Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 80

80 Dëgjo, o bari i Izraelit, që udhëheq Jozefin si një kope; ti që rrin mbi Kerubinët, shkëlqe në lavdinë tënde.

Rizgjoje fuqinë tënde përpara Efraimit, Beniaminit dhe Manasit, dhe eja të na çlirosh.

O Perëndi, na përtëri fuqitë, bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe ne do të shpëtojmë.

O Zot, Perëndi i ushtrive, deri kur do të jesh i zemëruar kundër lutjes së popullit tënd?

Ti u ke dhënë për të ngrënë bukë të njomur me lot, dhe u ke dhënë për të pirë lot me shumicë.

Ti na ke bërë objekt mosmarëveshjeje për fqinjët tanë, dhe armiqtë tanë qeshin njeri me tjetrin.

O Perëndi i ushtrive, na përtëri forcat tona; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë përsëri dhe do të shpëtojmë.

Ti çove jashtë Egjiptit një hardhi; i dëbove kombet dhe e mbolle.

Ti e pastrove dheun para saj dhe ajo lëshoi rrënjë dhe e mbushi dheun.

10 Malet u mbuluan nga hija e saj dhe kedrat e Perëndisë me degët e saj.

11 I zgjati degët e saj deri në det dhe llastarët deri te lumi.

12 Pse i prishe gjerdhet e saj dhe kështu tërë kalimtarët kanë mundësi të korrin frytet e saj?

13 Derri i egër i pyllit e shkreton dhe egërsirat e fushës kullotin aty.

14 O Perëndi i ushtrive, të lutemi kthehu; shiko nga qielli, vështro dhe vizito këtë vresht

15 dhe drurët që mbolli e djathta jote dhe filizin që e ke forcuar për ty.

16 Ajo u dogj nga zjarri dhe është prerë; ata vdesin para kërcënimit të fytyrës sate.

17 Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtë tënde, mbi njeriun që ti e ke bërë të fortë për ty.

18 Kështu ne nuk do të largohemi më prej teje. Na ngjall dhe ne do të kërkojmë emrin tënd.

19 O Zot, Perëndia i ushtrive, na përtëri; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe do të shpëtojmë.

Psalmet 77

77 Zëri im lartohet te Perëndia dhe unë bërtas; zëri im lartohet te Perëndia dhe ai ka për të më dëgjuar.

Ditën e fatkeqësisë sime kërkova Zotin; gjatë natës dora ime mbeti e nderur pa u lodhur dhe shpirti im nuk pranoi të ngushëllohet.

Më kujtohet Perëndia dhe rrënkoj; vajtoj dhe fryma ime dobësohet. (Sela)

Ti m’i mban të hapura qepallat; jam aq i turbulluar sa nuk mund të flas.

Sjell ndërmënd përsëri ditët e lashta, vitet e kohëve të shkuara.

Gjatë natës më kthehet në mendje kënga ime, mendoj thellë në zemrën time dhe fryma ime bën kërkime.

A do të më hedhë poshtë për gjithnjë Zoti? E nuk do të më pëlqejë më kurrë?

Dhe mirësia e tij ka marrë fund për gjithnjë dhe falja e tij ka munguar për brezat e ardhshme?

Vallë Perëndia e ka harruar mëshirën dhe në zemërimin e tij u ka dhënë fund dhembshurive të tij? (Sela)

10 Unë kam thënë: "Shkaku i hidhërimit tim është se dora e djathtë e Shumë të Lartit ka ndryshuar".

11 Do t’i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara,

12 do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua.

13 O Perëndi, jeta jote është e shenjtë; cili Perëndi është i madh si Perëndia?

14 Ti je Perëndia që kryen mrekulli; ti ke bërë të njihet forca jote midis popujve.

15 Me krahun tënd ke shpenguar popullin tënd, bijtë e Jakobit dhe të Jozefit. (Sela)

16 Ujërat të panë, o Perëndi, ujërat të panë dhe u trëmbën; edhe humnerat u drithtuan.

17 Retë derdhën përmbytje uji, qiejtë gjëmuan dhe shigjetat e tua vepruan.

18 Gjëmimi i bubullimës sate ishte në vorbullën, vetëtimat ndriçuan botën dhe toka u tund dhe u drodh.

19 Ti e hape rrugën tënde në mes të detit, shtegun tënd në mes të ujërave të mëdha, dhe gjurmët e tua nuk u njohën.

20 Ti e udhëheq popullin tënd si një kope me dorën e Moisiut dhe të Aaronit.

Psalmet 79

79 O Perëndi, kombet kanë hyrë në trashëgiminë tënde, kanë përdhosur tempullin tënd të shenjtë, e kanë katandisur Jeruzalemin në një grumbull gërmadhash.

