Book of Common Prayer
80 Dëgjo, o bari i Izraelit, që udhëheq Jozefin si një kope; ti që rrin mbi Kerubinët, shkëlqe në lavdinë tënde.
2 Rizgjoje fuqinë tënde përpara Efraimit, Beniaminit dhe Manasit, dhe eja të na çlirosh.
3 O Perëndi, na përtëri fuqitë, bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe ne do të shpëtojmë.
4 O Zot, Perëndi i ushtrive, deri kur do të jesh i zemëruar kundër lutjes së popullit tënd?
5 Ti u ke dhënë për të ngrënë bukë të njomur me lot, dhe u ke dhënë për të pirë lot me shumicë.
6 Ti na ke bërë objekt mosmarëveshjeje për fqinjët tanë, dhe armiqtë tanë qeshin njeri me tjetrin.
7 O Perëndi i ushtrive, na përtëri forcat tona; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë përsëri dhe do të shpëtojmë.
8 Ti çove jashtë Egjiptit një hardhi; i dëbove kombet dhe e mbolle.
9 Ti e pastrove dheun para saj dhe ajo lëshoi rrënjë dhe e mbushi dheun.
10 Malet u mbuluan nga hija e saj dhe kedrat e Perëndisë me degët e saj.
11 I zgjati degët e saj deri në det dhe llastarët deri te lumi.
12 Pse i prishe gjerdhet e saj dhe kështu tërë kalimtarët kanë mundësi të korrin frytet e saj?
13 Derri i egër i pyllit e shkreton dhe egërsirat e fushës kullotin aty.
14 O Perëndi i ushtrive, të lutemi kthehu; shiko nga qielli, vështro dhe vizito këtë vresht
15 dhe drurët që mbolli e djathta jote dhe filizin që e ke forcuar për ty.
16 Ajo u dogj nga zjarri dhe është prerë; ata vdesin para kërcënimit të fytyrës sate.
17 Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtë tënde, mbi njeriun që ti e ke bërë të fortë për ty.
18 Kështu ne nuk do të largohemi më prej teje. Na ngjall dhe ne do të kërkojmë emrin tënd.
19 O Zot, Perëndia i ushtrive, na përtëri; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe do të shpëtojmë.
77 Zëri im lartohet te Perëndia dhe unë bërtas; zëri im lartohet te Perëndia dhe ai ka për të më dëgjuar.
2 Ditën e fatkeqësisë sime kërkova Zotin; gjatë natës dora ime mbeti e nderur pa u lodhur dhe shpirti im nuk pranoi të ngushëllohet.
3 Më kujtohet Perëndia dhe rrënkoj; vajtoj dhe fryma ime dobësohet. (Sela)
4 Ti m’i mban të hapura qepallat; jam aq i turbulluar sa nuk mund të flas.
5 Sjell ndërmënd përsëri ditët e lashta, vitet e kohëve të shkuara.
6 Gjatë natës më kthehet në mendje kënga ime, mendoj thellë në zemrën time dhe fryma ime bën kërkime.
7 A do të më hedhë poshtë për gjithnjë Zoti? E nuk do të më pëlqejë më kurrë?
8 Dhe mirësia e tij ka marrë fund për gjithnjë dhe falja e tij ka munguar për brezat e ardhshme?
9 Vallë Perëndia e ka harruar mëshirën dhe në zemërimin e tij u ka dhënë fund dhembshurive të tij? (Sela)
10 Unë kam thënë: "Shkaku i hidhërimit tim është se dora e djathtë e Shumë të Lartit ka ndryshuar".
11 Do t’i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara,
12 do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua.
