Book of Common Prayer
80 Dëgjo, o bari i Izraelit, që udhëheq Jozefin si një kope; ti që rrin mbi Kerubinët, shkëlqe në lavdinë tënde.
2 Rizgjoje fuqinë tënde përpara Efraimit, Beniaminit dhe Manasit, dhe eja të na çlirosh.
3 O Perëndi, na përtëri fuqitë, bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe ne do të shpëtojmë.
4 O Zot, Perëndi i ushtrive, deri kur do të jesh i zemëruar kundër lutjes së popullit tënd?
5 Ti u ke dhënë për të ngrënë bukë të njomur me lot, dhe u ke dhënë për të pirë lot me shumicë.
6 Ti na ke bërë objekt mosmarëveshjeje për fqinjët tanë, dhe armiqtë tanë qeshin njeri me tjetrin.
7 O Perëndi i ushtrive, na përtëri forcat tona; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë përsëri dhe do të shpëtojmë.
8 Ti çove jashtë Egjiptit një hardhi; i dëbove kombet dhe e mbolle.
9 Ti e pastrove dheun para saj dhe ajo lëshoi rrënjë dhe e mbushi dheun.
10 Malet u mbuluan nga hija e saj dhe kedrat e Perëndisë me degët e saj.
11 I zgjati degët e saj deri në det dhe llastarët deri te lumi.
12 Pse i prishe gjerdhet e saj dhe kështu tërë kalimtarët kanë mundësi të korrin frytet e saj?
13 Derri i egër i pyllit e shkreton dhe egërsirat e fushës kullotin aty.
14 O Perëndi i ushtrive, të lutemi kthehu; shiko nga qielli, vështro dhe vizito këtë vresht
15 dhe drurët që mbolli e djathta jote dhe filizin që e ke forcuar për ty.
16 Ajo u dogj nga zjarri dhe është prerë; ata vdesin para kërcënimit të fytyrës sate.
17 Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtë tënde, mbi njeriun që ti e ke bërë të fortë për ty.
18 Kështu ne nuk do të largohemi më prej teje. Na ngjall dhe ne do të kërkojmë emrin tënd.
19 O Zot, Perëndia i ushtrive, na përtëri; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe do të shpëtojmë.
16 Zoti i tha Samuelit: "Deri kur do të mbash zi për Saulin, kurse unë e kam hedhur poshtë që mos mbretërojë mbi Izrael? Mbushe me vaj bririn tënd dhe nisu; po të dërgoj tek Isai, Betlemiti, sepse kam zgjedhur një mbret midis bijve të tij".
2 Samueli u përgjigj: "Si mund të shkoj? Sauli ka për ta mësuar dhe do të më vrasë". Zoti tha: "Do të marësh me vete një mëshqerre dhe do të thuash: Kam ardhur për t’i ofruar një flijim Zotitt".
3 Do të ftosh Isain në ceremoninë e flijimit, unë do të të tregoj atë që duhet të bësh, dhe ti ke për të vajosur atë që do të të them unë".
4 Kështu Samueli bëri atë që i kishte thënë Zoti dhe shkoi në Betlem; pleqtë e qytetit i dolën përpara duke u dridhur dhe i thanë: "Po na vjen në mënyrë paqësore?".
5 Ai u përgjegj "Vij në mënyrë paqësore; kam ardhur për t’i ofruar një flijim Zotit; pastrohuni dhe ejani me mua në flijim". Vuri të pastrohen edhe Isain dhe bijtë e tij dhe i ftoi në flijim.
6 Kur ata arritën, ai ia vuri syrin Eliabit dhe tha: "Me siguri i vajosuri i Zotit është para tij".
7 Por Zoti i tha Samuelit: "Mos ia shiko as pamjen as shtatgjatësinë, sepse unë e kam refuzuar, sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën".
8 Atëherë Isai thirri Abinadabin dhe e bëri të kalojë përpara Samuelit; por Samueli tha: "Zoti nuk zgjodhi as këtë".
9 Pastaj Isai bëri të kalojë Shamahu, por Samueli tha: "Zoti nuk zgjodhi as këtë".
10 Kështu Isai bëri të kalojnë shtatë nga bijtë e tij përpara Samuelit; por Samueli i tha Isait: "Zoti nuk zgjodhi asnjë prej tyre".
11 Pastaj Samueli i tha Isait: "A janë këtu tërë bijtë e tu?". Ai u përgjigj: "Mungon më i riu që tani është duke kullotur delet". Samueli i tha Isait: "Dërgo ta sjellin, sepse nuk do të shtrohemi në tryezë para se ai të vijë këtu".
12 Atëherë ai dërgoi njerëz ta marrin. Davidi ishte kuqalash, me sy të bukur dhe pamje të hijshme. Dhe Zoti tha: "Ngrihu, vajose se ai është".
13 Atëherë Samueli mori bririn e vajit dhe e vajosi para vëllezërve të tij; që nga ajo ditë Fryma e Zotit zbriti te Davidi. Pastaj Samueli u ngrit dhe shkoi në Ramah.
18 Fëmijë, është ora e fundit. Dhe, sikurse e dëgjuat, antikrishti duhet të vijë, dhe tani janë shfaqur shumë antikrishtë; prej nga e dimë se është ora e fundit.
19 Mes nesh dolën, por nuk ishin nga tanët, sepse, po të ishin nga tanët, do të kishin qëndruar me ne; por kjo ndodhi që të dalë se nuk janë të gjithë nga tanët.
