Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 101

101 Unë do të këndoj mirësinë tënde dhe drejtësinë tënde; do të këndoj lavdet e tua, o Zot.

Do të kujdesem të bëj një jetë të ndershme. Kur do të vish tek unë? Do të ec me zemër të pastër brenda shtëpisë sime.

Nuk do të vë para syve të mi asgjë të keqe; unë e urrej sjelljen e atyre që dënojnë; nuk do lejoj të bëhem si ata.

Zemra e çoroditur do të largohet nga unë; nuk dua t’ia di për të keqen.

Do të shfaros atë që shpif tinëz kundër të afërmit; nuk do të duroj njeriun hundëpërpjetë dhe zemërkrenar.

Sytë e mi do të jenë mbi besnikët e vendit dhe do t’i mbaj afër vetes; ai që do të ecë me ndershmëri do të jetë shërbëtori im.

Kush vepron me mashtrim, nuk ka për të banuar në shtëpinë time; kush thotë gënjeshtra nuk do të qëndrojë para syve të mi.

Çdo mëngjes do të asgjesoj gjithë të pabesët e vendit, për të çrrënjosur nga qyteti i Zotit të gjithë ata që kryejnë paudhësi.

Psalmet 109:1-30

109 O Perëndi i lëvdimit tim, mos hesht,

sepse njerëz të pabesë dhe të pandershëm kanë hapur gojën e tyre kundër meje dhe kanë folur kundër meje me një gjuhë gënjeshtare;

më kanë sulmuar me fjalë urrejtjeje dhe më kanë luftuar pa shkak.

Në këmbim të dashurisë sime më akuzojnë, por unë i drejtohem lutjes.

Ata më kanë larë të mirën me të keqen dhe dashurinë time me urrejtje.

Vendos një njeri të keq mbi të dhe një akuzues le të jetë në të djathtë të tij.

Kur të gjykohet, bëj që të gjendet fajtor dhe lutja e tij të bëhet mëkat.

Qofshin të pakta ditët e tij dhe një tjetër zëntë vendin e tij.

Bijtë e tij mbetshin jetimë dhe gruaja e tij e ve.

10 U bëfshin endacakë dhe lypsarë bijtë e tij dhe e kërkofshin ushqimin larg shtëpive të tyre të rrënuara.

11 Fajdexhiu i marrtë të gjitha pasuritë e tij dhe të huajtë i vjedhshin frytin e mundit të tij.

12 Askush mos pastë mëshirë për të dhe askujt mos i ardhtë keq për jetimët e tij.

13 U shkatërrofshin pasardhësit e tij; në brezin e dytë emri i tyre u shoftë.

14 U kujtoftë para Zotit paudhësia e etërve të tij dhe mëkati i nënës së tij mos u shoftë.

15 U dalshin gjithnjë mëkatet e tyre para Zotit, me qëllim që ai të zhdukë nga toka kujtimin e tyre.

16 Sepse atij nuk i shkoi ndër mend të kishte dhemshuri, por e ka përndjekur të varfërin, nevojtarin dhe atë që ishte zemërthyer deri sa t’u shkaktonte vdekjen.

17 Mbasi e ka dashur mallkimin, rëntë ai mbi të; dhe mbasi nuk është kënaqur me bekimin, ky u largoftë prej tij.

18 Mbasi u mbulua me mallkim si me një rrobe, i hyftë ai si ujë në trupin e tij dhe si vaj në kockat e tij;

19 Qoftë për të si një rrobe që e mbulon dhe si një brez që e lidh përjetë.

20 Qoftë ky nga ana e Zotit shpërblimi për kundërshtarët e mi dhe për ata që flasin keq kundër meje.

21 Por ti, o Zot, o Zot, vepro në favorin tim për hir të emrit tënd, çliromë me dhemshurinë dhe mirësinë tënde,

22 sepse unë jam i varfër dhe nevojtar, dhe zemra ime është plagosur brenda meje.

23 Unë iki si një hije që zgjatet, jam i tronditur si një karkalec.

24 Gjunjët e mi dridhen nga të pangrënët dhe trupi im është dobësuar për mungesë të dhjamit.

25 Jam bërë një faqezi për ta; kur më shohin, tundin kokën.

26 Ndihmomë, o Zot, Perëndia im, shpëtomë për dhemshurinë tënde,

27 dhe ta dinë që kjo është vepër e duarve të tua, dhe që ti, o Zot, e ke bërë.

