M’Cheyne Bible Reading Plan
31 Pastaj Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: "Merrua hakun bijve të Izraelit kundër Madianitëve;
2 pas kësaj do të bashkohesh me popullin tënd".
3 Atëherë Moisiu i foli popullit, duke thënë; "Disa njerëz ndër ju të armatosen për luftë dhe të marshojnë kundër Madianit për të kryer hakmarrjen e Zotit mbi Madianin.
4 Do të dërgoni në luftë një mijë burra nga çdo fis, nga të gjitha fiset e Izraelit".
5 Kështu u rekrutuan ndër divizionet e Izraelit një mijë burra nga çdo fis, domethënë dymbëdhjetë mijë burra, të armatosur për luftë.
6 Pastaj Moisiu i nisi për luftë, njëmijë njerëz nga çdo fis, së bashku me Finehasin, birin e priftit Eleazar, që kishte në dorë veglat e shenjta dhe boritë e alarmit.
7 Dhe luftuan kundër Madianit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, dhe vranë tërë meshkujt.
8 Bashkë me viktimat që ata bënë, ata vranë edhe mbretërit e Madianit: Evin, Rekemin, Tsurin, Hurin dhe Reban, pesë mbretërit e Madianit; vranë gjithashtu me shpatë Balaamin, birin e Beorit.
9 Bijtë e Izraelit zunë robinja edhe të gjitha gratë e Madianit dhe fëmijët e tyre, rrëmbyen tërë bagëtinë e tyre, tërë kopetë e tyre dhe tërë pasuritë e tyre;
10 pastaj u vunë zjarrin të gjitha qyteteve ku ata banonin dhe të gjitha kalave të tyre,
11 dhe morën gjithë plaçkën e luftës dhe tërë prenë, njerëz dhe kafshë:
12 pastaj i çuan të burgosurit, prenë dhe plaçkën e luftës Moisiut, priftit Eleazar dhe asamblesë së bijve të Izraelit, që ishin vendosur në fushat e Moabit, pranë Jordanit, në bregun përballë Jerikos.
13 Moisiu, prifti Eleazar dhe të gjithë prijësit e asamblesë dolën për t’i takuar jashtë kampit.
14 Por Moisiu u zemërua me komandantët e ushtrisë, me krerët e mijësheve dhe të qindësheve, që po ktheheshin nga kjo fushatë lufte.
15 Moisiu u tha atyre: "Keni lënë gjallë të gjitha gratë?
16 Të nxitura nga Balaami, ato i shtynë bijtë e Izraelit të mëkatojnë kundër Zotit, në ngjarjen e Peorit, kur shpërtheu fatkeqësia në asamblenë e Zotit.
17 Prandaj vrisni çdo mashkull nga fëmijët dhe vrisni çdo grua që ka marrëdhënie seksuale me një burrë,
18 por ruajini të gjalla për vete të gjitha vajzat që nuk kanë pasur marrëdhënie seksuale me burra.
19 Ju do të qëndroni jashtë kampit shtatë ditë; kushdo që ka vrarë dikë dhe kushdo që ka prekur një person të vrarë, do të pastrohet ditën e tretë dhe ditën e shtatë; ky rregull vlen si për ju ashtu dhe për robërit tuaj.
20 Do të pastroni gjithashtu çdo rrobë, çdo send prej lëkure, çdo punë të bërë me leshin e dhisë dhe çdo vegël prej druri".
21 Pastaj prifti Eleazar u tha ushtarëve që kishin shkuar në luftë: "Kjo është rregulla e ligjit që Zoti i ka përcaktuar Moisiut:
22 vetëm arin, argjendin, bronzin, hekurin, kallajin dhe plumbin,
23 çdo gjë që i reziston zjarrit, do ta kaloni nëpër zjarr dhe do të bëhet i pastër; por do të pastrohen edhe me ujin e pastrimit kundër papastërtisë; ndërsa tërë gjërat që nuk mund t’i rezistojnë zjarrit, do t’i trajtoni me ujë.
