M’Cheyne Bible Reading Plan
16 Por Saraj, gruaja e Abramit, nuk i kishte dhënë asnjë fëmijë. Ajo kishte një shërbyese egjiptase që quhej Agar.
2 Kështu Saraj i tha Abramit: "Ja, Zoti më ka ndaluar të kem fëmijë; oh, futu te shërbysja ime, ndofta mund të kem fëmijë prej saj". Dhe Abrami dëgjoi zërin e Sarajt.
3 Kështu pra Saraj, gruaja e Abramit, mbasi ky i fundit kishte banuar dhjetë vjet në vendin e Kanaanëve, mori shërbyesen e saj Agarin, egjiptasen, dhe ia dha për grua burrit të saj Abramit.
4 Dhe ai u fut tek Agari, që mbeti me barrë; por kur u bind se kishte mbetur me barrë, ajo e shikoi me përbuzje zonjën e saj.
5 Atëherë Saraj i tha Abramit: "Përgjegjësia për fyerjen që m’u bë le të bjerë mbi ty. Kam qënë unë që të hodha në krahët e shërbyeses sime; por që kur e mori vesh që është me barrë, ajo më shikon me përbuzje. Zoti le të jetë gjykatës midis meje dhe teje".
6 Abrami iu përgjegj Sarajt: "Ja, shërbyesja jote është në dorën tënde; bëj me të ç’të duash". Atëherë Saraj e trajtoi në mënyrë të ashpër dhe ajo iku nga prania e saj.
7 Por Engjëlli i Zotit e gjeti pranë një burimi uji në shkretëtirë, pranë burimit në rrugën e Shurit,
8 dhe i tha: "Agar, shërbyesja e Sarajt, nga vjen dhe ku po shkon?" Ajo u përgjigj: "Po iki nga prania e zonjës sime Saraj".
9 Atëherë Engjëlli i Zotit i tha: "Kthehu tek zonja jote dhe nënshtroju autoritetit të saj".
10 Pastaj Engjëlli i Zotit shtoi: "Unë do t’i shumëzoj fort pasardhësit e tu aq sa të mos mund të llogariten për shkak të numrit të tyre të madh".
11 Engjëlli i Zotit i tha akoma: "Ja, ti je me barrë dhe do të lindësh një djalë dhe do ta quash Ismael, sepse Zoti mori parasysh hidhërimin tënd;
12 ai do të jetë ndërmjet njerëzve si një gomar i egër; dora e tij do të jetë kundër të gjithëve dhe dora e të gjithëve kundër tij; dhe do të banojë në prani të të gjithë vëllezërve të tij".
13 Atëherë Agari thirri emrin e Zotit që i kishte folur: "Ti je El-Roi," sepse tha: "A e pashë me të vërtetë atë që më shikon?".
14 Prandaj ai pus u quajt "Pusi i Lahai-Roit". Ja, ai ndodhet midis Kadeshit dhe Beredit.
15 Kështu Agari i lindi një djalë Abramit; dhe Abrami i vuri djalit që Agari kishte lindur emrin Ismael.
16 Abrami ishte tetëdhjetë e gjashtë vjeç, kur Agari lindi Ismaelin për Abramin.
15 Atëherë skribët dhe farisenjtë e Jeruzalemit erdhën te Jezusi dhe i thanë:
2 “Përse dishepujt e tu shkelin traditën e pleqve? Sepse nuk i lajnë duart para se të hanë.”
3 Por ai u përgjigj dhe u tha atyre: “Dhe ju përse shkelni urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj?
4 Perëndia, në fakt, ka urdhëruar kështu: "Ndero atin dhe nënën"; dhe: "Ai që e mallkon të atin ose të ëmën të dënohet me vdekje".
5 Kurse ju thoni: "Kushdo që i thotë atit ose nënës: "Gjithçka me të cilën mund të të mbaja i është ofruar Perëndisë,"
6 ai nuk është më i detyruar të nderojë atin e vet dhe nënën e vet. Kështu ju keni prapësuar urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj.
