M’Cheyne Bible Reading Plan
24 Abrahami ishte tashmë plak dhe ishte në moshë të kaluar; dhe Zoti e kishte bekuar Abrahamin në çdo gjë.
2 Dhe Abrahami i tha shërbyesit më të moshuar të shtëpisë së tij që qeveriste tërë pasuritë e tij: "Vëre dorën tënde nën kofshën time;
3 dhe unë do të bëj që ti të betohesh në emër të Zotit, Perëndisë së qiejve dhe Perëndisë të tokës, që ti nuk do t’i marrësh për grua djalit tim asnjë prej bijave të Kanaanejve në mes të të cilëve unë banoj;
4 por do të shkosh në vendin tim dhe te fisi im për të marrë një grua për djalin tim, për Isakun".
5 Shërbëtori iu përgjegj: "Ndofta ajo grua nuk dëshiron të më ndjekë në këtë vend; a duhet ta çoj atëherë përsëri birin tënd në vendin nga ke dalë?".
6 Atëherë Abrahami i tha: "Ruhu e mos e ço birin tim atje!
7 Zoti, Perëndia i qiellit, që më hoqi nga shtëpia e atit tim dhe nga vendi ku kam lindur, më foli dhe m’u betua duke thënë: "Unë do t’ua jap këtë vend pasardhësve të tu," ai do të dërgojë engjëllin e tij para teje dhe ti do të marrësh andej një grua për birin tim.
8 Dhe në qoftë se gruaja nuk dëshiron të të ndjekë, atëherë ti do të lirohesh nga ky betim që më ke bërë; vetëm mos e kthe tim bir atje".
9 Kështu shërbyesi e vuri dorën nën kofshën e Abrahamit, zotit të tij, dhe iu betua lidhur me këtë problem.
10 Pastaj shërbyesi mori dhjetë deve nga devetë e zotit të tij dhe u nis, duke pasur me vete çdo lloj të mirash të zotërisë së tij. Ai e nisi rrugën dhe shkoi në Mesopotami, në qytetin e Nahorit.
11 Dhe i gjunjëzoi devetë jashtë qytetit pranë një pusi uji, aty nga mbrëmja, në kohën kur gratë dalin për të marrë ujë, dhe tha:
12 "O Zot, Perëndia i zotërisë tim Abraham, të lutem bëj që sot të kem mundësinë të kem një takim të lumtur, trego dashamirësi ndaj Abrahamit, zotit tim!
13 Ja, unë po rri pranë këtij burimi ujërash, ndërsa bijat e banorëve të qytetit dalin për të mbushur ujë.
14 Bëj që vajza së cilës do t’i them: "Ah, ule shtambën tënde që unë të pi" dhe që do të më përgjigjet: "Pi, dhe kam për t’u dhënë për të pirë edhe deveve të tu," të jetë ajo që ti ja ke caktuar shërbyesit tënd Isak. Nga kjo unë do të kuptoj që ti ke treguar dashamirësi ndaj zotërisë tim".
15 Ai s’kishte mbaruar së foluri, kur, ja, doli Rebeka me shtambën në shpatullën e saj; ajo ishte e bija e Bethuelit, biri i Mikailit, gruaja e Nahorit dhe vëllai i Abrahamit.
16 Vajza ishte shumë e bukur, e virgjër dhe asnjë burrë nuk e kishte njohur kurrë. Ajo zbriti në burim, mbushi shtambën e saj dhe u ngjit përsëri lart.
17 Atëherë shërbyesi vrapoi në drejtim të saj dhe i tha: "Lermë të pi pak ujë nga shtamba jote".
18 Ajo u përgjegj: "Pi, zotëria im"; pastaj shpejtoi ta ulë shtambën mbi dorë dhe i dha të pijë.
19 Sapo mbaroi së dhëni ujë për të pirë, tha: "Do të mbush ujë edhe për devetë e tua, deri sa të ngopen me ujë".
20 Me nxitim e zbrazi shtambën e saj në koritë, vrapoi përsëri te burimi për të mbushur ujë për të gjithë devetë e tij.
21 Ndërkaq ai njeri e sodiste në heshtje, për të mësuar në qoftë se Zoti e kishte bërë të mbarë apo jo udhëtimin e tij.
22 Kur devetë mbaruan së piri, njeriu mori një unazë floriri për hundën që peshonte gjysmë sikli dhe dy byzylykë me një peshë prej dhjetë siklesh ari për kyçin e dorës së saj, dhe tha:
23 "Bijë e kujt je? Ma thuaj, të lutem. A ka vend në shtëpinë e babait tënd për ne, që ta kalojmë natën?".
