Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Zanafilla 4

Por Adami njohu Evën, gruan e tij, e cila u ngjiz dhe lindi Kainin, dhe ai tha: "Fitova një burrë nga Zoti".

Pastaj lindi Abeli, vëllai i tij. Dhe Abeli u bë bari kopesh, ndërsa Kaini u bë punonjës i tokës.

Me kalimin e kohës, Kaini i bëri një ofertë frutash të tokës Zotit;

por Abeli i ofroi edhe ai të parëlindurit e kopesë së tij dhe yndyrën e tyre. Dhe Zoti e çmoi Abelin dhe dhuratën e tij,

por nuk çmoi Kainin dhe ofertën e tij. Dhe kështu Kaini u pezmatua shumë dhe fytyra e tij mori një pamje të dëshpëruar.

Atëherë Zoti i tha Kainit: "Pse je pezmatuar dhe pse fytyra jote është dëshpëruar?

Në rast se bën mirë a nuk do të pranohesh? Por në qoftë se bën keq, mëkati po të ruan te porta dhe dëshirat e tij drejtohen ndaj teje; por ti duhet ta sundosh".

Dhe Kaini foli me të vëllanë, Abelin; kur u gjendën në fushë, Kaini u ngrit kundër vëllait të tij Abelit dhe e vrau.

Atëherë Zoti i tha Kainit: "Ku është vëllait yt Abeli?". Ai u përgjegj: Nuk e di; mos jam unë rojtari i vëllait tim??".

10 Zoti i tha: "Çfarë ke bërë? Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka.

11 Dhe ti tani je më i mallkuar se toka që hapi gojën për të marrë gjakun e vëllait tënd nga dora jote.

12 Kur të punosh tokën, ajo nuk do të të japë më prodhimet e saj, dhe ti do të jesh një endacak dhe një ikanak mbi tokë".

13 Atëherë Kaini i tha Zotit; "Ndëshkimi im është tepër i madh aq sa unë nuk mund ta duroj.

14 Ja, ti po më dëbon sot nga faqja e këtij dheu dhe do të fshihem nga fytyra jote; dhe do të bëhem endacak dhe ikanak nëpër botë dhe do të ndodhë që të më vrasë kushdo që do të më gjejë".

15 Dhe Zoti i tha: "Prandaj, kushdo qoftë të vrasë Kainin, do të dënohet shtatë herë". Dhe Zoti vuri një shenjë mbi Kainin, me qëllim që kushdo që ta gjente të mos e vriste.

16 Atëherë Kaini u largua nga prania e Zotit dhe banoi në vendin e quajtur Nod, në lindje të Edenit.

17 Dhe Kaini njohu të shoqen, e cila u ngjiz dhe lindi Enokun. Pastaj Kaini ndërtoi një qytet, të cilit i vuri emrin Enok, emri i të birit.

18 Dhe Enokut i lindi Iradi; Iradit i lindi Mehujaeli; Mehujaelit i lindi Methusaeli dhe Mathusaelit i lindi Lameku.

19 Dhe Lameku mori dy gra: emri i njërës ishte Ada dhe emri i tjetrës Cilah.

20 Dhe Ada lindi Jabalin, që ishte babai i atyre që banojnë nën çadra dhe merren me rritjen e bagëtisë.

21 Por emri i të vëllait ishte Jubal, që ishte babai i gjithë atyre që i binin qestes dhe flautit.

22 Cilah lindi edhe ajo Tubal-kainin, krijuesi i çfarëdo lloji veglash prej bronzi dhe hekuri, dhe motra e Tubal-kainit qe Naama.

23 Pastaj Lameku u tha grave të tij: "Ada dhe Cilah, dëgjoni zërin tim; gra të Lamekut, u vini re fjalëve të mia! Po, unë vrava një njeri sepse më plagosi, dhe një të ri sepse më shkaktoi një irnim.

24 Në rast se do t’i merret hak Kainit shtatë herë, Lamekut do t’i merret hak shtatëdhjetë herë shtatë".

25 Pastaj Adami njohu përsëri gruan e tij, që lindi një djalë dhe e quajti Seth, sepse ajo tha: "Perëndia më dha një tjetër pasardhës në vend të Abelit, që u vra nga Kaini".

26 Edhe Sethit i lindi një djalë, të cilin e quajti Enosh. Atëherë filluan të kërkojnë emrin e Zotit.

Mateu 4

Atëherë Fryma e çoi Jezusin në shkretëtirë, që djalli ta tundonte.

Dhe, mbasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund e mori uria.

Atëherë tunduesi, pasi iu afrua, i tha: “Në qoftë se je Biri i Perëndisë, thuaj që këta gurë të bëhen bukë.”

Por ai, duke iu përgjigjur, tha: “Éshtë shkruar: "Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë".”

