M’Cheyne Bible Reading Plan
3 "Pastaj u kthyem dhe u ngjitëm nëpër rrugën e Bashanit; dhe Ogu, mbret i Bashanit, me gjithë njerëzit e tij, na doli kundër për t’u ndeshur në Edrej.
2 Por Zoti më tha: "Mos ki frikë nga ai, sepse unë do ta jap atë në duart e tua, tërë njerëzit e tij dhe vendin e tij; do t’i bësh atij atë që i bëre Sihonit, mbretit të Amorejve, që banonte në Heshbon".
3 Kështu Zoti, Perëndia ynë, na dha në dorë edhe Ogun, mbretin e Bashanit, me gjithë njerëzit e tij; dhe ne e mundëm atë pa lënë gjallë asnjë.
4 Në atë kohë pushtuam tërë qytetet e tij; nuk pati qytet që nuk ra në dorën tonë: gjashtëdhjetë qytete, tërë krahina e Argobit, mbretëria e Ogut në Bashan.
5 Tërë këto qytete ishin të fortifikuara me mure të larta, porta dhe shufra hekuri, pa llogaritur një numër të madh fshatrash.
6 Ne vendosëm t’i shfarosim, ashtu si kishim vepruar me Sihonin, mbretin e Heshbonit, duke shkatërruar plotësisht tërë qytetet, duke shfarosur burrat, gratë dhe fëmijët.
7 Por mbajtëm si plaçkë tërë bagëtinë dhe plaçkat e qyteteve të tyre.
8 Në atë kohë, pra, morëm nga duart e dy mbretërve të Amorejve vendin që ndodhet matanë Jordanit, nga përroi i Armonit deri në malin e Hermonit,
9 (Hermoni quhet Sirion nga Sidonët dhe Senir nga Amorejtë),
10 të gjitha qytetet e fushës, tërë Galaadin, tërë Bashanin deri në Salkah dhe në Edrej, qytete të mbretërisë së Ogut në Bashan.
11 Sepse Ogu, mbret i Bashanit, ishte i vetmi që kishte mbetur gjallë nga fisi i gjigantëve. Ja, shtratin i tij ishte një shtrat prej hekuri (a nuk ndodhet sot ndofta në Rabah të Amonitëve?). Ai është i gjatë nëntë kubitë dhe i gjerë katër kubitë, simbas kubitit të njeriut.
12 Në atë kohë ne pushtuam këtë vend; unë u dhashë Rubenitëve dhe Gaditëve territorin e Aroerit, gjatë përroit Arnon deri në gjysmën e krahinës malore të Galaadit së bashku me qytetet e tij;
13 dhe i dhashë gjysmës së fisit të Manasit mbetjen e Galaadit dhe tërë Bashanin, mbretërinë e Ogut (tërë krahinën e Argobit me gjithë Bashanin, që quhej vendi i gjigantëve.
14 Jairi, bir i Manasit, mori tërë krahinën e Argobit, deri në kufijtë e Geshuritëve dhe të Maakathitëve; dhe u vuri emrin e tij lagjeve të Bashanit, që edhe sot quhen qytetet e Jairit).
15 Dhe i dhashë Makirin Galaadit.
16 Rubenitëve dhe Gaditëve u dhashë territorin e Galaadit deri në përroin e Armonit, bashkë me gjysmën e lumit që shërben si kufi, dhe deri në lumin Jabok, që është kufiri i bijve të Amonit,
17 dhe Arabahun, me Jordanin si kufi, nga Kinerethi deri në bregun lindor të detit të Arabahut poshtë shpatëve të Pisgahut.
18 Në atë kohë unë ju dhashë këtë urdhër, duke thënë: "Zoti, Perëndia juaj, ju ka dhënë këtë vend që ta zotëroni. Ju të gjithë, njerëz trima, do të kaloni Jordanin të armatosur, në krye të bijve të Izraelit, të vëllezërve tuaj.
19 Por bashkëshortet tuaja, të vegjëlit dhe bagëtia juaj (e di që keni shumë bagëti) do të mbeten në qytetet që ju kam dhënë,
20 për deri sa Zoti t’i lërë vëllezërit tuaj të çlodhen, ashtu siç bëri me juve, dhe të shtien edhe ata në dorë vendin që Zoti, Perëndia juaj, u jep atyre matanë Jordanit. Pastaj secili ka për t’u kthyer në trashëgiminë që ju dhashë".
21 Në atë kohë urdhërova gjithashtu Jozueun, duke thënë: "Sytë e tu kanë parë të gjitha ato që Zoti, Perëndia juaj, u ka bërë këtyre dy mbretërve; në të njëjtën mënyrë do të veprojë Zoti në të gjitha mbretëritë që do të përshkosh.
22 Mos kini frikë prej tyre, sepse Zoti, Perëndia juaj, ka për të luftuar ai vetë për ju".
23 Në të njëjtën kohë unë iu luta Zotit, duke i thënë:
24 O Zot, O Zot, ti ke filluar t’i tregosh shërbëtorit tënd madhështinë tënde dhe dorën e fuqishme që ke; sepse cila është perëndia në qiell apo në tokë që mund të kryejë vepra dhe mrekulli si ato që bën ti?
25 Prandaj më ler të kaloj Jordanin për të parë vendin e bukur që është matanë tij, krahinën e bukur malore dhe Libanin".
26 Por Zoti u zemërua me mua, për shkakun tuaj, dhe nuk e plotësoi dëshirën time. Kështu Zoti më tha: "Mjaft me kaq; mos më fol më për këtë gjë.
27 Ngjitu në majën e Pisgahut, hidh sytë nga perëndimi, nga veriu, nga jugu dhe nga lindja dhe sodit me sytë e tu, sepse ti nuk do ta kalosh këtë Jordan.
28 Por jepi urdhër Jozueut, përforcoje dhe jepi zemër, sepse ai do ta kalojë Jordanin në krye të këtij populli dhe do ta bëjë Izraelin zot të vendit që ke për të parë".
29 Kështu u ndalëm në luginën përballë Beth-Peorit".
85 O Zot, ti ke qenë i mbarë për tokën tënde dhe e ke kthyer Jakobin nga robëria.
2 Ti ke falur paudhësinë e popullit tënd dhe ke mbuluar tërë mëkatet e tyre. (Sela)
3 Ti ke larguar gjithë indinjatën tënde dhe ke lënë mënjanë zemërimin tënd të zjarrtë.
4 Na përtëri, o Perëndi i shpëtimit tonë, dhe jepi fund indinjatës sate kundër nesh.
5 A do të mbetesh i zemëruar me ne përjetë? A do ta vazhdosh zemërimin tënd brez pas brezi?
6 A nuk do të na japësh përsëri jetën, me qëllim që populli yt të mund të gëzohet te ti?
7 Tregona, o Zot, mirësinë tënde dhe falna shpëtimin tënd.
8 Una kam për të dëgjuar atë që Perëndia, Zoti, ka për të thënë; me siguri ai do t’i flasë për paqe popullit të tij dhe shenjtorëve të tij, por nuk do të lejojë që ata të jetojnë përsëri si njerëz pa mend.
9 Me siguri shpëtimi i tij është afër atyre që kanë frikë prej tij, sepse lavdia e tij mund të banojë në vendin tonë.
10 Mirësia dhe e vërteta u takuan; drejtësia dhe paqja janë puthur njera me tjetrën.
11 E vërteta do të mbijë nga toka dhe drejtësia do të shikojë nga qielli.
12 Po, Zoti do të japë atë që është e mirë, dhe toka jonë do të prodhojë frytin e saj.
13 Drejtësia do të ecë para tij dhe do të përgatisë udhën për hapat e tij.
31 Mjerë ata që zbresin në Egjipt në kërkim të ndihmës dhe u besojnë kuajve, kanë besim te qerret, sepse janë të shumta dhe te kalorësit, sepse janë shumë të fuqishëm, por nuk shikojnë të Shenjtin e Izraelit dhe nuk kërkojnë Zotin.
2 Megjithatë edhe ai është i urtë dhe do të sjellë gjëmën; ai nuk do t’i tërheqë fjalët e tij, por do të ngrihet kundër shtëpisë së njerëzve të këqij dhe kundër ndihmës së atyre që bëjnë paudhësi.
3 Por Egjiptasit janë njerëz dhe jo Perëndi, kuajt e tyre janë mish dhe jo frymë. Kur Zoti do të shtrijë dorën e vet, mbrojtësit do t’i merren këmbët dhe i mbrojturi do të rrëzohet, do të vdesin të gjithë bashkë.
4 Sepse kështu më ka thënë Zoti: "Ashtu si luani apo luanesha vrumbullin mbi prenë e vet (kur kundër tij është mbledhur një numër i madh barinjsh dhe ai nuk ka frikë nga britmat e tyre dhe as trëmbet nga zhurma e tyre), kështu do të zbresë Zoti i ushtrive për të luftuar në malin e Sionit dhe në kodrën e tij.
5 Ashtu si zogjtë fluturojnë mbi të vegjëlit e tyre, kështu Zoti i ushtrive do të mbrojë Jeruzalemin, do ta mbrojë dhe do ta çlirojë, do ta kursejë dhe do ta shpëtojë".
6 Kthehuni tek ai nga i cili jeni larguar shumë, o bij të Izraelit!
7 Atë ditë secili do të flakë idhujt e tij prej argjendi dhe idhujt e tij prej ari, që duart tuaja kanë bërë duke mëkatuar për ju.
8 "Atëherë Asiria do të bjerë nga një shpatë jo prej njeriu, dhe një shpatë jo prej njeriu do ta përpijë; do t’ia mbathë para shpatës dhe të rinjtë e tij do t’i nënshtrohen punës së detyruar.
9 Nga frika do të kalojë përtej kështjellës dhe princat e saj do të tmerrohen për shkak të flamurit," thotë Zoti, që ka zjarrin e tij në Sion dhe furrën e tij në Jeruzalem.
1 Zbulesa e Jezu Krishtit, që Perëndia ia dha për t’u treguar shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti dhe e bëri të ditur, duke ia dërguar nëpërmjet engjëllit të tij, shërbëtorit të vet Gjon,
2 i cili dëshmoi fjalën e Perëndisë dhe dëshminë e Jezu Krishtit, dhe të gjitha gjërat që pa.
3 Lum ai që lexon dhe lum ata që dëgjojnë fjalët e kësaj profecie dhe që ruajnë ato që janë shkruar në të, sepse koha është afër.
4 Gjoni, shtatë kishave që janë në Azi: hir për ju dhe paqe nga ana e atij që është dhe që ishte dhe që do të vijë; edhe nga të shtatë frymërat që janë përpara fronit të tij,
5 dhe nga Jezu Krishti, dëshmitari besnik, i parëlinduri prej së vdekurish dhe Princ i mbretërve të dheut.
6 Atij që na deshi dhe na lau nga mëkatet tona në gjakun e tij, dhe na bëri mbretër dhe priftër për Perëndinë dhe Atin e tij, atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve. Amen.
7 Ja, ai vjen me retë dhe çdo sy do ta shohë, edhe ata që e tejshpuan; dhe të gjitha fiset e dheut do të vajtojnë për të. Po, amen.
8 “Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi,” thotë Zoti “që është dhe që ishte dhe që vjen, i Plotfuqishmi.”
9 Unë, Gjoni, që jam edhe vëllai juaj dhe pjestar bashkë me ju në pikëllimin, në mbretërinë dhe në durimin e Jezu Krishtit, isha në ishullin që quhet Patmos, për fjalën e Perëndisë dhe për dëshminë e Jezu Krishtit.
10 Isha në Frymë ditën e Zotit dhe dëgjova pas meje një zë të madh si nga një bori,
11 që thoshte: “Unë jam Alfa dhe Omega, i pari dhe i fundit, dhe çfarë sheh, shkruaji në një libër dhe ua dërgo shtatë kishave që janë në Azi: në Efes, në Smirnë, në Pergam, në Tiatirë, në Sardë, në Filadelfi dhe në Laodice.”
12 Dhe u solla të shoh zërin që foli me mua. Dhe, si u solla, pashë shtatë shandanë ari
13 dhe, në mes të shtatë shandanëve, një të ngjashëm me një Bir njeriu, të veshur me një petk të gjatë deri te këmbët dhe ngjeshur me një brez ari në gjoks.
14 Dhe kryet e tij dhe flokët e tij ishin të bardhë si lesh i bardhë, si bora, dhe sytë e tij e ngjanin një flake zjarri.
15 Dhe këmbët e tij ngjanin me bronz të kulluar, si të skuqur në furrë dhe zëri i tij si zë shumë ujërash.
16 Dhe kishte në dorën e tij të djathtë shtatë yje dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë, me dy tehe, dhe fytyra e tij si dielli që ndrin me forcën e tij.
17 Dhe kur e pashë, rashë para këmbëve të tij si i vdekur. Dhe ai vuri dorën e tij të djathtë mbi mua, duke më thënë: “Mos u tremb! Unë jam i pari dhe i fundit,
18 dhe i gjalli; isha i vdekur, por ja, jam i gjallë në shekuj të shekujve, amen; dhe unë i kam çelësat e vdekjes e të Hadesit.
19 Shkruaj, pra, gjërat që pe, ato që janë dhe ato që do të ndodhin pas atyre,
20 misterin e të shtatë yjeve që ti pe në të djathtën time, dhe të shtatë shandanëve prej ari. Të shtatë yjet janë engjëjt e shtatë kishave, dhe të shtatë shandanët që pe janë shtatë kishat.”