24 Ajo u përgjegj: "Unë jam bijë e Bethuelit, i biri i Milkahut, që ajo i lindi në Nahor".
25 Dhe shtoi: "Tek ne ka shumë kashtë dhe forazh si dhe vend për të kaluar natën".
26 Atëherë njeriu u përkul, adhuroi Zotin dhe tha:
27 "Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Abrahamit, zotërisë tim, që nuk ka pushuar të jetë dashamirës dhe besnik ndaj zotërisë tim! Sa për mua, gjatë udhëtimit, Zoti më çoi në shtëpinë e vëllezërve të zotërisë tim".
28 Dhe vajza vrapoi për t’i treguar këto gjëra në shtëpinë e nënës së saj.
29 Por Rebeka kishte një vëlla të quajtur Labano. Dhe Labano doli me vrap jashtë drejt burimit te ai njeri.
30 Sa pa unazën në hundë dhe byzylykët në kyçet e dorës të së motrës dhe dëgjoi fjalët që Rebeka, motra e tij, thoshte: "Kështu më foli ai njeri," iu afrua këtij njeriu, dhe ja që u gjet pranë deveve, afër burimit.
31 Dhe tha: "Hyrë, i bekuar nga Zoti! Pse rri jashtë? Unë kam përgatitur shtëpinë dhe një vend për devetë".
32 Njeriu hyri në shtëpi, dhe Labano shkarkoi devetë, u dha kashtë dhe forazh deveve dhe solli ujë që të lante këmbët ai dhe njerëzit që ishin bashkë me të.
33 Pastaj i vunë përpara për të ngrënë, por ai tha: "Nuk do të ha deri sa të plotësoj porosinë që më kanë dhënë". Tjetri tha: "Fol".
34 Atëherë ai tha: "Unë jam një shërbëtor i Abrahamit.
35 Zoti e ka bekuar shumë zotërinë tim, që është bërë i madh; i ka dhënë dele dhe qe, argjend dhe flori, shërbyes dhe shërbyese, deve dhe gomarë.
36 Por Sara, gruaja e zotërisë tim, i ka lindur në pleqërinë e saj një djalë zotërisë tim, i cili i ka dhënë atij gjithçka zotëron.
37 Dhe zotëria im më vuri të betohem duke thënë: "Nuk do të marrësh grua për djalin tim nga bijtë e Kanaanejve, në vendin ku banoj;
38 por do të shkosh në shtëpinë e babait tim dhe tek afëria ime dhe aty do të marrësh një grua për birin tim".
39 Atëherë unë i thashë zotërisë tim: "Ndofta gruaja nuk do të dojë të më ndjekë".
40 Por ai u përgjegj: "Zoti, para të cilit kam ecur, do të dërgojë engjëllin e tij bashkë me ty dhe do ta bëj të mbarë udhëtimin tënd, dhe ti do të marrësh për birin tim një grua nga farefisi im dhe nga shtëpia e babait tim.
41 Do të lirohesh nga betimi që më ke bërë kur të shkosh tek afëria ime; dhe po të jetë se nuk duan të ta japin, do të lirohesh nga betimi që më ke bërë".
42 Sot kam arritur te burimi dhe thashë: "O Zot, Perëndia i zotërisë tim Abraham, në rast se të pëlqen kështu, të lutem bëje të mbarë udhëtimin që kam filluar;
43 Ja, unë po ndalem pranë burimit të ujit; bëj që vajza që ka për të dalë për të marrë ujë dhe së cilës do t’i them: "Lërmë të pi pak ujë nga shtamba jote,"
44 dhe që do të më thotë: "Pi sa ke nevojë dhe do të marr ujë edhe për devetë e tua," le të jetë gruaja që Zoti i ka caktuar djalit të zotërisë tim.
45 Para se unë të kisha mbaruar së foluri në zemrën time, doli jashtë Rebeka me shtambën e saj mbi shpatull; ajo zbriti te burimi dhe mbushi ujë. Atëherë unë i thashë:
46 "Oh, lermë të pi!". Dhe ajo shpejtoi ta ulte shtambën nga shpatulla e saj dhe u përgjegj: "Pi dhe do t’u jap të pinë edhe deveve të tua". Kështu unë piva dhe ajo u dha të pinë edhe deveve.
