Book of Common Prayer
24 Zotit i përket toka dhe të gjitha gjërat që janë mbi të, bota dhe banorët e saj.
2 Sepse ai e ka themeluar mbi detet dhe e ka vendosur mbi lumenjtë.
3 Kush do t’i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
4 Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra, që nuk e ngre shpirtin për t’u dukur dhe nuk betohet në mënyrë të rreme.
5 Ai do të marrë bekimet e Zotit dhe drejtësinë nga Perëndia e shpëtimit të tij.
6 I tillë është brezi i atyre që e kërkojnë, që kërkojnë fytyrën tënde, o Perëndi e Jakobit. (Sela)
7 O ju porta, çoni kokat tuaja; dhe ju, porta të përjetshme, hapuni krejt dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.
8 Kush është ky Mbret i lavdisë? Éshtë Zoti i fortë dhe i fuqishëm, Zoti i fortë në betejë.
9 O porta, çoni kokat tuaja; hapuni krejt, o porta të përjetshme, dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.
10 Kush është ky Mbret i lavdisë? Éshtë Zoti i ushtrive; ai është Mbreti i lavdisë. (Sela)
29 I jepni Zotit, o bij të të fuqishmëve, i jepni Zotit lavdi dhe forcë.
2 I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij; adhuroni Zotin në shkëlqimin e shenjtërisë së tij.
3 Zëri i Zotit është mbi ujërat; Perëndia i lavdisë gjëmon; Zoti është mbi ujërat e mëdha.
4 Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm.
5 Zëri i Zotit thyen kedrat; po, Zoti thyen kedrat e Libanit;
6 i bën të hidhen si një viç, Libanin dhe Sirionin, si një buall i ri.
7 Zëri i Zotit çan flakët e zjarrit.
8 Zëri i Zotit e bën shkretëtirën të dridhet; Zoti bën që të dridhet shkretëtira e Kadeshit.
9 Zëri i Zotit bën që të lindin sutat dhe i lë pyjet pa gjethe; dhe në tempullin e tij çdo gjë thotë: "Lavdi!".
10 Zoti rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Zoti rri ulur si mbret në përjetësi.
11 Zoti do t’i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe.
8 Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin, o Zot, Zoti ynë, që vure madhështinë tënde mbi qiejtë!
2 Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t’i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit.
3 Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur,
4 çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?
5 Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder.
6 E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij!
7 Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra,
8 zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër shtigjet e detit.
9 O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!
84 Oh, sa të dashura janë banesat e tua, o Zot i ushtrive!
2 Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë.
3 Edhe rabecka gjen një shtëpi dhe dallëndyshja një fole, ku të vërë të vegjëlit e saj pranë altarëve të tu, o Zot i ushtrive, Mbreti im dhe Perëndia im.
4 Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde dhe të lëvdojnë vazhdimisht. (Sela)
5 Lum ata që e vënë forcën e tyre te ti dhe kanë në zemër rrugët e tua!
6 Kur kalojnë luginën e Bakas, e shndërrojnë atë në një vend burimesh, dhe shiu i parë e mbulon me bekime.
7 Ata kalojnë nga një forcë te tjetra dhe në fund paraqiten para Perëndisë në Sion.
8 O Zot, Perëndi i ushtrive, dëgjo lutjen time; vëri veshin, o Perëndi i Jakobit. (Sela)
9 Shiko, o Perëndi, mburojën tonë, dhe shiko fytyrën e të vajosurit tënd.
10 Po, një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu; mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, se sa të banoj në çadrat e të pabesëve.
11 Sepse Zoti Perëndi është diell dhe mburojë; Zoti do të japë hir dhe lavdi; ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt.
12 O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!
9 Zgjohu, zgjohu, vishu me forcë, o krah i Zotit, zgjohu si në ditët e lashta, ashtu si në brezat që shkuan! A nuk je ti ai që e ke bërë copë-copë Rahabin, që ke prerë kuçedrën?
10 A nuk je ti ai që ke tharë detin, ujërat e humnerës së madhe, që i ke bërë rrugë thellësitë e detit, me qëllim që të çliruarit të kalonin?
11 Kështu të shpenguarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me klithma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre; do të marrin gëzim dhe hare, e dhembja dhe rënkimi do të zhduken.
12 Unë, unë vetë, jam ai që ju ngushëllon; kush je ti që i trembesh njeriut që po vdes dhe birit të njeriut të caktuar të jetë si bari?
13 Ti ke harruar Zotin që të ka bërë, që ka shpalosur qiejt dhe ka hedhur themelet e tokës. Ti kishe gjithnjë frikë, tërë ditën përpara tërbimit të shtypësit; kur ai përgatitej të të shkatërronte. Por ku është tani tërbimi i shtypësit?
