Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 89

89 Unë do të këndoj përjetë mirësitë e Zotit, me gojën time do t’u shpall besnikërinë tënde të gjitha brezave.

Sepse kam thënë: "Mirësia jote do të ekzistojë përjetë, ti do të vendosësh besnikërinë tënde në vetë qiejtë".

"Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë:

"Do t’i vendos pasardhësit e tu përjetë dhe do të ndërtoj fronin tënd për të gjitha brezat"". (Sela)

Dhe qiejtë do të kremtojnë mrekullitë e tua, o Zot, dhe besnikërinë tënde në kuvendin e shenjtorëve.

Sepse kush mund të krahasohet në qiell me Zotin? Dhe kush është i njëllojtë me Zotin midis bijve të të Fuqishmit?

Perëndisë ia kanë frikën shumë në kuvendin e shenjtorëve, dhe respektohet thellë nga tërë ata që e rrethojnë.

O Zot, Perëndi i ushtrive, kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Besnikëria jote të rrethon kudo.

Ti e sundon tërbimin e detit; kur valët e tij ngrihen, ti i qetëson.

10 Ti e ke bërë copë-copë Egjiptin, duke e plagosur për vdekje; me krah të fuqishëm ke shpërndarë armiqtë e tu.

11 Qiejtë janë të tutë, edhe toka është jotja; ti e ke krijuar botën dhe të gjitha atë që janë në të.

12 Ti ke krijuar veriun dhe jugun; Tabori dhe Hermoni lëshojnë britma gëzimi kur dëgjojnë emrin tënd.

13 Ti ke krah të fuqishëm; dora jote është e fortë, e djathta jote ngrihet në qiell.

14 Drejtësia dhe e drejta përbëjnë bazën e fronit tënd; mirësia dhe e vërteta shkojnë përpara fytyrës sate.

15 Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit, o Zot, sepse ai do të ecë në dritën e fytyrës sate;

16 do të ngazëllojë tërë ditën me emrin tënd dhe do të gëzohet shumë në drejtësinë tënde.

17 Po, ti je mburrja e forcës së tyre, dhe me favorin tënd ti e shton fuqinë tonë.

18 Sepse mburoja jonë i përket Zotit dhe mbreti ynë të Shenjtit të Izraelit.

19 Ti i fole atëherë në vegim të dashurit tënd dhe the: "Ndihmova një të fuqishëm, përlëvdova një të zgjedhur nga populli.

20 Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, dhe e vajosa me vajin tim të shenjtë.

21 Dora ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu im do ta forcojë.

22 Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë.

23 Do të asgjesoj para tij armiqtë e tij dhe do të godas ata që e urrejnë.

24 Besnikëria ime dhe mirësia ime do të jenë me të, dhe me emrin tim do të bëhet i fuqishëm.

25 Do ta shtrij dorën e tij mbi detin dhe dorën e djathtë të tij mbi lumenjtë.

26 Ai do të kërkojë ndihmën time, duke thënë: "Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit".

27 Do ta bëj gjithashtu të parëlindurin tim, më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut.

28 Do të përdor mirësi ndaj tij përjetë, dhe besëlidhja ime me të do të mbetet e qëndrueshme.

29 Do t’i bëj gjithashtu pasardhësit e tij të përjetshem dhe fronin e tij si ditët e qiejve.

30 Në rast se bijtë e tij braktisin ligjin tim dhe nuk ecin, sipas urdhërimeve të mia,

31 në rast se shkelin statutet e mia dhe nuk respektojnë urdhërimet e mia,

32 unë do ta dënoj shkeljen e tyre me shufër dhe paudhësinë e tyre me të rrahura,

33 por nuk do ta heq mirësinë time prej tij dhe nuk do të lë që besnikëria ime të jetë e mangët.