47 Atëherë e pyeta dhe i thashë: "Bijë e kujt je?". Ajo m’u përgjegj: "Jam bijë e Bethuelit, biri i Nahorit, që Milkah lindi". Kështu unë i vura unazën në hundë dhe byzylykët në kyçet e dorës.
48 Pastaj u përkula, adhurova Zotin dhe e bekova Zotin, Perëndinë e Abrahamit, zotërisë tim, që më ka çuar në rrugën e drejtë për të marrë për birin e tij bijën e vëllait të zotërisë tim.
49 Dhe tani në rast se doni të silleni me dashamirësi dhe besnikëri ndaj zotërisë tim, duhet të ma thoni; në rast se jo, ma thoni njëlloj dhe unë do të kthehem djathtas ose majtas".
50 Atëherë Labano dhe Bethueli u përgjigjën dhe thanë: "Kjo varet nga Zoti; ne nuk mund të flasim as për mirë as për keq.
51 Ja, Rebeka është këtu para teje, merre me vete, shko dhe ajo të bëhet gruaja e birit të zotërisë tënd, ashtu siç ka thënë Zoti".
52 Kur shërbëtori i Abrahamit dëgjoi fjalët e tyre u përul për tokë përpara Zotit.
53 Shërbëtori nxori sende të argjëndta dhe të arta si dhe rroba dhe ia dha Rebekës; dhe u dhuroi gjithashtu sende të vlefshme vëllait dhe nënës së Rebekës.
54 Pastaj hëngrën e pinë ai dhe njerëzit që ishin bashkë me të; u ndalën vetëm atë natë. Kur u ngritën në mëngjes, shërbëtori tha: "Më lini të kthehem te zotëria im".
55 Vëllai dhe nëna e Rebekës thanë: "Lëre që vajza të rrijë disa ditë me ne, të paktën dhjetë ditë; pastaj mund të ikë".
56 Por ai iu përgjegj atyre: "Mos më mbani, sepse Zoti e ka bërë të mbarë udhëtimin tim; më lini të iki, që unë të kthehem te zotëria im".
57 Atëherë ata i thanë: "Të thërresim vajzën dhe ta pyesim atë".
58 Atëherë thirrën Rebekën dhe i thanë: "A do të shkosh me këtë njeri?". Ajo u përgjegj: "Po, do të shkoj".
59 Kështu e lanë Rebekën, motrën e tyre, të shkojë dhe tajën e saj të shkojë me shërbëtorin dhe njerëzit e Abrahamit.
60 Dhe e bekuan Rebekën dhe i thanë: "Motra jonë, ti u bëfsh nëna e mijëra mizëri njerëzish dhe pasardhësit e tu paçin në dorë portat e armiqve të tyre".
61 Atëherë Rebeka dhe shërbyeset e saj u ngritën më këmbë, hipën mbi devetë dhe shkuan pas këtij njeriu. Kështu shërbëtori mori Rebekën dhe iku.
62 Ndërkaq Isaku ishte kthyer nga pusi i Lahai-Roit, sepse banonte në krahinën e Negevit.
63 Isaku kishte dalë aty nga mbrëmja në fushë për t’u menduar; dhe ai ngriti sytë dhe pa disa deve që po vinin.
64 Edhe Rebeka ngriti sytë dhe pa Isakun; atëherë zbriti me të shpejtë nga deveja,
65 dhe i tha shërbëtorit: "Kush është ai njeri që vjen nga fusha drejt nesh?". Shërbëtori u përgjegj: "Éshtë zotëria im". Atëherë ajo mori vellon dhe u mbulua.
66 Pastaj shërbëtori i tregoi Isakut tërë gjërat që kishte bërë.
67 Dhe Isaku e futi Rebekën në çadrën e Sarës, nënës së tij, dhe e mori me vete; ajo u bë gruaja e tij dhe ai e dashuroi. Kështu Isaku u ngushëllua mbas vdekjes së nënës së tij.
23 Atëherë Jezusi u foli turmave dhe dishepujve të vet,
2 duke thënë: “Skribët dhe farisenjtë ulen mbi katedrën e Moisiut.
3 Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka t’ju thonë të zbatoni; por mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë.
4 Por lidhin barrë të rënda që barten me vështirësi, dhe ua vënë mbi kurrizin e njerëzve; Por ata nuk duan të luajnë vetë as me gisht.