13 O Perëndi, jeta jote është e shenjtë; cili Perëndi është i madh si Perëndia?
14 Ti je Perëndia që kryen mrekulli; ti ke bërë të njihet forca jote midis popujve.
15 Me krahun tënd ke shpenguar popullin tënd, bijtë e Jakobit dhe të Jozefit. (Sela)
16 Ujërat të panë, o Perëndi, ujërat të panë dhe u trëmbën; edhe humnerat u drithtuan.
17 Retë derdhën përmbytje uji, qiejtë gjëmuan dhe shigjetat e tua vepruan.
18 Gjëmimi i bubullimës sate ishte në vorbullën, vetëtimat ndriçuan botën dhe toka u tund dhe u drodh.
19 Ti e hape rrugën tënde në mes të detit, shtegun tënd në mes të ujërave të mëdha, dhe gjurmët e tua nuk u njohën.
20 Ti e udhëheq popullin tënd si një kope me dorën e Moisiut dhe të Aaronit.
79 O Perëndi, kombet kanë hyrë në trashëgiminë tënde, kanë përdhosur tempullin tënd të shenjtë, e kanë katandisur Jeruzalemin në një grumbull gërmadhash.
2 Trupat e vdekur të shërbëtorëve të tu ua dhanë për të ngrënë shpendëve të qiellit dhe mishin e shenjtorëve të tu bishave të fushave.
3 Kanë derdhur gjakun e tyre si ujë rreth Jeruzalemit, në mënyrë që asnjeri të mos i varroste.
4 Jemi bërë një turp për fqinjët tanë, tallja dhe gazi i atyre që na rrinë rreth e qark.
5 Deri kur, o Zot? A do të jesh i zemëruar përjetë? A do të flakërojë smira jote si një zjarr?
6 Lësho zemërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin dhe mbi mbretëritë që nuk përmendin emrin tënd,
7 sepse kanë gllabëruar Jakobin dhe kanë shkretuar banesën e tij.
8 Mos kujto kundër nesh fajet e të pabesëve tanë; nxito të na dalësh para me dhembshuritë e tua, sepse jemi shumë të vuajtur.
9 Na ndihmo, o Perëndi i shpëtimit, për lavdinë e emrit tënd, dhe na çliro dhe na fal mëkatet tona për hir të emrit tënd.
10 Sepse kombet do të thonin: "Ku është Perëndia i tyre?". Para syve tona bëju të njohur kombeve hakmarrjen e gjakut të derdhur të shërbëtorëve të tu.
11 Le të arrijë deri tek ti rrënkimi i robërve; sipas fuqisë së krahut tënd, shpëto ata që janë të dënuar me vdekje.
12 Dhe ktheju fqinjëve tonë shtatëfish të zezën që të kanë bërë o Zot.
13 Dhe ne populli yt dhe kopeja e kullotës sate, do të të kremtojmë përjetë dhe do të shpallim lavdinë tënde brez pas brezi.
58 "Bërtit sa të mundësh, mos u kurse; ngrije zërin tënd si një bori dhe shpalli popullit tim shkeljet e tij dhe shtëpisë së Jakobit mëkatet e tij.
2 Më kërkojnë çdo ditë dhe dëshirojnë të njohin rrugët e mia, si një komb që zbaton drejtësinë dhe nuk braktis ligjin e Perëndisë të tij; më kërkojnë gjykime të drejta dhe dëshirojnë t’i afrohen Perëndisë.
3 Ata thonë: "Pse kemi agjëruar, dhe ti nuk e ke parë? Pse kemi hidhëruar shpirtërat tona dhe ti nuk e ke vënë re?". Ja, ditën e agjërimit tuaj ju bëni atë që ju pëlqen dhe i detyroni punëtorët tuaj të kryejnë një punë të rëndë.
4 Ja, ju agjëroni për grindje dhe mosmarrëveshje dhe për të goditur pabesisht me grusht. Duke agjëruar ashtu si bëni sot, nuk bëni që zëri juaj të dëgjohet lart.
5 A është ky agjërimi të cilin e pëlqej, dita në të cilën njeriu pikëllon shpirtin e tij? Të përkulësh kokën si xunkthi dhe të shtrihesh mbi një shtrat prej thesi dhe hiri? A e quan këtë vallë agjërim dhe ditë që i pëlqen Zotit?
6 Agjërimi që më pëlqen a nuk është vallë ky: të thyesh zinxhirët e ligësisë, të zgjidhësh verigat e zgjedhës, t’i lësh të lirë të shtypurit, të dërmosh çdo zgjedhë?