34 Nuk do të shkel besëlidhjen time dhe nuk do t’i ndryshoj fjalët që kanë dalë nga goja ime.

35 Jam betuar një herë për shenjtërinë time dhe nuk do ta gënjej Davidin;

36 pasardhësit e tij do të jenë përjetë dhe froni i tij do të jetë si dielli para meje,

37 do të jenë të qëndrueshëm si hëna, dhe dëshmitari në qiell është besnik". (Sela)

38 Por ti na ke braktisur dhe na ke kthyer; je zemëruar shumë kundër të vajosurin tënd.

39 Ti ke përçmuar besëlidhjen e lidhur me shërbëtorin tënd dhe ke përdhosur kurorën e tij, duke bërë që të bjerë për tokë.

40 Ke shembur gjithë mbrojtjet e tij dhe i ke katandisur në gërmadha kalatë e tij.

41 Tërë kalimtarët e kanë plaçkitur dhe ai është bërë gazi i fqinjëve të tij.

42 Ke lavdëruar dorën e djathtë të kundërshtarëve të tij dhe ke bërë të gëzohen tërë armiqtë e tu.

43 Ke prishur tehun e shpatës së tij dhe nuk e ke ndihmuar në betejë.

44 I ke dhënë fund madhështisë së tij dhe ke hedhur për tokë fronin e tij.

45 Ke shkurtuar ditët e rinisë së tij dhe e ke mbuluar me turp. (Sela)

46 Deri kur, o Zot? A do të fshihesh ti përjetë? A do të flakërojë si zjarr zemërimi yt?

47 Kujto sa e shkurtër është jeta ime. Për çfarë kotësie ke krijuar gjithë bijtë e njerëzve?

48 Cili është njeriu që jeton, pa parë vdekjen dhe që mund ta shkëputë jetën e tij nga pushteti Sheolit? (Sela)

49 Ku janë, o Zot, mirësitë e tua të lashta, për të cilat iu betove Davidit në besnikërinë tënde?

50 Kujto, o Zot, fyerjen që iu bë shërbëtorëve të tu, dhe si unë mbaj në zemër fyerjen e rëndë të të gjitha kombeve,

51 me të cilën armiqtë e tu kanë fyer, o Zot, me të cilën kanë fyer hapat e të vajosurit tënd.

52 I bekuar qoftë Zoti përjetë. Amen, po, amen!

Numrat 16:1-19

16 Koreu, bir i Itsharit, bir i Kehathit, bir i Levit, tok me Dathanin dhe Abiramin, birin e Eliabit, dhe me Onin, birin e Pelethit, bij të Rubenit,

u ngritën para Moisiut, së bashku me disa bij të tjerë të Izraelit, dyqind e pesëdhjetë prijës të asamblesë, anëtarë të emëruar të këshillit, njerëz që u shkonte fjala.

Ata u mblodhën kundër Moisiut dhe Aaronit, dhe u thanë: "Mjaft më me ju, sepse tërë asambleja është e shenjtë, secili nga anëtarët e tij, dhe Zoti është në mes tyre; pse, pra, ngriheni mbi asamblenë e Zotit?".

Me të dëgjuar këto fjalë, Moisiu ra përmbys me fytyrën për tokë;

pastaj i foli Koreut dhe gjithë njerëzve të tij, duke u thënë: "Nesër në mëngjes Zoti do të tregojë kush është i tij dhe kush është i shenjtë, dhe ai do ta afrojë pranë vetes; do të afrojë pranë vetes atë që ai ka zgjedhur.

Bëni kështu: merrni temjanica, ti Kore, dhe gjithë njerëzit e tu;

nesër i mbushni me zjarr dhe u hidhni sipër temjan para Zotit; dhe ai që Zoti do të ketë zgjedhur do të jetë i shenjtë. E kaluat masën, o bij të Levit!".

Pastaj Moisiu i tha Koreut: "Tani dëgjoni, o bij të Levit!

A është gjë e vogël për ju që Perëndia i Izraelit ju ka ndarë nga asambleja e Izraelit dhe ju ka afruar ndaj vetes që të kryeni shërbimin e tabernakullit të Zotit dhe që të rrini përpara asamblesë dhe t’u shërbeni atyre?