Atëherë djalli e çoi në qytetin e shenjtë dhe e vendosi në majë të tempullit

dhe i tha: “Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar: Ai do t’u japë urdhër engjëjve të tij për ty; edhe ata do të mbajnë mbii duart e tyre që të mos ndeshësh me këmbën tënde ndonjë gur".”

Jezusi i tha: “Éshtë shkruar gjithashtu: "Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd".”

Djalli e çoi sërish mbi një mal shumë të lartë dhe i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre,

dhe i tha: “Unë do të t’i jap të gjitha këto, nëse ti bie përmbys para meje dhe më adhuron.”

10 Atëherë Jezusi i tha: “Shporru, Satan, sepse është shkruar: "Adhuro Zotin, Perëndinë tënde, dhe shërbeji vetëm atij".”

11 Atëherë djalli e la; dhe ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin.

12 Jezusi, mbasi dëgjoi se Gjonin e kishin futur në burg, u tërhoq në Galile.

13 Pastaj la Nazaretin dhe shkoi të banojë në Kapernaum, qytet bregdetar, në kufijtë të Zabulonit dhe të Neftalit,

14 që të përmbushej ç’ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia kur tha:

15 “Toka e Zabulonit, toka e Neftalit, mbi bregun e detit, krahina përtej Jordanit, Galileja e paganëve,

16 populli që dergjej në errësirë ka parë një dritë të madhe, dhe përmbi ata që dergjeshin në krahinë dhe në hijen e vdekjes, doli drita.”

17 Që nga ajo kohë Jezusi filloi të predikojë dhe të thotë: “Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!.”

18 Duke ecur gjatë bregut të detit të Galilesë, Jezusi pa dy vëllezër: Simonin, të quajtur Pjetër, dhe Andrean, të vëllanë, të cilët po hidhnin rrjetën në det, sepse ishin peshkatarë;

19 dhe u tha atyre: “Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.”

20 Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.

21 Dhe, duke vazhduar rrugën, pa dy vëllezër të tjerë: Jakobin, birin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, në barkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke ndrequr rrjetat; dhe i thirri.

22 Dhe ata lanë menjëherë barkën dhe atin e tyre dhe i shkuan pas.

23 Jezusi shkonte kudo nëpër Galile, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje dhe çdo lëngatë në popull.

24 Dhe fama e tij u përhap në gjithë Sirinë; dhe i sillnin të gjithë të sëmurët që vuanin nga lëngata dhe dhimbje të ndryshme, të demonizuar, epileptikë dhe paralitikë; dhe ai i shëronte.

25 Dhe një mori e madhe njerëzish i shkonte pas, nga Galileja, nga Dekapoli, nga Jeruzalemi, nga Judeja dhe nga përtej Jordanit.

Esdra 4

Kur armiqtë e Judës dhe të Beniaminit dëgjuan që ata që kishin qenë në robëri po rindërtonin tempullin e Zotit, Perëndisë të Izraelit,

iu afruan Zorobabelit dhe krerëve të shtëpive atërore dhe u thanë atyre: Na lejoni të ndërtojmë bashkë me ju, sepse edhe ne kërkojmë Perëndinë tuaj,, ashtu si ju; i kemi ofruar flijime atij nga koha e Esar-Hadonit, mbretit të Asirisë, që na solli këtu".

Por Zorobabeli, Jeshua dhe krerët e tjerë të shtëpive atërore të Izraelit iu përgjigjën atyre: "Nuk keni asnjë të drejtë të ndërtoni me ne një shtëpi, Perëndisë tonë, por ne vetë do ti ndërtojmë Zotit, Perëndisë së Izraelit, ashtu si na ka urdhëruar mbreti Kir, mbret i Persisë".

Atëherë njerëzit e vendit filluan ta shkurajojnë popullin e Judës dhe ta trëmbin, me qëllim që të mos ndërtonin.

Përveç kësaj rekrutuan disa këshilltarë kundër tyre për të hedhur poshtë qëllimin e tyre, dhe këtë e bënë gjatë gjithë kohës së Kirit, mbretit të Persisë, deri në mbretërimin e Darit, mbretit të Persisë.

Gjatë mbretërimit të Asueros, në fillim të mbretërimit të tij, ata shkruan një letër me akuza kundër banorëve të Judës dhe të Jeruzalemit.

Më vonë, në kohën e Artasersit, Bishlami, Mithredathi, Tabeeli dhe kolegët e tjerë të tyre i shkruan Artasersit, mbretit të Persisë. Letra ishte shkruar me shkronja aramaike dhe ishte përkthyer në gjuhën aramaike.

