Book of Common Prayer
20 Zoti të dhënte përgjigje ditën e fatkeqësisë; emri i Perëndisë të Jakobit të mbroftë me siguri lart.
2 Të dërgoftë ndihmë nga shenjtërorja dhe të dhëntë përkrahje nga Sioni;
3 Mos i harroftë të gjitha ofertat e tua dhe pranoftë olokaustin tënd. (Sela)
4 Të dhëntë atë që zemra jote dëshëron dhe plotësoftë të gjitha planet e tua.
5 Ne do të këndojmë tërë gaz në çlirimin tënd dhe do të lartojmë flamuret tona në emër të Perëndisë tonë. Zoti i plotësoftë të gjitha kërkesat e tua.
6 Tani e di që Zoti shpëton të vajosurin e tij; do t’i përgjigjet nga qielli i tij i shenjtë me forcën shpëtimtare të dorës së tij të djathtë.
7 Disa kanë besim te qerret dhe të tjerë te kuajt, por ne do të kujtojmë emrin e Zotit, Perëndisë tonë.
8 Ata u përkulën dhe ranë; por ne u ngritëm përsëri dhe mbahemi në këmbë.
9 Shpëtomë, o Zot; mbreti le të na përgjigjet ditën në të cilën do të këlthasim.
21 O Zot, mbreti do të gëzohet me forcën tënde dhe do të ngazëllojë për shpëtimin tënd!
2 Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij dhe nuk hodhe poshtë kërkesën e buzëve të tij. (Sela)
3 Sepse ti i dole para me bekime begatie, i vure mbi kokë një kurorë prej ari shumë të kulluar.
4 Ai të kishte kërkuar jetë dhe ti i dhe ditë të gjata në përjetësi.
5 E madhe është lavdia e tij për shpëtimin tënd; ti i dhe madhështi dhe lavdi,
6 sepse ti e bën shumë të bekuar përjetë, e mbush me gëzim në praninë tënde.
7 Duke qenë se mbreti ka besim te Zoti dhe në mirësinë e Shumë të Lartit, ai nuk do të hiqet kurrë.
8 Dora jote do të arrijë tërë armiqtë e tu, dora jote e djathtë do të veprojë kundër atyre që të urrejnë.
9 Ti do t’i bësh si një furrë të zjarrtë kur do të dukesh i zemëruar; në zemërimin e tij Zoti do t’i hedhë në humnerë dhe zjarri do t’i përpijë.
10 Ti do të zhdukësh frytin e tyre nga toka dhe pasardhësit e tyre midis bijve të njerëzve,
11 sepse kanë kurdisur të keqen kundër teje dhe kanë përgatitur plane të këqija, por nuk do t’ia dalin.
12 Sepse ti do të bësh që ata të kthejnë kurrizin dhe do të drejtosh shigjetat e harkut tënd kundër fytyrës së tyre.
13 Çohu, o Zot, me forcën tënde; ne do të këndojmë dhe do të kremtojmë lëvdimet e fuqisë sate.
110 Zoti i thotë Zotërisë time: "Ulu në të djathtën time deri sa t’i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua".
2 Zoti do ta shtrijë nga Sioni skeptrin e fuqisë sate. Ai sundon në mes të armiqve të tu.
3 Populli yt do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit tënd; në madhështinë e shenjtërisë, nga gjiri i agimit, ti do të kesh vesën e rinisë sate.
4 Zoti është betuar dhe nuk do të pendohet: "Ti je prift përjetë sipas urdhërit të Melkisedekut".
5 Zoti është në të djathtën tënde. Ai ka për të zhdukur disa mbretër ditën e zemërimit të tij.
6 Ai do të gjykojë kombet, do t’i mbushë me kufoma dhe do të zhdukë qeveritarët e pjesës më të madhe të tokës.
7 Rrugës do të pijë ujë nga përroi dhe si pasojë do të ngrerë kokën.
116 Unë e dua Zotin, sepse ai dëgjoi zërin tim dhe lutjet e mia.
2 Duke qenë se e ka kthyer ndaj meje veshin e tij, unë do ta kërkoj në gjithë ditët e jetës sime.
3 Vargonjtë e vdekjes më kishin rrethuar dhe ankthet e Sheolit më kishin pushtuar; fatkeqësia dhe dhembja më kishin vënë përfund.
4 Atëherë i kërkova ndihmë Zotit: "O Zot, të lutem, më shpëto".
5 Zoti është i dhemshur dhe i drejtë, Perëndia ynë është i mëshirshëm.
6 Zoti mbron njerëzit e thjeshtë; unë isha katandisur në një gjendje të mjeruar, dhe ai më shpëtoi.
7 Kthehu, o shpirti im, në prehjen tënde, sepse Zoti të mbushi me të mira.
8 Po, sepse ti ke çliruar jetën time nga vdekja, sytë e mi dhe lotët dhe këmbët e mia nga rrëzimi.
9 Unë do të eci në prani të Zotit në tokën e të gjallëve.
10 Unë kam besuar dhe prandaj flas. Unë isha shumë i pikëlluar,
11 dhe thoja gjatë përhumbjes sime: "Çdo njeri është gënjeshtar".
12 Ç’do t’i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?
13 Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit.
14 Do të plotësoj zotimet e mia ndaj Zotit në prani të të gjithë popullit të tij.
15 Éshtë e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij.
16 Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia.
