Book of Common Prayer
88 O Zot, Perëndi i shpëtimit tim, unë bërtas ditë e natë para teje.
2 Arriftë deri te ti lutja ime, vëri veshin britmës time,
3 sepse shpirti im është ngopur me të keqen, dhe jeta ime ka arritur deri në Sheol.
4 Tanimë përfshihem ndër ata që do të zbresin në gropë, jam si një njeri që nuk ka më forcë.
5 Jam braktisur midis të vdekurve ashtu si të vrarët që janë në varr, të cilët ti nuk i mban mend dhe që janë prerë e janë larguar nga dora jote.
6 Ti më ke shtënë në gropën më të thellë, në vënde të errëta, në humnerat.
7 Mbi mua ka shpërthyer zemërimi yt, dhe ti më ke marrë me vete megjithë valët tua. (Sela)
8 Ti më ke lënë pa miqtë e mi; më ke bërë për ta një objekt të neveritshëm; jam mbyllur dhe nuk mund të dal.
9 Syri im venitet nga dhembja; të kërkoj çdo ditë, o Zot, dhe i zgjat drejt teje duart e mia.
10 A do të bësh vallë mrekulli për të vdekurit? A do të ringjallen të vdekurit për të të lëvduar? (Sela)
11 A do të kremtohet mirësia jote në varr dhe besnikëria jote në vendin e shkatërrimit?
12 A do të njihen mrekullitë e tua në terr dhe drejtësia jote mbi tokën e harresës?
13 Por unë të këlthas ty, o Zot, dhe lutja ime të drejtohet në mëngjes.
14 Pse më refuzon, o Zot, pse më fsheh fytyrën tënde?
15 Kam qenë i pikëlluar dhe duke vdekur qysh në rini; kam vuajtur nga tmerret e tua dhe e kam humbur.
16 Mbi mua ka kaluar zemërimi yt i zjarrtë; tmerret e tua më kanë asgjesuar,
17 më kanë rrethuar si ujërat gjatë gjithë ditës dhe të gjitha së bashku më kanë mbytur.
18 Ke larguar nga unë miqtë dhe të njohurit e mi; miku im më i ngushtë është errësira.
91 Kush banon në strehën e Shumë të Lartit, pushon në hijen e të Plotfuqishmit.
2 Unë i them Zotit: "Ti je streha ime dhe kështjella ime, Perëndia im, të cilit i besoj".
3 Me siguri ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarit të shpendëve dhe nga murtaja vdekjeprurëse.
4 Ai do të të mbulojë me pendët e tij dhe do të gjesh strehë nën krahët e tij; besnikëria e tij do të të shërbejë si mburojë dhe parzmore.
5 Ti nuk do të kesh frikë nga tmerri i natës, sa nga shigjeta që fluturon ditën,
6 as nga murtaja që endet në terr, as nga shfarosja që bën kërdinë në mesditë.
7 Një mijë do të bien në krahun tënd dhe dhjetë mijë në të djathtën tënde, por aty nuk do të të afrohet.
8 Mjafton që ti të këqyrësh me sytë e ty dhe do të shikosh shpërblimin e të pabesëve.
9 Duke qenë se ke thënë: "O Zot, ti je streha ime, dhe e ke bërë Shumë të Lartin strehën tënde,
10 nuk do të të gjejë asnjë e keqe, asnjë plagë nuk do t’i afrohet çadrës sate.
11 Sepse ai do të urdhëroi Engjëjt e tij të të ruajnë në të gjitha rrugët e tua.
12 Ata do të të mbajnë në duart e tyre, me qëllim që këmba jote të mos pengohet nga ndonjë gur.
13 Ti do të ecësh mbi luanin dhe gjarpërin helmues, do të shkelësh luanin e vogël dhe kuçedrën.
14 Duke qenë se ai ka vënë mbi mua dashurinë e tij, unë do ta çliroj dhe do ta çoj lart në vend të sigurt, sepse ai njeh emrin tim.
