Book of Common Prayer
37 Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi,
2 sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë.
3 Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë.
4 Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.
5 Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar.
6 Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.
7 Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij.
8 Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen.
9 Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës.
10 Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më.
11 Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.
12 I pabesi komploton kundër të drejtit dhe kërcëllin dhëmbët kundër tij.
13 Zoti qesh me të, sepse e sheh që vjen dita e tij.
14 Të pabesët kanë nxjerrë shpatën dhe kanë nderur harkun e tyre për të rrëzuar të mjerin dhe nevojtarin, për të vrarë ata që ecën drejt në rrugën e tyre.
15 Shpata e tyre do të hyjë në zemrën e tyre dhe harqet e tyre do të thyhen.
16 Vlen më tepër e pakta e të drejtit se sa bollëku i shumë të pabesëve.
17 Sepse krahët e të pabesëve do të thyhen, por Zoti i përkrah të drejtët.
18 Zoti i njeh ditët e njerëzve të ndershëm dhe trashëgimia e tyre do të vazhdojë përjetë.
19 Ata nuk do të ngatërrohen në kohën e fatkeqësisë dhe në ditët e zisë do të ngopen.
20 Por të pabesët do të vdesin dhe armiqtë e Zotit do të konsumohen dhe do të bëhen tym si dhjami i qengjave.
21 I pabesi merr hua dhe nuk e kthen, por i drejti ka mëshirë dhe dhuron.
22 Sepse të bekuarit nga Zoti do të trashëgojnë tokën, por ata që janë mallkuar prej tij do të shfarosen.
23 Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij.
24 Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet për tokë, sepse Zoti e mban për dore.
25 Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë.
26 Ai ka mëshirë dhe jep kurdoherë hua; dhe pasardhësit e tij janë në bekim.
27 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të kesh një banesë të përjetshme.
28 Sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t’i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë, ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen.
29 Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.
30 Nga goja e të drejtit del dituri dhe gjuha e tij flet për drejtësi.
31 Ligji i Perëndisë të tij është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden.
32 I pabesi spiunon të drejtin dhe përpiqet ta vrasë.
33 Zoti nuk do ta lërë në duart e tij dhe nuk do të lejojë që të dënohet, kur të gjykohet.
34 Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën tij, dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh.
35 E pashë njeriun e pushtetshëm dhe të furishëm të begatohet si një pemë e gjelbër në tokën e tij të lindjes,
36 por pastaj u zhduk; dhe ja, nuk është më; e kërkova, por nuk e gjeta më.
37 Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja.
38 Por shkelësit do të shkatërrohen të gjithë; në fund të pabesët do të dërrmohen.
39 Por shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë.
40 Dhe Zoti i ndihmon dhe i çliron; i çliron nga të pabesët dhe i shpëton, sepse kanë gjetur strehë tek ai.
5 Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër; jashtë meje nuk ka Perëndi. Të kam rrethuar, ndonëse ti nuk më njihje,
6 me qëllim që nga lindja në perëndim të pranohet që nuk ka asnjë Perëndi përveç meje. Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër.
7 Unë formoj dritën dhe krijoj terrin, sjell mirëqënien dhe krijoj fatkeqësinë. Unë, Zoti, i bëj të gjitha këto gjëra".
8 Pikëloni, o qiej, nga lart dhe retë le të bëjnë të bjerë si shi drejtësia. Le të hapet toka, të prodhojë shpëtimin dhe të bëjë të mbijë njëkohësisht drejtësia. Unë, Zoti, e kam krijuar këtë.
9 Mjerë ai që i kundërvihet atij që e ka formuar, një fragment enësh balte me fragmente të tjera të enëve prej balte. A do t’i thotë argjila atij që i jep formë: "Ç’po bën?," a do të thotë vepra jote: "Nuk ka duar?".
10 Mjerë ai që i thotë të atit: "Çfarë po lind?". dhe nënës së tij: "Çfarë po pjell?".
11 Kështu thotë Zoti, i Shenjti i Izraelit dhe ai që e ka formuar: "Përsa u përket gjërave të së ardhmes më bëni pyetje rreth bijve të mi dhe më jepni urdhëra rreth veprës së duarve të mia?
12 Por unë kam bërë tokën dhe kam krijuar njeriun mbi të; me duart e mia kam shpalosur qiejtë dhe komandoj tërë ushtrinë e tyre.
