M’Cheyne Bible Reading Plan
20 Abrahami u zhvendos së këtejmi duke vajtur në Negev, dhe banoi në Kadesh dhe në Shur mandej u vendos në Gerar.
2 Tani Abrahami thoshte për Sarën, gruan e tij: "Éshtë motra ime". Kështu Abimeleku, mbreti i Gerarit, dërgoi njerëz për të marrë Sarën.
3 Por Perëndia iu shfaq Abimelekut në një ëndërr nate dhe i tha: "Ja, ti je duke vdekur, për shkak të gruas që ke marrë, sepse ajo është e martuar".
4 Por Abimeleku nuk i ishte afruar asaj dhe tha: "Zot, a do ta shkatërroje një komb, edhe sikur ai të ishte i drejtë?
5 Ai nuk më ka thënë: "Éshtë motra ime," dhe ajo vetë ka thënë: "Éshtë vëllai im"? E bëra këtë gjë me ndershmërinë e zemrës sime dhe me duar të pafajshme".
6 Dhe Perëndia i tha në ëndërr: "Po, unë e di që e ke bërë këtë gjë me ndershmërinë e zemrës sate, ndaj të ndalova të kryesh një mëkat kundër meje; ndaj nuk të lejova ta prekësh.
7 Tani ktheja gruan këtij njeriu, sepse ai është një profet; dhe do të lutet për ty dhe ti ke për të jetuar. Por, në rast se nuk ia kthen, dije që me siguri ke për të vdekur, ti dhe tërë njerëzit e tu".
8 Kështu Abimeleku u zgjua herët në mëngjes, thirri gjithë shërbëtorët e tij dhe u tregoi tërë këto gjëra. Dhe ata njerëz i zuri një frikë e madhe.
9 Pastaj Abimeleku thirri Abrahamin dhe i tha: "Ç’na bëre? Dhe çfarë kam bërë unë kundër teje që më solle një mëkat kaq të madh si mua ashtu edhe mbretërisë sime? Ti më bëre gjëra që nuk duheshin bërë".
10 Pastaj Abimeleku i tha Abrahamit: "Çfarë mendoje të bëje duke vepruar në këtë mënyrë?".
11 Abrahami u përgjegj: "E bëra sepse thoja me veten time: "Sigurisht, në këtë vend nuk kanë frikë nga Perëndia; dhe do të më vrasin për shkak të gruas sime".
12 Përveç kësaj ajo është në të vërtetë motra ime, bijë e babait tim, por jo bijë e nënës sime; dhe pastaj u bë gruaja ime.
13 Dhe kur Perëndia më çoi të bredh larg shtëpisë së babait tim, unë i thashë: "Ky është favori që do të më bësh; kudo që të shkojmë, do të thuash për mua: Éshtë vëllai im"".
14 Atëherë Abimeleku mori dhentë, qetë, shërbyesit dhe shërbëtoret, dhe ia dha Abrahamit; dhe i kthehu gruan e tij Sara.
15 Pastaj Abimeleku tha: "Ja, vendi im të qëndron përpara; qëndro aty ku të pëlqen".
16 Dhe Sarës i tha: "Ja, unë i dhashë vëllait tënd njëmijë copë argjendi; kjo do të shërbejë për të mbuluar fyerjen që të është bërë para të gjithë atyre që janë me ty; kështu je e përligjur para të gjithëve".
17 Atëherë Abrahami iu lut Perëndisë dhe Perëndia shëroi Abimelekun, gruan e tij dhe shërbyeset e saj, dhe ato mundën të pjellin.
18 Sepse Zoti e kishte shterpëzuar plotësisht tërë shtëpinë e Abimelekut, për shkak të Sarës, gruas së Abrahamit.
19 Mbasi Jezusi i mbaroi këto ligjërata, u nis nga Galilea dhe erdhi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit.
2 Turma të mëdha e ndiqnin dhe ai i shëroi atje.
3 Atëherë iu afruan disa farisenj për ta provokuar dhe i thanë: “A është e lejueshme që burri ta ndajë gruan për një shkak çfarëdo?.”
