Book of Common Prayer
61 O Perëndi, dëgjo britmën time; dëgjo me vëmendje lutjen time.
2 Nga skaji i tokës unë të bërtas ty, ndërsa zemra ime po shkrihet; më ço në shkëmbin që është më i lartë se unë,
3 sepse ti ke qenë një strehë për mua dhe një kështjellë e fortifikuar para armikut.
4 Unë do të banoj në çadrën tënde për gjithnjë, do të kërkoj strehë në hijen e krahëve të tu. (Sela)
5 Sepse ti, o Perëndi, ke plotësuar kërkesat e mia, më ke dhënë trashëgiminë e atyre që kanë frikë nga emri yt.
6 Ti do t’i shtosh ditë të tjera jetës së mbretit; vitet e tij vazhdofshin për shumë breza.
7 Ai do të qëndrojë për gjithnjë në prani të Perëndisë; jepi urdhër mirësisë dhe së vërtetës ta ruajnë.
8 Kështu do t’i këndoj përjetë lavde emrit tënd dhe do t’i plotësoj zotimet e mia ditë për ditë.
62 Shpirti im gjen prehje vetëm te Perëndia; nga ai vjen shpëtimi im.
2 Vetëm ai është kështjella ime dhe shpëtimi im, ai është streha ime e lartë; unë nuk do të luaj kurrë.
3 Deri kur do të vërtiteni kundër një njeriu, për të kërkuar të gjithë së bashku ta vrisni, ashtu si bëhet me një mur që bën bark dhe një gardh që lëkundet?
4 Ata mendojnë vetëm ta rrëzojnë nga lartësia e tij, gjejnë kënaqësi në gënjeshtër, bekojnë me gojën e tyre, por në zemrat e tyre mallkojnë. (Sela)
5 Shpirti im, gjej prehje vetëm te Perëndia, sepse shpresa ime vjen nga ai.
6 Vetëm ai është kështjella ime dhe shpëtimi im; ai është streha ime e lartë; unë nuk do të luaj kurrë.
7 Te Perëndia është shpëtimi im dhe lavdia ime; kështjella ime e fortë dhe streha ime janë te Perëndia.
8 Ki besim tek ai vazhdimisht, o popull, hap zemrën tënde para tij; Perëndia është streha jonë. (Sela)
9 Me siguri, njerëzit e shtresës së ulët nuk janë veçse avull dhe njerëzit e shtresës së lartë nuk janë veçse gënjeshtarë; po t’i vësh mbi peshore të gjithë së bashku janë më të lehtë se vetë avulli.
10 Mos kini besim te zhvatja dhe mos ushqeni shpresa të kota te grabitja; mos shkoni mbas kotësisë; në rast se pasuritë janë të bollshme, mos u kushtoni zemrën.
11 Perëndia ka folur një herë; dy herë kam dëgjuar këtë, që fuqia i përket Perëndisë;
12 edhe ty, o Zot, të përket mirësia, sepse do të shpërblesh cilindo sipas veprave të tij.
68 Perëndia u çoftë dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, dhe ata që e urrejnë ikshin para tij.
2 Ti do t’i shpërndash ashtu si zhdavaritet tymi, ashtu si shkrihet dylli para zjarrit; kështu do të vdesin të pabesët përpara Perëndisë.
3 Por të drejtët do të gëzohen, do të ngazëllohen përpara Perëndisë dhe do të galdojnë me këngë gëzimi.
4 Këndojini Perëndisë, këndojini lavde emrit të tij; pregatitini rrugën atij që kalon me kalë në shkretëtirë; emri i tij është Zoti; ngazëlloni para tij.
5 Perëndia në banesën e tij të shenjtë është babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave.
6 Perëndia bën që i vetmuari të banojë në një familje, çliron të burgosurit dhe siguron begatinë; por rebelët mbeten në tokë të djegur.
7 O Perëndi, kur dole përpara popullit tënd, kur marshove nëpër shkretëtirë. (Sela)
8 toka u drodh; edhe qiejtë lëshuan ujë në prani të Perëndisë, vetë Sinai u drodh në prani të Perëndisë, Perëndisë të Izraelit.