13 Unë e ngjalla atë në drejtësinë time dhe do të sheshoj tërë rrugët e tij; ai do të rindërtojë qytetin tim dhe do t’i kthejë të lirë të mërguarit e mi pa paguar shpengim dhe pa bërë dhurata," thotë Zoti i ushtrive.
14 Kështu thotë Zoti: "Fryti i mundimeve të Egjiptit dhe mallrat e Etiopisë dhe të Sabejve, njerëz me shtat të lartë, do të të kalojnë ty dhe do të të përkasin ty; ata do të ecin pas teje, të lidhur me zinxhirë; do të bien përmbys para teje dhe do të të luten fort, duke thënë: "Me siguri Perëndia është te ti dhe nuk ka asnjë tjetër; nuk ka Perëndi tjetër"".
15 Në të vërtetë ti je një Perëndi që fshihesh, o Perëndi i Izraelit, o Shpëtimtar.
16 Do të mbeten të gjithë të turpëruar dhe të hutuar, po, do të ikin të gjithë bashkë, të mbuluar me turp, sajuesit e idhujve.
17 Por Izraeli do të shpëtohet nga Zoti me një shpëtim të përjetshëm; ju nuk do të turpëroheni ose të hutoheni kurrë më përjetë.
15 Kujdesuni, pra, që të ecni me kujdes dhe jo si të marrët, por si të mençurit,
16 duke e shfyrtësuar kohën, sepse ditët janë të mbrapshta.
17 Prandaj mos u bëni të pakujdesshëm, por kuptoni cili është vullneti i Zotit.
18 Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymë,
19 duke i folur njeri tjetrit me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj,
20 duke e falënderuar vazhdimisht për çdo gjë Perëndinë dhe Atin, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht;
21 nënshtrohuni njëri-tjetrit në druajtjen e Krishtit!
22 Ju, gratë, nënshtrohuni burrave tuaj porsi Zotit,
23 sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit.
24 Ashtu si kisha i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t’i nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë.
25 Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të,
26 që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës,
27 që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të ti-llë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme.
28 Kështu burrat duhet t’i duan gratë e veta porsi trupat e tyre; kush do gruan e vet do vetveten.
29 Sepse askush nuk urreu mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të, sikurse edhe Zoti bën me kishën,
30 sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij, të mishit të tij dhe të kockave të tij.
31 “Prandaj njeriu do të lërë babanë e vet dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet, dhe të dy do të bëhen një mish i vetëm.”
32 Ky mister është i madh; tani unë e them në lidhjen me Krishtin dhe me kishën.
33 Por secili nga ju kështu ta dojë gruan e vet sikurse e do veten e vet; dhe po kështu gruaja ta respektojë burrin.
21 Pastaj u tha atyre: “A merret vallë llamba për ta vënë nën babunë ose nën shtrat? A nuk vihet mbi dritëmbajtësen?
22 Sepse nuk ka asgjë të fshehtë që të mos zbulohet, as kurrgjë sekrete që të mos dalin në dritë.
23 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!”
24 Dhe u tha atyre: “Vini re atë që dëgjoni. Me atë masë që ju matni, do t’iu matet juve; edhe juve që dëgjoni do t’iu jepet edhe më.
25 Sepse atij që ka, do t’i jepet, por atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo që ka.
26 Tha akoma: “Mbretëria e Perëndisë është si një njeri që hedh farën në dhe.
27 Dhe natën dhe ditën, ndërsa ai fle dhe çohet, fara mbin dhe rritet, pa e ditur ai se si.
28 Sepse dheu prodhon vetvetiu më parë kërcellin, pastaj kallirin, dhe më në fund kallirin plot me kokrra.
29 Dhe kur fryti piqet, menjëherë korrësi i vë drapërin, sepse erdhi koha e korrjes.
30 Edhe tha: Me se ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Ose me çfarë shëmbëlltyre ta paraqesim?
31 Ajo i ngjan farës së sinapit, që, kur është mbjellë në dhe, është më e vogla nga të gjitha farërat që janë mbi dhe;
32 por, pasi mbillet, rritet dhe bëhet më e madhe se të gjitha barishtet; dhe lëshon degë aq të mëdha, sa zogjtë e qiellit mund të gjejnë strehë nën hijen e saj.”
33 Dhe me shumë shëmbëlltyra të tilla, u shpallte atyre fjalën, ashtu si ata ishin në gjendje ta kuptojnë.
34 Dhe nuk u fliste atyre pa shëmbëlltyra, ndërsa dishepujve të tij, veçmas, u shpjegonte çdo gjë.