Trupat e vdekur të shërbëtorëve të tu ua dhanë për të ngrënë shpendëve të qiellit dhe mishin e shenjtorëve të tu bishave të fushave.

Kanë derdhur gjakun e tyre si ujë rreth Jeruzalemit, në mënyrë që asnjeri të mos i varroste.

Jemi bërë një turp për fqinjët tanë, tallja dhe gazi i atyre që na rrinë rreth e qark.

Deri kur, o Zot? A do të jesh i zemëruar përjetë? A do të flakërojë smira jote si një zjarr?

Lësho zemërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin dhe mbi mbretëritë që nuk përmendin emrin tënd,

sepse kanë gllabëruar Jakobin dhe kanë shkretuar banesën e tij.

Mos kujto kundër nesh fajet e të pabesëve tanë; nxito të na dalësh para me dhembshuritë e tua, sepse jemi shumë të vuajtur.

Na ndihmo, o Perëndi i shpëtimit, për lavdinë e emrit tënd, dhe na çliro dhe na fal mëkatet tona për hir të emrit tënd.

10 Sepse kombet do të thonin: "Ku është Perëndia i tyre?". Para syve tona bëju të njohur kombeve hakmarrjen e gjakut të derdhur të shërbëtorëve të tu.

11 Le të arrijë deri tek ti rrënkimi i robërve; sipas fuqisë së krahut tënd, shpëto ata që janë të dënuar me vdekje.

12 Dhe ktheju fqinjëve tonë shtatëfish të zezën që të kanë bërë o Zot.

13 Dhe ne populli yt dhe kopeja e kullotës sate, do të të kremtojmë përjetë dhe do të shpallim lavdinë tënde brez pas brezi.

Numrat 9:15-23

15 Por ditën në të cilën tabernakulli u ngrit, reja mbuloi tabernakullin, perden e dëshmisë; dhe që nga mbrëmja deri në mëngjes reja mbi tabernakullin kishte marrë një pamje zjarri.

16 Kështu ndodhte gjithnjë: reja e mbulonte tabernakullin gjatë ditës dhe natën kishte pamjen e një zjarri.

17 Sa herë që reja ngrihej mbi çadrën, bijtë e Izraelit niseshin për rrugë pas kësaj; dhe aty ku ndalej reja, aty bijtë e Izraelit vendosnin kampin e tyre.

18 Me urdhër të Zotit bijtë e Izraelit nisnin ecjen e tyre dhe me urdhër të tij fushonin; rrinin në kampin e tyre aq kohë sa qëndronte reja mbi tabernakull.

19 Kur reja qëndronte për shumë ditë mbi tabernakullin, bijtë e Izraelit respektonin urdhrin e Zotit dhe nuk lëviznin.

20 Por në rast se reja ndalej vetëm pak ditë mbi tabernakullin, me urdhër të Zotit ata qëndronin në kampin e tyre dhe me urdhër të Zotit niseshin për rrugë.

21 Në rast se reja ndalej vetëm nga mbrëmja deri në mëngjes, kur ajo ngrihej në mëngjes, ata niseshin për rrugë; si ditën ashtu dhe natën, kur reja ngrihej, ata viheshin në lëvizje.

22 Në qoftë se reja qëndronte e palëvizshme mbi tabernakullin dy ditë, një muaj apo një vit, bijtë e Izraelit qëndronin në kampin e tyre dhe nuk lëviznin; por kur ajo ngrihej, ata nisnin udhëtimin.

23 Me urdhër të Zotit fushonin dhe me urdhër të tij viheshin në lëvizje; respektonin urdhrin e Zotit, simbas asaj që ai kishte urdhëruar me anë të Moisiut.

Numrat 10:29-36

29 Por Moisiu i tha Hobabit, birit të Reuelit, Madianitit, vjehrri i Moisiut: "Ne po vihemi në marshim drejt vendit për të cilin Zoti ka thënë Unë do t’jua japp". Eja me ne dhe do të të bëjmë të mira, sepse Zoti i ka premtuar gjëra të mira Izraelit".