5 Por të gjitha veprat e tyre i bëjnë për t’u dukur nga njerëzit; i zgjërojnë filateritë e tyre dhe i zgjatin thekët e rrobave të tyre.
6 Duan kryet e vendit në gostira dhe vendet e para në sinagoga,
7 si edhe përshëndetjet në sheshe dhe të quhen rabbi, rabbi nga njerëzit.
8 Por ju mos lejoni që t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm një është mësuesi juaj: Krishti, dhe ju të gjithë jeni vëllezër.
9 Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej.
10 As mos lejoni që t’ju quajnë udhëheqës, sepse vetëm një është udhëheqësi juaj: Krishti.
11 Dhe më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj.
12 Sepse kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet.
13 Por mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse mbyllni mbretërinë e qiejve para njerëzve; sepse as ju nuk hyni, as nuk i lini të hyjnë ata që janë për të hyrë.
14 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse gllabëroni shtëpitë e të vejave dhe për sy e faqe bëni lutje të gjata; për këtë arsye ju do të pësoni një dënim më të rreptë.
15 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse përshkoni detin dhe dheun për të bërë prozelitë, dhe kur ndokush bëhet i tillë, e bëni bir të Gehenas dhe dy herë më të keq se ju!
16 Mjerë ju, udhëheqës të verbër, që thoni: "Në qoftë se dikush betohet për tempullin, kjo s’është gjë; por në qoftë se betohet për arin e tempullit, është i detyruar".
17 Të marrë dhe të verbër! Sepse cili është më i madh: ari apo tempulli që e shenjtëron arin?
18 Dhe në qoftë se dikush betohet për altarin, s’është gjë; por ne qoftë se betohet për ofertën që është mbi të, është i detyruar".
19 Të marrë dhe të verbër! Sepse cila është më e madhe, oferta apo altari që e shenjtëron ofertën?
20 Ai, pra, që betohet për altarin, betohet për të dhe për çdo gjë që është përmbi të!
21 Ai që betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon atje.
22 Dhe ai që betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që është ulur mbi të.
23 Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ju llogaritni të dhjetën e mëndrës, të koprës dhe të barit të gjumit, dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, mëshirën dhe besimin; këto gjëra duhet t’i praktikoni pa i lënë pas dore të tjerat.
24 Udhëheqës të verbër, që sitni mushkonjën dhe kapërdini devenë!
25 Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse pastroni anën e jashtme të kupës dhe të pjatës, ndërsa përbrenda janë plot me grabitje dhe teprime.
26 Farise i verbër! Pastro më parë përbrenda kupën dhe pjatën, që edhe përjashta të jetë e pastër.
27 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse u ngjani varreve të zbardhuara (me gëlqere), që nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot eshtra të vdekurish dhe gjithfarë papastërtish.
28 Kështu edhe ju nga jashtë u paraqiteni njerëzve si të drejtë; por përbrenda jeni plot hipokrizi dhe paudhësi.
29 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ndërtoni varrezat e profetëve dhe zbukuroni monumentet e të drejtëve,
30 dhe thoni: "Po të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim bashkëpunuar me ta në vrasjen e profetëve".
31 Duke folur kështu, ju dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bijtë e atyre që vranë profetët.
32 Ju e kaloni masën e etërve tuaj!
33 O gjarpërinj, o pjellë nëpërkash! Si do t’i shpëtoni gjykimit të Gehenas?
34 Prandaj, ja unë po ju dërgoj profetë, dijetarë dhe skribë; ju disa prej tyre do t’i vritni dhe do t’i kryqëzoni, disa të tjerë do t’i fshikulloni në sinagogat tuaja dhe do t’i persekutoni nga një qytet në tjetrin,
35 që të bjerë mbi ju gjithë gjaku i drejtë i derdhur mbi dhe, nga gjaku i të drejtit Abel, deri te gjaku i Zaharias, birit të Barakias, që ju e vratë ndërmjet tempullit dhe altarit.
36 Në të vërtetë po ju them se të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brez.
37 Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët!
38 Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë.
39 Sepse unë po ju them, se tash e tutje nuk do të më shihni më deri sa të thoni: "I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!".”
