Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Zanafilla 23

23 Sara jetoi njëqind e njëzet e shtatë vjet. Këto qenë vitet e jetës së Sarës.

Dhe Sara vdiq në Kirjath-Arba (që është Hebroni), në vendin e Kanaanëve, dhe Abrahami hyri aty për të mbajtur zi për të dhe për ta vajtuar.

Pastaj Abrahami u ngrit më këmbë në prani të së vdekurës dhe u foli bijve të Hethit, duke u thënë:

"Unë jam një i huaj midis jush dhe i ardhur midis jush; më jepni pronësinë e një varri midis jush, që të mund të varros të vdekurën time dhe ta heq nga sytë e mi".

Dhe bijtë e Hethit iu përgjigjën Abrahamit duke i thënë:

"Dëgjona, o zoti im! Ti je midis nesh një princ i Perëndisë, varrose të vdekurën tënde në më të mirën nga varrezat tona, asnjeri prej nesh s’do të refuzojë varrin e tij, me qëllim që ti të varrosësh aty të vdekurën tënde".

Atëherë Abrahami u ngrit, u përul para popullit të vendit, para bijve të Hethit,

dhe u foli atyre duke thënë: "Në rast se ju pëlqen që unë ta varros të vdekurën time duke e hequr nga sytë e mi, dëgjomëni. Ndërhyni për mua tek Efroni, bir i Zoharit,

që të më japë shpellën e Makpelahut, që i përket dhe që ndodhet në skajin e arës së tij; por që të më japë në pronësi me çmimin e tij të plotë si vend varrimi midis jush".

10 Tani Efroni ndodhej në mes të bijve të Hethit; dhe Efroni, Hiteu, iu përgjegj Abrahamit në prani të bijve të Hethit, të të gjithë atyreve që hynin nëpër portën e qytetit të tij, duke thënë:

11 "Jo, zoti im, dëgjomë! Unë të fal arën dhe shpellën që ndodhet aty; po ta dhuroj në prani të bijve të popullit tim; po ta bëj dhuratë. Varrose të vdekurën tënde".

12 Atëherë Abrahami u përkul para popullit të vendit,

13 dhe i foli Efronit në prani të popullit të vendit duke thënë: "Dëgjomë, të lutem! Unë do të jap çmimin e arës, pranoje nga unë, kështu unë do të mund të varros aty të vdekurën time".

14 Efroni iu përgjegj Abrahamit, duke i thënë:

15 "Zoti im, dëgjomë! Toka vlen katërqind monedha argjendi. Ç’është kjo midis meje dhe teje? Varrose, pra, të vdekurën tënde".

16 Atëherë Abrahami zbatoi fjalën e Efronit; dhe Abrahami i peshoi Efronit çmimin që i kishte thënë në prani të bijve të Hethit: katërqind monedha argjendi, monedha që tregtarët përdornin midis tyre zakonisht.

17 Kështu ara e Efronit që gjendej në Malkpelah përballë Mamres, ara me shpellën që ishte aty dhe tërë drurët që ishin në arë dhe në të gjithë kufijtë përqark,

18 kaluan në pronësi të Abrahamit, në prani të bijve të Hethit dhe të të gjithë atyre që hynin nga porta e qytetit të Efronit.

19 Pas kësaj, Abrahami varrosi Sarën, gruan e tij, në shpellën e arës së Makpelahut përballë Mamres (që është Hebroni) në vendin e Kanaanëve.

20 Kështu ara dhe shpella që gjendet aty u kaluan nga bijtë e Hethit në pronë të Abrahamit, si vend varrimi.

Mateu 22

22 Dhe Jezusi, nisi përsëri t’u flasë atyre me shëmbëlltyra, duke thënë:

“Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit.

Dhe dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur të ftuarit në dasmë, por ata nuk deshën të vijnë.

Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: "U thoni të ftuarve: Ja unë e kam shtruar drekën time, viçat e mi dhe bagëtia ime e majmur janë therur dhe gjithçka është gati; ejani në dasmë".

Por ata, pa e përfillur, shkuan: dikush në arën e vet e dikush në punët e veta.

Dhe të tjerët, mbasi kapën shërbëtorët e tij, i shanë dhe i vranë.

Mbreti atëhërë, kur dëgjoi këtë, u zemërua dhe dërgoi ushtritë e veta për të shfarosur ata gjaksorë dhe dogji qytetin e tyre.

Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: "Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë.

Shkoni, pra, në udhëkryqe dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni."

10 Dhe ata shërbëtorët dolën nëpër rrugë, mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij dhe të mirë, dhe vendi i dasmës u mbush me të ftuar.

11 Atëherë mbreti hyri për të parë të ftuarit dhe gjeti aty një njeri që nuk kishte veshur rrobë dasme;

12 dhe i tha: "Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme?". Dhe ai mbylli gojën.

13 Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: "Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh".

14 Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur.”

15 Atëherë farisenjtë u veçuan dhe bënin këshill se si ta zinin gabim në fjalë.

16 Dhe i dërguan dishepujt e tyre bashkë me herodianët, për t’i thënë: “Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë dhe që mëson udhën e Perëndisë në të vërtetë, pa marrë parasysh njeri, sepse ti nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve.

17 Na thuaj, pra: Si e mendon? A është e ligjshme t’i paguhet taksa Cezarit apo jo?.”

18 Por Jezusi, duke e njohur ligësinë e tyre, tha: “Pse më tundoni, o hipokritë?

19 Më tregoni monedhën e taksës.” Atëherë ata i treguan një denar.

20 Dhe ai u tha atyre: “E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?.”

21 Ata i thanë: “E Cezarit.” Atëherë ai u tha atyre: “Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë.”

22 Dhe ata, kur e dëgjuan këtë, u mrekulluan, e lanë, dhe ikën.

23 Po atë ditë erdhën tek ai saducenjtë, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën

24 duke thënë: “Mësues, Moisiu ka thënë: "Në se dikush vdes pa lënë fëmijë, i vëllai le të martohet me gruan e tij, për t’i lindur trashëgimtarë vëllait të tij.

25 Tani ndër ne ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq dhe duke mos pasë trashëgimtarë, ia la gruan vëllait të vet.

26 Kështu edhe i dyti dhe i treti, deri tek i shtati.

27 Në fund vdiq edhe gruaja.

28 Në ringjallje, pra, e kujt nga këta të shtatë do të jetë grua? Sepse të gjithë e patën gruaja.”

29 Por Jezusi, duke u përgjigjur u tha atyre: “Ju bëni gabim, sepse nuk e kuptoni as Shkrimin as pushtetin e Perëndisë.

30 Në ringjallje, pra, as martohen as martojnë, por ata do të jenë në qiell si engjëjt e Perëndisë.

31 Pastaj sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar ç’ju ishte thënë nga Perëndia kur thotë:

32 "Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe i Jakobit"? Perëndia nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve.”

33 Dhe turmat, kur i dëgjuan këto gjëra, habiteshin nga doktrina e tij.

34 Atëherë farisenjtë, kur dëgjuan se ai ua kishte zënë gojën saducenjve, u mblodhën tok.

35 Dhe një nga ata, mësues i ligjit, e pyeti për të vënë në provë, duke thënë:

36 “Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?.”

37 Dhe Jezusi i tha: “"Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde".

38 Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.

39 Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten".

40 Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.”

41 Tani, kur u mblodhën farisenjtë, Jezusi i pyeti:

42 “Ç’u duket juve për Krishtin? Biri i kujt është?.” Ata i thanë: “I Davidit.”

43 Ai u tha atyre: “Si pra Davidi, në Frymë, e quan Zot, duke thënë:

44 "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, deri sa unë t’i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua"?

45 Në qoftë se Davidi e quan Zot, si mund të jetë biri i tij?.”

46 Por asnjë nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej; dhe, që nga ajo ditë, askush nuk guxoi ta pyesë më.

Nehemia 12

12 Këta janë priftërinjtë dhe Levitët që u kthyen me Zorobabelin, birin e Shealthielit, dhe me Jeshuan: Serajahu, Jeremia, Ezdra,

Amariahu, Malluku, Hatushi,

Shekaniahu, Rehumi, Meremothi,

Ido, Ginethoi, Abijahu,

Mijamini, Maadiahu, Bilgahu,

Shemajahu, Jojaribi, Jedajahu,

Sallu, Amoku, Hilkiahu dhe Jedajahu. Këta ishin krerët e priftërinjve dhe të vëllezërve të tyre në kohën e Jeshuas.

Levitët përfaqësoheshin nga Jeshua, Binu, Kamieli, Sherebiahu, Juda dhe Mataniahu, që ishte caktuar bashkë me vëllezërit e tij në këngën e falenderimit.

Bakbukiahu dhe Uni, vëllezër të tyre, rrinin përballë tyre sipas funksioneve të tyre.

10 Jeshuas i lindi Jojakimi; Jojakimit i lindi Eliashibi; Eliashibit i lindi Jojada,

11 Jojadas i lindi Jonathani; Joathanit i lindi Jadua.

12 Në kohën e Jojakimit, priftërinjtë të parët e shtëpive atërore ishin si vijon: nga shtëpia e Serajahut, Merajahu; nga ajo e Jeremias, Hananiahu;

13 nga ajo e Ezdras, Meshulami; nga ajo e Amariahut, Jehohanani;

14 nga ajo e Melikut, Jonathani; nga ajo e Shebaniahut, Jozefi;

15 nga ajo e Harimit, Adna; nga ajo e Merajothit, Helkai;

16 nga ajo e Idos, Zakaria; nga ajo e Ginethonit, Meshulami;

17 nga ajo e Abijahut, Zikri; nga ajo e Miniaminit dhe e Moadiahut, Piltai;

18 nga ajo e Bilgahut, Shamua; nga ajo e Shemajahut, Jonathani;

19 nga ajo e Jojaribit, Matenai; nga ajo e Jedajahut, Uzi;

20 nga ajo e Sallait, Kallai; nga ajo e Amokut, Eberi;

21 nga ajo e Hilkiahut, Hashabiahu dhe nga ajo e Jedajahut, Nethaneeli.

22 Gjatë mbretërimit të Darit, Persianit, u regjistruan bashkë me priftërinjtë, Levitët që ishin të parë të shtëpive atërore në kohën e Eliashibit, të Jojadas, të Johananit dhe të Jaduas.

23 Bijtë e Levit, që ishin të parë të shtëpive atërore, u regjistruan përkundrazi në librin e Kronikave deri në kohën e Johananit, birit të Eliashibit.

24 Krerët e Levitëve Hashabiahu, Sherabiahu dhe Jeshua, bir i Kadmielit, bashkë me vëllezërit e tyre, që rrinin përballë tyre, këndonin himne lëvdimi dhe falenderimi me grupe të alternuara, sipas urdhrit të Davidit, njeriut të Perëndisë.

25 Mataniahu, Bakbukiahu, Obadiahu, Meshulami, Talmoni dhe Akubi ishin derëtarë dhe ruanin magazinat e portave.

26 Këta jetonin në kohën e Jojakimit, birit të Jeshuas, bir i Jotsadakut, dhe në kohën e Nehemias, qeveritarit, dhe të Ezdras, që ishte prift dhe shkrues.

27 Për kushtimin e mureve të Jeruzalemit dërguan të kërkojnë Levitë nga tërë vendet e tyre, për t’i sjellë në Jeruzalem që të kremtonin kushtimin me gëzim, me lavderime dhe me këngë, me cembale, me harpa dhe me qeste.

28 Dhe bijtë e këngëtarëve u mblodhën nga krahina përreth Jeruzalemit, nga fshatrat e Netofathitëve,

29 nga Beth-Gilgali, nga fusha e Gebas dhe të Azmavethit, sepse këngëtarët kishin ndërtuar fshatra përreth Jeruzalemit.

30 Priftërinjtë dhe Levitët u pastruan vetë dhe pastruan popullin, portat dhe muret.

31 Pastaj unë bëra të hipnin mbi muret krerët e Judës dhe formova kështu dy kore të mëdha lëvdimi. I pari u nis në të djathtë, mbi muret, në drejtim të portës së Plehut;

32 prapa tij ecnin Hoshajahu, gjysma e krerëve të Judës,

33 Azaria, Ezdra, Meshulami,

34 Juda, Beniamini, Shemajahu, Jeremia,

35 dhe disa nga bijtë e priftërinjve me boritë e tyre: Zakaria, bir i Jonathanit, bir i Shemajahut, bir i Mataniahut, bir i Mikajahut, bir i Zakurit, bir i Asafit,

36 dhe vëllezërit e tij Shemajahu, Azareeli, Milalai; Gilalaji, Maai, Nethaneeli, Juda dhe Hanani, me veglat muzikore të Davidit, njeriut të Perëndisë. Ezdra, shkruesi, ecte në krye të tyre.

37 Kur arritën te porta e Burimit u ngjitën drejtpërdrejtë nëpër shkallët e qytetit të Davidit, ku muret lartohen mbi shtëpinë e Davidit, deri te porta e Ujërave, në lindje.

38 Kori i dytë i lëvdimit mori drejtimin e kundërt; unë e ndiqja me gjysmën e popullit, mbi muret, mbi kullën e Furrave, deri te muri i Gjerë,

39 pastaj mbi portën e Efraimit, mbi portën e Vjetër, mbi portën e Peshqve, mbi kullën e Hananeelit, mbi kullën e Meahut, deri te porta e Deleve; kori u ndal te porta e Burgut.

40 Dy koret e lëvdimit u ndalën te shtëpia e Perëndisë; kështu bëra edhe unë me gjysmën e gjyqtarëve që ishin me mua,

41 dhe priftërinjtë Eliakim, Maasejah, Minialin, Mikajah, Elioenai, Zakaria, Hananiahu me boritë,

42 dhe Maasejahu, Shemajahu, Eleazari, Uzi, Jehohanani, Milkijahu, Elami dhe Ezetri. Këngëtarët kënduan me zë të lartë nën drejtimin e Jezrahiahut.

43 Atë ditë ofruan flijime të mëdha dhe u gëzuan sepse Perëndia i kishte mbushur me një gëzim të madh. Edhe gratë dhe fëmijët u gëzuan; dhe gëzimi i Jeruzalemit dëgjohej nga larg.

44 Në atë kohë disa njerëz u caktuan për dhomat që shërbenin si magazina për ofertat, për prodhimet e para dhe për të dhjetat, për të mbledhur aty nga arat e qyteteve pjesët e caktuara nga ligji për priftërinjtë dhe për Levitët, sepse Judejtë gëzoheshin kur shihnin priftërinjtë dhe Levitët që kryenin shërbimin.

45 Ata e kryenin shërbimin e Perëndisë të tyre dhe shërbimin e pastrimit, bashkë me këngëtarët dhe me derëtarët, sipas urdhrit të Davidit dhe të Salomonit, që ishte biri i tij.

46 Në lashtësi, në kohën e Davidit dhe të Asafit, kishte në të vërtetë drejtues këngëtarësh dhe këngë lëvdimi dhe falenderimi drejtuar Perëndisë.

47 Në kohën e Zerubabelit dhe të Nehemias, gjithë Izraeli u jepte çdo ditë racionet e caktuara këngëtarëve dhe derëtarëve; vinte gjithashtu mënjanë racionin për Levitët, dhe Levitët vinin mënjanë racionin e shenjtëruar për bijtë e Aaronit.

Veprat e Apostujve 22

22 “Vëllezër dhe etër, dëgjoni çfarë ju them tani për mbrojtjen time.”

Kur dëgjuan se u fliste atyre në gjuhën hebraike, heshtën edhe më shumë. Pastaj ai tha:

“Në të vërtetë unë jam një Jude, lindur në Tars të Kilikisë dhe rritur në këtë qytet te këmbët e Gamalielit, edukuar me përpikërinë e ligjit të etërve tanë, plot me zell për Perëndinë, sikurse jeni ju të gjithë sot;

unë kam përndjekur këtë Udhë deri në vdekje, duke lidhur dhe duke futur në burg burra dhe gra,

sikurse jep dëshmi për mua kryeprifti dhe gjithë sinedri i pleqve, prej të cilëve mora edhe letra për vëllezërit dhe shkova në Damask për të sjellë të lidhur në Jeruzalem ata që ishin atje, që të ndëshkoheshin.

Dhe më ndodhi që, kur isha duke udhëtuar dhe po i afrohesha Damaskut, aty nga mesi i ditës, papritmas një dritë e madhe nga qielli vetëtiu rreth meje.

Dhe unë rashë përdhe dhe dëgjova një zë që po më thoshte: "Saul, Saul, përse më përndjek?".

Dhe unë u përgjigja: "Kush je ti, o Zot?" Edhe ai më tha: "Unë jam Jezus Nazareasi, të cilin ti e përndjek".

Edhe ata që ishin me mua e panë dritën dhe u trembën, por nuk dëgjuan zërin e atij që më fliste.

10 Unë thashë: "O Zot, ç’duhet të bëj?". Zoti më tha: "Çohu dhe shko në Damask! Atje do të të thuhet çfarë të është urdhëruar të bësh".

11 Dhe, mbasi unë nuk shihja asgjë për shkak të shkëlqimit të asaj drite, më morën për dore ata që ishin me mua; dhe hyra në Damask.

12 Dhe njëfarë Anania, njeri i perëndishëm sipas ligjit, për të cilin jepnin dëshmi të gjithë Judenjtë që banonin aty,

13 erdhi tek unë, dhe duke qëndruar pranë meje, tha: "O vëlla Saul, shiko përsëri!". Dhe në atë çast unë fitova përsëri dritën e syve dhe e shikova.

14 Pastaj vazhdoi: "Perëndia i etërve tanë të ka paracaktuar të njohësh vullnetin e tij, ta shohësh të Drejtin dhe të dëgjosh një zë nga goja e tij.

15 Sepse ti duhet të dëshmosh për të tek të gjithë njerëzit për ato që ke parë dhe ke dëgjuar.

16 Dhe tani ç’pret? Çohu dhe ji i pagëzuar dhe i larë nga mëkatet e tua, duke thirrur emrin e Zotit".

17 Dhe ndodhi që, kur u ktheva në Jeruzalem dhe isha duke u lutur në tempull, u rrëmbeva në ekstazë,

18 dhe pashë Zotin që më thoshte: "Nxito dhe dil shpejt nga Jeruzalemi, sepse ata nuk do ta pranojnë dëshminë tënde për mua".

19 Atëherë unë thashë: "O Zot, ata e dinë vetë se unë burgosja dhe rrihja nga një sinagogë te tjetra ata që besonin në ty;

20 kur u derdh gjaku i Stefanit, dëshmorit tënd, edhe unë isha i pranishëm, e miratoja vdekjen e tij dhe ruaja rrobat e atyre që e vrisnin.

21 Por ai më tha: "Shko, sepse unë do të të dërgoj larg midis johebrenjve".”

22 Ata e dëgjuan deri në këtë pikë; pastaj ngritën zërin duke thënë: “Hiqe nga bota një njeri të tillë, sepse nuk është i denjë të rrojë!.”

23 Duke qenë se ata bërtisnin, duke i flakur rrobat e duke ngritur pluhurin në erë,

24 kryemijësi urdhëroi ta çonin Palin në fortesë, duke urdhëruar që ta marrin në pyetje duke e rrahur me kamxhik, që të merrej vesh për çfarë arsye ata bërtisnin kështu kundër tij.

25 Por, kur e shtrinë, të lidhur me rripa, Pali i tha centurionit që ishte aty: “A është e ligjshme për ju të rrihni me kamxhik një qytetar romak, ende të pagjykuar?.”

26 Kur e dëgjoi, centurioni shkoi e i tregoi kryemijësit duke thënë: “Çfarë do të bësh? Ky njeri është një qytetar romak!.”

27 Atëherë kryemijësi shkoi te Pali dhe e pyeti: “Më thuaj, a je një qytetar romak?.” Ai tha: “Po, jam!.”

28 Kryemijësi u përgjigj: “Unë e kam fituar këtë qytetëri me një shumë të madhe.” Pali tha: “Kurse unë e kam qysh prej lindjes!.”

29 Menjëherë ata që duhet ta merrnin në pyetje u larguan prej tij; dhe vetë kryemijësi, kur mori vesh se ai ishte qytetar romak, pati frikë që e kishte lidhur.

30 Të nesërmen, duke dashur të marrë vesh me saktësi përse ishte akuzuar nga Judenjtë, e zgjidhi nga prangat dhe urdhëroi krerët e priftërinjve dhe gjithë sinedrin të vinin. Pastaj, si e sollën poshtë Palin, e nxori përpara tyre.