Book of Common Prayer
89 Unë do të këndoj përjetë mirësitë e Zotit, me gojën time do t’u shpall besnikërinë tënde të gjitha brezave.
2 Sepse kam thënë: "Mirësia jote do të ekzistojë përjetë, ti do të vendosësh besnikërinë tënde në vetë qiejtë".
3 "Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë:
4 "Do t’i vendos pasardhësit e tu përjetë dhe do të ndërtoj fronin tënd për të gjitha brezat"". (Sela)
5 Dhe qiejtë do të kremtojnë mrekullitë e tua, o Zot, dhe besnikërinë tënde në kuvendin e shenjtorëve.
6 Sepse kush mund të krahasohet në qiell me Zotin? Dhe kush është i njëllojtë me Zotin midis bijve të të Fuqishmit?
7 Perëndisë ia kanë frikën shumë në kuvendin e shenjtorëve, dhe respektohet thellë nga tërë ata që e rrethojnë.
8 O Zot, Perëndi i ushtrive, kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Besnikëria jote të rrethon kudo.
9 Ti e sundon tërbimin e detit; kur valët e tij ngrihen, ti i qetëson.
10 Ti e ke bërë copë-copë Egjiptin, duke e plagosur për vdekje; me krah të fuqishëm ke shpërndarë armiqtë e tu.
11 Qiejtë janë të tutë, edhe toka është jotja; ti e ke krijuar botën dhe të gjitha atë që janë në të.
12 Ti ke krijuar veriun dhe jugun; Tabori dhe Hermoni lëshojnë britma gëzimi kur dëgjojnë emrin tënd.
13 Ti ke krah të fuqishëm; dora jote është e fortë, e djathta jote ngrihet në qiell.
14 Drejtësia dhe e drejta përbëjnë bazën e fronit tënd; mirësia dhe e vërteta shkojnë përpara fytyrës sate.
15 Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit, o Zot, sepse ai do të ecë në dritën e fytyrës sate;
16 do të ngazëllojë tërë ditën me emrin tënd dhe do të gëzohet shumë në drejtësinë tënde.
17 Po, ti je mburrja e forcës së tyre, dhe me favorin tënd ti e shton fuqinë tonë.
18 Sepse mburoja jonë i përket Zotit dhe mbreti ynë të Shenjtit të Izraelit.
19 Ti i fole atëherë në vegim të dashurit tënd dhe the: "Ndihmova një të fuqishëm, përlëvdova një të zgjedhur nga populli.
20 Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, dhe e vajosa me vajin tim të shenjtë.
21 Dora ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu im do ta forcojë.
22 Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë.
23 Do të asgjesoj para tij armiqtë e tij dhe do të godas ata që e urrejnë.
24 Besnikëria ime dhe mirësia ime do të jenë me të, dhe me emrin tim do të bëhet i fuqishëm.
25 Do ta shtrij dorën e tij mbi detin dhe dorën e djathtë të tij mbi lumenjtë.
26 Ai do të kërkojë ndihmën time, duke thënë: "Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit".
27 Do ta bëj gjithashtu të parëlindurin tim, më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut.
28 Do të përdor mirësi ndaj tij përjetë, dhe besëlidhja ime me të do të mbetet e qëndrueshme.
29 Do t’i bëj gjithashtu pasardhësit e tij të përjetshem dhe fronin e tij si ditët e qiejve.
30 Në rast se bijtë e tij braktisin ligjin tim dhe nuk ecin, sipas urdhërimeve të mia,
31 në rast se shkelin statutet e mia dhe nuk respektojnë urdhërimet e mia,
32 unë do ta dënoj shkeljen e tyre me shufër dhe paudhësinë e tyre me të rrahura,
33 por nuk do ta heq mirësinë time prej tij dhe nuk do të lë që besnikëria ime të jetë e mangët.