24 Dhe ditën e shtatë do të lani rrobat tuaja dhe do të jeni të pastër; pas kësaj mund të hyni në kamp".
25 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
26 "Ti, me gjithë priftin Eleazar dhe me kryefamiljarët e asamblesë, llogarite tërë plaçkën e zënë, njerëzit dhe bagëtinë;
27 dhe ndaje plaçkën midis atyre që kanë marrë pjesë në luftë dhe që kanë vajtur të luftojnë dhe gjithë asamblesë.
28 Do të marrësh nga luftëtarët që kanë vajtur të luftojnë një haraç për Zotin; domethënë një të pesëqindtën e personave, të bagëtive të imta dhe të trasha dhe të gomarëve.
29 Do të marrësh nga gjysma e tyre dhe do t’ia japësh priftit Eleazar si një ofertë për Zotin.
30 Dhe nga gjysma që u takon bijve të Izraelit do të marrësh një të pesëdhjetën e personave, të bagëtisë së imët dhe të trashë dhe nga gomarët do t’u japësh Levitëve, që kanë përgjegjësinë e tabernakullit të Zotit".
31 Dhe Moisiu e prifti Eleazar vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
32 Dhe plaçka që mbetej nga plaçkitja e kryer nga luftëtarët përbëhej nga gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë dele,
33 shtatëdhjetë e dy mijë lopë,
34 gjashtëdhjetë e një mijë gomarë,
35 dhe tridhjetë e dy mijë persona gjithsej, domethënë gra që nuk kishin pasur marrëdhënie seksuale me burra.
36 Gjysma, domethënë pjesa për ata që kishin shkuar në luftë, ishte treqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind dele,
37 nga të cilat gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë për haraçin e Zotit;
38 tridhjetë e gjashtë mijë lopë, nga të cilat shtatëdhjetë e dy për haraçin e Zotit;
39 tridhjetë mijë e pesëqind gomarë, nga të cilët gjashtëdhjetë e një për haraçin e Zotit;
40 dhe gjashtëmbëdhjetë mijë persona, nga të cilët tridhjetë e dy për haraçin e Zotit.
41 Kështu Moisiu i dha haraçin, që ishte oferta e ngritur e Zotit, priftit Eleazar, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti.
42 Gjysma që u përkiste bijve të Izraelit, që Moisiu kishte ndarë nga pjesa që u takonte njerëzve që kishin shkuar në luftë,
43 gjysma që i përkiste asamblesë, ishte treqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind dele,
44 tridhjetë e gjashtë mijë lopë,
45 tridhjetë mijë e pesëqind gomarë,
46 dhe gjashtëmbëdhjetë mijë persona.
47 Nga gjysma që u përkiste bijve të Izraelit, Moisiu mori një të pesëdhjetën e njerëzve dhe të kafshëve, dhe ua dha Levitëve të cilët kanë përgjegjësinë e tabernakullit të Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
48 Komandantët e mijësheve të ushtrisë, krerët e mijësheve dhe të qindësheve, iu afruan Moisiut;
49 dhe ata i thanë Moisiut: "Shërbëtorët e tu kanë bërë llogarinë e luftëtarëve që ishin nën urdhrat tona, dhe nuk mungonte asnjëri prej tyre.
50 Prandaj ne po sjellim, si ofertë për Zotin, sendet e arit që secili ka gjetur: zinxhirë, byzylykë, unaza, vathë dhe gjerdanë për të bërë shlyerjen për ne përpara Zotit.
51 Kështu Moisiu dhe prifti Eleazar morën nga duart e tyre tërë objektet e punuara.
52 Tërë ari i ofertës që ata i paraqitën Zotit nga ana e krerëve të mijësheve dhe nga ana e krerëve të qindëshëve, peshonte gjashtëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë sikla.
