Book of Common Prayer
102 O Zot, dëgjo lutjen time dhe britma ime arriftë tek ty.
2 Mos ma fshih fytyrën tënde ditën e fatkeqësisë sime. Zgjate ndaj meje veshin tënd; kur unë të kërkoj, nxito të më përgjigjesh.
3 Sepse ditët e mia davariten si tymi dhe kockat e mia digjen si urë zjarri.
4 Zemra ime është goditur dhe thahet si bari, dhe unë harroj madje të ha ushqim.
5 Duke vajtuar vazhdimisht, lëkura ime po u ngjitet kockave të mia.
6 I ngjaj pelikanit të shketëtirës dhe jam bërë si bufi i vendeve të shkretuara.
7 Jam pa gjumë dhe si harabeli i vetmuar mbi çati.
8 Armiqtë e mi tallen me mua tërë ditën; ata që më përqeshin flasin kundër meje.
9 Sepse e ha hirin si buka dhe përzjej lotët me atë që pi.
10 Po, për shkak të indinjatës sate dhe të zemërimit tënd, më ngrite dhe më hodhe larg.
11 Ditët e mia janë si hija që zgjatet, dhe unë po thahem si bari.
12 Por ti, o Zot, mbetesh përjetë, dhe kujtimi yt zgjat brez pas brezi.
13 Ti do të ngrihesh dhe do të të vijë keq për Sionin, sepse erdhi koha të tregosh dhembshuri ndaj tij; dhe koha e caktuar erdhi.
14 Sepse shërbëtorët e tu i duan edhe gurët e tij dhe u vjen keq për pluhurin e tij.
15 Po, kombet do të kenë frikë nga emri i Zotit dhe gjithë mbretërit e dheut nga lavdia jote,
16 kur Zoti do të rindërtojë Sionin dhe do të duket në lavdinë e tij.
17 Ai do të dëgjojë lutjen e njerëzve të braktisur dhe nuk do ta përbuzë lutjen e tyre.
18 Kjo do të shkruhet për brezin e ardhshmëm, dhe populli që do të krijohet do të lëvdojë Zotin,
19 sepse ai shikon nga lartësia e shenjtërores së tij; nga qielli Zoti këqyr dheun,
20 për të dëgjuar vajtimin e robërve, për të çliruar të dënuarit me vdekje;
21 me qëllim që në Sion të shpallin emrin e Zotit dhe në Jeruzalem lavdinë e tij,
22 kur popujt dhe mbretëritë do të mblidhen bashkë për t’i shërbyer Zotit.
23 Rrugës ai ka pakësuar fuqinë time dhe ka shkurtuar ditët e mia.
24 Kam thënë: "O Perëndia im, mos më merr në mes të ditëve të mia. Vitet e tua zgjasin brez pas brezi.
25 Së lashti ti ke vendosur tokën dhe qiejtë janë vepër e duarve të tua;
26 ata do të zhduken, por ti do të mbetesh; do të konsumohen të gjithë si një rrobe; ti do t’i ndërrosh si një rrobe dhe ata do të ndryshohen.
27 Por ti je gjithnjë po ai dhe vitet e tua nuk do të kenë kurrë fund.
28 Bijtë e shërbëtorëve të tu do të kenë një vendbanim dhe pasardhësit e tyre do të jenë të qëndrueshëm para teje".
107 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Kështu thonë të shpenguarit prej Zotit që ai i ka çliruar nga dora e kundërshtarit,
3
4 Ata endeshin nëpër shkretëtirë, në vënde të shkretuara, dhe nuk gjenin asnjë qytet ku të banonin.
5 Të uritur e të etur, jeta e tyre po ligështohej.
6 Por në fatkeqësitë e tyre ata i thirrën Zotit dhe ai i çliroi nga ankthet e tyre;
7 dhe i çoi në rrugën e drejtë, me qëllim që të arrinin në një qytet ku të banonin.
8 Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve.
9 Sepse ai ka ngopur shpirtin e etur dhe e ka mbushur me të mira shpirtin e uritur.
10 Të tjerë rrinin në terr dhe në hijen e vdekjes, robër të pikëlluar dhe në zinxhira,
11 sepse ishin rebeluar kundër fjalëve të Perëndisë dhe i kishin përçmuar këshillat e Shumë të Lartit;
12 prandaj ai rrëzoi zemrën e tyre me shqetësime; ata ranë poshtë dhe asnjeri nuk u vajti në ndihmë.
13 Por në fatkeqësinë e tyre ata i thirrën Zotit, dhe ai i shpëtoi nga ankthet e tyre,
14 i nxori nga terri dhe nga hija e vdekjes dhe i këputi lidhjet e tyre.
15 Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve,
16 sepse ai ka shembur portat prej bronzi dhe ka këputur shufrat prej hekuri.
17 Disa njerëz pa mend vuanin për sjelljen e tyre rebele dhe për mëkatet e tyre;
18 ata urrenin çdo ushqim dhe kishin arritur në prag të vdekjes,
19 por në fatkeqësinë e tyre i thirrën Zotit, dhe ai i shpëtoi nga ankthet e tyre.
