Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 103

103 Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.

Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.

Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua,

shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri;

ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja.

Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve.

Ai i tregon Moisiut rrugët e tij dhe bijve të Izraelit veprat e tij.

Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.

Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë.

10 Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona.

11 Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij.

12 Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona.

13 Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij.

14 Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.

15 Ditët e njeriut janë si bari; ai lulëzon si lulja e fushës;

16 në qoftë se era i kalon sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet më.

17 Por mirësia e Zotit vazhdon nga përjetësia në përjetësi për ata që kanë frikë prej tij, dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve,

18 për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe mbajnë në mendje urdhërimet e tij për t’i zbatuar në praktikë.

19 Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejtë, dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka.

20 Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij.

21 Bekoni Zotin, ju, tërë ushtritë e tij, ju, tërë ministrat e tij, që zbatoni vullnetin e tij.

22 Bekoni Zotin, ju, të gjitha veprat e tij, në të tëra vendet e sundimit të tij. Shpirti im, beko Zotin!

Psalmet 114-115

114 Kur Izraeli doli nga Egjipti dhe shtëpia e Jakobit nga një popull që fliste një gjuhë të huaj,

Juda u bë shenjtorja e tij dhe Izraeli zotërimi i tij.

Deti e pa dhe iku, Jordani u kthye prapa.

Malet u hodhën si desh dhe kodrat si qengja.

Ç’pate ti, o det, që ike, dhe ti, o Jordan, që u ktheve prapa?

Dhe ju, o male, që u hodhët si desh, dhe ju, o kodra, si qengja?

Dridhu, o tokë, në prani të Zotit, në prani të Perëndisë të Jakobit,

që e shndërroi shkëmbin në liqen, shkrepin në një burim uji.

115 Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde.

Sepse do të thonë kombet: "Ku është tani Perëndia i tyre?".

Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë.

Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut.

kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,

kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë hundë por nuk nuhasin,

kanë duar por nuk prekin, kanë këmbë por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë.

Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.

O Izrael, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

10 O shtëpi e Aaronit, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

11 O ju që keni frikë nga Zoti; kini besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

12 Zoti na kujtoi dhe do të na bekojë; po, ai do të bekojë shtëpinë e Izraelit dhe do të bekojë shtëpinë e Aaronit.

13 Ai do të bekojë ata që kanë frikë nga Zoti, të vegjël dhe të mëdhenj.

14 Zoti ju bëftë të rriteni, ju dhe bijtë tuaj.

15 Qofshin të bekuar nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.

16 Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.

17 Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë të Zotin, as ata që zbresin në vendin e heshtjes.

18 Por ne do ta bekojmë Zotin, tani dhe përjetë. Aleluja.

Isaia 52:3-6

Sepse kështu thotë Zoti: "Ju kanë shitur për asgjë dhe do të shpengoheni pa para".

Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Populli im zbriti së lashti në Egjipt për të banuar; pastaj Asiri e shtypi pa shkak.

Dhe tani çfarë po bëj unë këtu?," thotë Zoti, "ndërsa popullin tim e kanë hequr larg për asgjë? Ata që e sundojnë, bëjnë që ai të rënkojë," thotë Zoti, "dhe emri im shahet vazhdimisht tërë ditën.

Prandaj populli im do të njohë emrin tim, prandaj do të kuptojë atë ditë që jam unë që kam folur: "Ja ku jam!"".

Zbulesa 2:1-7

“Engjëllit të kishës në Efes shkruaji: këtë thotë ai që mban të shtatë yjet në të djathtën e tij dhe që ecën në mes të shtatë shandanëve prej ari.

Unë i njoh veprat e tua, mundin tënd dhe durimin tënd edhe se ti s’mund t’i durosh të këqijtë; ti i vure në provë ata që pretendojnë se janë apostuj dhe nuk janë dhe i gjete gënjeshtarë.

Ti ke duruar, ke qëndrueshmëri dhe për hir të emrit tim je munduar pa u lodhur.

Por kam diçka kundër teje, sepse dashurinë tënde të parën e le.

Kujtohu, pra, se nga ke rënë, pendohu, dhe bëj veprat e para; në mos do të vi së shpejti te ti dhe do ta luaj shandanin tënd nga vendi i vet, nëse nuk pendohesh.

Por ti ke këtë, që i urren veprat e Nikolaitëve, që i urrej edhe unë.

Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që u thotë Fryma kishave: kujt fiton do t’i jap të hajë nga pema e jetës, që është në mes të parajsës së Perëndisë.”

Gjoni 2:1-11

Tri ditë më vonë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë, dhe nëna e Jezusit ishte atje.

Edhe Jezusi me dishepujt e vet ishte ftuar në dasmë.

Duke qenë se mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!.”

Jezusi i tha: “Ç’ke me mua, o grua? Ora ime s’ka ardhur akoma!.”

Nëna e tij u tha shërbëtorëve: “Bëni gjithçka që ai t’ju thotë!.”

Aty ishin gjashtë enë prej guri, që përdoreshin për pastrimin e Judenjve, dhe secila nxënte dy ose tri masa.

Jezusi u tha: “Mbushni enët me ujë!.” Dhe ata i mbushën deri në grykë.

Pastaj u tha: “Nxirreni tani dhe çojani të parit të festës.” Dhe ata ia çuan.

Dhe, mbasi i pari i festës e provoi ujin e shndërruar në verë (ai nuk e dinte nga vinte kjo verë, por e dinin mirë shërbëtorët që e kishin nxjerrë ujin), i pari i festës e thirri dhëndrin,

10 dhe i tha: “Çdo njeri nxjerr në fillim verën më të mirë dhe, kur të ftuarit kanë pirë shumë, verën e keqe; ti, përkundrazi, e ke ruajtur verën e mirë deri tani!.”

11 Jezusi bëri këtë fillim të shenjave në Kanë të Galilesë dhe e shfaqi lavdinë e tij, dhe dishepujt e tij besuan në të.