Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 24

24 Zotit i përket toka dhe të gjitha gjërat që janë mbi të, bota dhe banorët e saj.

Sepse ai e ka themeluar mbi detet dhe e ka vendosur mbi lumenjtë.

Kush do t’i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra, që nuk e ngre shpirtin për t’u dukur dhe nuk betohet në mënyrë të rreme.

Ai do të marrë bekimet e Zotit dhe drejtësinë nga Perëndia e shpëtimit të tij.

I tillë është brezi i atyre që e kërkojnë, që kërkojnë fytyrën tënde, o Perëndi e Jakobit. (Sela)

O ju porta, çoni kokat tuaja; dhe ju, porta të përjetshme, hapuni krejt dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.

Kush është ky Mbret i lavdisë? Éshtë Zoti i fortë dhe i fuqishëm, Zoti i fortë në betejë.

O porta, çoni kokat tuaja; hapuni krejt, o porta të përjetshme, dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.

10 Kush është ky Mbret i lavdisë? Éshtë Zoti i ushtrive; ai është Mbreti i lavdisë. (Sela)

Psalmet 29

29 I jepni Zotit, o bij të të fuqishmëve, i jepni Zotit lavdi dhe forcë.

I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij; adhuroni Zotin në shkëlqimin e shenjtërisë së tij.

Zëri i Zotit është mbi ujërat; Perëndia i lavdisë gjëmon; Zoti është mbi ujërat e mëdha.

Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm.

Zëri i Zotit thyen kedrat; po, Zoti thyen kedrat e Libanit;

i bën të hidhen si një viç, Libanin dhe Sirionin, si një buall i ri.

Zëri i Zotit çan flakët e zjarrit.

Zëri i Zotit e bën shkretëtirën të dridhet; Zoti bën që të dridhet shkretëtira e Kadeshit.

Zëri i Zotit bën që të lindin sutat dhe i lë pyjet pa gjethe; dhe në tempullin e tij çdo gjë thotë: "Lavdi!".

10 Zoti rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Zoti rri ulur si mbret në përjetësi.

11 Zoti do t’i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe.

Psalmet 8

Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin, o Zot, Zoti ynë, që vure madhështinë tënde mbi qiejtë!

Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t’i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit.

Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur,

çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?

Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder.

E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij!

Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra,

zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër shtigjet e detit.

O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!

Psalmet 84

84 Oh, sa të dashura janë banesat e tua, o Zot i ushtrive!

Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë.

Edhe rabecka gjen një shtëpi dhe dallëndyshja një fole, ku të vërë të vegjëlit e saj pranë altarëve të tu, o Zot i ushtrive, Mbreti im dhe Perëndia im.

Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde dhe të lëvdojnë vazhdimisht. (Sela)

Lum ata që e vënë forcën e tyre te ti dhe kanë në zemër rrugët e tua!

Kur kalojnë luginën e Bakas, e shndërrojnë atë në një vend burimesh, dhe shiu i parë e mbulon me bekime.

Ata kalojnë nga një forcë te tjetra dhe në fund paraqiten para Perëndisë në Sion.

O Zot, Perëndi i ushtrive, dëgjo lutjen time; vëri veshin, o Perëndi i Jakobit. (Sela)

Shiko, o Perëndi, mburojën tonë, dhe shiko fytyrën e të vajosurit tënd.

10 Po, një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu; mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, se sa të banoj në çadrat e të pabesëve.

11 Sepse Zoti Perëndi është diell dhe mburojë; Zoti do të japë hir dhe lavdi; ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt.

12 O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!

Predikuesi 6

Éshtë një e keqe tjetër që kam parë nën diell dhe që është e përhapur midis njerëzve:

dikujt Perëndia i ka dhënë pasuri, të mira dhe lavdi, dhe nuk i mungon asgjë nga gjithë ato që mund të dëshirojë, por Perëndia nuk i jep mundësinë t’i gëzojë, por i gëzon një i huaj. Kjo është kotësi dhe një e keqe e madhe.

Në qoftë se dikujt i lindin njëqind bij dhe jeton shumë vite dhe të shumta janë ditët e viteve të tij, por shpirti i tij nuk ngopet me të mira dhe nuk ka as varr unë them se një dështim është më i lumtur se ai;

sepse ka ardhuar më kot dhe po ikën në terr, dhe emri i tij është mbuluar nga terri.

Edhe sikur të mos e ketë parë as njohur diellin, megjithatë ka më shumë pushim se tjetri.

Po, edhe sikur të duhej të jetonte dy herë një mijë vjet, por pa mundur të gëzojë të mirat e tij. A nuk mbarojnë të gjitha në po atë vend?

Tërë mundi i njeriut është për gojën e tij, megjithatë oreksi i tij nuk ngopet kurrë.