Rehumi, qeveritari, dhe Shimshai, sekretari, i shkruan mbretit Artasers një letër kundër Jeruzalemit me këtë përmbajtje:

"Rehumi, qeveritari, Shimshai, sekretari, dhe kolegët e tyre të tjerë, Dinaitët, Afarsathkitët, Tarpelitët, Afaresitët, Arkevitët, Babilonasit, Shushankitët, Dehavitët, Elamitët,

10 dhe popujt e tjerë që i madhi dhe i famshmi Osnapar ka internuar dhe ka vendosur në qytetin e Samarisë dhe në pjesën tjetër të krahinës matanë Lumit, e të tjera".

11 Ja kopja e letrës që ata i dërguan: "Mbretit Artasers, nga shërbëtorët e tu, njerëzit e krahinës matanë Lumit, e të tjera.

12 T’i njoftohet mbretit që Judejtë, që ikën nga ti dhe kanë ardhur pranë nesh në Jeruzalem, janë duke rindërtuar qytetin rebel të keq, po rindërtojnë muret dhe po ndreqin themelet.

13 Tani t’i bëhet e njohur mbretit që në rast se ky qytet rindërtohet dhe muret e tij përfundohen, ata nuk do të paguajnë asnjë haraç, tatim ose taksë për kalim, dhe thesari i mbretit do të ketë pasoja.

14 Tani, duke qenë se ne marrim ushqime nga pallati dhe nuk na duket e drejtë të shohim çnderimin e mbretit, prandaj i dërgojmë këtë njoftim mbretit,

15 me qëllim që të bëhen kërkime në librin e kujtimeve të etërve të tu; dhe në librin e kujtimeve do të gjesh dhe do të mësosh që ky qytet është një qytet rebel, shumë i rrezikshëm për mbretërit dhe për provincat, dhe se aty nxiten rebelime që nga kohët e lashta. Për këtë arësye qyteti u shkatërrua.

16 Ne i bëjmë të ditur mbretit, që në qoftë se ky qytet rindërtohet dhe muret e tij përfundohen, nuk do të mbetet asnjë zotërim në krahinën matanë Lumit".

17 Mbreti dërgoi këtë përgjigje: "Rehumit, qeveritarit, Shimshait, sekretarit, dhe pjesës tjetër të kolegëve të tyre që banonin në Samaria dhe pjesës tjetër të krahinës matanë Lumit: Përshëndetje, e të tjera.

18 Letra që na dërguat u lexua me kujdes përpara meje.

19 Unë dhashë urdhër të bëhen kërkime, dhe u gjet që ky qytet qysh prej kohësh të lashta është ngritur kundër mbretërve dhe që në të kanë ndodhur rebelime dhe kryengritje.

20 Në Jeruzalem ka pasur mbretër të fuqishëm që kanë sunduar mbi gjithë vendin matanë Lumit, dhe të cilëve u paguheshin haraçe, tatime dhe taksa kalimi.

21 Prandaj jepni urdhër që këta njerëz të pezullojnë punimet dhe ky qytet të mos rindërtohet deri sa të jetë dhënë nga unë urdhëri përkatës.

22 Tregohuni të kujdesshëm tani dhe mos e lini pas dore këtë punë. Pse, pra, dëmi duhet të shtohet në kurriz të mbretit?".

23 Sapo kopja e letrës së mbretit Artasers u lexua përpara Rehumit, Shimshait, sekretarit, dhe kolegëve të tyre, ata shkuan me nxitim në Jeruzalem tek Judejtë dhe i detyruan të pezullojnë punimet me forcën e armëve.

24 Kështu u pezullua puna e shtëpisë së Perëndisë që është në Jeruzalem, dhe mbeti pezull deri në vitin e dytë të mbretërimit të Darius, mbretit të Persisë.

Veprat e Apostujve 4

Ndërsa ata po i flisnin popullit, priftërinjtë, komandanti i tempullit dhe saducenjtë u turrën mbi ta,

të zemëruar sepse e mësonin popullin dhe shpallnin në Jezusin ringjalljen e të vdekurve.

Dhe i shtinë në dorë dhe i futën në burg deri të nesërmen, sepse ishte ngrysur.

Por shumë nga ata që ua kishin dëgjuar fjalën besuan; dhe numri i burrave u bë rreth pesë mijë.

Të nesërmen krerët, pleqtë dhe skribët u mblodhën në Jeruzalem,

bashkë me kryepriftin Anan dhe me Kajafën, Gjonin, Aleksandrin dhe të gjithë ata që i përkisnin farefisit të kryepriftërinjve.

Dhe, si i nxorën aty në mes, i pyetën: “Me ç’pushtet ose në emër të kujt e keni bërë këtë?.”

Atëherë Pjetri, i mbushur me Frymën e Shenjtë, u tha atyre: “Krerë të popullit dhe pleq të Izraelit!