7 A nuk konsiston vallë në ndarjen e bukës sate me atë që ka uri, në sjelljen në shtëpinë tënde të të varfërit pa strehë, në të veshurit e atij që është lakuriq, pa lënë pas dore ata që janë nga gjaku yt?
8 Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi dhe shërimi yt do të mbijë menjëherë, drejtësia jote do të të pararendë dhe lavdia e Zotit do të jetë praparoja jote.
9 Atëherë do të thërrasësh dhe Zoti do të të përgjigjet, do të bërtasësh dhe ai do të thotë: "Ja ku jam!". Në rast se ti heq dorë nga zgjedha, tregimi me gisht dhe të folurit mbrapsht,
10 në rast se plotëson nevojat e të uriturit dhe ngop shpirtin e pikëlluar, atëherë drita jote do të lindë nga terri dhe terri yt do të jetë si mesdita.
11 Zoti do të të udhëheqë vazhdimisht, do të ngopë shpirtin tënd në vendet e thata dhe do t’u japë forcë kockave të tua; ti do të jesh si një kopsht i vaditur dhe si një burim uji, ujërat e të cilit nuk shterojnë.
12 Njerëzit e tu do të rindërtojnë rrënojat e lashta, dhe ti do të ngresh përsëri themelet e shumë brezave të shkuara; kështu do të quhesh riparuesi i të çarave, restauruesi i shtigjeve për të banuar në vend.
11 Shikoni me çfarë shkronjash të mëdha ju kam shkruar me dorën time!
12 Të gjithë ata që duan të duken të mirë në mish, ju shtrëngojnë që të rrethpriteni vetëm që të mos përndiqeni për kryqin e Krishtit.
13 Sepse as vetë ata që rrethpriten nuk e zbatojnë ligjin, por duan që ju të rrethpriteni, që ata të mburren në mishin tuaj.
14 Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht, për të cilin bota është kryqëzuar tek unë edhe unë te bota.
15 Sepse në Jezu Krishtin as rrethprerja, as parrethprerja s’kanë ndonjë vlerë, por krijesa e re.
16 Dhe të gjithë ata që do të ecin sipas kësaj rregulle paçin paqe dhe mëshirë, e ashtu qoftë edhe për Izraelin e Perëndisë.
17 Tash e tutje askush të mos më trazojë, sepse unë mbaj në trupin tim shenjat e Zotit Jezus.
18 Vëllezër, hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj. Amen.
30 Mbasi u nisën prej andej, kaluan nëpër Galile; dhe ai nuk donte që ta merrte vesh njeri.
31 Ai, në fakt, i mësonte dishepujt e vet dhe u thoshte atyre: “Së shpejti Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve dhe ata do ta vrasin; dhe, pasi të jetë vrarë, ai do të ringjallet ditën e tretë.”
32 Por ata nuk i kuptonin këto fjalë dhe kishin frikë ta pyesnin.
33 Dhe arritën në Kapernaum; dhe kur hyri në shtëpi, i pyeti: “Për çfarë diskutonit ndërmjet jush rrugës?.”
34 Dhe ata heshtën, sepse rrugës kishin diskutuar se cili ndër ta ishte më i madhi.
35 Atëherë ai u ul, i thirri të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: “Nëse dikush don të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.”
36 Dhe mori një fëmijë të vogël dhe e vuri në mes të tyre; pastaj e mori në krahë dhe u tha atyre:
37 “Cilido që pranon një nga këta fëmijë në emrin tim, më pranon mua; dhe kushdo që më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më ka dërguar”
38 Atëherë Gjoni mori fjalën dhe i tha: “Mësues, ne pamë një njeri që nuk na ndjek, që i dëbonte demonët në emrin tënd dhe ia ndaluam sepse ai nuk na ndjek.”
39 Por Jezusi tha: “Mos ia ndaloni, sepse s’ka njeri që mund të bëjë një vepër të fuqishme në emrin tim, dhe fill pas kësaj të flasë keq për mua.
40 Sepse kush nuk është kundër nesh, është me ne.
41 Në fakt, kushdo që do t’ju japë të pini një gotë ujë në emrin tim, sepse jeni të Krishtit, në të vërtetë po ju them se me siguri nuk do ta humbasë shpërblimin e vet.”