4 Dhe ai, duke u përgjigjur u tha atyre: “A nuk keni lexuar ju, se ai që i krijoi që në fillim, i krijoi mashkull dhe femër?
5 Dhe tha: "Për këtë arsye njeriu do ta lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm".
6 Dhe kështu ata nuk janë më dy, por një mish i vetëm; prandaj atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë.”
7 Ata i thanë: “Atëherë përse Moisiu urdhëroi të jepet letërndarja dhe të lëshohet?.”
8 Ai u tha atyre: “Moisiu ju lejoi t’i ndani gratë tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu.
9 Por unë ju them se kushdo që e lëshon gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me gruan e ndarë, shkel kurorën.”
10 Dishepujt e vet i thanë: “Në qoftë se kushtet e burrit ndaj gruas janë të tilla, më mirë të mos martohet.”
11 Por ai u tha atyre: “Jo të gjithë i kuptojnë këto fjalë, por atyre që iu është dhënë.
12 Sepse ka eunukë që kanë lindur të tillë nga barku i nënës; ka eunukë që janë bërë eunukë nga njerëzit, dhe ka eunukë që janë bërë vet eunukë për mbretërinë e qiejve. Ai që mund ta kuptojë, le ta kuptojë.”
13 Atëherë i sollën fëmijë të vegjël që të vinte duart mbi ata dhe të lutej, por dishepujt i qortuan.
14 Por Jezusi tha: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve.”
15 Dhe, mbasi vuri duart mbi ata, u nis që andej.
16 Dhe ja, iu afrua dikush dhe i tha: “Mësues i mirë, çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?.”
17 Dhe ai tha: “Pse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi: Perëndia. Tani në qoftë se ti don të hysh në jetë, zbato urdhërimet.”
18 Ai i tha: “Cilat?.” Atëherë Jezusi i tha: “Mos vraj, mos shkel kurorën, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme,
19 ndero atin tënd dhe nënën tënde dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde.”
20 I riu i tha: “Të gjitha këto gjëra unë i kam zbatuar që në rini; çfarë më mungon tjetër?.”
21 Jezusi i tha: “Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç’të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua.”
22 Por i riu, kur i dëgjoi këto fjalë, iku i trishtuar, sepse kishte pasuri të madhe.
23 Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: “Në të vërtetë ju them se një i pasur me vështirësi do të hyjë në mbretërinë e qiejve.
24 Dhe po jua përsëris: Éshtë më lehtë të kalojë deveja nga vrima e gjilpërës, se sa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.”
25 Kur i dëgjuan këto fjalë, dishepujt e vet u habitën shumë dhe thanë: “Atëherë, kush do të shpëtojë vallë?.”
26 Dhe Jezusi duke përqëndruar shikimin mbi ata tha: “Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë çdo gjë është e mundur.”
27 Atëherë Pjetri iu përgjigj duke thënë: “Ja, ne i lamë të gjitha dhe të ndoqëm; çfarë do të fitojmë, pra?.”
28 Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë po ju them, në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e lavdisë së vet, edhe ju që më keni ndjekur do të uleni mbi dymbëdhjetë frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
29 Dhe kushdo që ka lënë, për hir të emrit tim, shtëpi, vëllezër, motra, atë, nënë, grua, bij ose ara, do të marrë njëqindfish dhe do të trashëgojë jetë të përjetshme.
30 Por shumë të parë do të jenë të fundit, dhe shumë të fundit do të jenë të parët.”
9 Ditën e njëzetekatërt të po atij muaji, bijtë e Izraelit të veshur me thasë dhe të mbuluar me dhe, u mblodhën për një agjerim.
2 Ata që i përkisnin fisit të Izraelit u ndanë nga gjithë të huajt dhe u paraqitën për të rrëfyer mëkatet e tyre dhe paudhësitë e etërve të tyre.
3 Pastaj u ngritën në këmbë në vendin e tyre dhe lexuan librin e ligjit të Zotit, Perëndisë të tyre, për një të katërtën pjesë të ditës; dhe për një të katër tjetër të ditës bënë rrëfimin e mëkateve që kishin bërë dhe ranë përmys përpara Zotit, Perëndisë të tyre.