34 Nuk do të shkel besëlidhjen time dhe nuk do t’i ndryshoj fjalët që kanë dalë nga goja ime.
35 Jam betuar një herë për shenjtërinë time dhe nuk do ta gënjej Davidin;
36 pasardhësit e tij do të jenë përjetë dhe froni i tij do të jetë si dielli para meje,
37 do të jenë të qëndrueshëm si hëna, dhe dëshmitari në qiell është besnik". (Sela)
38 Por ti na ke braktisur dhe na ke kthyer; je zemëruar shumë kundër të vajosurin tënd.
39 Ti ke përçmuar besëlidhjen e lidhur me shërbëtorin tënd dhe ke përdhosur kurorën e tij, duke bërë që të bjerë për tokë.
40 Ke shembur gjithë mbrojtjet e tij dhe i ke katandisur në gërmadha kalatë e tij.
41 Tërë kalimtarët e kanë plaçkitur dhe ai është bërë gazi i fqinjëve të tij.
42 Ke lavdëruar dorën e djathtë të kundërshtarëve të tij dhe ke bërë të gëzohen tërë armiqtë e tu.
43 Ke prishur tehun e shpatës së tij dhe nuk e ke ndihmuar në betejë.
44 I ke dhënë fund madhështisë së tij dhe ke hedhur për tokë fronin e tij.
45 Ke shkurtuar ditët e rinisë së tij dhe e ke mbuluar me turp. (Sela)
46 Deri kur, o Zot? A do të fshihesh ti përjetë? A do të flakërojë si zjarr zemërimi yt?
47 Kujto sa e shkurtër është jeta ime. Për çfarë kotësie ke krijuar gjithë bijtë e njerëzve?
48 Cili është njeriu që jeton, pa parë vdekjen dhe që mund ta shkëputë jetën e tij nga pushteti Sheolit? (Sela)
49 Ku janë, o Zot, mirësitë e tua të lashta, për të cilat iu betove Davidit në besnikërinë tënde?
50 Kujto, o Zot, fyerjen që iu bë shërbëtorëve të tu, dhe si unë mbaj në zemër fyerjen e rëndë të të gjitha kombeve,
51 me të cilën armiqtë e tu kanë fyer, o Zot, me të cilën kanë fyer hapat e të vajosurit tënd.
52 I bekuar qoftë Zoti përjetë. Amen, po, amen!
63 Kush është ai që vjen nga Edomi, nga Botsrahu, me rrobat e ngjyrosura me bojë të kuqe flakë? Ky, i veshur shkëlqyeshëm, që ecën në madhështinë e forcës së tij? "Jam unë që flas me drejtësi dhe jam i fuqishëm për të shpëtuar".
2 Pse veshja jote është e kuqe dhe rrobat e tua si ata që shtrydhin rrushin në gaviç?
3 "Gaviçin e shtypa vetëm dhe asnjë nga popujt nuk ishte me mua. I shtypa në zemërimin tim dhe i shkela në tërbimin tim. Gjaku i tyre spërkati rrobat e mia dhe njollosa tërë veshjet e mia.
4 Sepse dita e hakmarrjes ishte në zemrën time dhe viti i çlirimit tim ka ardhur.
5 Shikova, por nuk kishte asnjeri që të më ndihmonte; shtanga që askush nuk po më ndihmonte. Atëherë vetë krahu im më ka shpëtuar dhe tërbimi im më ka ndihmuar.
6 I shkela me këmbë popujt në zemërimin tim, i deha në tërbimin tim dhe bëra që të derdhet gjaku i tyre mbi tokë".
1 Pali, apostulli i Jezu Krishtit, me urdhër të Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, dhe të Zotit Jezu Krisht, shpresës sonë,
2 Timoteut, birit të vërtetë në besim: hir, mëshirë dhe paqe prej Perëndisë Atit tonë dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë.
3 Ashtu si të nxita kur u nisa për në Maqedoni, qëndro në Efes për t’u urdhëruar disave të mos mësojnë doktrina të tjera,
4 dhe të mos merren me përralla dhe me gjenealogji që s’kanë të sosur, të cilat shkaktojnë përçarje më tepër sesa vepra e Perëndisë, që mbështetet në besim.
