M’Cheyne Bible Reading Plan
13 Abrami, pra, u rikthye nga Egjipti në drejtim të Negevit bashkë me gruan dhe gjithçka zotëronte. Dhe Loti ishte bashkë me të.
2 Abrami ishte shumë i pasur me bagëti, argjend dhe ar.
3 Nga Negevi ai vazhdoi udhëtimin e tij deri në Bethel, në vendin ku më parë ndodhej çadra e tij, midis Bethelit dhe Ait,
4 në vendin e altarit që kishte ndërtuar në krye, dhe aty Abrami i bëri thirrje emrit të Zotit.
5 Edhe Loti, që udhëtonte bashkë me Abramin, kishte kope bagëtish dhe çadra.
6 Dhe vendi nuk ishte në gjendje t’i mbante, po të banonin bashkë, sepse pasuritë e tyre ishin aq të mëdha sa nuk mund të qëndronin bashkë.
7 Lindi kështu një mosmarrëveshje midis barinjve të bagëtisë së Abramit dhe barinjve të bagëtisë së Lotit. Në atë kohë banonin në këtë vend Kananejtë dhe Perezejtë.
8 Dhe kështu Abrami i tha Lotit: "Nuk duhet të ketë mosmarrëveshje midis teje dhe meje, as midis barinjve të mi dhe barinjve të tu, sepse jemi vëllezër.
9 A nuk është vallë tërë vendi para teje? Ndahu nga unë! Në rast se ti shkon majtas, unë kam për të vajtur djathtas; dhe në qoftë se ti shkon djathtas, unë kam për të vajtur majtas".
10 Atëherë Loti ngriti sytë dhe pa tërë fushën e Jordanit. Para se Zoti të kishte shkatërruar Sodomën dhe Gomorën, ajo ishte e tëra e ujitur deri në Coar, si kopshti i Zotit, si vendi i Egjiptit.
11 Kështu Loti zgjodhi për vete tërë fushën e Jordanit dhe filloi t’izhvendosë drejt lindjes çadrat e veta: Kështu u ndanë njëri nga tjetri.
12 Abrami banoi në vendin e Kanaanit dhe Loti në qytetet e fushës, duke arritur të ngrejë çadrat e tij deri në Sodomë.
13 Por njerëzit e Sodomës ishin shumë të korruptuar dhe mëkatarë ndaj Zotit.
14 Dhe Zoti i tha Abramit, mbas ndarjes së Lotit prej tij: "Ço tani sytë e tu dhe shiko nga vendi ku je drejt veriut e jugut; drejt lindjes dhe perëndimit.
15 Tërë vendin që sheh, unë do të ta jap ty dhe pasardhësve të tu, për gjithnjë.
16 Dhe do t’i bëj pasardhësit e tu si pluhurin e tokës; prandaj në se dikush mund të llogarisë pluhurin e tokës, do të mund të llogarisë edhe pasardhësit e tu.
17 Çohu në këmbë, bjeri rreth e qark vendit, sepse unë do të ta jap ty".
18 Atëherë Abrami i ngriti çadrat e tij dhe vajti të banojë në liset e Mamres, që ndodhen në Hebron; dhe aty ndërtoi një altar kushtuar Zotit.
12 Në atë kohë Jezusi po ecte një të shtunë nëpër arat me grurë; dhe dishepujt e vet, të uritur, filluan të këpusin kallinj dhe t’i hanë.
2 Por farisenjtë, kur panë këtë, i thanë: “Ja, dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën.”
3 Dhe ai u tha atyre: “A nuk keni lexuar vallë se ç’bëri Davidi kur pati uri, ai dhe ata që qenë me të?
4 Si ai hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohej t’i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë?
5 Apo nuk keni lexuar në ligj që në tempull, të shtunave, priftërinjtë e shkelin të shtunën dhe megjithatë nuk mëkatojnë?
6 Dhe unë po ju them se këtu është një më i madh se tempulli.
7 Dhe, po të dinit se çfarë do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime," nuk do të kishit dënuar të pafajshmit.