4 Pastaj Jeshua, Bani, Kadmieli, Shebaniahu, Buni, Sherebiahu, Bani dhe Kenani u ngjitën mbi tribunën e Levitëve dhe i klithën me zë të lartë Zotit, Perëndisë të tyre.
5 Levitët Jeshua, Kadmiel, Bani, Hashabnejahu, Sherebiahu, Hodijahu, Shebanjahu dhe Pethahiahu thanë: "Çohuni dhe bekoni Zotin, Perëndinë tuaj, nga përjetësia në përjetësi! Qoftë i bekuar emri yt i lavdishëm, që lartësohet mbi çdo bekim dhe lëvdim!
6 Vetëm ti je Zoti! Ti ke bërë qiejtë, qiejtë e qiejve dhe tërë ushtrinë e tyre, dheun dhe tërë ato që qëndrojnë mbi të, detet dhe gjithçka që është në ta. Ti i mban gjallë tërë këto gjëra dhe ushtria e qiejve të adhuron.
7 Ti je Zoti, Perëndia që ka zgjedhur Abramin; e nxore nga Uri i Kaldeasve dhe i dhe emrin Abraham.
8 Ti e gjete zemrën e tij besnike para teje dhe bëre një besëlidhje me të për t’u dhënë pasardhësve të tij vendin e Kananejve, të Hitejve, të Amorejve, të Perezejve, të Jebusejve dhe të Girgasejve; ti e mbajte fjalën tënde; sepse je i drejtë.
9 Ti ke parë hidhërimin e etërve tanë në Egjipt dhe ke dëgjuar britmën e tyre pranë Detit të Kuq.
10 Ke bërë mrekulli dhe çudi kundër Faraonit, kundër tërë shërbëtorëve të tij dhe kundër tërë popullit të vendit të tij, sepse e dije që ata ishin sjellë me paturpësi me etërit tonë. Kështu i bëre një emër vetes që mbetet edhe sot.
11 Ti ke ndarë detin para tyre, dhe ata kaluan në mes të detit në të thatë, ndërsa ti i hidhje në humnerë ndjekësit e tyre si një gur në ujëra të furishme.
12 Ti i ke udhëhequr ditën me një kallonë reje dhe natën me një kollonë zjarri për t’i ndriçuar rrugën në të cilën do të ecnin.
13 Zbrite gjithashtu mbi malin Sinai, u fole nga qielli dhe u dhe dekrete të drejta dhe ligje të së vërtetës, statute dhe urdhërime të mira.
14 U bëre të njohur të shtunën tënde të shenjtë dhe u dhe urdhërime, statute dhe një ligj me anë të Moisiut, shërbëtorit tënd.
15 Ti gjithashtu u dhe bukë nga qielli kur ishin të uritur dhe u bëre që të buronte ujë nga shkëmbi kur kishin etje; dhe i urdhërove ata të shkonin të merrnin në zotërim vendin që ishe betuar t’u jepje.
16 Por ata dhe etërit tanë u sollën me mendjemadhësi, e fortësuan zverkun e tyre dhe nuk iu bindën urdhërimeve të tua.
17 Kundërshtuan të bindeshin dhe nuk kujtuan mrekullitë që ti kishe bërë midis tyre; ngurtësuan përkundrazi zverkun e tyre dhe në rebelimin e tyre zgjodhën një kryetar për t’u kthyer në skllavërinë e tyre. Por ti je një Perëndi i gatshëm që të falë, shpirtmadh, plot mëshirë, i ngadalshëm në zemërim dhe plot mirësi. Ti nuk i ke braktisur,
18 as atëherë kur bënë një viç prej metali të shkrirë dhe thanë: "Ky është perëndia yt që të nxori nga Egjipti!"; kështu bënë një gjë blasfeme.
19 Megjithatë në shpirtmadhësinë tënde të madhe nuk i ke braktisur në shkretëtirë; kollona e resë nuk u largua prej tyre gjatë ditës për t’i udhëhequr ata në ecje, dhe kollona e zjarrit gjatë natës për t’ua ndriçuar atyre rrugën nëpër të cilën do të ecnin.
