Book of Common Prayer
93 Zoti mbretëron; ai është veshur me madhështi; Zoti është mbuluar me mantel, është ngjeshur me forca. Po, bota është e qëndrueshme nuk do të tundet kurrë.
2 Froni yt është nga përjetësia i qëndrueshëm; ti je i tillë nga përjetësia.
3 Lumenjtë kanë ngritur, o Zot, lumenjtë kanë ngritur zërin e tyre; lumenjtë kanë ngritur valët e tyre plot zhurmë;
4 por Zoti në vëndet shumë të larta është më i fuqishëm së zërat e ujërave të mëdha, më i fuqishëm se baticat e detit.
5 Statutet e tua janë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Shenjtëria i shkon shtëpisë sate, o Zot, përjetë.
96 Këndojini Zotit një këngë të re, këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës!
2 Këndojini Zotit, bekoni emin e tij; lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij.
3 Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mekullitë e tij midis tërë popujve.
4 Sepse Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë; nga ai duhet të kemi frikë përmbi gjithë perënditë e tjera.
5 Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë.
6 Shkëlqimi dhe madhështia janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij.
7 Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.
8 Jepini Zotit lavdinë që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani në oborret e tij.
9 Bini përmbys përpara Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij, dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës.
10 U thoni gjithë kombeve: "Zoti mbretëron; bota është vendosur mirë dhe nuk do të luajë nga vendi; ai do t’i gjykojë popujt me drejtësi".
11 Le të gëzohen qiejtë dhe të gëzohet toka; le të zhurmojë deti dhe gjithçka gjindet në të.
12 Le të ngazëllohet fusha dhe gjithçka gjindet në të. Atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit,
13 sepse ai vjen, vjen për të gjykuar tokën. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi dhe popujt në besnikërinë e tij.
34 Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time.
2 Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen.
3 Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij.
4 Unë e kërkova Zotin, dhe ai m’u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia.
5 Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan.
6 Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij.
7 Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron.
8 Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai.
9 Kini frikë nga Zoti, ju shenjtorë të tij, sepse asgjë nuk u mungon atyre që kanë frikë prej tij.
10 Luanët e vegjël vuajnë nga mungesa e madhe dhe nga uria, por atyre që kërkojnë Zotin nuk u mungon asgjë.
11 Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t’ju mësoj frikën e Zotit.
12 Cili është ai njeri që dëshiron jetën dhe do ditë të gjata për të parë të mirën?
13 Mbaje gjuhën tënde larg së keqes dhe buzët e tua të mos thonë gënjeshtra.
14 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe siguroje.
15 Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre.
16 Fytyra e Zotit është kundër atyre që sillen keq, për të çrrënjosur kujtimin e tyre nga faqja e dheut.
17 Të drejtët bërtasin dhe Zoti i dëgjon dhe i çliron nga të gjitha fatkeqësitë e tyre.
18 Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar.
19 Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha.
20 Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet.
21 Ligësia do të vrasë të keqin, dhe ata që urrejnë të drejtin do të shkatërrohen.
22 Zoti shpengon jetën e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë te ai nuk do të shkatërrohet.
22 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
23 "Folu Aaronit dhe bijve të tij, dhe u thuaj atyre: Ju do t’i bekoni kështu bijtë e Izraelit, duke u thënë:
24 "Zoti të të bekojë dhe të të ruajë!
25 Zoti të bëjë që të shkëlqejë fytyra e tij mbi trupin tënd dhe të tregohet i mbarë me ty!
26 Zoti të kthejë fytyrën e tij mbi ty dhe të të sjellë paqe!".
27 Kështu do ta vënë emrin tim mbi bijtë e Izraelit dhe unë do t’i bekoj".
13 Por në kishën e Antiokisë ishin profetë dhe mësues: Barnaba, Simeoni, i quajtur Niger, Luci nga Kireneas, Manaeni, që ishte rritur bashkë me Herodin tetrark, dhe Sauli.
2 Dhe, ndërsa po kryenin shërbesën e Zotit dhe po agjëronin, Fryma e Shenjtë tha: “M’i ndani veç Barnabën dhe Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur.”
3 Atëherë, pasi agjëruan dhe u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën.
4 Ata, pra, të dërguar nga Fryma e Shenjtë, zbritën në Seleuki dhe që andej lundruan për në Qipro.
5 Kur arritën në Salaminë, shpallën fjalën e Perëndisë në sinagogat e Judenjve; dhe ata kishin me vete edhe Gjonin si ndihmës.
6 Pastaj, mbasi e përshkuan ishullin deri në Pafo, gjetën aty një magjistar, një profet të rremë jude, me emër Bar-Jezus,
7 i cili ishte me prokonsullin Sergj Pal, njeri i zgjuar. Ky thirri pranë vetes Barnabën dhe Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë,
8 por Elimas, magjistari (ky në fakt është kuptimi i emrit të tij) u kundërshtoi atyre, duke kërkuar ta largojë prokonsullin nga besimi.
9 Atëherë Sauli, i quajtur edhe Pal, i mbushur me Frymën e Shenjtë, i nguli sytë mbi të dhe tha:
10 “O njeri plot me çdo mashtrim dhe çdo farë ligësie, bir i djallit, armik i çdo drejtësie, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i rrugëvë të drejta të Zotit?
11 Tani, pra, ja, dora e Zotit është mbi ty, dhe do të verbohesh dhe nuk do ta shohësh më diellin për një farë kohe.” Menjëherë mbi të ra mjegull dhe terr: dhe ai shkonte rreth e qark duke kërkuar ndonjë që ta mbante për dore.
12 Atëherë prokonsulli, kur pa çfarë kishte ndodhur, besoi, i mrekulluar nga doktrina e Zotit.
41 Dhe Pjetri i tha: “Zot, këtë shëmbëlltyrë po e thua vetëm për ne apo për të gjithë?.”
42 Dhe Zoti tha: “Kush është, pra, ai administrues besnik dhe i mençur, që do ta verë zotëria përmbi shërbëtorët e vet për t’u dhënë atyre racionin e ushqimeve në kohën e duhur?
43 Lum ai shërbëtor të cilin zotëria e tij, kur kthehet, e gjen se vepron kështu.
44 Në të vërtetë po ju them se ai do ta vërë mbi gjithë pasurinë e vet.
45 Por, nëse ai shërbëtor mendon në zemër të vet: "Zotëria im vonon të kthehet" dhe fillon t’i rrahë shërbëtorët dhe shërbëtoret, të hajë, të pijë dhe të dehet,
46 zotëria e atij shërbëtori do të vijë ditën kur nuk e pret, dhe në orën që ai nuk e di; do ta ndëshkojë rëndë dhe do t’i caktojë fatin me të pabesët.
47 Shërbëtori që e dinte vullnetin e zotërisë së tij dhe nuk u bë gati e nuk e kreu vullnetin e tij, do të rrihet shumë.
48 Por ai që nuk e dinte, po të bëjë gjëra që meritojnë të rrahura, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, do t’i kërkohet shumë; dhe kujt iu besua shumë, do t’i kërkohet më shumë.”