13 po atë ditë u lexua në prani të popullit libri i Moisiut, dhe aty u gjet e shkruar që Amoniti dhe Moabiti nuk duhet të hynin kurrë në asamblenë e Perëndisë,
2 sepse nuk i kishin pritur me bukë e me ujë bijtë e Izraelit dhe kishin rekrutuar kundër tyre me para Balaamin për t’i mallkuar; por Perëndia ynë e ndëroi mallkimin në bekim.
3 Sa e dëgjuan ligjin, ata ndanë nga Izraeli tërë njerëzit e huaj që ishin përzier me ta.
4 Para kësaj, prifti Eliashib, që ishte caktuar në dhomat e shtëpisë të Perëndisë tonë dhe kishte lidhur krushqi me Tobiahun,
5 kishte përgatitur për këtë një dhomë të madhe, ku vinin më parë ofertat, temjanin, përdorëset, të dhjetat e grurit, të verës dhe të vajit, tërë ato që me ligj u përkisnin Levitëve, këngëtarëve, derëtarëve, si edhe ofertat e mbledhura për priftërinjtë.
6 Por gjatë kësaj kohe unë nuk isha në Jeruzalem, sepse në vitin e tridhjetë e dytë të Artakserksit, mbretit të Babilonisë, isha kthyer pranë mbretit. Pas një farë kohe mora leje nga mbreti
7 dhe u ktheva në Jeruzalem; kështu pashë të keqen që Eliashibi kishte bërë për të favorizuar Tobiahun, duke përgatitur për të një dhomë në oborret e shtëpisë së Perëndisë.
8 Më erdhi shumë keq për këtë gjë dhe kështu hodha jashtë dhomës tërë orenditë shtëpiake që i përkisnin Tobiahut;
9 pastaj urdhërova që të pastroheshin ato dhoma dhe të rivendoseshin përdorëset e shtëpisë së Perëndisë, ofertat dhe temjani.
10 Pastaj mësova gjithashtu që racionet që u detyroheshin Levitëve nuk u ishin dhënë atyre dhe që Levitët dhe këngëtarët, që kryenin shërbimin, kishin ikur secili në tokën e vet.
11 Atëherë qortova gjyqtarët dhe u thashë atyre: "Pse shtëpia e Perëndisë është braktisur?". Pastaj i mblodha dhe i vura përsëri në funksonet e tyre.
12 Tërë Juda solli pastaj në magazinat të dhjetat e grurit, të mushtit dhe të vajit.
13 Mbikëqyrjen e magazinave ia besova priftit Shelemiah, shkruesit Tsadok dhe Pedajahut, një nga Levitët; si ndihmësa të tyre, zgjodha Hananin, birin e Zakurit, bir i Mataniahut, sepse këta konsideroheshin si njerëz besnikë. Atyre u takonte detyra të bënin ndarjet midis vëllezërve të tyre.
14 Për këtë më kujto mua, o Perëndia im, dhe mos i fshij veprat e mira që kam bërë për shtëpinë e Perëndisë tim dhe për ruajtjen e saj.
15 Në ato ditë vura re në Judë disa që shtrydhnin rrushin ditën e shtunë dhe mbartnin thasë gruri, duke i ngakuar mbi gomarët, bashkë me verën, rrushin, fiqtë dhe gjithfarë ngarkesash të tjera që sillnin në Jeruzalem ditën e shtunë; dhe unë i qortova për shkak të ditës në të cilën shisnin sendet ushqimore.
16 Përveç kësaj disa jerëz të Tiros, që banonin në Jeruzalem, importonin peshk dhe lloj-lloj mallrash dhe ua shisnin bijve të Judës ditën e shtunë dhe në Jeruzalem.
17 Atëherë qortova parinë e Judës dhe i thashë: "Ç’është kjo e keqe që kryeni duke përdhosur ditën e shtunë?
18 A nuk vepruan njëlloj etërit tonë? A nuk bëri Perëndia ynë të pllakosë mbi ne dhe mbi qytetin tonë tërë kjo fatkeqësi? Por ju po sillni një zemërim më të madh mbi Izraelin, duke përdhosur të shtunën!".
19 Kështu, sapo portat e Jeruzalemit filluan të jenë në terr, para se të fillonte e shtuna, unë urdhërova që portat të ishin mbyllur dhe të mos hapeshin deri pas së shtunës; vendosa madje disa shërbëtorë të mi te portat, me qëllim që asnjë ngarkesë të mos hynte në qytet gjatë ditës së shtunë.
