Book of Common Prayer
75 Ne të lëvdojmë, o Perëndi, ne të lëvdojmë, sepse emri yt na është i afërt; njeriu tregon mrekullitë e tua.
2 Kur do të vijë koha e caktuar, unë do të gjykoj me drejtësi.
3 Toka dhe tërë banorët e saj shkrihen, por unë i bëj të qëndrueshme shtyllat e saj. (Sela)
4 U kam thënë fodullëve: "Mos u mburrni!," dhe të pabesëve: "Mos u bëni hundëpërpjetë!
5 Mos e ngrini lart kokën, mos flisni me qafë të fortë".
6 Sepse lëvdimi nuk vjen as nga lindja, as nga perëndimi, as edhe nga shkretëtira.
7 Sepse Perëndia është ai që gjykon; ai ul njerin dhe ngre tjetrin.
8 Sepse Zoti ka në dorë një kupë vere që shkumon dhe plot me erëza, që ai e zbraz. Me siguri tërë të pabesët e dheut do ta kullojnë dhe do të pinë deri llumin.
9 Por unë do të shpall përjetë dhe do t’i këndoj lavde Perëndisë të Jakobit.
10 Dhe do të dërrmoj tërë fuqinë e të pabesëve, por fuqia e të drejtëve do të përlëvdohet.
76 Perëndia njihet mirë në Judë, emri i tij është i madh në Izrael.
2 Tabernakulli i tij është në Salem dhe ai banon në Sion.
3 Këtu ai ka copëtuar shigjetat e zjarrta të harkut, mburojën dhe shpatën e luftës. (Sela)
4 Ti dukesh i lavdishëm dhe i fuqishëm mbi malet e presë.
5 Trimat i kanë zhveshur, i ka zënë gjumi, dhe asnjë prej atyre trimave nuk ka mundur të përdorë duart e tij.
6 Mbas qortimit tënd, o Perëndia i Jakobit, qerret dhe kuajt mbetën të shushatur.
7 Nga ti, pikërisht nga ti, duhet të kenë frikë; dhe kush mund të rezistojë para teje kur zemërohesh?
8 Ti ke bërë që të dëgjohet nga qielli vendimi yt, tokën e zuri frika dhe heshti,
9 kur Perëndia u ngrit për të gjykuar, për të çliruar tërë nevojtarët e tokës. (Sela)
10 Edhe zemërimi i njerëzve do të shndrrohet në lavdi për ty, dhe ti do të rrethohesh me vetë mbeturinat e zemërimi të tyre.
11 Bëjini zotime Zotit, Perëndisë tuaj, dhe plotësojini; tërë ata që rinë rreth tij t’i çojnë dhurata të Tmerrshmit.
12 Ai u heq frymën qeveritarëve, nga ai druhen mbretërit e tokës.
23 Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.
2 Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin.
3 Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij.
4 Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër.
5 Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet.
6 Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata.
27 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë?
2 Kur njerëzit e këqij, armiqtë dhe kundërshtarët e mi më sulmuan për të ngrënë mishin tim, ata vetë u lëkundën dhe ranë.
3 Edhe sikur një ushtri të dilte kundër meje, zemra ime nuk do të kishte frikë; edhe sikur një luftë të pëlciste kundër meje, edhe atëherë do të kisha besim.
4 Një gjë i kërkova Zotit dhe atë kërkoj: të banoj në shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e tij.
5 Sepse ditën e fatkeqësisë ai do të më fshehë në çadrën e tij, do të më fshehë në një vend sekret të banesës së tij, do të më lartojë mbi një shkëmb.
6 Dhe tani koka ime do të ngrihet mbi armiqtë e mi që më rrethojnë, dhe do të ofroj në banesën e tij flijime me britma gëzimi; do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e Zotit.
7 O Zot, dëgjo zërin tim, kur të këlthas ty; ki mëshirë për mua dhe përgjigjmu.
8 Zemra ime më thotë nga ana jote: "Kërkoni fytyrën time". Unë kërkoj fytyrën tënde, o Zot.
9 Mos ma fshih fytyrën tënde, mos e hidh poshtë me zemërim shërbëtorin tënd; ti ke qenë ndihma ime; mos më lër dhe mos më braktis, o Përendi e shpëtimit tim.
10 Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte.