Ç’përfitim ka i urti mbi budallanë? Ç’përfitim ka i varfëri në rast se di të ecë përpara njerëzve të gjallë?

Éshtë më mirë të shikosh me sy se sa të endesh me dëshirën. Edhe kjo është kotësi dhe një përpjekje për të kapur erën.

10 Ajo që është, prej kohe është quajtur me emrin e vet dhe dihet se ç’është njeriu, dhe që nuk mund të hahet me atë që është më i fortë se ai.

11 Duke qenë se ka shumë gjëra që e shtojnë kotësinë, çfarë përfitimi ka prej tyre njeriu?

12 Kush e di në fakt ç’është e mirë për njeriun në këtë jetë, gjatë tërë ditëve të jetës së tij të kotë që ai i kalon si një hije? Kush mund t’i thotë njeriut çfarë ka për të ndodhur pas tij nën diell?

Veprat e Apostujve 10:9-23

Të nesërmen, ndërsa ata po udhëtonin dhe po i afroheshin qytetit, Pjetri u ngjit në tarracë, rreth orës së gjashtë për t’u lutur.

10 E mori uria dhe donte të hante; dhe, ndërsa ata të shtëpisë po i përgatitnin ushqimin, u rrëmbye në ekstazë;

11 dhe pa qiellin e hapur dhe një send që i përngjante një çarçafi të madh që po zbriste drejt tij; ishte lidhur në të katër cepat dhe kishte zbritur në tokë,

12 dhe brenda tij ishin të gjitha llojet e katërkëmbësheve, bisha, zvarranikë të tokës dhe shpendë qielli.

13 Dhe një zë i tha: “Pjetër, çohu, ther dhe ha!.”

14 Por Pjetri u përgjigj: “Kurrsesi, o Zot, sepse unë nuk kam ngrënë kurrë asgjë të papastër ose të ndotur!.”

15 Dhe zëri i tha për të dytën herë: “Gjërat që Perëndia i ka pastruar, ti mos i bëj të papastra.”

16 Kjo ndodhi tri herë; pastaj ai send u ngrit sërish në qiell.

17 Dhe ndërsa Pjetri po mendohej me mëdyshje ç’kuptim mund të kishte vegimi që kishte parë, ja që njerëzit e dërguar nga Korneli, mbasi pyetën për shtëpinë e Simonit, u paraqitën te dera.

18 Dhe thirrën e pyetën nëse Simoni, i mbiquajtur Pjetër, ndodhej aty.

19 Ndërsa Pjetri po mendohej lidhur me vegimin, Fryma i tha: “Ja, po të kërkojnë tre burra.

20 Çohu, pra, zbrit e shko me ta pa asnjë ngurrim, sepse unë jam ai që t’i kam dërguar.”

21 Atëherë Pjetri zbriti te njerëzit që i ishin dërguar nga Korneli dhe u tha atyre: “Ja, unë jam ai që kërkoni; cila është arsyeja për të cilën jeni këtu?.”

22 Dhe ata i thanë: “Centurioni Kornel, njeri i drejtë dhe që e druan Perëndinë, për të cilin gjithë kombi i Judenjve dëshmon, është lajmëruar në mënyrë hyjnore nga një engjëll i shenjtë të të thërrasë ty në shtëpinë e tij për të dëgjuar fjalët që ke për t’i thënë.”

23 Atëherë Pjetri i ftoi të hyjnë dhe i përbujti; pastaj, të nesërmen, shkoi me ta; dhe disa nga vëllezërit e Jopes e shoqëruan.

Luka 12:32-40

32 Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.

33 Shitni pasurinë tuaj dhe jepni lëmoshë! Bëni për vete trasta që nuk vjetrohen, një thesar të pashtershëm në qiejt, ku vjedhësi nuk arrin dhe tenja nuk bren.

34 Sepse atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.”

35 Le të jenë ngjeshur ijët tuaja, dhe llambat ndezur.

36 Ngjajini atyre që presin zotërinë e tyre, kur kthehet nga dasma, për t’ia hapur derën sapo të vijë dhe të trokasë.

37 Lum ata shërbëtorë, që zotëria, kur të kthehet, do t’i gjejë zgjuar! Në të vërtetë po ju them se ai vetë do të ngjeshet dhe do t’i vendosë ata në tryezë, dhe ai vetë do t’u shërbejë.

38 Dhe, në se do të vijë në të dytën a në të tretën rojë të natës dhe t’i gjejë kështu, lum ata shërbëtorë.

39 Por ta dini këtë: se po ta dinte i zoti i shtëpisë në cilën orë i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të linte t’i shpërthenin shtëpinë.

40 Edhe ju pra, jini gati, sepse Biri i njriut do të vijë në atë orë që nuk e mendoni.”