15 Ai do të më kërkojë dhe unë do t’i përgjigjem; do të jem me të në fatkeqësi; do ta çliroj dhe do ta përlëvdoj.
16 Do ta ngop me jetë të gjatë dhe do t’i tregoj shpëtimin tim.
92 Éshtë bukur të kremtosh Zotin, dhe të këndosh lavdet në emrin tënd, o Shumë i Larti;
2 të shpallësh në mëngjes mirësinë tënde dhe çdo natë besnikërinë tënde,
3 me një harp me dhjetë tela, me lirën dhe me melodinë e qestes.
4 Duke qenë se ti më ke gëzuar me atë që ke bërë, unë ngazëllohem për veprat e duarve të tua.
5 Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot, sa të thella janë mendimet e tua!
6 Njeriu pa mend nuk i njeh dhe budallai nuk kupton këtë:
7 që të pabesët mbijnë si bari, dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi lulëzojnë për t’u shkatërruar përjetë.
8 Por ti, o Zot, mbetesh i Shkëlqyeri përjetë.
9 Sepse ja, armiqtë e tu, o Zot, sepse ja armiqtë e tu do të vdesin dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi do të shpërndahen.
10 Por ti më ke dhënë forcë të barabartë me atë të buallit, ti me ke vajosur me vaj të freskët.
11 Dhe sytë e mi kanë për të parë disfatën e armiqve të mi dhe veshët e mi kanë për të dëgjuar disfatën e njerëzve të këqij që ngrihen kundër meje.
12 I drejti do të lulëzojë si palma, do të rritet si kedri i Libanit.
13 Ata që janë mbjellë në shtëpinë e Zotit do të lulëzojnë në kopshtet e Perëndisë tonë.
14 Do të japin fryte edhe në pleqëri, do të jenë të lulëzuar dhe të blertë,
15 për të shpallur që Zoti është i drejtë; ai është Kështjella ime dhe nuk ka asnjë padrejtësi tek ai.
13 Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
2 "Dërgo njerëz të kqyrin vendin e Kanaanit që unë po u jap bijve të Izraelit. Do të dërgoni një nga çdo fis i etërve të tyre; të gjithë të jenë nga princat e tyre".
3 Kështu Moisiu i nisi nga shkretëtira e Paranit, simbas urdhrit të Zotit; të gjithë këta ishin krerë të bijve të Izraelit.
21 Ata u ngjitën, pra, dhe vëzhguan vendin e Tsinit deri në Rehob, duke hyrë në të nga ana e Hamathit.
22 U ngjitën përmes Negevit dhe shkuan deri në Hebron, ku ishin Ahimani, Sheshai dhe Talmai, pasardhës të Anakut. (Hebronin e kishin ndërtuar shtatë vjet para Tsoanit në Egjipt).
23 Arritën pastaj deri në luginën e Eshkolit, ku prenë një degë me një vile rrushi, që e mbanin që të dy me një purtekë; dhe morën gjithashtu shegë dhe fiq.
24 Ky vend u quajt lugina e Eshkolit, për shkak të viles së rrushit që bijtë e Izraelit prenë aty.
25 Mbas dyzet ditësh ata u kthyen nga vëzhgimi i vendit,
26 dhe shkuan të takojnë Moisiun, Aaronin dhe tërë asamblenë e bijve të Izraelit në shkretëtirën e Paranit, në Kadesh; para tyre dhe tërë asamblesë paraqitën një raport dhe u treguan pemët e vendit.
27 Kështu para tij raportuan duke thënë: "Ne arritëm në vendin ku na dërgove; aty rrjedh me të vërtetë qumësht dhe mjaltë, dhe këto janë pemët e tij.
28 Por populli që banon në këtë vend është i fortë, qytetet janë të fortifikuara dhe shumë të mëdha; dhe aty pamë edhe pasardhësit e Anakut.
29 Amalekitët banojnë në krahinën e Negevit; Hitejtë, Gebusejtë dhe Amorejtë banojnë përkundrazi në krahinën malore, ndërsa Kananejtë banojnë pranë detit dhe gjatë Jordanit".
30 Atëherë Kalebi e qetësoi popullin që murmuriste kundër Moisiut dhe tha: Le të ngjitemi menjëherë dhe ta pushtojmë vendin, sepse këtë mund ta bëjmëë me siguri".
25 Sepse rrethprerja është e dobishme në qoftë se ti respekton ligjin, por në qoftë se je shkelës i ligjit, rrethprerja jote bëhet mosrrethprerje.
