Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 106

106 Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij?

Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë.

Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd,

me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde.

Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija.

Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq.

Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij.

I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë.

10 I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut.

11 Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre.

12 Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij.

13 Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij.

14 U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi.

15 Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre.

16 Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit,

17 toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit.

18 Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët.

19 Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë,

20 dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëllytrën e një kau që ha bar.

21 Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt,

22 mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq.

23 Prandaj ai foli t’i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t’i shkatërronte.

24 Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij,

25 por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit.

26 Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t’i rrëzonte në shkretëtirë,

27 dhe se do t’i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t’i shpërndante në të gjitha vendet.

28 Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve.

29 E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja.

30 Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi.

31 Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë.

32 Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre,

33 sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij.

34 Ata nuk shkatërruan popujt, siç i kishte porositur Zoti;

35 por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre;

36 u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta;

37 ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre,

38 dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujtë e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur.

39 Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u kurvëruan me aktet e tyre.

40 Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij.

41 I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin.

42 Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre.

43 Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre.

44 Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre,

45 dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhemshurinë e madhe të tij u qetësua.

46 Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri.

47 Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar.

48 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja.

Ruthi 1:1-14

Në kohën kur qeverisnin gjyqtarët, vendin e pllakosi zia, dhe një njeri nga Betlemi i Judës shkoi të banojë në vendin e Moabit me gjithë gruan dhe dy bijtë e tij.

Emri i burrit ishte Elimelek, emri i gruas së tij Naomi dhe emri i dy bijve të tij Mahlon dhe Kilion, Efratej nga Betlemi i Judës. Ata shkuan në vendin e Moabit dhe u vendosën aty.

Pastaj Elimeku, burri i Naomit, vdiq dhe ajo mbeti me dy bijtë e saj.

Këta u martuan me gra moabite, nga të cilat njëra quhej Orpah dhe tjetra Ruth; dhe banuan aty rreth dhjetë vjet.

Pastaj edhe Mahloni dhe Kilioni vdiqën që të dy, dhe kështu ajo grua mbeti pa dy djemtë e saj dhe pa burrin.

Atëherë u ngrit me gjithë nuset e saj për t’u kthyer nga vendi Moabit, sepse kishte dëgjuar të thuhej që Zoti e kishte vizituar popullin e vet dhe i kishte dhënë bukë.

Ajo u nis, pra, me të dy nuset e saj nga vendi në të cilin rrinte, dhe filloi të ecë për t’u kthyer në vendin e Judës.

Por Naomi u tha dy nuseve të saj: "Shkoni, kthehuni çdo njëra në shtëpinë e nënes së saj; Zoti qoftë i mirë me ju, ashtu si ju keni qenë të mira me ata që kanë vdekur dhe me mua!

Zoti ju bëftë të gjeni qetësi çdo njëra në shtëpinë e burrit të sajë!". Pastaj ajo i puthi dhe ato filluan të qajnë me zë të lartë,

10 dhe i thanë: "Jo, ne do të kthehemi me ty pranë popullit tënd".

11 Por Naomi u përgjegj: "Kthehuni bijat e mija! Pse të vini me mua? Mos kam në barkun tim fëmijë që mund të bëhen bashkëshortët tuaj?

12 Kthehuni mbrapa, bijat e mija, shkoni, sepse unë jam shumë e vjetër për t’u martuar prapë; edhe sikur të thoja: "Kam akoma shpresë"; edhe sikur të martohesha sonte dhe të lindja djem,

13 a do të prisnit ju sa të rriteshin? A do të hiqnit dorë nga martesa për këtë shkak? Jo, bijat e mija, sepse kushtet në të cilat ndodhem janë më të hidhura nga tuajat, sepse dora e Zotit është shtrirë kundër meje".

14 Atëherë ato e ngritën zërin dhe qanë përsëri; pastaj Orpahu puthi vjehrrën, por Ruthi nuk i ndahej asaj.

2 e Korintasve 1:1-11

Pali, apostull i Jezu Krishtit nëpërmjet vullnetin e Perëndisë, dhe vëllai Timote, kishës së Perëndisë që është në Korint, bashkë me gjithë shenjtorët që janë në gjithë Akainë:

Paçi hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.

Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i të mëshirëve dhe Perëndia e çdo ngushëllimi,

i cili na ngushëllon në çdo shtrëngim tonin, që, nëpërmjet ngushëllimit me të cilin ne jemi ngushëlluar nga Perëndia, të mund të ngushëllojmë ata që janë në çfarëdo shtrëngimi.

Sepse, ashtu si ndër ne teprojnë vuajtjet e Krishtit, po ashtu, nëpërmjet Jezu Krishtit, tepron edhe ngushëllimi ynë.

Dhe, nëse jemi të pikëlluar, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj; nëse jemi të ngushëlluar, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj, që veprojnë në mënyrë të efektshme që të duroni të njëjtat vuajtje që heqim edhe neve.

Edhe shpresa jonë për ju është e patundur, duke ditur se ashtu siç jeni pjesëmarrës në mundime, kështu do të jeni pjesëmarrës edhe në ngushëllim.

Sepse nuk duam, o vëllezër, që të mos dini për vështirësinë që na ngjau në Azi, që u rënduam përtej fuqive tona, aq sa u dëshpëruam edhe për jetën vetë.

Për më tepër ne e kishim në veten tonë vendimin e vdekjes, që të mos besonim në veten tonë, por në Perëndinë që ringjall të vdekurit,

10 i cili na ka çliruar dhe na çliron nga një vdekje kaq e madhe, dhe tek i cili ne shpresojmë se do të na çlirojë edhe më,

11 me ndihmën tuaj me anë të lutjeve për ne, që shumë njerëz të falënderojnë për dhuntinë e hirit që do të na jepet me anë të lutjeve të shumë njerëzve.

Mateu 5:1-12

Dhe ai, kur pa turmat, u ngjit në mal dhe, pasi u ul, iu afruan dishepujt e tij.

Atëherë ai hapi gojën dhe i mësoi duke u thënë:

“Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.

Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen.

Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën.

Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen.

Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë.

Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë.

Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë.

10 Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.

11 Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim.

12 Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush.”