30 Hobabi iu përgjegj: "Unë nuk do të vij, por do të kthehem në vendin tim te të afërmit e mi".

31 Atëherë Moisiu i tha: "Mos na lërë, sepse ti e di ku duhet të fushojmë në shkretëtirë dhe ti do të jesh si sytë për ne.

32 Në qoftë se vjen me ne, çdo të mirë që do të na bëjë Zoti, ne do të ta bëjmë ty".

33 Kështu u nisën nga mali i Zotit dhe ecën tri ditë; dhe arka e besëlidhjes së Zotit shkoi para tyre gjatë një udhëtimi prej tri ditësh, për të gjetur një vend ku ata të pushonin.

34 Dhe reja e Zotit qëndronte mbi ta gjatë ditës, kur niseshin nga kampi.

35 Kur nisej arka, Moisiu thoshte; "Çohu, o Zot, me qëllim që të shkatërrohen armiqtë e tu dhe të ikin me vrap para teje ata që të urrejnë!".

36 Dhe kur ndalej, thoshte: "Kthehu, o Zot, pranë morisë së madhe të njerëzve të Izraelit!".

Romakëve 1:1-15

Pali, shërbëtor i Jezu Krishtit, i thirrur për të qenë apostull, i veçuar për ungjillin e Perëndisë,

siç i kishte premtuar ai me anë të profetëve të tij në Shkrimet e shenjta,

lidhur me Birin e tij, të lindur nga fara e Davidit sipas mishit,

i deklaruar Biri i Perëndisë në fuqi, sipas Frymës së shenjtërisë nëpërmjet ringjalljes prej së vdekurit: Jezu Krishti Zoti ynë,

me anë të të cilit ne kemi marrë hir dhe apostullim, për bindje në besim midis të gjithë kombeve për hir të emrit të tij,

ndër të cilët edhe ju jeni të thirrur nga Jezu Krishti;

për ju të gjithë që jeni në Romë, të dashur nga Perëndia, të thirrur shenjtorë: hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, e nga Zoti Jezu Krishti.

Para së gjithash, falënderoj Perëndinë tim me anë të Jezu Krishtit për të gjithë ju, sepse për besimin tuaj është folur në gjithë botën.

Sepse Perëndia, të cilit unë i shërbej me frymën time nëpërmjet ungjillit të Birit të tij, është dëshmitari im që unë nuk pushoj kurrë t’ju kujtoj,

10 duke kërkuar vazhdimisht në lutjet e mia që të më lejohet më në fund nga vullneti i Perëndisë mundësia për të ardhur tek ju,

11 sepse unë dëshiroj fort t’ju shoh për t’ju komunikuar ndonjë dhunëti frymëror, që të fortësoheni.

12 Dhe kjo është që unë të ngushëllohem bashkë me ju me anë të besimit që e kemi të përbashkët, tuajin dhe timin.

13 Tani, vëllezër, unë nuk dua që të mos e dini se shumë herë kisha vendosur të vija tek ju që të mund të kem ndonjë fryt midis jush siç kam pasur midis johebrenjve të tjerë, por deri tash kam qenë i penguar.

14 Unë u jam borxhli Grekëve dhe barbarëve, të diturve dhe të paditurve.

15 Kështu, aq sa varet nga unë, jam gati t’ju predikoj ungjillin edhe juve që jeni në Romë.

Mateu 17:14-21

14 Kur arritën afër turmës, një burrë iu afrua dhe, duke u gjunjëzuar para tij,

15 tha: “Zot, ki mëshirë për birin tim, sepse është epileptik dhe vuan shumë; shpesh ai bie në zjarr dhe shpesh në ujë.

16 Tani unë e solla te dishepujt e tu, por ata nuk mundën ta shërojnë.”

17 Dhe Jezusi duke u përgjigjur tha: “O brez që nuk beson dhe i çoroditur! Deri kur do të qëndroj midis jush? Deri kur do t’ju duroj? E sillni këtu tek unë.”

18 Atëherë Jezusi e qortoi demonin dhe ky doli nga djali; dhe që nga ai çast djali u shërua.

19 Atëherë dishepujt iu afruan Jezusit mënjanë dhe i thanë: “Përse ne nuk ishim në gjendje ta dëbonim?.”

20 Dhe Jezusi u tha atyre: “Prej mosbesimit tuaj; sepse në të vërtetë, unë po ju them, se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: "Zhvendosu nga këtu atje," dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju.

21 Por ky lloji demoni nuk del veçse me anë të lutjes dhe të agjërimit.”