26 Prandaj në qoftë se një i parrethprerë respekton statutet e ligjit, a nuk do të çmohet parrethprerja e tij si rrethprerje?
27 Dhe, në qoftë se ai që prej natyrës është i parrethprerë e plotëson ligjin, a nuk do të të gjykojë ai ty që me shkronjën dhe me rrethprerjen je shkelës i ligjit?
28 Në fakt Jude nuk është ai që duket i tillë nga jashtë, dhe rrethprerja nuk është ajo që duket në mish;
29 por Jude është ai që është i tillë përbrenda, dhe rrethprerja është ajo e zemrës, në frymë dhe jo në shkronjë; dhe për një Jude të tillë lavdërimi nuk buron nga njerëzit, por nga Perëndia.
3 Cila është, pra, përparësia e Judeut, ose cila është dobia e rrethprerjes?
2 E madhe në çdo mënyrë; para së gjithash sepse orakujt e Perëndisë iu besuan atyre.
3 Ç’të thuash atëherë? Në qoftë se disa nuk besuan, mosbesimi i tyre do ta anulojë, vallë, besnikërinë e Perëndisë?
4 Kurrë mos qoftë; përkundrazi, qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar, siç është shkruar: “Që ti të shfajësohesh në fjalët e tua dhe të ngadhënjesh kur të gjykohesh.”
5 Po në qoftë se padrejtësia jonë e vë në pah drejtësinë e Perëndisë, ç’do të themi? Perëndia qënka i padrejtë kur shfren zemërimin e tij? (Unë flas si njeri).
6 Kurrë mos qoftë! Sepse atëherë, si do ta gjykonte Zoti botën?
7 Prandaj në qoftë se me anë të gënjeshtrës sime e vërteta e Perëndisë e lartëson lavdinë e tij, përse unë gjykohem akoma si mëkatar?
8 E përse të mos themi si disa që, duke shpifur, pohojnë se ne themi: “Të bëjmë të keqen që të vijë e mira”? Dënimi i këtyre është i drejtë.
21 Atëherë Pjetri iu afrua dhe tha: “Zot, në se vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?.”
22 Jezusi i tha: “Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë.
23 Prandaj mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e vet.
24 Mbasi filloi t’i bëjë llogaritë, i sollën një që i detyrohej dhjetë mijë talenta.
25 Dhe, duke qenë se ky nuk kishte të paguante, zotëria e tij urdhëroi që të shitej ai me gruan e tij, bijtë e tij dhe gjithë ç’kishte, dhe të shlyejë detyrimin.
26 Atëherë ai shërbëtor i ra ndër këmbë e i lutej duke thënë: "Zot, ki durim me mua dhe unë do t’i paguaj të gjitha".
27 I shtyrë nga dhembshuria, zotëria e atij shërbëtori e la të lirë atë dhe ia fali detyrimin.
28 Por ai shërbëtor, si doli, takoi një nga shërbëtorët e tjerë, që i detyrohej njëqind denarë; dhe, mbasi e zuri për fyti, po e mbyste duke thënë: "Më paguaj detyrimin që më ke".
29 Atëherë shërbëtori shok i tij, i ra ndër këmbë dhe iu lut duke thënë: Ki durim me mua, dhe do t’i paguaj të gjithaa".
30 Por ai nuk deshi, madje shkoi dhe e futi në burg deri sa ai ta shlyente detyrimin.
31 Por shërbëtorët e tjerë, kur e panë ngjarjen, u pikëlluan shumë dhe shkuan e i thanë zotërisë së tyre gjithçka që kishte ndodhur.
32 Atëherë zotëria e tij e thirri dhe i tha: "Shërbëtor i lig, unë ta fala gjithë këtë detyrim, sepse m’u lute.
33 A nuk duhej të kishe mëshirë edhe ti për shokun tënd, ashtu si pata mëshirë unë për ty?".
34 Dhe zotëria i tij, i zemëruar, ua dorëzoi torturuesve deri sa të paguante gjithë detyrimin.
35 Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor, në qoftë se secili prej jush nuk e fal me gjithë zemër vëllanë e vet për fajet e tij.”