7 Hipokritë, mirë profetizoi Isaia për ju kur tha:
8 "Ky popull po më afrohet me gojë dhe më nderon me buzët; por zemra e tyre rri larg meje.
9 Dhe më kot më nderojnë, duke i mësuar doktrina që janë urdhërime nga njerëzit".”
10 Pastaj e thirri turmën pranë tij dhe u tha atyre: “Dëgjoni dhe kuptoni:
11 Njeriun nuk e ndot çfarë i hyn në gojë, por ajo që del nga goja e tij e ndot njeriun.”
12 Atëherë dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: “A e di se farisenjtë, kur i dëgjuan këto fjalë u skandalizuan?.”
13 Por ai duke u përgjigjur u tha: “Çdo bimë që Ati im qiellor nuk e ka mbjellë, do të shkulet me rrënjë.
14 Hiqni dorë prej tyre; ata janë të verbër, prijës të verbërish; dhe në qoftë se një i verbër i prin një të verbëri tjetër, të dy do të bien në gropë.”
15 Atëherë Pjetri iu përgjigj dhe i tha: “Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë.”
16 Dhe Jezusi tha: “As juve s’keni kuptuar akoma?
17 A nuk e kuptoni se çdo gjë që hyn në gojë kalon në bark dhe jashtëqitet në gjiriz?
18 Por gjërat që dalin nga goja, dalin nga zemra; dhe ato ndotin njeriun.
19 Sepse nga zemra dalin mendimet e mbrapshta, vrasjet, shkeljet e kurorës; kurvëria, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë.
20 Këto janë gjërat që e ndotin njeriun, kurse të hash pa i larë duart nuk e ndot njeriun.”
21 Pastaj Jezusi, pasi u largua që andej, u nis drejt rrethinave të Tiros dhe të Sidonit.
22 Dhe ja, një grua kananease, që kishte ardhur nga ato anë, filloi të bërtasë duke thënë: “Ki mëshirë për mua, o Zot, o Bir i Davidit! Vajza ime është tmerrësisht e pushtuar nga një demon!.”
23 Por ai nuk iu përgjigj fare. Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe iu lutën duke thënë: “Lëshoje atë, sepse po bërtet pas nesh.”
24 Por ai u përgjigj dhe tha: “Unë nuk jam dërguar gjetiu, përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.”
25 Por ajo erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: “O Zot, ndihmomë!.”
26 Ai u përgjigj, duke thënë: “Nuk është gjë e mirë të marrësh bukën e fëmijëve dhe t’ua hedhësh këlyshëve të qenve.”
27 Por ajo tha: “Éshtë e vërtetë, Zot, sepse edhe këlyshët e qenve hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.”
28 Atëherë Jezusi iu përgjigj duke thënë: “O grua, i madh është besimi yt! T’u bëftë ashtu si dëshiron.” Dhe që në atë çast e bija u shërua.
29 Pastaj, mbasi u nis që andej, Jezusi erdhi pranë detit të Galilesë, u ngjit në mal dhe u ul atje.
30 Dhe iu afruan turma të mëdha që sillnin me vete të çalë, të verbër, memecë, sakatë dhe shumë të tjerë; i ulën përpara këmbëve të Jezusit dhe ai i shëroi.
31 Turmat mrrekulloheshin kur shikonin se memecët flisnin, sakatët shëroheshin, të çalët ecnin dhe të verbërit shihnin; dhe lëvdonin Perëndinë e Izraelit.
32 Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha: “Unë kam mëshirë për turmën, sepse u bënë tri ditë që rri me mua dhe nuk ka asgjë për të ngrënë; nuk dua t’i nis të pangrënë, se mos ligështohen gjatë rrugës.”
33 Dhe dishepujt e tij i thanë: “Po ku mund të gjejmë në këtë vend të shkretë aq bukë sa të ngopim një turmë kaq të madhe?.”