28 Ata do të mallkojnë, por ti do të bekosh; kur të ngrihen, do të mbeten të hutuar, por shërbëtori yt do të gëzohet.

29 U mbulofshin me turp kundërshtarët e mi dhe u mbështjellshin me turp si me mantel,

30 Unë do të kremtoj me të madhe Zotin me gojën time dhe do ta lëvdoj në mes të një turme të madhe,

Psalmet 119:121-144

121 Unë kam bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë; mos më braktis në duart e shtypësve të mi.

122 Jepi siguri dhe mbarësi shërbëtorit tënd, dhe mos lejo që mëndjemëdhenjtë të më shtypin.

123 Sytë e mi dobësohen duke kërkuar shpëtimin tënd dhe fjalën e drejtësisë sate.

124 Kujdesu për shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate dhe mësomë statutet e tua.

125 Unë jam shërbëtori yt; më jep mendje, që të mund të njoh porositë e tua.

126 Éshtë koha, o Zot, që të veprosh; ata kanë anuluar ligjin tënd.

127 Për këtë arësye unë i dua urdhërimet e tua më tepër se ari; po, më tepër se ari i kulluar.

128 Për këtë arësye i konsideroj të drejta urdhërimet e tua dhe urrej çdo shteg të gënjeshtrës.

129 Porositë e tua janë të mrekullueshme, prandaj shpirti im i respekton.

130 Zbulimi i fjalëve të tua ndriçon dhe u jep mendje njerëzve të thjeshtë.

131 Unë hap gojën time dhe psherëtij, nga dëshira e madhe e porosive të tua.

132 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, ashtu si bën me ata që e duan emrin tënd.

133 Stabilizoi hapat e mia sipas fjalëve të tua dhe mos lejo që asnjë paudhësi të më sundojë.

134 Më çliro nga shtypja e njerëzve dhe unë do të respektoj urdhërimet e tua.

135 Bëj që të shkëlqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd dhe më mëso statutet e tua.

136 Rrëke lotësh zbresin nga sytë e mi, sepse nuk respektohet ligji yt.

137 Ti je i drejtë, o Zot, dhe dekretet e tua janë të drejta.

138 Ti i ke përcaktuar porositë e tua me drejtësi dhe me besnikëri të madhe.

139 Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua.

140 Fjala jote është e pastër nga çdo zgjyrë; prandaj shërbëtori yt e do.

141 Jam i vogël dhe i përbuzur, por nuk i harroi udhërimet e tua.

142 Drejtësia jote është një drejtësi e përjetshme dhe ligji yt është i vërtetë.

143 Ankthi dhe shqetësimi më kanë pushtuar, por urdhërimet e tua janë gëzimi im.

144 Porositë e tua janë të drejta përjetë; më jep mendje dhe unë do të jetoj.

Numrat 16:36-50

36 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

37 "I thuaj Eleazarit, birit të priftit Aaron, të nxjerrë jashtë temjanicat nga zjarri, sepse ato janë të shenjta dhe ta hedhë zjarrin larg;

38 dhe nga temjanicat e atyre që kanë kryer mëkate duke vënë në rrezik jetën e tyre, të bëhen aq petëza të rrahura për të veshur altarin, sepse i kanë paraqitur para Zotit dhe për këtë arësye janë të shenjta; dhe do të shërbejnë si një qortim për bijtë e Izraelit".

39 Kështu prifti Eleazar mori temjanicat prej bronzi të paraqitura prej atyre që ishin djegur, dhe bëri petëza për të veshur altarin,

40 me qëllim që t’u shërbenin si kujtim bijve të Izraelit, dhe asnjë i huaj që nuk ishte nga fisi i Aaronit të afrohej për të ofruar temjan para Zotit dhe të mos pësonte fatin e Koreut dhe të njerëzve të tij, ashtu si Zoti i kishte thënë me anë të Moisiut.

41 Të nesërmen gjithë asambleja e bijve të Izraelit murmuriti kundër Moisiut dhe Aaronit, duke thënë: "Ju keni bërë të vdesë populli i Zotit".

42 Por ndodhi që, ndërsa asambleja po mblidhej kundër Moisiut dhe Aaronit, ata u kthyen nga çadra e mbledhjes; dhe ja, reja e mbulonte atë dhe u shfaq lavdia e Zotit.

43 Atëherë Moisiu dhe Aaroni shkuan përpara çadrës së mbledhjes.

44 Dhe Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

45 "Largohuni nga kjo asamble dhe unë do t’i zhduk në një çast". Dhe ata ranë përmbys me fytyrën për tokë.

46 Kështu Moisiu i tha Aaronit: "Merr temjanicën, vër brenda saj zjarr të marrë nga altari, vendos mbi të temjan dhe çoje shpejt në mes të asamblesë, dhe bëj shlyerjen e fajit për ta, sepse ka shpërthyer zemërimi i Zotit, dhe plaga ka filluar".