20 Por tregëtarët dhe shitësit e çdo lloj malli e kaluan natën jashtë Jeruzalemit një ose dy herë.
21 Atëherë unë i qortova dhe u thashë: "Pse e kaloni natën para mureve? Po ta bëni një herë tjetër, do të veproj kundër jush". Qysh prej atij çasti ata nuk erdhën më ditën e shtunë.
22 Urdhërova gjithashtu Levitët që të pastroheshin dhe të vinin të ruanin portat për të shenjtëruar ditën e shtunë. Edhe për këtë më kujto mua, o Perëndia im, dhe ki mëshirë për mua sipas madhësisë së dhembshurisë sate!
23 Në ato ditë pashë gjithashtu disa Judej që ishin martuar me gra të Ashdodit, të Amonit dhe të Moabit,
24 gjysma e bijve të tyre fliste gjuhën e Ashdodit dhe nuk dinte të fliste gjuhën judaike, por fliste vetëm gjuhën e këtij apo atij populli.
25 Atëherë unë i qortova, i mallkova, rraha disa prej tyre, iu shkula flokët; pastaj i vura që te betohen në emër të Perëndisë se nuk do t’ia jepnin bijat e veta bijve të atyre dhe nuk do të merrnin bijat e tyre për bijtë e vet, as për vete.
26 Dhe thashë: "A nuk mëkatoi, vallë, Salomoni, mbret i Izraelit, për këto gjëra? Megjithatë midis kaq kombeve nuk pati një mbret si ai; e donte Perëndia i tij, dhe Perëndia e kishte vendosur mbret mbi tërë Izraelin; por gratë e huaja e bënë edhe atë të mëkatojë.
27 A duhet, pra, të dëgjojmë për ju se kryeni këtë të keqe të madhe, se mëkatoni kundër Perëndisë tonë, duke u martuar me gra të huaja?".
28 Njeri nga bijtë e Joadas, birit të Elishibit, kryeriftit, ishte dhëndër i Sanballatit, Horonitit; unë e përzura larg vetes.
29 Mbaji mend ata, o Perëndia im, sepse kanë ndotur priftërinë dhe besëlidhjen e priftërisë dhe të Levitëve!
30 Kështu unë i pastrova nga çdo person i huaj dhe caktova detyrat e priftërinjve dhe të Levitëve, secili në detyrën e vet.
31 Dhashë gjithashtu dispozita lidhur me ofertën e druve në kohë të caktuara dhe lidhur me prodhimet e para. Më kujto, o Perëndia im, për të më bërë të mira!
23 Pali, duke shikuar nga sinedri, tha: “Vëllezër, deri në këtë unë jam sjellë përpara Perëndisë me ndërgjegje krejt të mirë.”
2 Kryeprifti Anania u dha urdhër atëherë atyre që ishin pranë tij ta godisnin në gojë.
3 Atëherë Pali i tha: “Perëndia do të të godasë ty, o mur i zbardhur. Ti je ulur të më gjykosh sipas ligjit dhe, duke e nëpërkëmbur atë, jep urdhër të më godasin.”
4 Dhe ata që ishin të pranishëm thanë: “E fyen ti kryepriftin e Perëndisë?.”
5 Pali u përgjigj: “Nuk e dija, o vëllezër, se është kryeprift, sepse është shkruar: "Ti nuk do të flasësh keq për princin e popullit tënd".”
6 Pali, pra, duke ditur se një pjesë ishte nga saducenj dhe tjetra nga farisenj, i thirri sinedrit: “Vëllezër, unë jam farise, bir farisenjsh; për shkak të shpresës dhe të ringjalljes të së vdekurve unë po gjykohem.”
7 Sapo tha këtë, lindi një grindje ndërmjet farisenjve dhe saducenjve, dhe kuvendi u përça;
8 sepse saducenjtë thonë se nuk ka ringjallje, as engjëll, as frymë, ndërsa farisenjtë pohojnë edhe njërën dhe tjetrën.
9 Atëherë u bë një zhurmë e madhe. Skribët e palës së farisenjve u çuan në këmbë dhe protestonin duke thënë: “Ne nuk gjejmë asgjë të keqe te ky njeri; dhe nëse i ka folur një frymë ose një engjëll të mos luftojmë kundër Perëndisë.”
10 Dhe duke qenë se grindja po shtohej, tribuni, nga druajtja se mos Pali bëhej copa-copa prej tyre, u dha urdhër ushtarëve të zbresin dhe ta heqin nga mesi i tyre, dhe ta çojnë përsëri në fortesë.