34 Dhe Jezusi u tha atyre: “Sa bukë keni?.” Ata thanë: “Shtatë dhe pak peshq të vegjël.”
35 Atëherë ai u dha urdhër turmave që të uleshin për tokë.
36 Pastaj i mori shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të tij, dhe dishepujt turmës.
37 Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; dhe ngritën tepricën e copave, shtatë kosha plot.
38 Dhe ata që hëngrën ishin katër mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët.
39 Pastaj, mbasi e lejoi turmën, hipi në barkë dhe u drejtua për në krahinën e Magdalas.
5 Ndërkaq u ngrit një ankesë e madhe prej popullit dhe bashkëshorteve të tyre kundër Judejve, vëllezërve të tyre.
2 Disa thonin: "Ne, bijtë tanë dhe bijat tona jemi shumë; prandaj të gjejmë grurë që të mund të hamë dhe të jetojmë!".
3 Të tjerë thonin: "Kemi hipotekuar arat tona, vreshtat tona dhe shtëpitë tona për të blerë grurë gjatë zisë!".
4 Disa të tjerë akoma thonin: "Kemi marrë para hua për të paguar haraçin e mbretit mbi arat tona dhe vreshtat tona.
5 Ndonëse mishi ynë është si mishi i vëllezërve tanë dhe bijtë tanë janë si bijtë e tyre, në realitet jemi të detyruar t’i kthejmë në skllevër bijtë tanë dhe bijat tona; disa nga bijat tona janë katandisur që tani në skllavëri dhe nuk kemi asnjë mundësi t’i shpengojmë, sepse arat tona dhe vreshtat tona janë në dorë të të tjerëve".
6 Kur dëgjova ankimet e tyre dhe këto fjalë, u indinjova shumë.
7 Mbasi u mendova mirë për këtë gjë, qortova parinë dhe gjyqtarët dhe u thashë atyre: "Secili prej jush kërkon një kamatë prej fajdexhiu nga vëllai i vet". Kështu mblodha kundër tyre një asamble të madhe
8 dhe u thashë: "Simbas mundësive tona ne kemi shpenguar vëllezërit tanë Judej që u ishin shitur kombeve; por tani a do t’i shisnit vëllezërit tuaj, apo duhet që ata të na shiten neve?". Atëherë ata heshtën me qenë se nuk gjenin fjalë për të thënë.
9 Dhe unë shtova: "Ajo që po bëni nuk është e mirë. A nuk duhet përkundrazi të ecni duke pasur frikë nga Perëndia ynë për të shmangur dëmin nga kombet që i kemi armiq?
10 Edhe unë, vëllezërit e mi dhe shërbëtorët e mi u kemi dhënë hua para dhe grurë. Ju lutem, të mos kërkojmë më kamatë për këtë!
11 Ua ktheni që sot arat e tyre, vreshtat e tyre, ullishtat e tyre dhe shtëpitë e tyre, dhe të njëqindtën pjesë të parave, të grurit, të verës dhe të vajit që u keni kërkuar".
12 Ata u përgjigjën: "Do t’i kthejmë dhe nuk do të kërkojmë më asgjë prej tyre; do të veprojmë ashtu si thua ti". Atëherë thirra priftërinjtë dhe i vura të betohen përpara atyre se do të vepronin sipas këtij premtimi.
13 Shkunda pastaj palën e rrobave të mia dhe thashë: "Kështu Perëndia ta shkundë nga shtëpia e tij dhe nga pasuria e tij cilindo që nuk do ta mbajë këtë premtim! Kështu të shkundet dhe të zbrazet ai nga të gjitha!". Atëherë tërë asambleja tha: "Amen!," dhe lavdëruan Zotin. Populli veproi sipas atij premtimi.
14 Përveç kësaj qysh prej ditës që u caktova të jem qeveritar i tyre në vendin e Judës, nga viti i njëzetë deri në vitin e tridhjetedytë të mbretit Artakserks, gjatë dymbëdhjetë vjetëve, unë dhe vëllezërit e mi nuk hëngrëm ushqimin e caktuar nga qeveritari.