14 I mërguari në robëri do të çlirohet së shpejti, nuk do të vdesë në gropë as nuk do t’i mungojë buka.
15 Sepse unë jam Zoti, Perëndia yt, që tund detin dhe bën të gjëmojnë valët; emri i tij është Zoti i ushtrive.
16 Unë i vura fjalët e mia në gojën tënde dhe të mbulova me hijen e dorës sime për të vendosur qiejtë dhe për të hedhur themelet e tokës, dhe për t’i thënë Sionit: "Ti je populli im".
8 Me anë të besimit Abrahami, kur u thirr, u bind të shkojë në atë vend që do të merrte për trashëgim; dhe u nis pa ditur se ku po shkonte.
9 Me anë të besimit Abrahami banoi në tokën e premtuar, si në një dhe të huaj, dhe ndenji në çadra bashkë me Isakun dhe Jakobin, bashkëtrashëgimtarë të të nëjtit premtim,
10 sepse priste qytetin që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia.
11 Me anë të besimit edhe vetë Sara, ndonëse e kishte kaluar moshën, mori fuqi të bëhet me barrë dhe të lindë, sepse e konsideroi besnik atë që i kishte bërë premtimin.
12 Prandaj edhe prej një të vetmi, edhe ky gati për të vdekur, lindën pasardhës të shumtë sa yjet e qiellit dhe si rëra që është në breg të detit dhe që nuk numërohet dot.
13 Të gjithë këta vdiqën në besim, pa marrë premtimet e bëra, por i panë ato për se largu dhe u bindën dhe i përshëndetën ato me gëzim duke rrëfyer se janë të huaj dhe shtegtarë mbi dhe.
14 Sepse ata që flasin të tilla, tregojnë se kërkojnë atdhe.
15 Dhe, po ta kishin pasur në mend atë nga e cila kishin dalë, do të kishin gjetur kohë të ktheheshin atje.
16 Por ata tani dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë qiellor; prandaj Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndi i tyre, sepse u bëri gati atyre një qytet.
14 Por, aty nga mesi i festës, Jezusi u ngjit në tempull dhe mësonte.
15 Dhe Judenjtë mrrekulloheshin duke thënë: “Si i ditka ky shkronjat, pa pasur studiuar?.”
16 Jezusi atëherë iu përgjigj atyre dhe tha: “Doktrina ime nuk është imja, por e atij që më ka dërguar.
17 Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime.
18 Kush flet nga vetja e tij kërkon lavdinë e vet, kurse ai që kërkon lavdinë e atij që e ka dërguar është i vërtetë, dhe në të nuk ka padrejtësi.
19 A nuk jua ka dhënë Moisiu ligjin? E pra, asnjë nga ju nuk e vë në praktikë ligjin. Pse kërkoni të më vritni?.”
20 Turma u përgjigj dhe tha: “Ti ke një demon; kush kërkon të të vrasë?.”
21 Jezusi u përgjigj dhe u tha: “Unë bëra një vepër dhe ju të gjithë jeni të mreku-lluar.
22 Prandaj Moisiu iu dha rrethprerjen (ajo nuk është prej Moisiut, por prej etërve); dhe ju e rrethpritni një njeri të shtunën.
23 Në qoftë se një njeri merr rrethprerjen të shtunën, që të mos shkelet ligji i Moisiut, ju zemëroheni kundër meje sepse shërova tërësishtë një njeri të shtunën?
24 Mos gjykoni sipas pamjes së jashtme, por gjykoni sipas drejtësisë!”
25 Atëherë disa nga Jeruzalemi thanë: “A nuk është ky ai që kërkojnë ta vrasin?
26 E megjithatë ja, ai po flet lirisht dhe nuk i thonë asgjë; mos kanë njohur krerët me të vërtetë se ai është Krishti?
27 Por ne e dimë se nga është ai; ndërsa kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë se nga është.”
28 Atëherë Jezusi, duke mësuar në tempull, thirri dhe tha: “Ju më njihni dhe e dini se nga jam, megjithatë unë s’kam ardhur nga vetja, por ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe ju nuk e njihni.
29 Por unë atë e njoh, sepse jam nga ai dhe ai më dërgoi.”
30 Prandaj ata kërkonin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të, sepse ora e tij s’kishte ardhur akoma.
31 Por shumë veta nga turma besuan në të dhe thoshnin: “Kur të vijë Krishti, a do të bëjë më shumë shenja se këto që ka bërë ky?.”