9 Ti ke derdhur një shi të bollshëm, o Perëndi, dhe i ke dhënë përsëri fuqi trashëgimisë sate.
10 Kopeja jote gjeti një banesë dhe në mirësinë tënde, o Perëndi, je kujdesur për të varfërit.
11 Zoti shpalli fjalën dhe i madh ishte numri i atyre që e kanë shpallur:
12 "Mbretërit e ushtrive ikin me ngut, ndërsa kush ka mbetur në shtëpi ndan plaçkën.
13 Edhe në se keni mbetur për të pushuar ndër vatha, ju jeni si krahët e pëllumbeshës të mbuluara me argjend dhe si pendët e saj të arta që shkëlqejnë".
14 Kur i Plotfuqishmi i shpërndau mbretërit në vend, Tsalmoni u mbulua me borë.
15 Një mal i Perëndisë është mali i Bashanit, një mal me shumë maja është mali i Bashanit.
16 O male me shumë maja pse shikoni me zili malin që Perëndia ka zgjedhur për banesë të tij? Po, Zoti do të banojë atje përjetë.
17 Qerret e Perëndisë janë një mori, mijëra e mijëra, Zoti është midis tyre ashtu si në Sinai, në shenjtërinë e tij.
18 Ti je ngjitur lart, ke burgosur robërinë, ke marrë dhurata nga njerëzit edhe nga rebelët, me qëllim që ti, o Zot Perëndi të mund të qëndrosh atje.
19 I bekuar qoftë Zoti, që për ditë mbart barrat tona; ai është Perëndia i shpëtimit tonë. (Sela)
20 Perëndia është për ne Perëndia që çliron, dhe Zotit, Zotit, i përket çlirimi nga vdekja.
21 Po, Perëndia do të shtypë kokën e armiqve të tij, kokën me flokë të gjata të atyre që ecin në mëkat të tij.
22 Zoti ka thënë: "Do t’i kthej nga Bashani, do t’i kthej nga humnerat e detit,
23 me qëllim që ti të dërrmosh armiqtë e tu, duke futur thellë këmbën tënde në gjakun e tyre, dhe gjuha e qenve të tu të ketë pjesën që i takon".
24 Ata kanë parë varganin tënd, o Perëndi, varganin e Perëndisë tim, e Mbretit tim në shenjtërore.
25 Këngëtarët ecnin përpara, ata që u binin veglave vinin në fund, dhe në mes qëndronin vajzat që u binin dajreve.
26 Bekoni Perëndinë në kuvendet; bekoni Zotin ju që jeni nga gurra e Izraelit.
27 Ja, Beniamini, më i vogli, por udhëheqësi i tyre, princat e Judës me trupat e tyre, princat e Zabulonit, princat e Neftalit.
28 Perëndia yt ka vendosur forcën tënde; forco, o Perëndi, sa ke bërë për ne.
29 Për shkak të tempullit tënd në Jeruzalem, mbretërit do të të sjellin dhurata.
30 Shaj kafshën e kallamishteve, tufën e demave me viçat e popujve, deri sa të poshtërohen duke sjellë shufra argjendi; shpërndaji popujt që kënaqen duke bërë luftë.
31 Nga Egjipti do të sjellin metal që shkëlqen, Etiopia do të nxitojë t’i shtrijë Perëndisë duart e saj.
32 O mbretëri të tokës, këndojini Perëndisë; këndojini lavde Zotit, (Sela)
33 atij që shkon me kalë mbi qiejtë e qiejve të përjetshme, ai nxjerr zërin e tij, një zë të fuqishëm.
34 Pranoni fuqinë e Perëndisë, madhështia e tij qëndron mbi Izraelin dhe fuqia e tij është në qiejtë.
35 O Perëndi, ti je i tmerrshëm nga shenjtorja jote; Perëndia i Izraelit është ai që i jep forcë dhe fuqi popullit. I bekuar qoftë Perëndia!
52 Rizgjohu, rizgjohu, rivishu me forcën tënde, o Sion; vish rrobat e tua të mrekullueshme, o Jeruzalem, qytet i shenjtë! Sepse nuk do të hyjnë më te ti i parrethpreri dhe i papastri.
2 Shkunde pluhurin që ke në kurriz, çohu dhe ulu ndenjur, o Jeruzalem; zgjidhi zinxhirët që ke në qafë, o bijë e Sionit, që je në robëri!
3 Sepse kështu thotë Zoti: "Ju kanë shitur për asgjë dhe do të shpengoheni pa para".
4 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Populli im zbriti së lashti në Egjipt për të banuar; pastaj Asiri e shtypi pa shkak.