8 Sepse Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës.”
9 Pastaj, mbasi u largua që andej, hyri në sinagogën e tyre;
10 dhe ja, aty ishte një burrë të cilit i qe tharë dora. Ata e pyetën Jezusin, me qëllim që ta padisin më pas: “A është e lejueshme që dikush të shërojë ditën e shtunë?.”
11 Dhe ai u tha atyre: “A ka ndonjë prej jush që ka një dele, dhe ajo bie në një gropë ditën e shtunë, dhe e ai nuk shkon ta nxjerrë jashtë?
12 E, pra, sa më i vlefshëm është njeriu se delja! A është, pra, e lejueshme të bësh të mirën të shtunën?.”
13 Atëherë ai i tha atij burri: “Shtrije dorën tënde!.” Dhe ai e shtriu dhe ajo iu shëndosh si tjetra.
14 Por farisenjtë, mbasi dolën jashtë, bënin këshill kundër tij si ta vrasin.
15 Por kur Jezusi e mori vesh u largua prej andej dhe turma të mëdha e ndiqnin dhe ai i shëroi të gjithë,
16 dhe i urdhëroi ata rreptësisht të mos thonin kush ishte ai,
17 me qëllim që të përmbushej ç’ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia që thotë:
18 “Ja shërbëtori im, që unë e zgjodha; i dashuri im, në të cilin shpirti im është i kënaqur. Unë do ta vë Frymën tim mbi të dhe ai do t’u shpall drejtësinë popujve.
19 Ai nuk do të zihet dhe as nuk do të bërtasë dhe askush nuk do t’ia dëgjojë zërin e tij nëpër sheshe.
20 Ai nuk do ta thërmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym, deri sa të mos e ketë bërë të triumfojë drejtësinë.
21 Dhe njerëzit do të shpresojnë në emrin e tij.”
22 Atëherë i paraqitën një të idemonizuar, që ishte i verbër dhe memec; dhe ai e shëroi, kështu që i verbëri e memeci fliste dhe shikonte.
23 Dhe mbarë turmat çuditeshin dhe thonin: “A mos është ky i Biri i Davidit?.”
24 Por farisenjtë, kur e dëgjuan këtë, thanë: “Ky i dëbon demonët vetëm me fuqinë e Beelzebubit, princit të demonëve.”
25 Dhe Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, u tha: “Çdo mbretëri, që përçahet në vetvete, shkon drejt shkatërrimit; dhe çdo qytet ose shtëpi, që përçahet në vetvete, nuk shkon gjatë.
26 Atëherë, në qoftë se Satani dëbon Satanë, ai është përçarë në vetvete, dhe si mund të qëndrojë mbretëria e tij?
27 Dhe në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebubit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.
28 Por, në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj.
29 Ose, si mund të hyjë dikush në shtëpinë e të fuqishmit dhe t’i grabisë pasurinë, po të mos e ketë lidhur më parë të fuqishmin? Vetëm atëherë ai do të mund t’ia plaçkisë shtëpinë.
30 Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh.
31 Prandaj unë po ju them: Çdo mëkat dhe blasfemi do t’u falet njerëzve; por blasfemia kundër Frymës nuk do t’u falet atyre.
32 Dhe kushdo që flet kundër Birit të njeriut do të falet; por ai që flet kundër Frymës së Shenjtë nuk do të falet as në këtë botë as në atë të ardhme.”
33 “Ose bëjeni të mirë pemën dhe fryti i saj do të jetë i mirë, ose bëjeni të keqe pemën dhe fryti i saj do të jetë i keq; sepse pema njihet nga fryti.
34 O pjellë nepërkash! Si mund të flisni mirë, kur jeni të këqij? Sepse ç’ka zemra qet goja.
35 Njeriu i mirë nga thesari i mirë i zemrës nxjerr gjëra të mira; por njeriu i keq nxjerr gjëra të këqija nga thesari i tij i keq.