20 Ke dhënë Frymën tënde të mirë për t’i mësuar; nuk ua ke refuzuar manën tënde gojëve të tyre dhe u ke dhënë ujë kur ishin të etur.
21 Për dyzet vjet i ke ushqyer në shkretëtirë, dhe nuk u ka munguar asgjë; rrobat e tyre nuk u prishën dhe këmbët e tyre nuk u ënjtën.
22 U dhe gjithashtu mbretëri dhe popuj, duke u caktuar krahinat më të largëta; kështu ata shtinë në dorë vendin e Sihonit, vendin e mbretit të Heshbonit dhe vendin e Ogut, mbretit të Bashanit.
23 I shumëzove bijtë e tyre si yjet e qiellit dhe i fute në vendin në të cilin u kishe thënë etërve të tyre të hynin për ta shtënë në dorë.
24 Kështu bijtë e tyre hynë dhe zotëruan vendin; ti ke poshtëruar para tyre banorët e vendit, Kananejtë, dhe i dhe në duart e tyre bashkë me mbretërit e tyre dhe me popujt e vendit, me qëllim që ata të bënin çfarë t’u pëlqente.
25 Ata pushtuan qytete të fortifikuara dhe një tokë pjellore dhe hynë në zotërim të shtëpive plot me të mira, të sternave të gatshme, të vreshtave, të ullishteve dhe të pemëve frutore me bollëk; ata hëngrën, u ngopën, u majmën dhe jetuan në gëzim për shkak të mirësisë sate të madhe.
26 Megjithatë ata u treguan të pabindur, u rebeluan kundër teje, e hodhën ligjin tënd prapa krahëve, vranë profetët e tu që u bënin thirrje të riktheheshin te ti dhe kryen gjëra blasfeme.
27 Prandaj ti i dhe në duart e armiqve të tyre, që i shtypën; por në kohën e fatkeqësisë së tyre ata klithën te ti, dhe ti i dëgjove nga qielli, dhe ti, me dhembshurinë tënde të madhe, u dhe atyre disa çlirimtarë që i shpëtuan nga duart e armiqve të tyre.
28 Por kur ata kishin paqe, fillonin përsëri të bënin të keqen përpara teje; prandaj ti i braktise në duart e armiqve të tyre, që i sundonin; megjithatë, kur përsëri këlthitnin, ti i dëgjoje nga qielli, kështu që në shpirtmadhësinë tënde i ke çliruar shumë herë.
29 Ti i nxisje të ktheheshin në ligjin tënd, por ata bëheshin krenarë dhe nuk u bindeshin urdhërimeve të tua, dhe mëkatonin kundër dekreteve të tua me anën e të cilëve, në qoftë se dikush i zbaton në praktikë, shpëton jetën; hiqnin shpatullat e tyre nga zgjedha, e fortësonin zverkun e tyre dhe kundërshtonin të bindeshin.
30 Pate durim me ta shumë vjet me radhë, duke i nxitur me Frymën tënde dhe me gojën e profetëve të tu, por ata nuk deshën të të dëgjojnë; atëherë ti i dhe në duart e popujve të vendeve të ndryshme.
31 Por në mëshirën tënde të madhe nuk i shkatërrove plotësisht dhe nuk i braktise, sepse je një Perëndi zemërbutë dhe i mëshirshëm.
32 Tani pra, o Perëndia ynë, Perëndia i madh, i fuqishëm dhe i tmerrshëm, që respekton besëlidhjen dhe mëshirën të mos të duket para teje si gjë e vogël fatkeqësia që ka rënë mbi ne, mbi mbretërit tanë, mbi krerët tanë, mbi priftërinjtë tanë, mbi profetët tanë, mbi prindërit tanë dhe mbi tërë popullin tënd, nga koha e mbretërve të Asirisë e deri në ditën e sotme.
33 Megjithatë ti ke qenë i drejtë në të gjitha gjërat që na kanë ndodhur, sepse ti ke vepruar me besnikëri, ndërsa ne kemi vepruar me pabesi.
34 Mbretërit tanë, krerët tanë, priftërinjtë tanë dhe etërit tanë nuk kanë zbatuar në praktikë ligjin tënd dhe as që u janë bindur urdhërimeve dhe porosive me të cilat i nxitje.