Nëse ne sot gjykohemi për një mirësi që iu bë një njeriu të sëmurë, për të ditur si u shërua ai,

10 le ta njihni të gjithë ju dhe mbarë populli i Izraelit se kjo u bë në emër të Jezu Krishtit Nazareas, që ju e kryqëzuat dhe që Perëndia e ringjalli prej së vdekuri; me anë të tij ky njeri del para jush i shëruar plotësisht.

11 Ky është guri që ju, ndërtuesit, e hodhët poshtë dhe që u bë guri i qoshes.

12 Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi.”

13 Ata, kur e panë çiltërsinë e Pjetrit dhe të Gjonit dhe duke kuptuar se ishin njerëz të pamësuar dhe pa arsim, u mrrekulluan dhe i njihnin se kishin qenë me Jezusin.

14 Duke parë pastaj në këmbë pranë tyre, njeriun që u shërua, nuk mund të thoshnin asgjë kundër.

15 Dhe, mbasi i urdhëruan të dalin jashtë sinedrit, u konsultuan me njëri tjetrin,

16 duke thënë: “Ç’t’u bëjmë këtyre njerëzve? Sepse u është njohur të gjithë banorëve të Jeruzalemit se është bërë një mrekulli e dukshme prej tyre, dhe ne nuk mund ta mohojmë;

17 por, që kjo të mos përhapet më shumë në popull, t’i shtrëngojmë me kërcënime të rrepta të mos i flasin më asnjeriu në këtë emër.”

18 Dhe, si i thirrën, u dhanë urdhër atyre të mos flasin fare dhe as të mësojnë në emër të Jezusit.

19 Por Pjetri dhe Gjoni, duke iu përgjigjur atyre, thanë: “Gjykoni ju, nëse është e drejtë para Perëndisë t’ju bindemi më shumë juve sesa Perëndisë.

20 Sepse ne nuk mund të mos flasim për ato që kemi parë dhe dëgjuar.”

21 Ata pasi i kërcënuan përsëri, i lanë të shkojnë duke mos gjetur mënyrë se si t’i ndëshkojnë për shkak të popullit, sepse të gjithë përlëvdonin Perëndinë për atë që kishte ndodhur.

22 Sepse njeriu në të cilin kishte ndodhur ajo mrekulli e shërimit ishte më shumë se dyzet vjeç.

23 Kur u liruan, ata u kthyen tek të vetët dhe u treguan gjithçka që krerët e priftërinjve dhe pleqtë u kishin thënë.

24 Kur i dëgjuan këto, ata unanimisht e ngritën zërin te Perëndia dhe thanë: “O Zot, ti je Perëndia që ke bërë qiellin, tokën, detin dhe gjithçka që është në ta,

25 dhe që me anë të Frymës së Shenjtë ke thënë, nëpërmjet gojës së Davidit, shërbëtorit tënd: "Përse u zemëruan kombet, dhe popujt kurdisin gjëra të kota?

26 Mbretërit e dheut ngritën krye dhe princat u mblodhën bashkë kundër Zotit dhe kundër Krishtit të tij".

27 Sepse pikërisht kundër Birit tënd të shenjtë, që ti e vajose, u mblodhën Herodi dhe Ponc Pilati me johebrenjtë dhe me popullin e Izraelit,

28 për të bërë të gjitha ato që dora jote dhe këshilli yt kishin paracaktuar se do të ndodhnin.

29 Dhe tani, Zot, shqyrto kërcënimet e tyre dhe lejo që shërbëtorët e tu të kumtojnë fjalën tënde me plot çiltërsi,

30 duke e shtrirë dorën tënde për të shëruar dhe që të kryhen shenja dhe mrekulli në emër të Birit tënd të shenjtë Jezusit.”

31 Dhe, mbasi qenë lutur, vendi ku ishin mbledhur u drodh; dhe të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë, dhe e shpallnin fjalën e Perëndisë me çiltersi.

32 Dhe numri i madh i atyre që besuan ishte me një zemër të vetme dhe me një shpirt të vetëm; askush nuk thoshte se ç’kishte ishte e vet, por të gjitha gjërat i kishin të përbashkëta.

33 Dhe apostujt me fuqi të madhe jepnin dëshmi të ringjalljes së Zotit Jezus; dhe hir i madh ishte mbi të gjithë ata.

34 Sepse midis tyre nuk kishte asnjë nevojtar, sepse të gjithë ata që zotëronin ara ose shtëpi i shisnin dhe sillnin fitimin nga gjërat e shitura,

35 dhe i vinin te këmbët e apostujve; pastaj secilit i jepej, sipas nevojës së tij.

36 Kështu Iose, i mbiquajtur nga apostujt Barnaba (që do të thotë "biri i ngushëllimit"), Levit, me prejardhje nga Qipro,

37 kishte një arë, e shiti dhe solli fitimin dhe i vuri te këmbët e apostujve.