36 Por unë po ju them se ditën e gjyqit njërëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që kanë thënë.
37 Sepse në bazë të fjalëve të tua do të justifikohesh, dhe në bazë të fjalëve të tua do të dënohesh.”
38 Atëherë disa skribë dhe farisenj e pyetën duke thënë: “Mësues, ne duam të shohim ndonjë shenjë prej teje.”
39 Por ai duke iu përgjigjur u tha atyre: “Ky brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por asnjë shenjë nuk do t’i jepet, përveç shenjës së profetit Jona.
40 Në fakt ashtu si Jona qëndroi tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu Biri i njeriut do të qëndrojë tri ditë e tri net në zemër të tokës.
41 Banorët e Ninivit do të ringjallen në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan me predikimin e Jonas; dhe ja, këtu është një më i madh se Jona.
42 Mbretëresha e jugut do të ringjallet në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji më i largët i tokës për të dëgjuar diturinë e Salomonit; dhe ja, këtu është një më i madh se Salomoni.
43 Tani kur fryma e ndyrë ka dalë nga një njeri, endet nëpër vende të thata, duke kërkuar qetësi, por nuk e gjen.
44 Atëherë thotë: "Do të kthehem në shtëpinë time, nga kam dalë"; po kur arrin e gjen të zbrazët, të pastruar dhe të zbukuruar;
45 atëherë shkon e merr me vete shtatë frymëra të tjera më të liga se ai, të cilët hyjnë dhe banojnë aty; kështu gjendja e fundit e këtij njeriut bëhet më e keqe nga e mëparshmja. Kështu do t’i ndodhë edhe këtij brezi të mbrapshtë.”
46 Ndërsa ai vazhdonte t’u fliste turmave, ja nëna e tij dhe vëllezërit e tij po rrinin jashtë dhe kërkonin të flisnin me të.
47 Dhe dikush i tha: “Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të flasin me ty.”
48 Por ai duke iu përgjigjur, i tha atij që e kishte lajmëruar: “Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?.”
49 E shtriu dorën e vet drejt dishepujve të vet dhe tha: “Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.
50 Sepse kushdo që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej, më është vëlla, motër dhe nënë.”
2 Në muajin e Nisanit, vitin e njëzetë të mbretit Artakserks, sapo e sollën verën para tij, unë e mora verën dhe ia zgjata atij. Unë nuk kisha qenë i trishtuar kurrë në prani të tij.
2 Prandaj mbreti më tha: "Pse ke pamje të trishtuar, ndonëse nuk je i sëmurë? Kjo nuk mund të jetë veçse një trishtim i zemrës". Atëherë më zuri një frikë shumë e madhe,
3 dhe i thashë mbretit: "Rroftë mbreti përjetë! Si mund të mos jetë fytyra ime e trishtuar kur qyteti ku janë varrosur etërit e mi është shkatërruar dhe portat e tij janë konsumuar nga zjarri?".
4 Mbreti më tha: "Çfarë kërkon?". Atëherë unë iu luta Perëndisë të qiellit
5 dhe pastaj iu përgjigja mbretit: "Në qoftë se kjo i pëlqen mbretit dhe shërbëtori yt ka gjetur mirëdashje në sytë e tu, më lejo të shkoj në Judë, në qytetin e varreve të etërve të mi, që ta rindërtoj atë".
6 Mbreti më tha (mbretëresha i rrinte ulur në krah): "Sa do të zgjasë udhëtimi dhe kur do të kthehesh?". Kështu i pëlqeu mbretit të më lërë të shkoj dhe unë i tregova një afat kohe.
7 Pastaj i thashë mbretit: "Në rast se kështu i pëlqen mbretit, të më jepen letra për qeveritarët e krahinës matanë Lumit që të më japin lejen e kalimit deri sa të arrijë në Judë,
8 dhe një letër për Asafin, mbikëqyrësin e pyllit të mbretit, që të më japë lëndën e drurit për të ndërtuar portat e qytezës së bashkuar me tempullin, për muret e qytetit dhe për shtëpinë në të cilën do të shkoj të banoj". Mbreti më dha letrat, sepse dora mirëdashëse e Perëndisë tim ishte mbi mua.
