Book of Common Prayer
29 I jepni Zotit, o bij të të fuqishmëve, i jepni Zotit lavdi dhe forcë.
2 I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij; adhuroni Zotin në shkëlqimin e shenjtërisë së tij.
3 Zëri i Zotit është mbi ujërat; Perëndia i lavdisë gjëmon; Zoti është mbi ujërat e mëdha.
4 Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm.
5 Zëri i Zotit thyen kedrat; po, Zoti thyen kedrat e Libanit;
6 i bën të hidhen si një viç, Libanin dhe Sirionin, si një buall i ri.
7 Zëri i Zotit çan flakët e zjarrit.
8 Zëri i Zotit e bën shkretëtirën të dridhet; Zoti bën që të dridhet shkretëtira e Kadeshit.
9 Zëri i Zotit bën që të lindin sutat dhe i lë pyjet pa gjethe; dhe në tempullin e tij çdo gjë thotë: "Lavdi!".
10 Zoti rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Zoti rri ulur si mbret në përjetësi.
11 Zoti do t’i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe.
98 Këndojini Zotit një himn të ri sepse ka bërë mrekulli; dora e tij e djathtë dhe krahu i tij i shenjtë i kanë siguruar shpëtimin.
2 Zoti ka bërë të njohur shpëtimin e tij dhe ka shprehur drejtësinë e tij përpara kombeve.
3 Ai ka mbajtur mend mirësinë e tij dhe besnikërinë e tij për shtëpinë e Izraelit; të tëra skajet e tokës kanë parë shpëtimin e Perëndisë tonë.
4 Dërgojini britma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës, shpërtheni në këngë gëzimi, ngazëlloni dhe këndoni lavde.
5 Këndojini lavde Zotit me qeste, me qesten dhe me zërin e këngës.
6 Dërgoni britma gëzimi me boritë dhe me zërin e bririt përpara Zotit, Mbretit.
7 Le të zhurmojë deti dhe gjithçka ndodhet në të, bota dhe banorët e saj.
8 Lumenjtë le të rrahin duart dhe malet le të ngazëllohen tok nga gëzimi përpara Zotit,
9 sepse ai vjen të gjykojë tokën; ai do të gjykojë botën me drejtësi dhe popujt me paanësi.
18 Unë i njoh veprat e tyre dhe mendimet e tyre; është duke ardhur koha në të cilën do të mbledh tërë kombet dhe tërë gjuhët; ato do të vijnë dhe do të shikojnë lavdinë time.
19 Unë do të vë në një shenjë në mes tyre dhe do të dërgoj disa nga ata që mbijetuan prej tyre te kombet; në Tarshish, në Pul dhe në Lud që përdorin harkun, në Tubal dhe në Javan, në ishujt e largët që nuk kanë dëgjuar famën time dhe nuk kanë parë lavdinë time; këta do të shpallin lavdinë time ndër kombet,
20 dhe do t’i kthejnë tërë vëllezërit tuaj nga të gjitha kombet si një ofertë Zotit, mbi kuaj, mbi qerre, mbi bartina, mbi mushkë dhe mbi dromidarë te mali im i shenjtë i Jeruzalemit," thotë Zoti, "ashtu si bijtë e Izraelit çojnë një ofertë në një enë të pastër në shtëpinë e Zotit.
21 Do të marrë gjithashtu disa prej tyre si priftërinj dhe si Levitë," tha Zoti.
22 "Sepse ashtu si qiejtë e rinj dhe toka e re që unë do të bëj do të jenë të qëndrueshëm para meje," thotë Zoti, "kështu do të jenë pasardhësit tuaj dhe emri juaj.
23 Dhe do të ndodhë që nga një hënë e re në tjetrën dhe nga një e shtunë në tjetrën çdo mish do të vijë të bjerë në gjunë para meje, thotë Zoti.
7 Prandaj pranoni njëri-tjetrin, sikurse edhe Krishti na pranoi për lavdinë e Perëndisë.
8 Tani unë po ju them se Jezu Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të vërtetën e Perëndisë, për të vërtetuar premtimet e dhëna etërve,
9 dhe i pranoi johebrenjtë për mëshirë të vet, që ta lëvdojnë Perëndinë sikurse është shkruar: “Për këtë do të të përlëvdoj ndër kombe, dhe do t’i këndoj lavdërime emrit tënd!.”
10 Dhe përsëri ai thotë: “Gëzohuni, o njerëz, me popullin e tij.”
11 Dhe përsëri: “Lavdëroni Zotin, të gjithë njerëzit; dhe le ta lëvdojnë të gjithë popujt.”
12 Dhe përsëri Isaia thotë: “Do të mbijë një filiz nga rrënja e Jeseut dhe ai që ngrihet për të sunduar njerëzit; kombet do të shpresojnë në të!.”
13 Dhe Perëndia i shpresës le t’ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqe me anë të besimit, që të keni mbushulli në shpresë, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë!