M’Cheyne Bible Reading Plan
5 Ky është libri i prejardhjes së Adamit. Ditën që Perëndia krijoi njeriun e bëri të ngjashëm me Perëndinë.
2 Ai i krijoi mashkull dhe femër, i bekoi dhe u dha emrin njeri, ditën që u krijuan.
3 Adami jetoi njëqind e tridhjetë vjet dhe i lindi një djalë që i përngjiste, një lloj në shëmbëlltyrë të tij dhe e quajti Seth.
4 Mbas lindjes së Sethit, Adami jetoi tetëqind vjet dhe pati bij dhe bija.
5 Kështu Adami jetoi gjithsej nëntëqind e tridhjetë vjet; pastaj vdiq.
6 Sethi jetoi njëqind e pesë vjet dhe i lindi Enoshi.
7 Pas lindjes së Enoshit, Sethi jetoi tetëqind e shtatë vjet dhe pati bij e bija të tjerë.
8 Kështu tërë koha që Sethi jetoi qe nëntëqind e dymbëdhjetë vjet; pastaj vdiq.
9 Enoshi jetoi nëntëdhjetë vjet dhe i lindi Kenani.
10 Mbas lindjes së Kenanit, Enoshi jetoi tetëqind e pesëmbëdhjetë vjet dhe pati bij e bija të tjerë.
11 Kështu Enoshi jetoi gjithsej nëntëqind e pesë vjet; pastaj vdiq.
12 Kenani jetoi shtatëdhjetë vjet dhe i lindi Mahalaleeli.
13 Mbas lindjes së Mahalaleelit, Kenani jetoi tetëqind e dyzet vjet dhe pati bij e bija të tjerë.
14 Kështu Kenani jetoi gjithsej nëntëqind e dhjetë vjet; pastaj vdiq.
15 Mahalaleeli jetoi gjashtëdhjetë e pesë vjet dhe i lindi Jaredi.
16 Mbas lindjes së Jaredit, Mahalaleeli jetoi tetëqind e tridhjetë vjet dhe pati bij e bija të tjerë.
17 Kështu Mahalaleeli jetoi gjithsej tetëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet; pastaj vdiq.
18 Jaredi jetoi njëqind e gjashtëdhjetë e dy vjet dhe i lindi Enoku.
19 Mbas lindjes së Enokut, Jaredi jetoi tetëqind vjet dhe pati bij dhe bija të tjerë.
20 Kështu Jaredi jetoi gjithsej nëntëqind e gjashtëdhjetë e dy vjet; pastaj vdiq.
21 Enoku jetoi gjashtëdhjetë e pesë vjet dhe i lindi Methuselahu.
22 Mbas lindjes të Methuselahut, Enoku eci me Perëndinë treqind vjet dhe pati bij e bija të tjerë.
23 Kështu Enoku jetoi gjithsej treqind e gjashtëdhjetë e pesë vjet.
24 Pra Enoku eci me Perëndinë, por nuk u gjend më, sepse Perëndia e mori me vete.
25 Metuselahu jetoi njëqind e tetëdhjetë e shtatë vjet dhe i lindi Lameku.
26 Mbas lindjes së Lamekut, Metuselahu jetoi shtatëqind e tetëdhjetë e dy vjet dhe i lindën bij e bija.
27 Kështu Metuselahu jetoi gjithsej nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë vjet; pastaj ai vdiq.
28 Lameku jetoi njëqind e tetëdhjetë e dy vjet dhe i lindi një bir;
29 dhe i vuri emrin Noe, duke thënë: "Ky do të na ngushëllojë për punën tonë dhe për mundin e duarve tona, për shkak të tokës që Zoti e ka mallkuar".
30 Pasi solli në këtë botë Noeun, Lameku jetoi pesëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet dhe i lindën bij e bija të tjerë.
31 Kështu Lameku jetoi gjithsej shtatëqind e shtatëdhjetë e shtatë vjet, pastaj ai vdiq.
32 Noeut, në moshën pesëqind vjeç, i lindi Semi, Kami dhe Jafeti.
5 Dhe ai, kur pa turmat, u ngjit në mal dhe, pasi u ul, iu afruan dishepujt e tij.
2 Atëherë ai hapi gojën dhe i mësoi duke u thënë:
3 “Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.
4 Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen.
5 Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën.
6 Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen.
7 Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë.
8 Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë.
9 Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë.
10 Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.
11 Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim.
12 Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush.”
13 “Ju jeni kripa e tokës; por në qoftë se kripa bëhet e amësht, me se mund ta rifitojë shijen? Nuk vlen për asgjë, veçse për t’u hedhur dhe ta shkelin njerëzit.
14 Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet.
15 Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t’u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi.
16 Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.”
17 “Mos mendoni se unë erdha për të shfuqizuar ligjin ose profetët; unë nuk erdha për t’i shfuqizuar, po për t’i plotësuar.
18 Sepse në të vërtetë ju them: Deri sa qielli dhe toka, të kalojnë asnjë jotë a asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojnë, para se të plotësohet gjithçka.
19 Ai, pra, që do të shkelë një nga këto urdhërime më të vogla, dhe do t’u ketë mësuar kështu njerëzve, do të quhet më i vogli në mbretërinë e qiejve; kurse ai që do t’i vërë në praktikë dhe do t’ua mësojë të tjerëve, do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve.
20 Prandaj unë po ju them: në qoftë se drejtësia juaj nuk është më e lartë nga ajo e skribëve dhe e farisenjve ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.
21 Ju keni dëgjuar se u qe thënë të lashtëve: "Mos vrisni"; dhe: "Kushdo që vret do t’i nënshtrohet gjyqit";
22 por unë po ju them: "Kushdo që zemërohet pa shkak kundër vëllait të tij, do t’i nënshtrohet gjyqit; dhe kush i thotë vëllait të vet: "Rraka," do t’i nënshtrohet sinedrit; dhe kush do t’i thotë: "Budalla," do t’i nënshtrohet zjarrit të Gehenës.
23 Nëse ti, pra, po paraqet ofertën tënde te altari, dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje,
24 lëre atje ofertën tënde para altarit dhe shko pajtohu më parë me vëllanë tënd; pastaj kthehu dhe paraqite ofertën tënde.
25 Bëj një marrëveshje miqësore me kundërshtarin tënd, sa je në një rrugë me të, që kundërshtari yt të mos të dorëzojë te gjykatësi dhe gjykatësi të të dorëzojë te rojtari dhe ti të futesh në burg.
26 Në të vërtetë të them se nuk do të da-lësh prej andej pa e paguar edhe qindarkën e fundit.
27 Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: "Mos shkel kurorën".
28 Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet.
29 Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehenën gjithë trupi yt;
30 dhe në qoftë se dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje dhe hidhe larg teje, sepse është më mirë që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehena gjithë trupi yt.
31 Qe thënë gjithashtu: "Kush e lë gruan e tij, le t’i japë letrën e ndarjes".
32 Por unë po ju them: Kushdo që e përzë gruan e tij, me përjashtim të rastit të kurvërisë, e bën atë të shkelë kurorën; dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, shkel kurorën.
33 Keni dëgjuar gjithashtu se të lashtëve u qe thënë: "Mos bëj betim të rremë; por plotëso premtimet për të cilat je betuar para Zotit".
34 Por unë po ju them: "Mos u betoni fare, as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë,
35 as për tokën, sepse është stol i këmbëve të tij, as për Jeruzalemin, sepse është qyteti i Mbretit të madh.
36 Mos u beto as për kokën tënde, sepse nuk ke fuqi të zbardhësh ose të nxish qoftë edhe një fije floku;
37 Por fjala jote të jetë: Po, po; jo, jo; gjithçka më tepër vjen nga i ligu.
38 Ju keni dëgjuar se qe thënë: "Sy për sy dhe dhëmb për dhëmb".
39 Por unë po ju them: Mos i rezisto të ligut; madje, në qoftë se dikush të qëllon mbi faqen e djathtë, ktheja dhe tjetrën,
40 dhe në qoftë se dikush do të të nxjerrë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe mantelin.
41 Dhe në qoftë se dikush të detyron të ecësh një milje, ti bëji dy me të.
42 Jepi atij që të kërkon, dhe mos refuzo t’i japësh atij që të kërkon hua.
43 Ju keni dëgjuar se qe thënë: "Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd".
44 Por unë po ju them: "Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin,
45 për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej, sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët.
46 Sepse, po të doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?
47 Dhe nëse përshendetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?
48 Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej.”
5 Por profetët Axhe dhe Zakaria, bir i Idos, u profetizuan Judejve që ishin në Judë dhe në Jeruzalem në emër të Perëndisë të Izraelit që ishte mbi ta.
2 Atëherë Zorobabeli, bir i Shealtielit, dhe Jeshua, bir i Jotsadakut, u ngritën dhe nisën të ndërtojnë shtëpinë e Perëndisë në Jeruzalem; dhe me ta ishin profetët e Perëndisë, që i ndihmonin.
3 Në atë kohë erdhën tek ata Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët e tyre dhe u folën kështu: "Kush ju dha urdhër të ndërtoni këtë tempull dhe të rindërtoni këto mure?".
4 Pastaj ne u treguam atyre emrat e njerëzve që ndërtonin këtë godinë.
5 Por pleqtë e Judejve i ruante syri i Perëndisë të tyre; dhe ata nuk mundën t’i bëjnë të ndërprisnin punën deri sa t’i dërgohej një raport Darit dhe të vinte një përgjigje për këtë çështje.
6 Kjo është një kopje e letrës që iu dërgua mbretit Dari nga Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, nga Shethar-Boznai dhe nga kolegët e tij, Afarsekitët, që ishin matanë Lumit.
7 I dërguan një letër të shkruar në këtë mënyrë: "Mbretit Dari, shëndet të plotë!
8 I bëjmë të njohur mbretit që ne kemi vajtur në krahinën e Judës, në tempullin e Perëndisë të madh. Ai po ndërtohet me gurë të mëdhenj dhe po vihet lëndë druri për ndarëset e tij. Kjo punë po kryhet me kujdes dhe po ecën mirë në duart e tyre.
9 Ne kemi pyetur ata pleq dhe u kemi folur kështu: "Kush ju ka dhënë urdhër të ndërtoni këtë tempull dhe të ndërtoni këto mure?".
10 U kemi kërkuar edhe emrat e tyre, me qëllim që të vinim me shkrim emrat e njerëzve që janë në krye të tyre, dhe pastaj të t’i bënim të njohur.
11 Dhe ata na janë përgjigjur kështu, duke thënë: "Ne jemi shërbëtorët e Perëndisë të qiellit dhe të dheut dhe rindërtojmë tempullin që ishte ndërtuar shumë vjet më parë; një mbret i madh i Izraelit e kishte ndërtuar dhe mbaruar.
12 Duke qenë se etërit tanë kanë provokuar zemërimin e Perëndisë të qiellit, ai i dha në duart e Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, Kaldeasit, i cili e shkatërroi këtë tempull dhe e internoi popullin në Babiloni.
13 Por në vitin e parë të Kirit, mbretit të Babilonisë, mbreti Kir dha urdhër t’i ndërtohej kjo shtëpi Perëndisë.
14 Përveç kësaj mbreti Kir nxori jashtë nga tempulli i Babilonisë përdorëset prej ari dhe argjendi të shtëpisë së Perëndisë, që Nebukadnetsari kishte hequr nga tempulli i Jeruzalemit dhe i kishte çuar në tempullin e Babilonisë, dhe ia dorëzoi njërit që quhej Sheshbatsar, që ai e kishte bërë qeveritar,
15 duke i thënë: "Merri këto veglat dhe shko t’i vësh përsëri në tempullin që është në Jeruzalem; dhe shtëpia e Perëndisë të rindërtohet në vendin e saj.
16 Atëherë vetë Sheshbatsari erdhi dhe hodhi themelet e shtëpisë së Perëndisë që është në Jeruzalem; që nga kjo kohë e deri më sot ajo është në ndërtim, dhe nuk ka mbaruar akoma".
17 Prandaj tani, në rast se kjo i pëlqen mbretit, të bëhen kërkime në shtëpinë e thesareve të mbretit që është në Babiloni, për të parë nëse mbreti Kir ka dhënë me të vërtetë një urdhër për të ndërtuar këtë shtëpi të Perëndisë në Jeruzalem; dhe mbreti të na çojë vendimin e tij lidhur me këtë gjë".
5 Kurse një farë burri, me emër Anania, me gruan e vet Safira, shiti një arë,
2 por mbajti për vete një pjesë të parave, me miratimin e gruas, dhe e çoi mbetjen te këmbët e apostujve.
3 Por Pjetri i tha: “Anania, pse Satani ta mbushi zemrën që të gënjesh Frymën e Shenjtë dhe të mbash një pjesë të çmimit të arës?
4 Po të mbetej e pashitur, a nuk do të ngelte e jotja? Dhe ato që more nga shitja a nuk ishin vallë në dispozicionin tënd? Pse e shtive në zemër këtë gjë? Ti nuk ke gënjyer njerëzit, por Perëndinë!.”
5 Kur i dëgjoi këto fjalë, Anania ra përtokë dhe dha shpirt. Dhe një frikë e madhe i zuri të gjithë ata që i dëgjuan këto gjëra.
6 Atëherë u ngritën disa të rinj, e mbështollën, e mbartën jashtë dhe e varrosën.
7 Dhe afërsisht tre orë më vonë hyri dhe gruaja e tij, e cila nuk dinte ç’kishte ndodhur.
8 Dhe Pjetri i drejtoi fjalën, duke thënë: “Më thuaj, a e shitët arën për kaq?.” Dhe ajo u përgjigj: “Po, për aq.”
9 Atëherë Pjetri i tha: “Pse u morët vesh që ta tundoni Frymën e Zotit? Ja, këmbët e atyre që e varrosën burrin tënd janë në prag të derës dhe do të të mbartin jashtë edhe ty!.”
10 Në moment ajo ra te këmbët e tij dhe dha shpirt. Dhe të rinjtë, si hynë, e gjetën të vdekur, e mbartën jashtë dhe e varrosën pranë burrit të saj.
11 Kështu një frikë e madhe e zuri gjithë kishën dhe gjithë ata që i dëgjonin këto gjëra.
12 Dhe shumë shenja dhe mrekulli bëheshin në mes të popullit nëpërmjet duarve të apostujve. Të gjithë me një mendje të vetme mblidheshin nën portikun e Salomonit.
13 Dhe asnjeri nga të tjerët nuk guxonte të bashkohej me ta; por populli i lartësonte.
14 Kështu Zotit i shtohej një numër gjithnjë e më i madh besimtarësh, turma burrash dhe grash,
15 aq sa i binin të sëmurët në sheshe, i vinin në shtretër e në shtroja, që kur kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të mbulonte ndonjë nga ata.
16 Edhe një turmë nga qytetet përreth turrej në Jeruzalem, duke sjellë të sëmurët dhe ata që mundoheshin nga frymëra të ndyra dhe të gjithë shëroheshin.
17 Atëherë u ngritën kryeprifti dhe të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, plot smirë,
18 dhe vunë dorë mbi apostujt dhe i futën në burgun publik.
19 Por një engjëll i Zotit, natën, i hapi dyert e burgut dhe, si i nxori jashtë, tha:
20 “Shkoni, paraqituni në tempull dhe i shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete.”
21 Dhe ata, si i dëgjuan këto, hynë në tempull kur zbardhte dita dhe mësonin. Por kryeprifti dhe ata që ishin me të, erdhën dhe thirrën bashkë sinedrin dhe të gjithë pleqtë e bijve të Izraelit; pastaj dërguan rojet në burg për t’i sjellë apostujt.
22 Por rojet, kur arritën në burg, nuk i gjetën; dhe kur u kthyen bënë raportimin e tyre,
23 duke thënë: “Ne e gjetëm burgun të mbyllur me kujdes dhe rojet në këmbë përpara dyerve; por kur i hapëm, nuk gjetëm asnjeri brenda.”
24 Por kryeprifti, komandanti i rojeve të tempullit dhe krerët e priftërinjve, kur i dëgjuan këto gjëra, mbetën të habitur lidhur me këtë, sepse nuk dinin ç’donte të thoshte gjithë kjo punë.
25 Por erdhi dikush që u raportoi atyre duke thënë: “Ja, këta njerëz që ju i futët në burg janë në tempull dhe po mësojnë popullin.”
26 Atëherë komandanti shkoi me rojet dhe i solli, pa dhunë, nga frika se mos populli i vriste me gurë.
27 Kështu, pra, i sollën dhe i paraqitën përpara sinedrit; dhe kryeprifti i pyeti,
28 duke thënë: “Po a nuk ju kemi ndaluar rreptësisht të mësoni në atë emër? Dhe ja, ju e keni mbushur Jeruzalemin me doktrinën tuaj dhe doni që të bjerë mbi ne gjaku i atij njeriu.”
29 Por Pjetri dhe apostujt, duke u përgjigjur, thanë: “Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.
30 Perëndia e etërve tanë e ka ringjallur Jezusin, që ju e vratë, duke e varur në dru.
31 Perëndia e lartësoi me të djathtën e vet dhe e bëri princ dhe shpëtimtar për t’i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve.
32 Dhe për këto gjëra ne jemi dëshmitarë të tij, si edhe Fryma e Shenjtë, që Perëndia ua ka dhënë atyre që i binden atij.”
33 Kur i dëgjuan këto gjëra, ata u tërbuan dhe vendosën t’i vrasin.
34 Por një farise, me emër Gamaliel, mësues i ligjit dhe i nderuar nga gjithë populli, u ngrit në këmbë në sinedër dhe urdhëroi të nxirren jashtë apostujt për një moment.
35 Pastaj u tha atyre të sinedrit: “Burra të Izraelit, mendohuni mirë për atë që do t’u bëni këtyre njerëzve.
36 Sepse pak kohë më parë u ngrit Teuda që thoshte se ishte dikush; rreth tij u mblodhën afro katërqind burra; por ai u vra dhe të gjithë ata që e kishin ndjekur u shpërndanë dhe u asgjësuan.
37 Pas tij, në kohën e regjistrimit të popullsisë, u ngrit Juda Galileas që tërhoqi pas vetes shumë njerëz; edhe ai humbi, dhe të gjithë ata që e kishin ndjekur u shpërndanë.
38 Tani unë po ju them t’u rrini larg këtyre njerëzve dhe t’i lironi, sepse në qoftë se ky plan ose kjo vepër është prej njerëzve, ajo do të prishet,
39 por nëse është prej Perëndisë, ju nuk mund ta prishni, sepse do të gjendeshit në luftë kundër vetë Perëndisë!.”
40 Dhe ata ia vunë veshin. Dhe, mbasi i thirrën apostujt, i rrahën dhe u dhanë urdhër të mos flasin në emër të Jezusit; pastaj i lanë të shkojnë.
41 Kështu ata u larguan nga sinedri, duke u gëzuar sepse qenë çmuar të denjë të fyhen për emrin e Jezusit.
42 Dhe çdo ditë, në tempull e nëpër shtëpi, nuk pushonin duke mësuar dhe duke shpallur lajmin e mirë: që Jezusi është Krishti.