9 Arrita kështu te qeveritarët e krahinës matanë Lumit dhe u dhashë atyre letrat e mbretit. Me mua mbreti kishte dërguar një trup përcjellës të përbërë nga komandantë të ushtrisë dhe nga kalorës.
10 Por kur Sanballati, Horoniti dhe Tobiahu, shërbëtori i Amonit, e mësuan këtë gjë, u shqetësuan shumë, sepse kishte ardhur një burrë që kërkonte të mirën e bijve të Izraelit.
11 Kështu arrita në Jeruzalem dhe qëndrova atje tri ditë.
12 Pastaj u ngrita natën me pak burra të tjerë, por nuk i thashë gjë asnjeriut nga ato që Perëndia im më kishte vënë në zemër të bëja për Jeruzalemin. Nuk kisha me vete asnjë kafshë tjetër, barre, veç asaj së cilës i kisha hipur.
13 Dola natën nga porta e Luginës, në drejtim të burimit të Dragoit dhe të portës së Plehut, duke kontrolluar kështu muret e Jeruzalemit që ishin plot me të çara dhe portat e tij të konsumuara nga zjarri.
14 Vazhdova pastaj me portën e Burimit dhe pishinën e Mbretit, por nuk kishte vend nga të kalonte kafsha mbi të cilën kisha hipur.
15 Atëherë iu ngjita natën luginës, duke inspektuar gjithnjë muret; më në fund u ktheva prapa, duke hyrë nga porta e Luginës, dhe kështu u ktheva.
16 Zyrtarët nuk dinin se ku kisha shkuar dhe as me se isha marrë. Deri në atë çast nuk u kisha thënë asgjë Judejve, priftërinjve, parisë, zyrtarëve dhe as atyre që merreshin me punimet.
17 Atëherë u thashë atyre: "Ju e shikoni gjendjen e mjeruar në të cilat ndodhemi: Jeruzalemi është shkatërruar dhe portat e tij janë konsumuar nga zjarri! Ejani, t’i rindërtojmë muret e Jeruzalemit, dhe kështu nuk do të jemi më të turpëruar!".
18 U tregova pastaj atyre si dora bamirëse e Perëndisë tim kishte qenë mbi mua si dhe fjalët që mbreti më kishte thënë. Atëherë ata thanë: "Të ngrihemi dhe t’i vihemi ndërtimit!". Kështu morën kurajo për t’i forcuar duart e tyre për këtë punë të rëndësishme.
19 Por kur Sanbalati, Horoniti dhe Tobiahu, shërbëtori Amonit, dhe Geshemi, Arabi, e mësuan këtë gjë, filluan të tallen dhe të na përbuzin, duke thënë: Çfarë po bëni? Mos doni, vallë, të ngrini krye kundër mbretit??".
20 Atëherë unë u përgjigja dhe u thashë atyre: "Do të jetë vetë Perëndia i qiellit që do të na sigurojë suksesin. Ne, shërbëtorët e tij, do të fillojmë ndërtimin, por për ju nuk do të ketë as pjesë, as të drejtë, as kujtim në Jeruzalem".
12 Dhe në atë kohë mbreti Herod filloi të përndjekë disa nga kisha.
2 Dhe e vrau me shpatë Jakobin, vëllain e Gjonit.
3 Dhe, duke parë se kjo u pëlqente Judenjve, urdhëroi të arrestohet edhe Pjetri (ishin ditët e të Ndormëve).
4 Mbasi e arrestoi, e futi në burg dhe ua besoi ruajtjen e tij katër skuadrave, me nga katër ushtarë secila, duke menduar ta nxjerrë para popullit mbas Pashkës.