15 Ndërsa qeveritarët e mëparshëm që më kishin paraprirë e kishin rënduar popullin duke marrë bukë dhe verë, dhe përveç kësaj dyzet sikla argjendi. Madje edhe shërbëtorët e tyre silleshin si zotër me popullin, por unë nuk veprova kështu, sepse kisha frikë nga Perëndia.
16 Përkundrazi i hyra me të madhe punës së riparimit të këtyre mureve dhe nuk kemi bërë asnjë blerje toke; përveç kësaj tërë shërbëtorët e mi u mblodhën atje për të punuar.
17 Kisha gjithashtu në mencën time njëqind e pesëdhjetë Judej dhe zyrtarë, përveç atyre që vinin nga kombet fqinje.
18 Çdo ditë përgatitej një ka dhe gjashtë krerë të zgjedhur që merreshin nga kopeja; për mua gatuheshin edhe zogj, dhe çdo dhjetë ditë bëhej furnizimi me lloj lloj vere me shumicë; por me gjithë këtë, nuk e kam kërkuar kurë kuotën e qeveritarit, sepse mbi këtë popull rëndonte tashmë shërbimi.
19 Më kujto, o Perëndia im, për tërë të mirat që i kam bërë këtij populli.
15 Dhe disa, që zbritën nga Judeja, mësonin vëllezërit: “Nëse nuk jeni rrethprerë sipas ritit të Moisiut, nuk mund të shpëtoheni.”
2 Duke qenë se u bë një grindje jo e vogël dhe një diskutim nga ana e Palit dhe e Barnabës me ata, u dha urdhër që Pali, Barnaba dhe disa të tjerë nga ata të ngjiten në Jeruzalem tek apostujt dhe te pleqtë për këtë çështje.
3 Ata, pra, si u përcollën nga kisha, kaluan nëpër Feniki dhe Samari, duke treguar kthimin e johebrenjve dhe duke u sjellë gëzim të madh mbarë vëllezërve.
4 Kur arritën në Jeruzalem, u pritën nga kisha, nga apostujt dhe nga pleqtë dhe treguan për gjërat e mëdha që Perëndia kishte bërë me anën e tyre.
5 Por u ngritën disa nga sekti i farisenjve, që kishin besuar dhe thanë: “Duhen rrethprerë johebrenjtë dhe të urdhërohen të zbatojnë ligjin e Moisiut.”
6 Atëherë apostujt dhe pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë problem.
7 Dhe duke qenë se lindi një diskutim i madh, Pjetri u çua në këmbë dhe u tha atyre: “Vëllezër, ju e dini se që në kohët e para Perëndia midis nesh më zgjodhi mua, që me anë të gojës sime johebrenjtë të dëgjojnë fjalën e ungjillit dhe të besojnë.
8 Perëndia, që i njeh zemrat, u ka dhënë atyre dëshmi, duke u dhënë Frymën e Shenjtë, sikurse edhe neve;
9 dhe ai nuk bëri asnjë dallim midis nesh dhe atyre, duke i pastruar zemrat e tyre me anë të besimit.
10 Tani, pra, pse e tundoni Perëndinë, duke u vënë mbi qafën e dishepujve një zgjedhë që as etërit tanë e as ne nuk mund ta mbajmë?
11 Po ne besojmë se do të shpëtohemi me anë të hirit të Zotit Jezu Krishtit, dhe në të njëjtën mënyrë edhe ata.”
12 Atëherë e gjithë turma heshti, dhe rrinte e dëgjonte Barnabën dhe Palin, që tregonin ç’shenja e mrekulli kishte bërë Perëndia me anë të tyre ndër johebrenj.
13 Dhe si heshtën ata, Jakobi e mori fjalën dhe tha: “Vëllezër, më dëgjoni!
14 Simoni ka treguar si i ka vizituar për herë të parë Perëndia johebrenjtë, që të zgjedhë nga ata një popull për emrin e tij.
15 Me këtë gjë pajtohen fjalët e profetëve, sikundër është shkruar:
16 "Pas këtyre gjerave, unë do të kthehem dhe do ta rindërtoj tabernakullin e Davidit që është rrëzuar, do t’i restauroj gërmadhat e tij dhe do ta ngre përsëri më këmbë,
17 që mbetja e njerëzve dhe të gjitha johebrenjtë mbi të cilat thirret emri im, të kërkojnë Zotin, thotë Zoti që i bën të gjitha këto".
18 Prej kohësh janë të njohura te Perëndia të gjitha veprat e tij.
19 Prandaj unë gjykoj që të mos i bezdisim ata nga johebrenjtë që kthehen te Perëndia,
20 por t’u shkruhet atyre që të heqin dorë nga ndotjet e idhujve, nga kurvëria, nga gjërat e mbytura dhe nga gjaku.
21 Sepse Moisiu që nga kohët e lashta ka njerëz të cilët në çdo qytet e predikojnë atë, duke qënë i lexuar çdo të shtunë në sinagoga.”
22 Atëherë iu duk e mirë apostujve dhe pleqve me gjithë kishën të dërgojnë në Antioki, me Palin dhe Barnabën, disa njerëz të zgjedhur nga ata: Judën, mbiquajtur Barsaba, dhe Silën, njerëz me autoritet ndër vëllezërit,
23 me një letër të shkruar nga dora e tyre që thoshte: “Apostujt, pleqtë dhe vëllezërit, vëllezërve nga johebrenjtë që janë në Antioki, Siri dhe Kiliki, përshëndetje.
24 Duke qenë se morëm vesh se disa që erdhën prej nesh, por të cilëve ne nuk u kishim dhënë asnjë porosi, ju kanë shqetësuar me fjalë duke trazuar shpirtrat tuaj, duke thënë se ju duhet të rrethpriteni dhe të zbatoni ligjin,
25 na u duk e mirë neve, të mbledhur tok me një zemër, të zgjedhim disa njerëz dhe t’i dërgojmë bashkë me të dashurit tanë Barnaba dhe Pal,
26 njerëz që kanë përkushtuar jetën e tyre për emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit.
27 Kemi dërguar, pra, Judën dhe Silën; edhe ata do t’ju tregojnë me gojë të njëjtat gjëra.
28 Në fakt na u duk mirë Frymës së Shenjtë dhe neve që të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përveç këtyre gjërave të nevojshme:
29 që ju të hiqni dorë nga gjërat e flijiuara idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria; do të bëni mirë të ruheni nga këto. Qofshi mirë.”
30 Ata, pra, mbasi u ndanë, zbritën në Antiokia dhe, si mblodhën kuvendin, e dorëzuan letrën.
31 Dhe ata, mbasi e lexuan, u gëzuan për ngushëllimin.
32 Dhe Juda e Sila, që ishin edhe ata profetë, me shumë fjalë i nxitën vëllezërit dhe i forcuan.
33 Mbasi ndenjën atje ca kohë, u dërguan prapë me paqtim nga vëllezërit tek apostujt.
34 Por Silës iu duk mirë të mbetej aty.
35 Edhe Pali e Barnaba qëndruan në Antioki, duke mësuar dhe duke shpallur me shumë të tjerë fjalën e Zotit.
36 Pas disa ditësh Pali i tha Barnabës: “Le të kthehemi të shohim vëllezërit tanë në çdo qytet, ku kemi shpallur fjalën e Perëndisë, për të parë si janë.”
37 Dhe Barnaba donte të merrte me vete Gjonin, të quajtur Mark.
38 Por Pali mendonte se nuk duhej marrë me vete atë që ishte ndarë prej tyre në Pamfili, dhe nuk kishte shkuar me ata në punë.
39 Atëherë lindi një grindje saqë ata u ndanë njëri nga tjetri; pastaj Barnaba, mbasi mori Markun, lundroi për në Qipro.
40 Por Pali zgjodhi Silën dhe u nis, pasi vëllezërit e lanë në hir të Perëndisë.
41 Dhe përshkoi Sirinë dhe Kilikinë, duke i forcuar kishat.