35 Edhe kur të gjendeshin në mbretërinë e tyre, në mirëqënien e madhe që ti u kishe siguruar atyre dhe në vendin e gjerë dhe pjellor që ti u kishe vënë në dispozicion, nuk të shërbyen dhe nuk i braktisën veprimet e tyre të këqija.
36 Dhe ja, sot jemi skllevër! jemi skllevër në vendin që u kishe dhënë etërve tanë, që të hanin frytet e tij dhe të gëzonin të mirat.
37 Kështu prodhimet e bollshme të tij u shkojnë mbretit që ti ke vendosur mbi ne për shkak të mëkateve tona; ata sundojnë trupat tona dhe mbi bagëtinë tonë ashtu si duan; dhe ne ndodhemi në ankth të madh.
38 Për shkak të gjithë kësaj, ne marrim një zotim të vendosur dhe e vëmë me të shkruar; dhe krerët tanë, Levitët tanë dhe priftërinjtë tanë do të vënë vulën e tyre mbi të.
19 Dhe ndërsa Apollo ishte ende në Korint, Pali, mbasi shkoi në vendet më të larta, arriti në Efes dhe, si gjeti disa dishepuj, u tha atyre:
2 “A e keni marrë Frymën e Shenjtë, kur besuat?.” Ata iu përgjigjën: “Ne as që kemi dëgjuar se paska Frymë të Shenjtë.”
3 Dhe ai u tha atyre: “Me se, pra, u pagëzuat?.” Ata u përgjigjën: “Me pagëzimin e Gjonit.”
4 Atëherë Pali tha: “Gjoni pagëzoi me pagëzimin e pendimit, duke i thënë popullit se duhet t’i besonte atij që do të vinte pas tij, domethënë Jezu Krishtit.
5 Dhe ata, si dëgjuan, u pagëzuan në emër të Zotit Jezus.
6 Dhe, kur Pali vuri duart mbi ta, Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta dhe ata folën në gjuhë të tjera dhe profetizuan.
7 Dhe gjithsej ishin rreth dymbëdhjetë burra.
8 Pastaj ai hyri në sinagogë dhe u foli lirisht njerëzve tre muaj me radhë, duke diskutuar dhe duke i bindur për gjërat e mbretërisë së Perëndisë.
9 Por, duke qenë se disa ngurtësoheshin dhe nuk besonin dhe flisnin keq për Udhën përpara turmës, ai u shkëput prej tyre, i ndau dishepujt dhe vazhdoi të diskutojë çdo ditë në shkollën e njëfarë Tirani.
10 Dhe kjo vazhdoi dy vjet me radhë, kështu që të gjithë banorët e Azisë, Judenj dhe Grekë, e dëgjuan fjalën e Zotit Jezus.
11 Dhe Perëndia bënte mrekulli të jashtëzakonshme me anë të duarve të Palit,
12 aq sa mbi të sëmurët sillnin peshqirë dhe përparëse që kishin qenë mbi trupin e tij, dhe sëmundjet largoheshin prej tyre dhe frymërat e liga dilnin prej tyre.
13 Dhe disa yshtës shëtitës Judenj u orvatën të thërrasin emrin e Zotit Jezus mbi ata që kishin frymërat e liga, duke thënë: “Ju përbetohemi për Jezusin, që Pali predikon!.”
14 Ata që bënin këtë ishin shtatë bijtë e njëfarë Skevi, kryeprift jude.
15 Por fryma e ligë u përgjigj dhe tha: “Unë e njoh Jezusin dhe e di kush është Pali, po ju cilët jeni?.”
16 Atëherë ai njeri që kishte frymën e ligë u hodh mbi ta dhe si i mundi, ushtroi një dhunë aq të madhe sa ata ikën nga ajo shtëpi, lakuriq e të plagosur.
17 Kjo u muar vesh nga të gjithë Judenjtë dhe Grekët që banonin në Efes, dhe të gjithë i zuri frika, dhe emri i Zotit Jezus ishte madhëruar.