17 Unë do të të ofroj një flijim falenderimi dhe do të përmend emrin e Zotit.
18 Do t’i plotësoj zotimet e mia Zotit në prani të të gjithë popullit të tij,
19 në oborret e shtëpisë së Zotit, në mesin tënd, o Jeruzalem. Aleluja.
117 Lëvdoni Zotin, ju gjithë kombet! Kremtojini, ju gjithë popujt!
2 Sepse e madhe është dhemshuria e tij ndaj nesh, dhe besnikëria e Zotit vazhdon përjetë. Aleluja.
43 Por tani kështu thotë Zoti, që të ka krijuar, o Jakob, që të ka formuar, o Izrael: "Mos ki frikë, sepse unë të kam çliruar, të kam thirrur me emër; ti më përket mua.
2 Kur do të kalosh përmes ujërave unë do të jem me ty, ose do të kalosh lumenjtë, nuk do të të mbytin; kur do të ecësh nëpër zjarr, nuk do të digjesh dhe flaka nuk do të të konsumojë.
3 Sepse unë jam Zoti, Perëndia yt, i Shenjti i Izraelit, Shpëtimtari yt. Kam dhënë Egjiptin si çmim për shpengimin tënd, Etiopinë dhe Seban për ty.
4 Sepse ti je i çmuar në sytë e mi dhe i nderuar, dhe unë të dua, unë jap njerëz për ty dhe popuj në këmbim të jetës sate.
5 Mos ki frikë, sepse unë jam me ty; do të t’i sjell pasardhësit e tu nga lindja dhe do të grumbulloj nga perëndimi.
6 Do t’i them veriut: "Ktheji," dhe jugut: "Mos i mbaj. Bëj që të vijnë bijtë e mi nga larg dhe bijat e mia nga skajet e tokës,
7 tërë ata që quhen me emrin tim, që kam krijuar për lavdinë time, që kam formuar dhe bërë gjithashtu".
8 Nxirr popullin e verbër që megjithatë ka sy, dhe të shurdhër që megjithatë kanë vesh.
9 Le të mblidhen bashkë tërë kombet, të grumbullohen popujt! Kush prej tyre mund të njoftojë këtë gjë dhe të na bëjë të dëgjojmë gjërat e kaluara? Le të paraqesin dëshmitarët e tyre për t’u justifikuar; ose le të dëgjojnë dhe të thonë: "Éshtë e vërtetë!".
10 Dëshmitarët e mi jeni ju, thotë Zoti, bashkë me shërbëtorin që kam zgjedhur, me qëllim që ju të më njihni dhe të keni besim tek unë, si dhe të merrni vesh që unë jam. Para meje asnjë Perëndi nuk u formua dhe pas meje nuk do të ketë asnjë tjetër.
11 Unë, unë jam Zoti dhe përveç meje nuk ka Shpëtimtar tjetër.
12 Unë kam shpallur, kam shpëtuar dhe kam njoftuar; dhe nuk kishte asnjë perëndi të huaj midis jush; prandaj ju jeni dëshmitarët e mi, thotë Zoti, dhe unë jam Perëndi.
13 Para fillimit të kohës unë jam gjithnjë po ai dhe askush nuk mund të çlirojë njeri nga dora ime; kur unë veproj, kush mund të më pengojë?".
14 Për këtë arsye unë po i ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jezu Krisht,
15 nga i cili merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokë,
16 që t’ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e përbrendshëm,
17 që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit,
18 që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni me të gjithë shenjtorët cila është gjërësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia,
19 dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë.
20 Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë,
21 atij i qoftë lavdia në kishën në Krishtin Jezus për të gjitha brezat, në jetë të jetëve. Amen.
23 Por ndodhi që një ditë të shtunë ai po kalonte nëpër ara dhe dishepujt e tij, duke kaluar, filluan të këpusin kallinj.
24 Dhe farisenjtë i thanë: “Shih, përse po bëjnë atë që nuk është e ligjshme ditën e shtunë?.”
25 Por ai u tha atyre: “A nuk keni lexuar vallë ç’bëri Davidi, kur pati nevojë dhe kishte uri, ai dhe ç’qenë me të?.”
26 Se si hyri ai në shtëpinë e Perëndisë në kohën e kryepriftit Abiathar, dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohet t’i hajë askush, përveç priftërinjve, dhe u dha edhe atyre që qenë me të?.”
27 Pastaj u tha atyre: “E shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën.
28 Prandaj Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës.”
3 Pastaj ai hyri përsëri në sinagogë dhe aty ishte një njeri që kishte një dorë të tharë.
2 Dhe ata po e ruanin në se do ta shëronte në ditën e së shtunës, që pastaj ta paditnin.
3 Dhe ai i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: “Çohu në mes të të gjithëve!.”
4 Dhe u tha atyre: “A është e lejueshme ditën e së shtunës të bësh të mirë apo të keqe, të shpëtosh një jetë apo ta vrasësh?.” Por ata heshtnin.
5 Atëherë ai, si i shikoi rreth e qark me zemërim, i hidhëruar për ngurtësinë e zemrës së tyre, i tha atij njeriu: “Shtrije dorën tënde!.” Ai e shtriu, dhe dora e tij u shëndosh përsëri si tjetra.
6 Dhe farisenjtë dolën jashtë e menjëherë bënin këshill bashkë me herodianët kundër tij, se si ta vrasin.