11 O Zot, më mëso rrugën tënde dhe më udhëhiq në një shteg të sheshtë, për shkak të armiqve të mi.
12 Mos më braktis në dëshirat e armiqve të mi, sepse kanë dalë kundër meje dëshmitarë të rremë, njerëz që duan dhunën.
13 Oh, sikur të mos isha i sigurt të shoh mirësinë e Zotit në dheun e të gjallëve!
14 Ki besim të madh te Zoti; ji i fortë, ki zemër; ki besim të madh te Zoti.
3 Këta janë pasardhësit e Aaronit dhe të Moisiut në kohën kur Zoti i foli Moisiut në malin Sinai.
2 Këta janë emrat e bijve të Aaronit: Nadabi, i parëlinduri, Abihu, Eleazari dhe Ithamari.
3 Këta janë emrat e bijve të Aaronit, të vajosur si priftërinj, që ai i shenjtëroi për të shërbyer si priftërinj.
4 Nadabi dhe Abihu vdiqën para Zotit, kur ofruan një zjarr të palejueshëm para Zotit në shkretëtirën e Sinait; ata nuk patën bij. Kështu Eleazari dhe Ithamari shërbyen si priftërinj në prani të Aaronit, atit të tyre.
5 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
6 "Afro fisin e Levitëve dhe paraqite para priftit Aaron, që të vihet në shërbim të tij.
7 Ata do të zbatojnë të gjitha udhëzimet e tij dhe do të kryejnë të gjitha detyrat që lidhen me tërë asamblenë para çadrës së mbledhjes, duke kryer shërbimin e tabernakullit.
8 Do të kujdesen për të gjitha orenditë e çadrës së mbledhjes dhe do të përmbushin të gjitha detyrimet e bijve të Izraelit, duke kryer shërbimin e tabernakullit.
9 Levitët do t’ua japësh Aaronit dhe bijve të tij; ata duhet t’u jepen plotësisht nga gjiri i bijve të Izraelit.
10 Ti do të vendosësh Aaronin dhe bijtë e tij në mënyrë që ata të kryejnë funksionet e priftërisë së tyre; por çdo i huaj tjetër që afrohet do të dënohet me vdekje".
11 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
12 "Ja, unë i mora Levitët nga gjiri i bijve të Izraelit në vend të çdo të parëlinduri që çel barkun e nënës midis bijve të Izraelit; prandaj Levitët do të jenë të mitë,
13 sepse çdo i parëlindur është imi; ditën që godita të gjithë të parëlindurit në vendin e Egjiptit, unë ia shenjtërova vetvetes të gjithë të parëlindurit në Izrael, qoftë të njerëzve, qoftë të kafshëve; ata do të jenë të mitë. Unë jam Zoti.
11 Shikoni me çfarë shkronjash të mëdha ju kam shkruar me dorën time!
12 Të gjithë ata që duan të duken të mirë në mish, ju shtrëngojnë që të rrethpriteni vetëm që të mos përndiqeni për kryqin e Krishtit.
13 Sepse as vetë ata që rrethpriten nuk e zbatojnë ligjin, por duan që ju të rrethpriteni, që ata të mburren në mishin tuaj.
14 Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht, për të cilin bota është kryqëzuar tek unë edhe unë te bota.
15 Sepse në Jezu Krishtin as rrethprerja, as parrethprerja s’kanë ndonjë vlerë, por krijesa e re.
16 Dhe të gjithë ata që do të ecin sipas kësaj rregulle paçin paqe dhe mëshirë, e ashtu qoftë edhe për Izraelin e Perëndisë.
17 Tash e tutje askush të mos më trazojë, sepse unë mbaj në trupin tim shenjat e Zotit Jezus.
18 Vëllezër, hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj. Amen.
17 Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, dhe i çoi mbi një mal të lartë, në vetmi;
2 dhe u shpërfytyrua përpara tyre: fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita.
3 Dhe ja, iu shfaqën atyre Moisiu dhe Elia, të cilët bisedonin me të.
4 Atëherë Pjetri, duke marrë fjalën, i tha Jezusit: “Zot, është mirë që ne jemi këtu; po të duash, do të ngremë këtu tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian.”
5 Ndërsa ai fliste akoma, ja një re plot dritë i mbuloi; dhe nga reja u dëgjua një zë që thoshte: “Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!.”
6 Dhe dishepujt, sapo e dëgjuan këtë, ranë me fytyrë për tokë dhe i zuri një frikë e madhe.
7 Por Jezusi u afrua, i preku dhe tha: “Çohuni dhe mos kini frikë!.”
8 Dhe ata, kur i çuan sytë, nuk panë njeri, përveç Jezusit vetëm.
9 Pastaj, kur po zbrisnin nga mali, Jezusi u dha atyre këtë urdhër duke thënë: “Mos i flisni askujt për këtë vegim, derisa i Biri i njeriut të jetë ringjallur prej së vdekuri.”
10 Atëherë dishepujt e tij e pyetën duke thënë: “Vallë pse skribët thonë se duhet të vijë më parë Elia?.”
11 Dhe Jezusi u përgjigj: “Vërtetë Elia duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë.
12 Por unë ju them se Elia ka ardhur dhe ata nuk e kanë njohur, madje u sollën me të si deshën; kështu edhe Birit të njeriut do t’i duhet të vuajë prej tyre.”
13 Atëherë dishepujt e kuptuan se u kishte folur për Gjon Pagëzorin.