20 Por ju keni vajosjen nga i Shenjti dhe i dini çdo gjë.
21 Nuk ju shkrova juve sepse nuk e njihni të vërtetën, por sepse ju e njihni dhe sepse asnjë gënjeshtër nuk del nga e vërteta.
22 Kush është gënjeshtari, veçse ai që mohon se Jezus është Krishti? Antikrishti është ai, që mohon Atin dhe Birin.
23 Kushdo që mohon Birin, s’ka as Atin; kushdo që njeh Birin, ka edhe Atin.
24 Ajo që ju, pra, dëgjuat nga fillimi le të qëndrojë në ju; në qoftë se ajo që dëgjuat nga fillimi qëndron në ju, edhe ju do të qëndroni në Birin dhe në Atin.
25 Dhe ky është premtimi që ai na bëri: jeta e përjetshme.
33 Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti; lëvdimi u shkon për shtat njerëzve të drejtë.
2 Kremtojeni Zotin me qeste; këndojini atij me harpën me dhjetë tela.
3 Këndojini një kantik të ri, bjerini me mjeshtëri veglës dhe brohoritni.
4 Sepse fjala e Zotit është e drejtë dhe të gjithë veprat e tij janë bërë me saktësi.
5 Ai e do drejtësinë dhe barazinë; toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit.
6 Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij.
7 Ai mblodhi ujërat në një tog dhe vendosi thellësitë e tyre të mëdha si rezervuare.
8 Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij tërë banorët e botës.
9 Sepse ai foli dhe gjëja u bë; ai udhëroi dhe gjëja u shfaq.
10 Zoti e bën të dështojë planin e kombeve dhe asgjeson synimet e popujve.
11 Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez.
12 Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin; lum populli që ai ka zgjedhur për trashëgim të tij.
13 Zoti shikon nga qielli; ai shikon tërë bijtë e njerëzve.
14 Nga vendi i banimit të tij ai këqyr tërë banorët e tokës.
15 Ai e ka formuar zemrën e të gjithëve, që kupton tërë veprat e tyre.
16 Mbreti nuk shpëtohet nga një ushtri e madhe; trimi nuk shpëton për shkak të forcës së tij të madhe.
17 Kali është një shpresë e kotë shpëtimi, dhe me forcën e tij të madhe nuk mund të shpëtojë asnjeri nga rreziku.
18 Ja, syri i Zotit është mbi ata që kanë frikë para tij, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,
19 për ta çliruar shpirtin e tyre nga vdekja dhe për t’i mbajtur të gjallë në kohë urie.
20 Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë.
21 Po, zemra jonë do të gëzohet tek ai, sepse kemi besim, në emrin e tij të shenjtë.
22 Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sepse kemi pasur shpresë te ti.
17 Nga Mileti dërgoi në Efes për të thirrur pleqtë e kishës.
18 Kur ata erdhën tek ai, ai u tha atyre: “Ju e dini dita e parë që hyra në Azi si kam jetuar midis jush për të gjithë këtë kohë,
19 duke i shërbyer Zotit me gjithë përulësi e me shumë lot e me prova që m’u bënë nga tinëzitë e Judenjve;
20 dhe si unë nuk fsheha asnjë nga ato gjëra që ishin të dobishme për ju, por jua shpalla juve dhe jua mësova botërisht dhe nëpër shtëpi,
21 duke u deklaruar solemnisht Judenjve dhe Grekëve mbi pendimin te Perëndi dhe për besimin në Zotin tonë Jezu Krisht.
22 Dhe ja, tani, i shtyrë nga Fryma, po shkoj në Jeruzalem pa ditur se ç’do të më ndodhë atje,
23 përveçse Fryma e Shenjtë dëshmon për mua në çdo qytet, duke thënë se më presin pranga dhe mundime.
24 Por unë nuk dua t’ia di fare për jetën time që nuk e çmoj aq, sa ta kryej me gëzim vrapimin tim dhe shërbesën që mora nga Zoti Jezus, të dëshmoj plotësisht ungjillin e hirit të Perëndisë.
25 Dhe ja, tani e di se të gjithë ju, në mes të të cilëve kam vajtur dhe ardhur duke predikuar mbretërinë e Perëndisë, nuk do të shihni më fytyrën time.
26 Prandaj sot po ju deklaroj se unë jam i pastër nga gjaku i të gjithëve;
27 sepse nuk u tërhoqa prapa për të mos ju treguar gjithë këshillën e Perëndisë.
28 Tregoni kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në mes të së cilës Fryma e Shenjtë ju ka vënë ju kujdestarë që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij.
29 Në fakt unë e di se, pas largimit tim, do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën,
30 edhe vetë midis jush do të dalin njerëz që do të flasin gjëra të çoroditura që të tërheqin pas vetes dishepujt.
31 Prandaj rrini zgjuar, dhe mbani mend se për tre vjet me radhë, ditë e natë, nuk pushova kurrë të paralajmëroj secilin me lot.
32 Dhe tani, o vëllezër, unë po ju lë te Perëndia dhe te fjala e hirit të tij, që është në gjendje t’ju ndërtojë dhe t’ju japë trashëgimin në mes të të gjithë të shenjtëruarve.
33 Unë nuk kam dashur as argjend, as ar, as rrobat e ndonjërit.
34 Dhe ju vetë e dini se këto duar kanë punuar për nevojat e mia dhe për ata që ishin bashkë me mua.
35 Dhe në çdo gjë ju kam treguar se, duke u munduar në këtë mënyrë, duhet të ndihmohen të lëngatët dhe të kujtohen fjalët e Zotit Jezus, i cili tha: Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!!".”