53 (Njerëzit e ushtrisë mbajtën për vete plaçkën që kishin siguruar).
54 Moisiu dhe prifti Eleazar morën pastaj arin nga krerët e mijëshëve dhe të qindësheve dhe e çuan në çadrën e mbledhjes, si kujtim i bijve të Izraelit përpara Zotit.
75 Ne të lëvdojmë, o Perëndi, ne të lëvdojmë, sepse emri yt na është i afërt; njeriu tregon mrekullitë e tua.
2 Kur do të vijë koha e caktuar, unë do të gjykoj me drejtësi.
3 Toka dhe tërë banorët e saj shkrihen, por unë i bëj të qëndrueshme shtyllat e saj. (Sela)
4 U kam thënë fodullëve: "Mos u mburrni!," dhe të pabesëve: "Mos u bëni hundëpërpjetë!
5 Mos e ngrini lart kokën, mos flisni me qafë të fortë".
6 Sepse lëvdimi nuk vjen as nga lindja, as nga perëndimi, as edhe nga shkretëtira.
7 Sepse Perëndia është ai që gjykon; ai ul njerin dhe ngre tjetrin.
8 Sepse Zoti ka në dorë një kupë vere që shkumon dhe plot me erëza, që ai e zbraz. Me siguri tërë të pabesët e dheut do ta kullojnë dhe do të pinë deri llumin.
9 Por unë do të shpall përjetë dhe do t’i këndoj lavde Perëndisë të Jakobit.
10 Dhe do të dërrmoj tërë fuqinë e të pabesëve, por fuqia e të drejtëve do të përlëvdohet.
76 Perëndia njihet mirë në Judë, emri i tij është i madh në Izrael.
2 Tabernakulli i tij është në Salem dhe ai banon në Sion.
3 Këtu ai ka copëtuar shigjetat e zjarrta të harkut, mburojën dhe shpatën e luftës. (Sela)
4 Ti dukesh i lavdishëm dhe i fuqishëm mbi malet e presë.
5 Trimat i kanë zhveshur, i ka zënë gjumi, dhe asnjë prej atyre trimave nuk ka mundur të përdorë duart e tij.
6 Mbas qortimit tënd, o Perëndia i Jakobit, qerret dhe kuajt mbetën të shushatur.
7 Nga ti, pikërisht nga ti, duhet të kenë frikë; dhe kush mund të rezistojë para teje kur zemërohesh?
8 Ti ke bërë që të dëgjohet nga qielli vendimi yt, tokën e zuri frika dhe heshti,
9 kur Perëndia u ngrit për të gjykuar, për të çliruar tërë nevojtarët e tokës. (Sela)
10 Edhe zemërimi i njerëzve do të shndrrohet në lavdi për ty, dhe ti do të rrethohesh me vetë mbeturinat e zemërimi të tyre.
11 Bëjini zotime Zotit, Perëndisë tuaj, dhe plotësojini; tërë ata që rinë rreth tij t’i çojnë dhurata të Tmerrshmit.
12 Ai u heq frymën qeveritarëve, nga ai druhen mbretërit e tokës.
23 Profecia kundër Tiros. Rënkoni, o anije të Tarshishit, sepse Tiro është shkatërruar, dhe nuk kanë mbetur as shtëpitë as porti. Ky lajm iu erdhi nga vendi i Kitimit.
2 Mos hapni gojën, o banorë të bregut të detit, o tregtarë të Sidonit; ata që çajnë detet ju kanë mbushur me pasuri.
3 Nëpërmjet ujërave të mëdha gruri i Shihorit, prodhimi i lumit, ishte e ardhura e tij; dhe ai ishte tregu i kombeve.
4 Ki turp, o Sidon, sepse ka folur deti, kalaja e detit, duke thënë: "Unë nuk kam pasur dhembje, as kam lindur fëmijë; nuk kam ushqyer të rinj as kam rritur virgjëresha".
