Book of Common Prayer
55 O Perëndi, vëri veshin lutjes sime dhe ki parasysh kërkesën time.
2 Dëgjo kërkesën time dhe përgjigjmu; ankohem vazhdimisht dhe rënkoj,
3 për zërin e armikut, për shtypjen e të pabesit; sepse më bien mbi kurriz disa fatkeqësi dhe në zemërimin e tyre më ndjekin këmba këmbës.
4 Zemra ime është e shqetësuar në trupin tim dhe tmerre që shkaktojnë vdekjen kanë rënë mbi mua.
5 Frika dhe të drithma më kanë sulmuar dhe tmerri më ka mposhtur.
6 Prandaj kam thënë: "Ah, sikur të kisha krahë si një pëllumb! Do të fluturoja larg për të gjetur prehje.
7 Ja, do të ikja larg dhe do të qëndroja në shkretëtirë. (Sela)
8 Do të shpejtoja për të gjetur një strehë nga era e furishme dhe nga furtuna".
9 Shkatërroji, o Zot, ngatërro gjuhët e tyre, sepse kam parë dhunë dhe kacafytje në qytet.
10 Ditën dhe natën sillen mbi muret e tij; brenda tij sundojnë e keqja dhe çoroditja.
11 Në mes të tij është lakmia; shtypja dhe gënjeshtra janë të zakonshme në rrugët e tij.
12 Sepse nuk ka qenë një armiku im që tallej me mua, përndryshe do ta kisha duruar; nuk ka qenë një që më urrente ai që u ngrit kundër meje, ndryshe do t’i isha fshehur atij.
13 Por ke qenë ti, një njeri si unë, shoku im dhe miku im i ngushtë.
14 Bënim bashkë biseda të këndshme dhe shkonim bashkë në shtëpinë e Perëndisë.
15 I zëntë befas vdekja, u ulshin të gjallë në Sheol, sepse në banesat e tyre dhe në mes tyre nuk ka veçse ligësi.
16 Sa për mua, do t’i kërkoj ndihmë Perëndisë, dhe Zoti do të më shpëtojë.
17 Në mbrëmje, në mëngjes dhe në mesditë do të ankohem dhe do të rënkoj, dhe ai do të dëgjojë zërin tim.
18 Ai do ta shpengojë jetën time dhe do ta sigurojë nga lufta që bëhet kundër meje, sepse janë të shumtë ata që janë ngritur kundër meje.
19 Perëndia do të më dëgjojë dhe ka për t’i poshtëruar, ai që ulet si sovran gjithnjë, sepse ata nuk ndryshojnë dhe nuk kanë frikë nga Perëndia. (Sela)
20 Ai ka shtrirë duart kundër atyre që jetonin në paqe me të, ka shkelur besëlidhjen e tij.
21 Goja e tij ishte më e ëmbël se gjalpi, por në zemër ai kishte luftën; fjalët e tij ishin më të buta se vaji, por ishin shpata të zhveshura.
22 Hidh mbi Zotin barrën tënde, dha ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.
23 Por ti, o Perëndi, do t’i zbresësh këta në pusin e humbjes; njerëzit gjakatarë dhe hileqarë nuk do të arrijnë në gjysmën e ditëve të tyre; por unë do të kem besim te ti.
138 Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj lavdet e tua.
2 Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër.
3 Ditën në të cilën të kërkova, ti m’u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim.
4 Tërë mbretërit e tokës do të të kremtojnë, o Zot, kur të dëgjojnë fjalët e gojës sate,
5 dhe do të këndojnë rrugët e Zotit, sepse e madhe është lavdia e Zotit.
6 Ndonëse Zoti është i shkëlqyeshëm, ai tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë, por mëndjemadhin e njeh nga larg.
7 Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë.
8 Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua.
139 Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh.
2 Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim.
3 Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.
4 Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht.
5 Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua.
6 Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij.
7 Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate?
8 Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty.
9 Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit,
10 edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë.
11 Po të them: "Me siguri terri do të më fshehë," madje edhe nata do të bëhet dritë rreth meje:
12 terri vetë nuk mund të të fshehë asgjë, madje nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty.
13 Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime.
14 Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.
15 Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës.
16 Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.
17 Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre!
18 Po të doja t’i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty.
19 Me siguri, ti do vrasësh të pabesin, o Perëndi; prandaj ju, njerëz gjakatarë largohuni nga unë.
20 Ata flasin me pabesi kundër teje; armiqtë e tu përdorin më kot emrin tënd.
21 A nuk i urrej vallë ata që të urrejnë, o Zot, dhe a nuk i urrej ata që ngrihen kundër teje?
22 Unë i urrej me një urrejtje të përsosur; ata janë bërë armiqtë e mi.
23 Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia.
8 Në rast se në provincë sheh shtypjen e të varfërit dhe shkeljen me dhunë të së drejtës dhe të drejtësisë, mos u habit nga kjo gjë; sepse mbi një pushtet të lartë ndodhet një më i lartë dhe mbi ta disa pushtete akoma më të larta.
9 Toka ofron përfitime më të mëdha se çdo gjë tjetër, dhe vetë mbreti shërbehet nga fusha.
10 Kush është i dhënë pas parasë, nuk ngopet kurrë me para, dhe kush dëshiron pasuritë nxjerr përfitim prej tyre. Edhe kjo është kotësi.
11 Kur rritet pasuria, shtohen edhe ata që e përpijnë; dhe çfarë përfitimi kanë prej saj pronarët, veç asaj që e shohin me sytë e tyre?