18 Dhe shumë nga ata që kishin besuar vinin të rrëfeheshin dhe të tregonin gjërat që kishin bërë.
19 Shumë nga ata që ishin marrë me magji i sollën librat dhe i dogjën përpara të gjithëve; dhe, mbasi e llogaritën çmimin e tyre, gjetën se ishin pesëdhjetë mijë pjesë argjendi.
20 Kështu fjala e Perëndisë shtohej dhe forcohej.
21 Mbas këtyre ngjarjeve, Pali kishte vendosur në mendje të shkojë në Jeruzalem, duke kaluar nëpër Maqedoni dhe nëpër Akai, dhe thoshte: “Mbasi të kem qenë atje, më duhet të shoh edhe Romën.”
22 Atëherë dërgoi në Maqedoni dy nga ata që i shërbenin, Timoteun dhe Erastin, dhe vetë ndenji edhe ca kohë në Azi.
23 Dhe në atë kohë u bë një trazirë e madhe lidhur me Udhën,
24 sepse një farë njeriu, me emër Dhimitër, argjendar, i cili bënte tempuj të Dianës në argjend, u sillte artizanëve jo pak fitim.
25 Ai i mblodhi këta bashkë me punëtorët që kishin një aktivitet të përafërt, dhe tha: “O burra, ju e dini se fitimi ynë vjen nga kjo veprimtari.
26 Dhe ju shihni dhe dëgjoni se ky Pali ua ka mbushur mendjen dhe ktheu një numër të madh njerëzish jo vetëm në Efes, por gati në mbarë Azinë, duke thënë se nuk janë perëndi ata që janë bërë me duar.
27 Dhe jo vetëm që është rreziku për ne që kjo mjeshtria jonë të diskreditohet, por që edhe tempulli i perëndeshës së madhe Diana të mos vlerësohet më aspak dhe që t’i hiqet madhështia asaj, që gjithë Azia, madje gjithë bota, e nderon.”
28 Ata, kur i dëgjuan këto gjëra, u mbushën me inat dhe bërtisnin, duke thënë: “E madhe është Diana e Efesianëve!.”
29 Dhe gjithë qyteti u mbush me rrëmujë; dhe si i morën me forcë Gain dhe Aristarkun, Maqedonas, bashkudhëtarë të Palit, rendën të gjithë, me një mendje, në teatër.
30 Dhe Pali donte t’i dilte popullit, por dishepujt nuk e lejonin.
31 Edhe disa Aziarkë, që ishin miq të tij, i çuan për ta lutur të mos dilte në teatër.
32 Ndërkaq disa bërtisnin një gjë, të tjerë një tjetër, saqë mbledhja ishte trazuar dhe më të shumtët nuk dinin përse ishin mbledhur.
33 Atëherë nga turma nxorën Aleksandrin, të cilin e shtynin Judenjtë. Dhe Aleksandri, mbasi bëri shenjë me dorë, donte të paraqiste një apologji para popullit.
34 Por, kur e morën vesh se ishte Jude, të gjithë me një zë filluan të bërtasin për gati dy orë: “E madhe është Diana e Efesianëve!.”
35 Kancelari i qytetit, mbasi e qetësoi turmën, tha: “O Efesianë, cili është vallë ai njeri që nuk e di se qyteti i Efesianëve është mbrojtësi i tempullit të perëndeshës së madhe Diana dhe i imazhit të saj që ra nga Zeusi?
36 Duke qenë, pra, se këto janë të pakundërshtueshme, ju duhet të rrini urtë dhe të mos bëni asgjë të nxituar.
37 Sepse i prutë këta njerëz që nuk janë as sacrileghi as blasfemues të perëndeshës suaj.
38 Pra, në qoftë se Dhimitri dhe mjeshtrit që janë me të kanë diçka kundër dikujt, gjykatat janë hapur dhe prokonsuj ka; le të padisin njëri-tjetrin.
39 Dhe nëse keni ndonjë kërkesë tjetër për të bërë, të zgjidhet në kuvendin sipas ligjit.
40 Ne në fakt jemi në rrezik të akuzohemi si kryengritës për ngjarjen e sotme, sepse nuk ka asnjë arsye me të cilën të përligjet ky grumbullim.”
41 Dhe, si i tha këto, e shpërndau mbledhjen.