Book of Common Prayer
105 Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve.
2 Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij.
3 Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin.
4 Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij.
5 Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij,
6 ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij.
7 Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën.
8 Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij,
9 besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut,
10 që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme,
11 duke thënë: "Unë do të të jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj,"
12 kur nuk ishin veçse një numër i vogël, shumë të pakët dhe të huaj në vend,
13 dhe shkonin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një popull tjetër.
14 Ai nuk lejoi që t’i shtypte njeri; përkundrazi ndëshkoi disa mbretër për hir të tyre,
15 dhe tha: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos bëni asnjë të keqe profetëve të mi".
16 Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh.
17 Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav.
18 I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri.
19 Fjala e Zotit e vuri në provë, deri sa u plotësua ajo që kishte thënë.
20 Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin,
21 dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij,
22 për t’i lidhur princat e tij me gjykimin e tij dhe për t’u mësuar pleqve të tij diturinë.
23 Edhe Izraeli erdhi në Egjipt dhe Jakobi qëndroi për ca kohë në vendin e Kamit.
24 Dhe Perëndia e shumëzoi shumë popullin e tij dhe e bëri më të fuqishëm se armiqtë e tij.
25 Pastaj ndryshoi zemrën e tyre, me qëllim që të urrenin popullin e tij dhe të kurdisnin mashtrime kundër shërbëtorëve të tij.
26 Atëherë ai dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, dhe Aaronin që ai kishte zgjedhur.
27 Ata kryen midis tyre mrekullitë e urdhëruara prej tij dhe bënë çudira në tokën e Kamit.
28 Dërgoi terrin dhe e bëri vendin të binte në errësirë, dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij.
29 I ndryshoi ujërat e tij në gjak dhe bëri që të ngordhnin peshqit e tij.
30 Vendi i tyre u mbush me bretkosa të cilat hynë deri në dhomat e mbretërve të tyre.
31 Me fjalën e tij erdhën një shumicë e madhe insektesh dhe mushkonjash në të gjithë territorin e tyre.
32 U dërgoi breshër në vend të shiut dhe flakë zjarri në vendin e tyre;
33 goditi edhe vreshtat e tyre dhe drurët e fikut, shkatërroi drurët e territorit të tyre.
34 Ai foli, dhe erdhën karkaleca dhe vemje në numër të madh,
35 që përpinë tërë bimësinë e vendit të tyre dhe hëngrën frytin e tokës së tyre.
36 Ai goditi edhe të gjithë të parëlindurit në vendin e tyre, prodhimet e para në tërë fuqinë e tyre;
37 dhe e nxori popullin e tij me argjend dhe me ar, dhe nuk pati asnjeri ndër fiset e tij që të tronditej.
38 Egjiptasit u gëzuan nga ikja e tyre, sepse tmerri i Izraelit kishte rënë mbi ta.
39 Ai shpalosi një re për t’i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t’i ndriçuar natën.
40 Me kërkesën e tyre ai solli shkurtat dhe i ngopi me bukën e qiellit.
41 Çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra; këto rridhnin në shketëtirë si një lumë.
42 Sepse atij iu kujtua premtimi i shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të tij;
43 pastaj nxori popullin e tij me gëzim dhe njerëzit e tij të zgjedhur me britma gëzimi,
44 dhe u dha atyre vendet e kombeve, dhe ata trashëguan frytin e mundit të popujve,
45 me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t’u bindeshin ligjeve të tij. Aleluja.
17 Pastaj Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
2 "Folu bijve të Izraelit dhe bëj që të të japin shufra, një për çdo shtëpi të etërve të tyre, domethënë dymbëdhjetë shufra nga të gjithë prijësit e tyre simbas shtëpive të etërve të tyre; do të shkruash emrin e secilit mbi shufrën e tij;
3 dhe do të shkruash emrin e Aaronit mbi shufrën e Levit, sepse do të ketë një shufër për çdo kryetar të shtëpive të etërve të tyre.
4 Pastaj do t’i vësh në çadrën e mbledhjes, përpara dëshmisë, ku unë takohem me ju.
5 Dhe do të ndodhë që shufra e njeriut që unë zgjedh, do të lulëzojë dhe unë do të bëj që të pushojnë murmuritjet e bijve të Izraelit kundër jush".
6 Kështu Moisiu u foli bijve të Izraelit dhe të gjithë prijësit e tyre i dhanë secili një shufër, simbas shtëpive të etërve të tyre, domethënë dymbëdhjetë shufra; dhe shufra e Aaronit ishte midis shufrave të tyre.
7 Pastaj Moisiu i vuri këto shufra përpara Zotit në çadrën e dëshmisë.
8 Të nesërmen Moisiu hyri në çadrën e dëshmisë; dhe ja, shufra e Aaronit për shtëpinë e Levit kishte lulëzuar; kishte nxjerrë lastarë, kishte çelur lule dhe kishte prodhuar bajame.
9 Atëherë nxori tërë shufrat jashtë pranisë së Zotit, përpara të gjithë bijve të Izraelit; dhe ata i panë dhe secili mori shufrën e vet.
10 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ktheja shufrën Aaronit përpara çadrës së dëshmisë, me qëllim që të ruhet si një shenjë qortimi për rebelët, me qëllim që të marrin fund murmuritjet e tyre kundër meje dhe ata të mos vdesin".
11 Moisiu veproi ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti.
5 Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë,
2 me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë.
3 Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen,
4 këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën.
5 Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.
6 Sepse, ndërsa ishin akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët.
7 Vështirë në fakt se vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do të guxonte të vdiste për një njeri të mirë.
8 Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.
9 Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të shfajësuar në gjakun e tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij.
10 Në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, akoma më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij.
11 E jo vetëm kaq, por edhe mburremi në Perëndinë, nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht, me anë të të cilit tani kemi marrë pajtimin.
17 Pastaj, kur Jezusi po ngjitej në Jeruzalem, i mori mënjanë të dymbëdhjetë dishepujt gjatë rrugës dhe u tha atyre:
18 “Ja, ne ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve, dhe ata do ta dënojnë me vdekje.
19 Do t’ua dorëzojnë pastaj në duart e paganëve që ta tallin, ta fshikullojnë dhe ta kryqëzojnë; por ai ditën e tretë do të ringjallet.”
20 Atëherë nëna e bijve të Zebedeut iu afrua bashkë me bijtë e vet, ra përmbys para tij dhe i kërkoi diçka.
21 Dhe ai i tha: “Çfarë do?.” Ajo u përgjigj: “Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën në mbretërinë tënde.”
22 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur tha: “Ju nuk dini çfarë kërkoni; a mund ta pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem? Ata i thanë: “Po, mundemi.”
23 Atëherë ai u tha atyre: “Ju me të vërtetë do ta pini kupën time dhe do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem; por nuk është në dorën time që të uleni në të djathtën time ose në të majtën time, por u është rezervuar atyre, të cilëve u është përgatitur nga Ati im.”
24 Kur i dëgjuan këto fjalë, të dhjetët të tjerët u indinjuan kundër të dy vëllezërve.
25 Dhe Jezusi i thirri ata pranë vetes dhe u tha: “Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ato,
26 por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj;
27 dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj.
28 Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.