10 Ai ju ka afruar ndaj vetes ty dhe të gjithë vëllezërit e tu, bij të Levit bashkë me ty. Po tani kërkon të kesh edhe priftërinë?

11 Për këtë arsye ti edhe tërë njerëzit e tu jeni mbledhur kundër Zotit. Dhe kush është Aaroni që të murmurisni kundër tij?".

12 Atëherë Moisiu dërgoi të thërrasin Datanin dhe Abiramin, bij të Eliabit; por ata thanë: "Ne nuk do të ngjitemi.

13 A është vallë gjë e vogël që na nxore nga një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, për të na lënë të vdesim në shkretëtirë, me qëllim që ti të sundosh mbi ne?

14 Përveç kësaj nuk na çove në një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë dhe nuk na ke lënë si trashëgim fusha dhe vreshta! Dëshiron ti t’u nxjerrësh sytë këtyre njerëzve? Nuk do të ngjitemi".

15 Atëherë Moisiu u zemërua shumë dhe i tha Zotit: "Mos prano blatimin e tyre; unë nuk kam marrë prej tyre as edhe një gomar dhe nuk u kam bërë atyre asnjë padrejtësi".

16 Pastaj Moisiu i tha Koreut: "Ti dhe gjithë njerëzit e tu paraqituni nesër para Zotit, ti dhe ata bashkë me Aaronin;

17 dhe secili prej jush të marrë temjanicën e tij, t’i shtjerë temjan dhe secili të sjellë temjanicën e tij para Zotit; do të jenë dyqind e pesëdhjetë temjanica. Edhe ti dhe Aaroni do të merrni secili temjanicën e tij".

18 Dhe kështu secili mori temjanicën e tij, e mbushi me zjarr, vuri përsipër temjan dhe qëndroi në hyrjen e çadrës së mbledhjes bashkë me Moisiun dhe Aaronin.

19 Koreu thirri tërë asamblenë kundër tyre në hyrje të çadrës së mbledhjes; dhe lavdia e Zotit u shfaq para tërë asamblesë.

Romakëve 3:21-31

21 Por tani, pavarësisht nga ligji, është manifestuar drejtësia e Perëndisë, për të cilën dëshmojnë ligji dhe profetët,

22 madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim;

23 sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë,

24 por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus.

25 Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë,

26 për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit.

27 Ku është, pra, mburrja? Éshtë përjashtuar. Nga cili ligj? Ai i veprave? Jo, por nga ligji i besimit.

28 Ne, pra, konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit.

29 A është vallë Perëndia vetëm Perëndia i Judenjve? A nuk është edhe i johebrenjve? Sigurisht, është edhe Perëndia i johebrenjve.

30 Sepse ka vetëm një Perëndi, që do të shfajësojë të rrethprerin nëpërmjet besimit, dhe të parrethprerin me anë të besimit.

31 Anulojmë ne, pra, ligjin nëpërmjet besimit? Kështu mos qoftë; përkundrazi e forcojmë ligjin.

Mateu 19:13-22

13 Atëherë i sollën fëmijë të vegjël që të vinte duart mbi ata dhe të lutej, por dishepujt i qortuan.

14 Por Jezusi tha: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve.”

15 Dhe, mbasi vuri duart mbi ata, u nis që andej.

16 Dhe ja, iu afrua dikush dhe i tha: “Mësues i mirë, çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?.”

17 Dhe ai tha: “Pse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi: Perëndia. Tani në qoftë se ti don të hysh në jetë, zbato urdhërimet.”

18 Ai i tha: “Cilat?.” Atëherë Jezusi i tha: “Mos vraj, mos shkel kurorën, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme,

19 ndero atin tënd dhe nënën tënde dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde.”

20 I riu i tha: “Të gjitha këto gjëra unë i kam zbatuar që në rini; çfarë më mungon tjetër?.”

21 Jezusi i tha: “Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç’të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua.”

22 Por i riu, kur i dëgjoi këto fjalë, iku i trishtuar, sepse kishte pasuri të madhe.