5 Qëllimi i këtij urdhërimi është dashuria, prej një zemre të pastër, prej një ndërgjegjeje të pastër dhe prej një besimi jo të shtirur.
6 Disa, duke u shmangur nga këto gjëra, u kthyen në biseda të kota dhe,
7 duke dashur të jenë mësues të ligjit, nuk kuptojnë as ato që thonë, as ato që pohojnë.
8 Dhe ne e dimë se ligji është i mirë, në qoftë se njeriu e përdor si duhet;
9 duke ditur këtë, që ligji nuk është vënë për të drejtin, po për të pabesët dhe të rebelët, për të ligët dhe mëkatarët, për të pamëshirshmit dhe të ndyrët, për ata që vrasin babë e nënë, për vrasësit,
10 për kurvarët, për homoseksualët, për grabitësit, për rremët, për ata që shkelin betimin, për çdo gjë tjetër që bie në kundërshtim me doktrinën e shëndoshë,
11 sipas ungjillit të lavdisë të të lumit Perëndi, që më është besuar.
12 Dhe e falënderoj Krishtin Zotin tonë, që më bën të fortë, sepse më çmoi të denjë për t’u besuar, duke më vënë në shërbimin e tij,
13 që më parë isha blasfemues, përndjekës dhe i dhunshëm; por m’u dha mëshira, sepse i bëra nga padija, në mosbesimin tim;
14 kështu hiri i Zotit tonë teproi pa masë me besimin dhe dashurinë, që është në Jezu Krishtin.
15 Kjo fjalë është e sigurt e denjë për t’u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari.
16 Por prandaj u mëshirova, që Jezu Krishti të tregojë më përpara në mua gjithë zemërgjerësinë, për të qenë shembull për ata që do të besojnë në të për jetë të përjetshme.
17 Dhe Mbretit të amshuar, të pavdekshmit, të padukshmit, të vetmit Perëndi të ditur, i qoftë nder e lavdi në shekuj të shekujve. Amen.
11 Tani kur iu afruan Jeruzalemit, drejt Betfage dhe Betania, afër malit të Ullinjve, Jezusi dërgoi dy nga dishepujt e vet,
2 duke u thënë: “Shkoni në fshatin përballë dhe, posa të hyni aty, do të gjeni një kërriç të lidhur, mbi të cilin akoma nuk ka hipur askush; zgjidheni dhe ma sillni.
3 Dhe në se ndokush iu thotë: "Pse po veproni kështu?," përgjigjuni: "I duhet Zotit. Ai do ta kthejë menjëherë këtu".”
4 Ata shkuan dhe e gjetën kërriçin të lidhur afër një dere, në rrugë, dhe e zgjidhën.
5 Disa nga të pranishmit u thanë atyre: “Ç’po bëni? Pse po e zgjidhni kërriçin?.”
6 Këta iu përgjigjën ashtu si u kishte thënë Jezusi dhe ata i lanë të shkojnë.
7 Atëherë ia çuan Jezusit kërriçin, vunë mbi të mantelet e tyre dhe ai u ul mbi të.
8 Shumë njerëz i shtronin rrobat e tyre rrugës dhe të tjerë pritnin degë nga pemët dhe i hidhnin rrugës.
9 Dhe si ata që pararendnin, edhe ata që ndiqnin Jezusin, thërrisnin dhe thonin: “Hosana! Bekuar është ai që vjen në emër të Zotit!
10 E bekuar është mbretëria e Davidit, atit tonë, që vjen në emër të Zotit. Hosana në vendet shumë të larta!.”
11 Kështu hyri Jezusi në Jeruzalem dhe në tempull; dhe, mbasi shikoi mirë çdo gjë, duke qenë se ishte vonë, doli bashkë me të dymbëdhjetët në drejtim të Betanias.