5 Por, ndërsa Pjetrin e ruanin në burg, nga ana e kishës bënin lutje të vazhdueshme te Perëndia për të.
6 Dhe natën, para se ta nxirrte Herodi përpara popullit, Pjetri po flinte në mes dy ushtarëve, i lidhur me dy zinxhirë; dhe rojet para portës ruanin burgun.
7 Dhe ja, një engjëll i Zotit u duk dhe një dritë e ndriçoi qelinë; dhe ai i ra Pjetrit në ijë, e zgjoi duke thënë: “Çohu shpejt!.” Dhe zinxhirët i ranë nga duart.
8 Pastaj engjëlli i tha: “Ngjishu dhe lidhi sandalet!.” Dhe ai bëri kështu. Pastaj i tha: “Mbështillu me mantelin dhe ndiqmë!.”
9 Dhe Pjetri, mbasi doli, e ndiqte pa e kuptuar se ç’po i ndodhte me anë të engjëllit ishte e vërtetë; sepse ai pandehte se kishte një vegim.
10 Dhe, si kaluan vendrojën e parë dhe të dytë, arritën te dera e hekurt që të çonte në qytet, dhe ajo u hap përpara tyre vetvetiu; dhe, mbasi dolën, përshkuan një rrugë dhe papritmas engjëlli e la atë.
11 Kur Pjetri erdhi në vete, tha: “Tani me të vërtetë po e di se Zoti ka dërguar engjëllin e vet dhe më liroi nga duart e Herodit duke e bërë të kotë gjithë atë që priste populli i Judenjve.”
12 Kur e kuptoi situatën, ai u nis për në shtëpinë e Marisë, nënës së Gjonit, të mbiquajtur Mark, ku shumë vëllezër ishin mbledhur dhe po luteshin.
13 Sapo Pjetri i ra derës së hyrjes, një shërbëtore që quhej Rode u afrua me kujdes për të dëgjuar.
14 Dhe, kur njohu zërin e Pjetrit, nga gëzimi nuk e hapi derën, por rendi brenda dhe njoftoi se Pjetri ndodhej para derës.
15 Por ata i thanë: “Ti flet përçart.” Por ajo pohonte se ashtu ishte. Dhe ata thoshnin: “Éshtë engjëlli i tij!.”
16 Ndërkaq Pjetri vazhdonte të trokiste. Ata, kur e hapën, e panë atë dhe u mahnitën.
17 Por ai u bëri shenjë me dorë të heshtnin dhe u tregoi se si Zoti e kishte nxjerrë nga burgu. Pastaj tha: “Ua tregoni këto Jakobit dhe vëllezërve!.” Pastaj doli dhe shkoi në një vend tjetër.
18 Kur zbardhi dita, u bë një pështjellim i madh në mes të ushtarëve, sepse nuk dinin ç’kishte ndodhur me Pjetrin.
19 Dhe Herodi nisi ta kërkojë, por nuk e gjeti, dhe, mbasi i mori në pyetje rojet, urdhëroi që të vriten. Pastaj zbriti nga Judeja në Cezare dhe atje qëndroi për pak kohë.
20 Por Herodi ishte i zemëruar kundër tirasve dhe sidonasve; por ata, si u morën vesh midis tyre, u paraqitën para tij dhe, mbasi ia mbushën mendjen Blastit, kamarierit të mbretit, kërkuan paqe, sepse vendi i tyre furnizohej me ushqime nga vendi i mbretit.
21 Ditën e caktuar Herodi, i veshur me mantelin mbretëror dhe i ulur mbi fron, u mbajti një fjalim.
22 Populli e brohoriste, duke thënë: “Zë e Perëndisë dhe jo e njeriut!.”
23 Në atë çast një engjëll i Zotit e goditi, sepse nuk i kishte dhënë lavdi Perëndisë; dhe, i brejtur nga krimbat, vdiq.
24 Ndërkaq fjala e Perëndisë rritej dhe përhapej.
25 Dhe Barnaba dhe Sauli, mbasi e përfunduan misionin e tyre, u kthyen nga Jeruzalemi në Antioki duke e marrë me vete Gjonin, të mbiquajtur Mark.