20 Ai dërgoi fjalën e tij dhe i shëroi, i shpëtoi nga gropa.
21 Le ta kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve;
22 le të ofrojnë flijime lëvdimi dhe le të tregojnë veprat e tij me këngë gëzimi.
23 Ata që zbresin në det me anije dhe që bëjnë tregëti mbi ujërat e mëdha,
24 shohin veprat e Zotit dhe mrekullitë e tij në humnerat e detit.
25 Sepse ai urdhëron dhe shkakton një erë furtune, që i ngre përpjetë valët e detit.
26 Ata ngjiten deri në qiell dhe bien në humnera; shpirti i tyre ligështohet nga ankthi.
27 Atyre u merren këmbët dhe lëkunden si të dehur, dhe nuk dinë më ç’të bëjnë.
28 Por në fatkeqësitë e tyre i këlthasin Zotit, dhe ai i shpëton nga ankthet e tyre.
29 Ai e fashit furtunën në një murmurim dhe valët e saj pushojnë.
30 Kur ato qetësohen, ata gëzohen, dhe ai i çon në portin e dëshiruar prej tyre.
31 Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë që bën në dobi të bijve të njerëzve;
32 le ta lëvdojnë në kuvendin e popullit dhe le ta lavdojnë në këshillin e pleqve.
17 "Sepse ja, unë krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re, dhe gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen më dhe nuk do të vijnë më në mëndje.
18 Por ju gëzohuni dhe ngazëllohuni përjetë për atë që krijoj; sepse, ja, unë krijoj Jeruzalemin për kënaqësinë dhe popullin e tij për gëzimin.
19 Do të kënaqem me Jeruzalemin dhe do të gëzohem me popullin tim; në të nuk do të dëgjohet më asnjë zë vaji ose zë klithme.
20 Nuk do të ketë më në të asnjë fëmijë që të jetojë vetëm pak ditë, as plak që nuk plotëson ditët e tij; sepse i riu do të vdesë njëqind vjeç dhe mëkatari që nuk arrin të njëqind vjetët, do të quhet i mallkuar.
21 Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin.
22 Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër, nuk do të mbjellin më që të hajë një tjetër; sepse ditët e popullit tim do të jenë si ditët e drurëve; dhe të zgjedhurit e mi do të gëzojnë për një kohë të gjatë veprën e duarve të tyre.
23 Nuk do të lodhen më kot dhe nuk do të lindin fëmijë për të përballuar një shkatërrim të papritur, sepse do të jenë pasardhësit e të bekuarve të Zotit dhe trashëgimarët e tyre bashkë me ata.
24 Dhe do të ndodhë që, para se të më kërkojnë, unë do të përgjigjem; do të jenë akoma duke folur, dhe unë do t’ua plotësoj.
25 Ujku dhe qengji do të kullosin bashkë, luani do të hajë kashtën porsi kau dhe gjarpëri do të ushqehet me pluhur. Nuk do të bëjnë më asnjë dëm apo shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë," thotë Zoti.
17 Pleqtë që e drejtojnë mirë parësinë në kishë, le të nderohen dyfish, sidomos ata që mundohen me fjalë e me mësim.
18 Sepse Shkrimi thotë: "Mos ia lidh gojën kaut që shin në lëmë," dhe: “Punëtori e ka hak mëditjen e tij.”
19 Mos prano asnjë padi kundër një plaku, veçse kur ka dy ose tre dëshmitarë.
20 Ata që mëkatojnë qortoji përpara të gjithëve, që edhe të tjerët të kenë frikë.
21 Unë të vë në be përpara Perëndisë, dhe Zotit Jezu Krisht dhe engjëjve të zgjedhur, që t’i zbatosh këto gjëra pa paragjykime, dhe mos bëj asgjë me anësi.
22 Mos i vër duart askujt me ngut dhe mos u bëj pjestar në mëkatet e të tjerëve; ruaje veten të pastër.
23 Mos pi më ujë, por përdor pak verë për stomakun tënd dhe për sëmundjet e tua të shpeshta.
24 Disa njerëzve mëkatet u duken sheshit edhe përpara gjyqit, ndërsa të tjerëve u duken më pas.
25 Gjithashtu edhe veprat e mira duken; por edhe ato që janë ndryshe nuk mund të mbeten të fshehura.
28 Atëherë një nga skribët që e kishte dëgjuar diskutimin e tyre, duke kuptuar se ai u ishte përgjigjur mirë, iu afrua dhe e pyeti: “Cili është i pari i të gjithë urdhërimeve?.”
29 Dhe Jezusi u përgjigj: “Urdhërimi i parë i të gjithëve është: "Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot,"
30 dhe: "Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!". Ky është i pari urdhërim.
31 Dhe i dyti i ngjan këtij: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten". Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta.”
32 Atëherë skribi i tha: “Mirë, Mësues. The, sipas së vërtetës, se ka vetëm një Perëndi dhe s’ka asnjë tjetër përveç tij;
33 dhe ta duash me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcë, dhe ta duash të afërmin porsi vetvetja vlen më tepër se sa gjithë olokaustet dhe flijimet.”
34 Dhe Jezusi, duke parë se ai ishte përgjigjur me mend, i tha: “Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë.” Dhe kurrkush nuk guxoi më ta pyesë.