47 Atëherë Aaroni mori temjanicën, ashtu siç kishte thënë Moisiu, dhe vrapoi në mes të asamblesë; dhe ja, fatkeqësia kishte filluar në mes të popullit; kështu ai vuri temjanin në temjanicën dhe bëri shlyerjen për popullin.

48 Dhe u ndal midis të gjallëve dhe të vdekurve, dhe fatkeqësia u ndal.

49 Ata që vdiqën nga fatkeqësia ishin katërmbëdhjetë mijë e shtatëqind veta, përveç atyre që kishin vdekur për ngjarjet e Koreut.

50 Kështu Aaroni u kthye te Moisiu në hyrje të çadrës së mbledhjes, sepse fatkeqësia ishte ndalur.

Romakëve 4:13-25

13 Në fakt premtimi për të qenë trashëgimtar i botës nuk iu bë Abrahamit dhe pasardhësve të tij nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet drejtësisë së besimit.

14 Sepse nëse janë trashëgimtarë ata që janë të ligjit, besimi bëhet i kotë dhe premtimi anulohet,

15 sepse ligji prodhon zemërimin; në fakt atje ku nuk ka ligj, nuk ka as shkelje.

16 Prandaj trashëgimia është nëpërmjet besimit; në këtë mënyrë ajo është nëpërmjet hirit, me qëllim që premtimi të jetë i siguruar për të gjithë pasardhësit, jo vetëm për atë që është nga ligji, por edhe për atë që vjen nga besimi i Abrahamit, i cili

17 (siç është shkruar: “Unë të kam caktuar atin e shumë kombeve”), është ati i të gjithë neve para Perëndisë që ai besoi, i cili i jep jetë të vdekurve dhe thërret gjërat që nuk janë sikur të ishin.

18 Ai, duke shpresuar kundër çdo shprese, besoi për t’u bërë ati i shumë kombeve sipas asaj që i ishte thënë: “Kështu do të jetë pasardhja jotë.”

19 Dhe, duke mos qenë aspak i dobët në besim, nuk i kushtoi kujdes trupit të tij, i bërë tashmë si i vdekur (ishte pothuaj njëqind vjeç) as barkut të vdekur të Sarës.

20 Madje as nuk dyshoi nga mosbesimi në lidhje me premtimin e Perëndisë, por u përforcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë,

21 plotësisht i bindur se atë që ai kishte premtuar ishte edhe i fuqishëm ta bënte.

22 Prandaj edhe kjo iu numërua atij për drejtësi.

23 E po nuk u shkrua vetëm për të, që kjo i ishte numëruar,

24 por edhe për ne, të cilëve do të na numërohet, neve që besojmë në atë që ka ringjallur prej të vdekurve Jezusin, Zotin tonë,

25 i cili u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për justifikimin tonë.

Mateu 20:1-16

20 “Mbretëria e qiejve i ngjan, pra, një zot shtëpie, që doli herët në mëngjes për të pajtuar me mëditje punëtorë për vreshtin e vet.

Mbasi ra në ujdi me punëtorët për një denar në ditë, i dërgoi në vreshtin e vet.

Pastaj doli rreth orës së tretë dhe pa të tjerë që rrinin në shesh, të papunë.

Dhe u tha atyre: "Shkoni edhe ju në vresht dhe unë do t’ju jap sa është e drejtë". Dhe ata shkuan.

Doli përsëri rreth orës së gjashtë dhe orës së nëntë dhe bëri po ashtu.

Kur doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti disa të tjerë, të papunë, dhe u tha: "Përse rrini gjithë ditën këtu pa bërë asgjë?".

Ata i thanë: "Sepse askush nuk na ka marrë me mëditje". Ai u tha atyre: Shkoni edhe ju në vresht dhe do të merrni aq sa është e drejtëë".

Kur erdhi mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: "Thirri punëtorët dhe jepu mëditjen e tyre, duke filluar nga ata të fundit e deri te të parët".

Dhe kur erdhën ata të orës njëmbëdhjetë, morën nga një denar secili.

10 Kur erdhën të parët, menduan se do të merrnin më shumë, por edhe ata morën nga një denar secili.

11 Duke e marrë, murmurisnin kundër zotit të shtëpisë,

12 duke thënë: "Këta të fundit punuan vetëm një orë, dhe ti i trajtove si ne që hoqëm barrën dhe vapën e ditës".

13 Por ai duke u përgjigjur i tha njerit prej tyre: "Mik, unë nuk po të ha hakun; a nuk re në ujdi me mua për një denar?

14 Merr atë që të takon ty dhe shko; por unë dua t’i jap këtij të fundit aq sa ty.

15 A nuk më lejohet të bëj me timen ç’të dua? Apo bëhesh sylig, sepse unë jam i mirë?".

16 Kështu të fundit do të jenë të parët dhe të parët të fundit, sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur.”