të Perëndisë,
20 sepse krijesa iu nënshtrua kotësisë, jo me vullnetin e vet, po për shkak të atij që e nënshtroi,
21 me shpresë që vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë.