M’Cheyne Bible Reading Plan
11 Por tërë toka fliste të njëjtën gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë.
2 Dhe ndodhi që, ndërsa po zhvendoseshin në drejtim të jugut, ata gjetën një fushë në vendin e Shinarit dhe u vendosën atje.
3 Dhe i thanë njëri tjetrit: "O burra, të bëjmë tulla dhe t’i pjekim me zjarr!". Dhe përdorën tulla në vend të gurëve dhe bitum në vend të llaçit.
4 Dhe thanë: "O burra, të ndërtojmë për vete një qytet dhe një kullë maja e së cilës të arrijë deri në qiell, dhe t’i bëjmë një emër vetes që të mos shpërndahemi mbi faqen e tërë dheut".
5 Por Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën që bijtë e njerëzve ishin duke ndërtuar.
6 Dhe Zoti tha: "Ja, ata janë një popull i vetëm dhe kanë të gjithë të njëjtën gjuhë; dhe kjo është ajo që ata filluan të bëjnë; tani asgjë nuk ka për t’i penguar ata të përfundojnë atë që kanë ndërmend të bëjnë.
7 O burra, të zbresim pra atje poshtë dhe të ngatërrojmë gjuhën e tyre, në mënyrë që njëri të mos kuptojë të folurën e tjetrit".
8 Kështu Zoti i shpërndau mbi faqen e tërë dheut dhe ata pushuan së ndërtuari qytetin.
9 Prandaj këtij vendi iu dha emri i Babelit, sepse Zoti aty ngatërroi gjuhën e tërë dheut dhe i shpërndau mbi tërë faqen e dheut.
10 Këta janë pasardhësit e Semit. Në moshën njëqind vjeç Semit i lindi Arpakshadi, pikërisht dy vjet pas përmbytjes.
11 Mbas lindjes të Arpakshadit, Semi jetoi pesëqind vjet dhe i lindën bij dhe bija.
12 Arpakshadi jetoi tridhjetë e pesë vjet dhe i lindi Shelahu.
13 Mbas lindjes së Shelahut, Arpakshadi jetoi katërqind e tre vjet dhe i lindën bij dhe bija.
14 Shelahu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Eberi.
15 Mbas lindjes së Eberit, Shelahu jetoi katërqind e tre vjet dhe i lindën bij dhe bija.
16 Eberi jetoi tridhjetë e katër vjet dhe lindi Pelegu.
17 Mbas lindjes së Pelegut, Eberi jetoi katërqind e tridhjetë vjet dhe i lindën bij dhe bija.
18 Pelegu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Reu.
19 Mbas lindjes të Reut, Pelegu jetoi dyqind e nëntë vjet dhe i lindën bij dhe bija.
20 Reu jetoi tridhjetë e dy vjet dhe i lindi Serugu.
21 Mbas lindjes të Serugut, Reu jetoi dyqind e shtatë vjet dhe i lindën bij dhe bija.
22 Serugu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Nahori;
23 mbas lindjes së Nahorit, Serugu jetoi dyqind vjet dhe i lindën bij dhe bija.
24 Nahori jetoi njëzet e nëntë vjet dhe i lindi Terahu;
25 mbas lindjes së Terahut, Nahori jetoi njëqind e nëntëmbëdhjetë vjet dhe i lindën bij dhe bija.
26 Terahu jetoi shtatëdhjetë vjet dhe i lindi Abrami, Nahori dhe Harani.
27 Këta janë pasardhësit e Terahut. Terahut i lindi Abrami, Nahori dhe Harani; dhe Haranit i lindi Loti.
28 Harani vdiq në prani të Terahut, babait të tij, në vendlindjen e tij, në Ur të Kaldeasve.
29 Dhe Abrami dhe Nahori morën gra: emri i gruas së Abramit ishte Saraj dhe emri i gruas së Nahorit ishte Milkah, e bija e Haranit, i ati i Milkahut dhe i ati i Iskahut.
30 Por Saraj ishte shterpë, nuk kishte fëmijë.
31 Pastaj Terahu mori të birin Abram dhe Lotin, të birin e Haranit, domethënë djali i të birit, dhe Sarajn nusen e tij, gruaja e djalit të tij Abram, dhe dolën bashkë nga Ur i Kaldeasve për të vajtur në vendin e Kanaanëve; por kur arritën në Haran, ata u vendosën aty.
32 Terahu jetoi dyqind e pesë vjet, pastaj Terahu vdiq në Haran.
10 Pastaj Jezusi i thirri të dymbëdhjetë dishepujt e tij rreth vetes dhe u dha autoritet t’i dëbojnë frymërat e ndyra, dhe të shërojnë çdo sëmundje e çdo lëngatë.
2 Dhe emrat e dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, i quajtur Pjetër dhe Andrea, vëllai i tij; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, vëllai i tij;
3 Filipi dhe Bartolomeu; Thomai dhe Mateu tagrambledhësi, Jakobi i Alfeut dhe Lebeu, i mbiquajtur Tade;
4 Simon Kananeasi dhe Judë Iskarioti, ai që më pas e tradhtoi.
5 Këta janë të dymbëdhjetët që Jezusi i dërgoi mbasi u dha këto urdhëra: “Mos shkoni ndër paganë dhe mos hyni në asnjë qytet të Samaritanëve,
6 por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.
7 Shkoni dhe predikoni duke thënë: "Mbretëria e qiejve u afrua".
8 Shëroni të sëmurët, pastroni lebrozët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët; falas morët, falas jepni.
9 Mos grumbulloni ar, as argjend as bakër në qesen tuaj,
10 as trasta për udhë, as dy palë tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori është i denjë për ushqimin e vet.
11 Në çfarëdo qytet ose fshat që të hyni, pyetni në se ka aty ndonjë njeri të denjë dhe banoni tek ai deri sa të niseni.
12 Dhe kur hyni në shtëpi, e përshëndetni.
13 Dhe në se ajo shtëpi është e denjë, le të vijë paqja juaj mbi të; por, në se nuk është e denjë, paqja juaj le të kthehet përsëri tek ju.
14 Dhe në se dikush nuk ju pret dhe nuk i dëgjon fjalët tuaja, duke dalë nga ajo shtëpi ose nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja.
15 Dhe në të vërtetë po ju them se ditën e gjyqit, vendi i Sodomës dhe i Gomorës do të trajtohet me më shumë tolerancë se ai qytet.
16 Ja, unë po ju dërgoj si dele në mes të ujqërve; jini, pra, të mënçur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat.
17 Por ruhuni nga njerëzit, sepse do t’ju zvarrisin përpara sinedrave të tyre dhe do t’ju fshikullojnë në sinagogat e tyre.
18 Dhe do t’ju çojnë përpara guvernatorëve dhe përpara mbretërve për shkakun tim, për të dëshmuar para tyre dhe para johebrenjve.
19 Dhe, kur t’ju dorëzojnë në duart e tyre, mos u shqetësoni se çfarë dhe si do të flisni; sepse në atë çast do t’ju jepet se çfarë duhet të thoni;
20 sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Fryma e Atit tuaj që do të flasë në ju.
21 Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati të birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t’i vrasin.
22 Dhe të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim; por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtojë.
23 Por kur do t’ju përndjekin në një qytet, ikni në një tjetër, sepse në të vërtetë ju them se nuk do të përfundoni së përshkuari qytetet e Izraelit, para se të vijë Biri i njeriut.
24 Dishepulli nuk del mbi mësuesin, as shërbëtori mbi zotin e tij.
25 I mjafton dishepullit të bëhet si mësuesi i tij dhe shërbëtorit të bëhet si zotëria e tij. Në se të zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebub, aq më tepër do t’i quajnë ashtu ata të shtëpisë së tij!
26 Mos ia kini frikën pra, sepse nuk ka gjë të fshehtë që të mos zbulohet dhe asnjë sekret që nuk do të nijhet.
27 Atë që unë ju them në terr, e thoni në dritë; dhe atë që dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni mbi çatitë.
28 Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; kini frikë më tepër nga ai që mund t’ua humbë shpirtin dhe trupin në Gehena.
29 A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe, megjithatë asnjë prej tyre nuk bie për tokë pa dashjen e Atit tuaj.
30 Sa për ju, madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara.
31 Mos kini frikë, pra; ju vleni më tepër se shumë harabela.
32 Prandaj kushdo që do të më rrëfenjë përpara njerëzve, dhe unë do ta rrëfejë përpara Atit tim që është në qiej.
33 Por kushdo që do të më mohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta mohoj përpara Atit tim që është në qiej.”
34 “Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën.
35 Sepse unë erdha ta ndaj birin nga ati, bijën nga nëna, nusen nga vjehrra,
36 dhe armiqt e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet.
37 Ai që e do të atin ose nënën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua; dhe ai që e do birin ose bijën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua.
38 Dhe ai që nuk e merr kryqin e vet dhe nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua.
39 Kush do të gjejë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë përsëri.
40 Ai që ju pranon, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar.
41 Ai që pranon një profet në emër të një profeti, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; dhe ai që pranon të drejtin në emër të të drejtit, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit.
42 Dhe kushdo që i jep për të pirë qoftë edhe vetëm një gotë uji të freskët ndonjërit prej këtyre të vegjëlve në emër të një dishepulli, në të vërtetë ju them, që ai nuk do të humbë aspak shpërblimin e tij.”
10 Ndërsa Ezdra lutej dhe bënte këtë rrëfim, duke qarë dhe duke rënë përmbys përpara shtëpisë së Perëndisë, rreth tij u mblodh një mori e madhe nga Izraeli: burra, gra, dhe fëmijë; dhe populli qante me të madhe.
2 Atëherë Shekaniahu, bir i Jehielit, një nga bijtë e Elamit, filloi t’i thotë Ezdras: "Ne kemi mëkatuar kundër Perëndisë tonë, duke u martuar me gra të huaja që i kemi marrë nga popujt e këtij vendi; megjithëkëtë mbetet ende një shpresë për Izraelin.
3 Prandaj të bëjmë një besëlidhje me Perëndinë tonë, t’i kthejmë tërë këto gra dhe bijtë që kanë lindur prej tyre, sipas këshillës së Perëndisë dhe të atyre që dridhen përpara urdhërit të Perëndisë tonë. Dhe të veprohet sipas ligjit.
4 Çohu sepse kjo të përket ty; ne do të jemi me ty. Merr guxim dhe vepro!".
5 Atëherë Ezdra u ngrit dhe i vuri të betohen krerët e priftërinjve, Levitët dhe tërë Izraelin se do të vepronin ashtu siç ishte thënë. Dhe ata u betuan.
6 Pastaj Ezdra u ngrit përpara shtëpisë së Perëndisë dhe shkoi në dhomën e Jehohananit, birit të Eliashibit. Sa qëndroi aty, ai nuk hëngri bukë as piu ujë, sepse mbante zi për mëkatin e atyre që ishin kthyer nga robëria.
7 Edhe u bë një shpallje në Judë dhe në Jeruzalem për të gjithë të kthyerit nga robëria, me qëllim që të mblidheshin në Jeruzalem;
8 në rast se dikush nuk do të vinte brenda tri ditëve sipas këshillës së krerëve dhe të pleqve, tërë pasuritë e tij do të konfiskoheshin dhe ai vetë do të përjashtohej nga asambleja e të kthyerve nga robëria.
9 Kështu gjithë burrat e Judës dhe të Beniaminit u mblodhën në Jeruzalem brenda tri ditëve. Ishte dita e njëzet e muajit të nëntë. Tërë populli zuri vend në sheshin e shtëpisë së Perëndisë, duke u dridhur nga shkaku i kësaj gjëje dhe nga shiu i fortë.
10 Atëherë prifti Ezdra u ngrit dhe u tha atyre: "Ju keni mëkatuar duke u martuar me gra të huaja dhe kështu e keni shtuar fajin e Izraelit.
11 Por tani rrëfehuni te Zoti, Perëndia i etërve tuaj, dhe bëni vullnetin e tij, duke u ndarë nga popujt e këtij vendi dhe nga gratë e huaja!".
12 Atëherë tërë asambleja u përgjigj dhe tha me zë të lartë: "Po, duhet të bëjmë ashtu siç thua ti!
13 Por populli është i madh në numër dhe është stina e shirave të mëdha; nuk është, pra, i mundur qëndrimi jashtë. Nuk është me siguri puna e një dite ose dy ditëve, sepse jemi të shumtë që kemi mëkatuar në këtë çështje.
14 Të mbeten këtu, pra, krerët tanë në vend të tërë asamblesë dhe të gjithë ata që në qytetet tona janë martuar me gra të huaja të vijnë në kohë të caktuara bashkë me pleqtë dhe me gjyqtarët e çdo qyteti, deri sa të largohet prej nesh zemërimi i zjarrtë i Perëndisë tonë për shkak të kësaj gjëje.
15 Vetëm Jonathani, bir i Asahelit, dhe Jaziahu, bir i Tikvahut, e kundërshtuan këtë propozim, të përkrahur nga Meshulami dhe nga Leviti Shabethai.
16 Kështu të kthyerit nga robëria vepruan siç ishte thënë dhe u zgjodhën prifti Ezdra dhe disa kryefamiljarë sipas shtëpive të tyre patriarkale, të tërë të caktuar me emër; ata filluan mbledhjet ditën e parë të muajit të dhjetë për të shqyrtuar rastet e ndryshme.
17 Ditën e parë të muajit të parë përfunduan tërë rastet e burrave që ishin martuar me gra të huaja.
18 Midis bijve të priftërinjve që ishin martuar me gra të huaja figuronin: nga bijtë e Jeshuas, biri i Jotsadakut, dhe midis vëllezërve të tij: Maasejahu, Eliezeri, Jaribi dhe Gedaliahu.
19 Ata u zotuan t’i ndanin gratë e tyre; pastaj, për shkak të fajit të tyre, secili paraqiti një dash për të shlyer mëkatin e tij.
20 Nga bijtë e Imerit: Hanani dhe Zebadiahu.
21 Nga bijtë e Harimit: Maasejahu, Elia, Shemajahu, Jehieli dhe Uziahu.
22 Nga bijtë e Pashurit: Elioenai, Maasejahu, Ishmaeli, Nethaneeli, Jozabadi dhe Elasahu.
23 Nga Levitët: Jozabadi, Shimei, Kelajahu, domethënë Kelita, Pethajahu, Juda dhe Eliezeri.
24 Nga këngëtarët: Eliashibi. Nga derëtarët: Shallumi, Telemi dhe Uri.
25 Midis Izraelitëve: bijtë e Paroshit: Ramiahu, Iziahu, Malkiahu, Mijamini, Eleazari, Malkiahu dhe Benajahu.
26 Nga bijtë e Elamit: Mataniahu, Zakaria, Jehieli, Abdi, Jeremothi dhe Elia.
27 Nga bijtë e Zatuit: Elioenai, Eliashibi, Mataniahu, Jeremothi, Zabadi dhe Aziza.
28 Nga bijtë e Bebait: Jehohanani, Hananiahu, Zabai dhe Athlai.
29 Nga bijtë e Banit: Meshulami, Maluku, Adajahu, Jashubi, Sheali dhe Ramothi.
30 Nga bijtë e Pahath-Moabit: Adnai, Kelali, Benajahu, Maasejahu, Mataniahu, Betsaleeli, Binui dhe Manasi.
31 Nga bijtë e Harimit: Eliezeri, Ishshijahu, Malkiahu, Shemajahu, Simeoni,
32 Beniamini, Malluku dhe Shemariahu.
33 Nga bijtë e Hashumit: Matenai, Matatahu, Zabadi, Elifeleti, Jeremai, Manasi dhe Shimei.
34 Nga bijtë e Banit: Maadai, Amrami, Ueli,
35 Benajahu, Bedejahu, Keluhi,
36 Vaniahu, Meremothi, Eliashibi,
37 Mataniahu, Matenai, Jaasai,
38 Bani, Binui, Shimei,
39 Shelemiahu, Nathani, Adajahu,
40 Maknadbai, Shashai, Sharai,
41 Azareli, Shelemiahu, Shemariahu,
42 Shalumi, Amariahu dhe Jozefi.
43 Nga bijtë e Nebos: Jeijeli, Matithiahu, Zabadi, Zebina, Jadai, Joeli dhe Benajahu.
44 Tërë këta ishin martuar me gra të huaja; dhe disa nga këta kishin pasur fëmijë nga këto gra.
10 Por në Cezare ishte njëfarë njeriu me emër Kornel, centurion i kohortës, që quhej Italik;
2 ai ishte njeri i perëndishëm dhe që e druante Perëndinë me gjithë shtëpinë e tij; i jepte shumë lëmoshë popullit dhe vazhdimisht i lutej Perëndisë.
3 Ai pa qartë në një vegim, aty nga ora e nëntë e ditës, një engjëll të Perëndisë që hyri tek ai dhe i tha: “Kornel!.”
4 dhe ai, duke ia ngulur sytë dhe shumë i trembur, i tha: “Ç’është, Zot?.” Atëherë engjëlli i tha: “Lutjet e tua dhe lëmoshat e tua, janë ngjitur para Perëndisë, si një kujtesë;
5 tani, pra, dërgo disa njerëz në Jopë dhe thirre Simonin, që e thërrasin Pjetër.
6 Ai gjendet pranë njëfarë Simoni, regjës lëkurësh, që e ka shtëpinë afër detit; ai do të të thotë çfarë duhet të bësh.”
7 Sapo u largua engjëlli që i foli, Korneli thirri dy nga shërbëtorët e tij dhe një ushtar besnik, nga ata që ishin në shërbimin e tij personal,
8 u tregoi çdo gjë dhe i nisi për në Jope.
9 Të nesërmen, ndërsa ata po udhëtonin dhe po i afroheshin qytetit, Pjetri u ngjit në tarracë, rreth orës së gjashtë për t’u lutur.
10 E mori uria dhe donte të hante; dhe, ndërsa ata të shtëpisë po i përgatitnin ushqimin, u rrëmbye në ekstazë;
11 dhe pa qiellin e hapur dhe një send që i përngjante një çarçafi të madh që po zbriste drejt tij; ishte lidhur në të katër cepat dhe kishte zbritur në tokë,
12 dhe brenda tij ishin të gjitha llojet e katërkëmbësheve, bisha, zvarranikë të tokës dhe shpendë qielli.
13 Dhe një zë i tha: “Pjetër, çohu, ther dhe ha!.”
14 Por Pjetri u përgjigj: “Kurrsesi, o Zot, sepse unë nuk kam ngrënë kurrë asgjë të papastër ose të ndotur!.”
15 Dhe zëri i tha për të dytën herë: “Gjërat që Perëndia i ka pastruar, ti mos i bëj të papastra.”
16 Kjo ndodhi tri herë; pastaj ai send u ngrit sërish në qiell.
17 Dhe ndërsa Pjetri po mendohej me mëdyshje ç’kuptim mund të kishte vegimi që kishte parë, ja që njerëzit e dërguar nga Korneli, mbasi pyetën për shtëpinë e Simonit, u paraqitën te dera.
18 Dhe thirrën e pyetën nëse Simoni, i mbiquajtur Pjetër, ndodhej aty.
19 Ndërsa Pjetri po mendohej lidhur me vegimin, Fryma i tha: “Ja, po të kërkojnë tre burra.
20 Çohu, pra, zbrit e shko me ta pa asnjë ngurrim, sepse unë jam ai që t’i kam dërguar.”
21 Atëherë Pjetri zbriti te njerëzit që i ishin dërguar nga Korneli dhe u tha atyre: “Ja, unë jam ai që kërkoni; cila është arsyeja për të cilën jeni këtu?.”
22 Dhe ata i thanë: “Centurioni Kornel, njeri i drejtë dhe që e druan Perëndinë, për të cilin gjithë kombi i Judenjve dëshmon, është lajmëruar në mënyrë hyjnore nga një engjëll i shenjtë të të thërrasë ty në shtëpinë e tij për të dëgjuar fjalët që ke për t’i thënë.”
23 Atëherë Pjetri i ftoi të hyjnë dhe i përbujti; pastaj, të nesërmen, shkoi me ta; dhe disa nga vëllezërit e Jopes e shoqëruan.
24 Një ditë më pas hynë në Cezare. Por Korneli po i priste dhe kishte mbledhur farefisin e tij dhe miqtë e tij të ngushtë.
25 Kur hyri Pjetri, Korneli i doli para, i ra ndër këmbë dhe e adhuroi.
26 Por Pjetri e ngriti duke thënë: “Çohu, edhe unë jam një njeri!.”
27 Dhe, duke biseduar me të, hyri dhe gjeti mbledhur shumë njerëz.
28 Dhe ai u tha atyre: “Ju e dini se nuk është e ligjshme që një Jude të shoqërohet me një të huaj ose të hyjë në shtëpinë e tij; por Perëndia më dëftoi që të mos e quaj asnjë njeri të papastër a të ndotur.
29 Prandaj, sapo më ftuat të vij, erdha pa kundërshtuar. Tani po ju pyes: për ç’arsye më keni dërguar ftesë?.”
30 Dhe Korneli u përgjigj: “Para katër ditësh kisha agjëruar deri në këtë orë, dhe në orën e nëntë po lutesha në shtëpinë time, kur ja, një njeri me rroba të shndritshme qëndroi para meje,
31 dhe tha: "Kornel, lutja jote t’u plotësua dhe lëmoshat e tua u kujtuan para Perëndisë.
32 Dërgo, pra, ndonjë njeri në Jope dhe thirre Simonin, të mbiquajtur Pjetër; ai ndodhet në shtëpinë e Simonit, regjës lëkurësh, pranë detit; dhe, kur të vijë, ai do të të flasë".
33 Kështu dërgova menjëherë të të thërrasin, dhe ti bëre mirë që erdhe; tani ne këtu jemi të gjithë në prani të Perëndisë për të dëgjuar gjithçka që Perëndia të ka urdhëruar.”
34 Atëherë Pjetri hapi gojën dhe tha: “Në të vërtetë unë po e marr vesh se Perëndia nuk tregohet i anshëm;
35 por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai,
36 sipas fjalës që ai u ka dhënë bijve të Izraelit, duke u shpallur paqen me anë të Jezu Krishtit, që është Zoti i të gjithëve.
37 Ju e dini se ç’ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galilea, pas pagëzimit që predikoi Gjoni:
38 se si Perëndia vajosi me Frymën e Shenjtë dhe me fuqi Jezusin prej Nazareti, i cili e përshkoi vendin duke bërë mirë dhe duke shëruar të gjithë ata që ishin të pushtuar nga djalli, sepse Perëndia ishte me të.
39 Dhe ne jemi dëshmitarë për të gjitha ato që ai bëri në vendin e Judesë dhe në Jeruzalem; dhe se si ata e vranë, duke e varur në një dru.
40 Por Perëndia e ringjalli të tretën ditë dhe e bëri që ai të dëftohet,
41 jo mbarë popullit, por dëshmitarëve të paracaktuar nga Perëndia, neve, që hëngrëm dhe pimë me të, mbasi ai u ngjall së vdekuri.
42 Tani ai na urdhëroi t’i predikojmë popullit dhe të dëshmojmë se ai është ai që Perëndia e ka caktuar si gjykatës të të gja-llëve dhe të të vdekurve.
43 Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët, që kushdo që beson në të merr faljen e mëkateve me anë të emrit të tij.”
44 Ndërsa Pjetri ende po i thoshte këto fjalë, Fryma e Shenjtë zbriti mbi të gjithë ata që po e dëgjonin fjalën.
45 Dhe të gjithë besimtarët që ishin të rrethprerë, të cilët kishin ardhur me Pjetrin, u mrekulluan që dhurata e Frymës se Shenjtë u shpërnda edhe mbi johebrenjtë,
46 sepse i dëgjonin duke folur gjuhë të tjera dhe duke madhëruar Perëndinë. Atëherë Pjetri filloi të thotë:
47 “A mund ta ndalojë dikush ujin, që të mos pagëzohen këta që kanë marrë Frymën e Shenjtë pikërisht si ne?.”
48 Kështu ai urdhëroi që ata të pagëzoheshin në emër të Zotit Jezus. Ata pastaj iu lutën të qëndronte disa ditë me ta.