Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 40

40 Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin, dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time.

Më nxorri jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia.

Ai vuri në gojën time një kantik të ri për të lëvduar Perëndinë tonë; shumë njerëz kanë për ta parë këtë, do të dridhen dhe do t’i besojnë Zotit.

Lum ai njeri që i beson Zotit dhe nuk u drejtohet krenarëve dhe as atyre që marrin rrugë të keqe duke u dhënë pas gënjeshtrës.

O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë, dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne. Po të duhej t’i shpallja dhe t’i tregoja, do të ishin tepër për t’i radhitur.

Ti nuk kënaqesh as me flijime as me oferta; më ke shpuar veshët. Ti nuk ke kërkuar as olokauste as flijime për mëkatin.

Atëherë unë thashë: "Ja, po vij. Në rrotullin e librit shkruhet për mua.

Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time".

E shpalla drejtësinë tënde në kuvendin e madh; ja, unë nuk i mbaj buzët të mbyllura, o Zot, ti e di këtë.

10 Nuk e kam fshehur drejtësinë tënde në zemrën time; kam shpallur besnikërinë tënde dhe shpëtimin tënd; nuk e kam fshehur mirësinë tënde as të vërtetën tënde para kuvendit të madh.

11 Mos më moho, o Zot, mëshirën zemërbutë; mirësia jote dhe e vërteta jote më mbrofshin gjithnjë.

12 Sepse të këqija të panumërta më rrethojnë; paudhësitë e mia më kanë zënë dhe nuk mund të shikoj; janë më të shumta se flokët e kokës sime, dhe zemra po më ligështohet.

13 Prano, o Zot, të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.

14 U turpërofshin dhe u pështjellofshin ata që duan të shkatërrojnë jetën time. Rënçin poshtë të mbuluar nga turpi ata që gëzohen me fatkeqësitë e mia.

15 U trëmbshin për turp të tyre ata që më thonë: "Ah, ah…!".

16 U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, ata që duan shpëtimin tënd thënçin: "Lëvduar qoftë Zoti".

17 Sa për mua, unë jam i varfër dhe nevojtar, por Zoti kujdeset për mua. Ti je mbështetja ime dhe çlirimtari im; Perëndia im, mos u vono.

Psalmet 54

54 O Perëndia im, më shpëto me emrin tënd dhe siguromë drejtësi me fuqinë tënde.

O Perëndia im, dëgjo lutjen time dhe vëru veshin fjalëve të gojës sime.

Sepse disa të huaj janë ngritur kundër meje dhe njerëz të furishëm kërkojnë jetën time, njerëz që nuk e kanë Perëndinë para syve të tyre. (Sela)

Ja, Perëndia është ndihma ime, Zoti e përkrah jetën time.

Ai do t’i ndëshkojë armiqtë e mi për të keqen që më kanë bërë; në besnikërinë tënde shkatërroji.

Me gjithë zemër do të ofroj flijime; do të kremtoj emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë;

sepse më ke çliruar nga çdo ankth, sytë e mi kanë parë mbi armiqtë e mi atë që unë dëshiroja.

Psalmet 51

51 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.

Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,

Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.

Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.

Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.

Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.

Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.

Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.

Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.

10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.

11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.

12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.

13 Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.

14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.

15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.

16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti.

17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.

18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.

19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.

Predikuesi 5:1-7

Ki kujdes hapat e tua kur shkon te shtëpia e Perëndisë; afrohu për të dëgjuar në vend që të ofrosh flijimin e budallenjve, të cilët as nuk dinë që veprojnë keq.

Mos u nxito me gojën tënde, dhe zemra jote të mos shpejtohet të thotë asnjë fjalë përpara Perëndisë, sepse Perëndia është në qiell dhe ti mbi tokë; prandaj fjalët e tua të jenë të pakta.

Sepse nga punët e shumta vijnë ëndrrat, dhe nga fjalët e shumta zëri i budallait.

Kur i ke bërë një zotim Perëndisë mos humb kohë ta plotësosh, sepse ai nuk kënaqet me budallenjtë; plotëso zotimin që ke marrë.

Më mirë të mos marrësh zotime se sa t’i bësh dhe të mos i plotësosh.

Mos lejo që goja jote ta çojë trupin tënd të mëkatojë dhe mos thuaj para lajmëtarit të Perëndisë: "Ka qenë gabim". Pse Perëndia duhet të zemërohej me fjalët e tua dhe të shkatërronte veprën e duarve të tua?

Sepse në ëndrrat e shumta dhe në fjalët e shumta ka kotësi; por ti ke frikë nga Perëndia.

Galatasve 3:15-22

15 O vëllezër, po ju flas në mënyrën e njerëzve: në qoftë se një besëlidhje është aprovuar, edhe pse është besëlidhje njeriu, askush nuk e zhvleftëson as nuk i shton gjë.

16 Dhe premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhjes së tij. Shkrimi nuk thotë: “Edhe pasardhësve” si të ishin shumë, por të një të vetme: “Dhe pasardhjes sate,” pra Krishti.

17 Dhe unë them këtë: ligji, që erdhi katërqind e tridhjetë vjet më pas, nuk e zhvleftëson besëlidhjen e aprovuar më parë nga ana e Perëndisë në Krishtin, në mënyrë që të prishë premtimin.

18 Sepse, në qoftë se trashëgimi është nga ligji, nuk është më nga premtimi. Por Perëndia ia fali atë Abrahamit me anë të premtimit.

19 Atëherë, pse u dha ligji? Ai u shtua për shkak të shkeljeve, deri sa të vinte pasardhja së cilës i qe bërë premtimi; dhe ky ligj u shpall nëpërmjet engjëjve, me anë të një ndërmjetësi.

20 Dhe ndërmjetësi nuk është ndërmjetës i një ane të vetme, kurse Perëndia është një.

21 A thua atëherë ligji është kundër premtimeve të Perëndisë? Kurrsesi jo! Sepse po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, drejtësia do të ishte me të vërtetë prej ligjit.

22 Por Shkrimi i mbylli të gjitha gjërat nën mëkatin, që t’u jepej besimtarëve premtimi nëpërmjet besimit të Jezu Krishtit.

Mateu 14:22-36

22 Fill pas kësaj Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t’i prijnë në bregun tjetër, deri sa ai t’i lëshojë turmat.

23 Mbasi i nisi ato, u ngjit vetëm mbi mal për t’u lutur. Dhe kur u ngrys ai gjëndej aty, i vetëm fare.

24 Ndërkaq barka ndodhej në mes të detit; dhe përplasej nga valët sepse era i ishte e kundërt.

25 Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det.

26 Dishepujt duke parë atë që po ecte mbi det, u trembën dhe thanë: “Éshtë një fantazmë!.” Dhe filluan të bërtasin nga frika;

27 por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: “Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!.”

28 Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: “Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra.”

29 Ai tha: “Eja!.” Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi.

30 Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: “O Zot, shpëtomë!.”

31 Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: “O njeri besimpak, pse dyshove?.”

32 Pastaj, kur hynë në barkë, era pushoi.

33 Atëherë ata që ishin në barkë erdhën dhe e adhuruan, duke thënë: “Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!.”

34 Pastaj, mbasi dolën në bregun tjetër, erdhën në krahinën e Gjenezaretit.

35 Dhe njerëzit e atij vendi, sapo e njohën, e përhapën fjalën në gjithë krahinën përreth; dhe i sollën të gjithë të sëmurët;

36 dhe iu lutën që të mund t’i preknin të paktën cepin e rrobes së tij; dhe të gjithë ata që e prekën u shëruan plotësisht.