12 I ëmbël është gjumi i punonjësit, qoftë edhe kur ha pak ose shumë; por velitja e të pasurit nuk e lë atë të flerë.
13 Éshtë një e keqe tjetër e vajtueshme që kam parë nën diell: pasuritë e ruajtura për pronarin e tyre në dëm të tij.
14 Këto pasuri humbasin për shkak të një pune të keqe, dhe kështu në duart e birit që ka lindur nuk mbetet më asgjë.
15 Ashtu si ka dalë nga barku i nënës, kështu lakuriq do të kthehet për të shkuar si pati ardhur, pa marrë gjë nga mundi i tij që mund ta marrë me vete.
16 Edhe kjo është një e keqe e vajtueshme që duhet të shkojë pikërisht ashtu si ka ardhur; dhe çfarë përfitimi ka se është munduar për erën?
17 Përveç kësaj ai ha çdo ditë të jetës së tij në errësirrë, dhe ka shumë hidhërime, sëmundje dhe telashe.
18 Ja çfarë kuptova: është mirë dhe e përshtatshme për njeriun të hajë, të pijë dhe të gëzojë të mirën e gjithë mundit të tij nën diell, tërë ditët e jetës që Perëndia i jep, sepse kjo është pjesa e tij.
19 Çdo njeriu të cilit Perëndia i jep pasuri dhe të mira dhe të cilit i jep gjithashtu mundësinë t’i gëzojë ato, të marrë pjesën e vet dhe të gëzojë mundin e tij, kjo është një dhuratë e Perëndisë.
20 Në fakt ai nuk do të kujtojë shumë ditët e jetës së tij, sepse Perëndia i përgjigjet me gëzimin e zemrës së tij.
23 Dhe, para se të vinte besimi, ne ruheshim nën ligjin, si të mbyllur, duke pritur besimin që duhej të zbulohej.
24 Kështu ligji qe mësuesi ynë për te Krishti, që ne të shfajësohemi me anë të besimit.
25 Por, mbasi besimi erdhi, ne nuk jemi më nën ndonjë mësues,
26 sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit te Jezu Krishti.
27 Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur.
28 Nuk ka as Jude, as Grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin.
29 Dhe, në qoftë se jeni të Krishtit, jeni pra pasardhja e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit.
4 Edhe them se për sa kohë trashëgimtari është i mitur, nuk dallohet fare nga skllavi, megjithëse është zot i të gjithave,
2 por ai është nën kujdestarë dhe administratorë deri në kohën e caktuar nga i ati.
3 Kështu edhe ne, sa ishim të mitur, ishim të robëruar nën elementet e botës,
4 por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit,
5 që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë.
6 Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: “Abba, Atë!.”
7 Prandaj ti nuk je më shërbëtor, por bir; dhe në qoftë se je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë me anë të Krishtit.
8 Por atëherë, duke mos njohur Perëndinë, u shërbyet atyre që prej natyre nuk janë perëndi;
9 kurse tani, mbasi njohët Perëndinë, më mirë të them se u njohët prej Perëndisë, vallë si ktheheni përsëri te elementet e dobët dhe të varfër, tek të cilët doni përsëri t’u nënshtroheni?
10 Sepse ju i kremtoni me kujdes disa ditë, muaj, stinë dhe vite.
11 Kam frikë se mos jam munduar më kot për ju.
15 Atëherë skribët dhe farisenjtë e Jeruzalemit erdhën te Jezusi dhe i thanë:
2 “Përse dishepujt e tu shkelin traditën e pleqve? Sepse nuk i lajnë duart para se të hanë.”
3 Por ai u përgjigj dhe u tha atyre: “Dhe ju përse shkelni urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj?
4 Perëndia, në fakt, ka urdhëruar kështu: "Ndero atin dhe nënën"; dhe: "Ai që e mallkon të atin ose të ëmën të dënohet me vdekje".
5 Kurse ju thoni: "Kushdo që i thotë atit ose nënës: "Gjithçka me të cilën mund të të mbaja i është ofruar Perëndisë,"
6 ai nuk është më i detyruar të nderojë atin e vet dhe nënën e vet. Kështu ju keni prapësuar urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj.
7 Hipokritë, mirë profetizoi Isaia për ju kur tha:
8 "Ky popull po më afrohet me gojë dhe më nderon me buzët; por zemra e tyre rri larg meje.
9 Dhe më kot më nderojnë, duke i mësuar doktrina që janë urdhërime nga njerëzit".”
10 Pastaj e thirri turmën pranë tij dhe u tha atyre: “Dëgjoni dhe kuptoni:
11 Njeriun nuk e ndot çfarë i hyn në gojë, por ajo që del nga goja e tij e ndot njeriun.”
12 Atëherë dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: “A e di se farisenjtë, kur i dëgjuan këto fjalë u skandalizuan?.”
13 Por ai duke u përgjigjur u tha: “Çdo bimë që Ati im qiellor nuk e ka mbjellë, do të shkulet me rrënjë.
14 Hiqni dorë prej tyre; ata janë të verbër, prijës të verbërish; dhe në qoftë se një i verbër i prin një të verbëri tjetër, të dy do të bien në gropë.”
15 Atëherë Pjetri iu përgjigj dhe i tha: “Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë.”
16 Dhe Jezusi tha: “As juve s’keni kuptuar akoma?
17 A nuk e kuptoni se çdo gjë që hyn në gojë kalon në bark dhe jashtëqitet në gjiriz?
18 Por gjërat që dalin nga goja, dalin nga zemra; dhe ato ndotin njeriun.
19 Sepse nga zemra dalin mendimet e mbrapshta, vrasjet, shkeljet e kurorës; kurvëria, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë.
20 Këto janë gjërat që e ndotin njeriun, kurse të hash pa i larë duart nuk e ndot njeriun.”