5 Kur lajmi do të arrijë në Egjipt, do të hidhërohen për lajmin e Tiros.
6 Kaloni në Tarshish, vajtoni o banorë të bregut të detit!
7 Ky qënka qyteti juaj i qejfeve, prejardhja e të cilit është e lashtë? Këmbët e tij e çonin të banonte në toka të largëta.
8 Kush, pra, e ka vendosur këtë kundër Tiros, dhurues kurorash, tregëtarët e të cilit ishin princa dhe dyqanxhinjtë e të cilit ishin njerëzit e nderuar të dheut?
9 E ka vendosur Zoti i ushtrive, për të errur krenarinë nga çfarëdo shkëlqimi, për të ulur gjithë njerëzit e nderuar të dheut.
10 Kalo nëpër vendin tënd si Nili, o bijë e Tarshishit, nuk ka më forcë.
11 Zoti ka shtrirë dorën e tij mbi detin, i ka bërë mbretëritë të dridhen, për Kanaanin ka urdhëruar t’i shkatërrohen kalatë e tij.
12 Ai ka thënë: "Ti nuk do të vazhdosh të gëzohesh, o bijë e Sidonit, virgjëreshë që ke humbur nderin". Çohu, kalo në vendin e Kitimit; as aty nuk do të gjesh prehje.
13 Ja vendi i Kaldeasve: ky popull nuk ekzistonte fare; Asiri e themeloi për kafshët e shkretëtirës. Ata kanë ngritur kalatë e tyre, kanë rrënuar pallatet e Tiros dhe e kanë katandisur në një grumbull gërmadhash.
14 Rënkoni, o anije të Tarshishit, sepse kalaja juaj është shkatërruar.
15 Atë ditë do të ndodhë që Tiro të harrohet për shtatëdhjetë vjet, aq sa janë vitet e një mbreti. Pas shtatëdhjetë vjetve do të ndodhë në Tiro ashtu siç thotë kënga e prostitutës:
16 "Merr qesten, sillu nëpër qytet, o prostitutë e harruar; bjeri me zotësi veglës, shumo këngët që të mund të të kujtojnë".
17 Pas shtatëdhjetë vjetve do të ndodhë që Zoti do të vizitojë Tiron, që do të kthehet në pagën e vet dhe do të kurvërohet me të gjitha mbretëritë e botës mbi faqen e dheut.
18 Por fitimi nga tregtia e tij dhe paga e tij do t’i shenjtërohen Zotit; nuk do të mblidhet as nuk do të vihet mënjanë, sepse fitimi nga tregtia e tij do t’u shkojë atyre që banojnë përpara Zotit, me qëllim që të hanë sa të ngopen dhe të vishen në mënyrë të shkëlqyeshme.
1 Atë që ishte nga fillimi, atë që dëgjuam, atë që pamë me sytë tanë, atë që vështruam dhe që duart tona e prekën lidhur me Fjalën e jetës
2 (dhe jeta u shfaq dhe ne e pamë e dëshmojmë për të, dhe ju shpallim jetën e përjetshme që ishte pranë Atit dhe që na u shfaq neve),
3 Atë që pamë dhe dëgjuam, ne po jua shpallim, që edhe ju të keni bashkësi me ne; dhe bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin.
4 Dhe po ju shkruajmë këto gjëra që gëzimi juaj të jetë i plotë.
5 Dhe ky është mesazhi që dëgjuam nga ai dhe po jua shpallim juve: Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësirë
6 Po të themi se kemi bashkësi me Të, dhe ecim në errësirë, ne gënjejmë dhe nuk e vëmë në praktik të vërtetën;
7 por, po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi njeri me tjetrin, dhe gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.
8 Po të themi se jemi pa mëkat, gënjej-më vetveten dhe e vërteta nuk është në ne.
9 Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.
10 Po të themi se s’kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.