5 Dhe tani çfarë po bëj unë këtu?," thotë Zoti, "ndërsa popullin tim e kanë hequr larg për asgjë? Ata që e sundojnë, bëjnë që ai të rënkojë," thotë Zoti, "dhe emri im shahet vazhdimisht tërë ditën.
6 Prandaj populli im do të njohë emrin tim, prandaj do të kuptojë atë ditë që jam unë që kam folur: "Ja ku jam!"".
7 Sa të bukura janë mbi malet këmbët e lajmëtarit që sjell lajme të mira që njofton paqen, që sjell lajme të bukura mbi gjëra të mira, që shpall shpëtimin, që i thotë Sionit: "Perëndia yt mbretëron!".
8 Dëgjo! Rojet e tua ngrenë zërin dhe lëshojnë bashkë britma gëzimi, sepse shohin me sytë e tyre Zotin që kthehet në Sion.
9 Shpërtheni bashkë në britma gëzimi, o rrënoja të Jeruzalemit, sepse Zoti ngushëllon popullin e tij dhe çliron Jeruzalemin.
10 Zoti ka zhveshur krahun e tij të shenjtë para syve të të gjitha kombeve; të gjitha skajet e tokës do të shohin shpëtimin e Perëndisë tonë.
11 Ikni, ikni, dilni andej, mos prekni asgjë të papastër! Dilni nga ambienti i saj, pastrohuni, ju që mbani vazot e Zotit!
12 Sepse ju nuk do të niseni me nxitim dhe nuk do të shkoni me turr, sepse Zoti do të ecë para jush, Perëndia i Izraelit do të jetë praparoja juaj.
12 O vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam si ju; ju lutem, o vëllezër, ju s’më keni bërë asnjë të keqe.
13 Dhe ju e dini se në të kaluarën unë ju predikova ungjillin me dobësi të mishit;
14 dhe ju nuk më përbuzët aspak dhe s’patët neveri për provën që ishte në mishin tim, por më pranuat si engjëll Perëndie, si Jezu Krishtin vet.
15 Cili ishte, pra, gëzimi juaj? Sepse unë dëshmoj për ju se, po të qe e mundur, ju do të nxirrnit edhe sytë tuaj dhe do të m’i jepnit mua.
16 A thua u bëra armiku juaj, duke ju thënë të vërtetën?
17 Ata tregohen të zellshëm ndaj jush, por jo për qëllime të ndershme; madje ata duan t’ju shkëputin që të jeni të zellshëm ndaj tyre.
18 Mirë është të jesh gjithnjë i zellshëm për të mirë, dhe jo vetëm kur ndodhem midis jush.
19 Djemtë e mi, që unë i lind përsëri, derisa të formohet Krishti në ju!
20 Do të doja tashti të isha midis jush dhe ta ndryshoja tingullin e zërit tim, sepse jam ndërdyshas ndaj jush.
8 Në ato ditë, duke qenë se u mblodh një turmë shumë e madhe dhe s’kishin ç’të hanin, Jezusi i thirri dishepujt e vet dhe u tha atyre:
2 “Kam mëshirë për këtë turmë, sepse u bënë tri ditë që po rri me mua, dhe nuk ka ç’të hajë.
3 Dhe po t’i nis të pa ngrënë në shtëpitë e tyre, do të mbeten udhës; disa prej tyre kanë ardhur që nga larg.”
4 Dhe dishepujt e tij iu përgjigjën: “Si do të mund t’i ngopte me bukë këta dikush, këtu në shkretëtirë?.”
5 Dhe ai i pyeti: “Sa bukë keni?.” Ata i thanë: “Shtatë.”
6 Atëherë ai e urdhëroi turmën të ulet për tokë; dhe mori të shtatë bukët, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të vet që t’ia shpërndajnë turmës; dhe ata ia shpërndanë.
7 Kishin edhe disa peshq të vegjël; mbasi i bekoi, urdhëroi që edhe ata t’i shpërndahen turmës.
8 Kështu ata hëngrën dhe u ngopën; dhe dishepujt çuan shtatë kosha me copat që tepruan.
9 Ata që hëngrën ishin rreth katër mijë veta; pastaj i lejoi.
10 Dhe menjëherë hypi në barkë me dishepujt e vet dhe shkoi në rrethinën e Dalmanutës.