11 Një natë më pas, Zoti iu shfaq atij dhe tha: “Pal, kurajo, sepse sikurse ke dhënë dëshmi për mua në Jeruzalem, ashtu duhet të dëshmosh edhe në Romë.”
12 Kur zbardhi dita, disa Judenj kurdisën një komplot duke u lidhur me betim që të mos hanë dhe të mos pinë derisa të kenë vrarë Palin.
13 Ata që kishin bërë këtë komplot ishin më tepër se dyzet.
14 Ata u paraqitën para krerëve të priftërinjve dhe para pleqve dhe thanë: “Ne jemi lidhur me betim të mos vëmë gjë në gojë, derisa të vrasim Palin.
15 Ju, pra, me sinedrin, i bëni një kërkesë tribunit që t’jua sjellë nesër, gjoja se doni ta hetoni më thellë çështjen e tij; dhe ne, para se të afrohet, do të jemi gati ta vrasim.”
16 Por djali i motrës së Palit, si e mori vesh kurthin, rendi në fortesë dhe, mbasi hyri, i tregoi Palit.
17 Atëherë Pali thirri një nga centurionët pranë vetes dhe i tha: “Çoje këtë djalë tek kryemijëshi, sepse ka diçka për t’i thënë.”
18 Atëherë ai e mori dhe e çoi tek kryemijëshi dhe tha: “Pali, i burgosuri, më thirri dhe m’u lut të të sjell këtë djalë, sepse ka diçka për të të thënë.”
19 Atëherë kryemijësi e kapi për dore, e mori mënjanë dhe e pyeti: “Çfarë ke për të më thënë?.”
20 Ai tha: “Judenjtë janë marrë vesh që të të kërkojnë që nesër ta nxjerrësh Palin poshtë, në sinedër, se gjoja dashkan ta hetojnë më thellë çështjen e tij.
21 Prandaj ti mos ua vër veshin, sepse më shumë se dyzet burra nga ata kanë ngritur kurth kundër tij, sepse janë zotuar duke u lidhur me betim, të mos hanë e të mos pinë, derisa ta kenë vrarë; dhe tani janë gati dhe presin që ti t’ua lejosh atyre.”
22 Tribuni, pra, e la të shkojë djalin, duke e urdhëruar që të mos i tregojë kurrkujt se e kishte vënë në dijeni për këto gjëra.
23 Pastaj thirri dy centurionë dhe u tha: “Bëni gati që nga ora tre e natës dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind shtizëmbajtës, për të shkuar deri në Cezare.”
24 Dhe u tha të bëjnë gati kuajt që ta hipte Pali dhe ta çonin shëndoshë e mirë te qeveritari Feliks.
25 Ai shkroi një letër me këtë përmbajtje:
26 “Klaud Lisia, qeveritarit shumë të shkëlqyeshëm Feliks, shëndet.
27 Ky njeri ishte kapur nga Judenjtë që ishin gati ta vrisnin, kur ia mbërrita unë me ushtarët dhe e lirova, sepse mora vesh se ishte qytetar romak.
28 Dhe, duke dashur të di fajin për të cilin e akuzonin, e nxora para sinedrit të tyre.
29 Përfundova se e kishin akuzuar për çështje që lidheshin me ligjin e tyre dhe që ai nuk kishte asnjë faj që të meritonte vdekjen e as burgimin.
30 Dhe, kur më njoftuan për kurthin që Judenjtë i ngritën këtij njeriu, ta nisa menjëherë, duke u dhënë urdhër paditësve të parashtrojnë para teje ankimet që kanë kundër tij. Qofsh me shëndet!.”
31 Ushtarët, pra, sipas urdhrit të dhënë, morën në dorëzim Palin dhe e çuan natën në Antipatridë.
32 Të nesërmen, pasi ua lanë si detyrë kalorësve të shkojnë me të, u kthyen në fortesë.
33 Ata, pasi arritën në Cezare dhe ia dorëzuan letrën qeveritarit, i paraqitën edhe Palin.
34 Mbasi e lexoi letrën, qeveritari e pyeti Palin nga ç’krahinë ishte; dhe, kur mori vesh se ishte nga Kilikia,
35 i tha: “Unë do të të dëgjoj kur të mbrrijnë edhe paditësit e tu.” Dhe urdhëroi që ta ruanin në pretoriumin e Herodit.