M’Cheyne Bible Reading Plan
35 Zoti i foli akoma Moisiut në fushat e Moabit pranë Jordanit, në bregun përballë Jerikos, dhe i tha:
2 "Urdhëro bijtë e Izraelit që, nga trashëgimia që do të zotërojnë, t’u japin Levitëve disa qytete për të banuar, do t’u jepni gjithashtu kullota rreth qyteteve.
3 Dhe ata do të kenë qytete për të banuar, ndërsa kullotat do t’u shërbejnë për bagëtinë e tyre dhe për të gjitha kafshët e tyre.
4 Kullotat e qyteteve që do t’u jepni Levitëve do të shtrihen nga muret e qyteteve e tutje, një mijë kubitë, rreth e qark.
5 Do të masni, pra, jashtë qytetit dy mijë kubitë nga ana e lindjes, dy mijë kubitë nga ana e jugut, dy mijë kubitë nga ana perëndimore dhe dy mijë kubitë nga ana veriore; qyteti do të ndodhet në mes. Këto janë tokat për kullotë rreth qyteteve që do t’u përkasin Levitëve.
6 Ndër qyetet që do t’u jepni Levitëve do të caktoni qytete strehimi, në të cilat mund të gjejë strehim ai që ka vrarë dikë; dhe këtyre qyteteve do t’u shtoni dyzet e dy qytete të tjera.
7 Gjithsej qytetet që do t’u jepni Levitëve do të jenë, pra, dyzet e tetë bashkë me tokat për kullotë.
8 Qytetet që do t’u jepni Levitëve do të rrjedhin nga pronësia e bijve të Izraelit; nga fiset më të mëdha do të merrni më shumë, nga fiset më të vogla do të merrni më pak; çdo fis do t’u japë Levitëve ndonjë nga qytetet e tij, në përpjestim me trashëgiminë që do t’i takojë".
9 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
10 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur të kaloni Jordanin për të hyrë në vendin e Kanaanit,
11 do të caktoni disa qytete që do të jenë për ju qytete strehimi, ku mund të ikë vrasësi që ka vrarë dikë pa dashje.
12 Këto qytete do t’ju shërbejnë si vende strehimi kundër hakmarrësve, që vrasësi të mos vritet para se të ketë dalë në gjyq përpara asamblesë.
13 Nga qytetet që do të jepni, gjashtë do të jenë, pra, qytete strehimi.
14 Do të jepni trie qytete në pjesën në lindje të Jordanit dhe trie qytete në vendin e Kanaanit; këto do të jenë qytete strehimi.
15 Këto gjashtë qytete do të shërbejnë si vende strehimi për bijtë e Izraelit, për të huajin dhe për atë që banon midis jush, me qëllim që ai që ka vrarë dikë pa dashje të mund të strehohet.
16 Por në rast se dikush godet një tjetër me një vegël hekuri dhe ky vdes, ai person është vrasës dhe si i tillë do të vritet.
17 Dhe në rast se e godet me një gur që kishte në dorë, që mund të shkaktojë vdekjen, dhe i godituri vdes, ai person është vrasës; vrasësi do të vritet.
18 Ose në rast se godet me një vegël druri që kishte në dorë, dhe që mund të shkaktojë vdekjen, dhe i godituri vdes, ky person është vrasës; vrasësi do të vritet.
19 Do të jetë vetë hakmarrësi i gjakut ai që do ta vrasë vrasësin; kur do ta takojë, do ta vrasë.
20 Në rast se dikush i jep një të shtyrë një personi tjetër sepse e urren apo e qëllon me diçka me dashje, dhe ai vdes,
21 ose e godet për armiqësi me dorën e vet dhe ai vdes, ai që ka goditur do të vritet; ai është vrasës; hakmarrësi i gjakut do ta vrasë vrasësin kur do ta takojë.
22 Por në rast se në një moment i jep një të shtyrë pa armiqësi, ose e qëllon me diçka, por pa dashje,
23 ose, pa e parë, shkakton që t’i bjerë mbi trup një gur që mund të shkaktojë vdekjen, dhe ai vdes, pa qenë ai armiku i tij ose që kërkon të keqen e tij,
24 atëherë asambleja do të gjykojë midis atij që ka goditur dhe hakmarrësit të gjakut në bazë të këtyre rregullave.
25 Asambleja do ta lirojë vrasësin nga dora e hakmarrësit të gjakut dhe do ta lejojë të shkojë në qytetin e strehimit ku kishte ikur, dhe ai do të banojë atje deri sa të vdesë kryeprifti që është vajosur me vaj të shenjtëruar.
26 Por në rast se vrasësi në çfarëdo kohe del jashtë kufijve të qytetit të strehimit ku kishte ikur,
27 dhe hakmarrësi i gjakut e gjen vrasësin jashtë kufijve të qytetit të strehimit dhe e vret, hakmarrësi i gjakut nuk do të jetë fajtor për gjakun e derdhur,
28 sepse vrasësi duhet të kishte mbetur në qytetin e tij të strehimit deri sa të vdiste kryeprifti; mbas vdekjes së kryepriftit, vrasësi mund të kthehet në tokën që është pronë e tij.
29 Këto le t’ju shërbejnë si rregulla të së drejtës për të gjithë brezat tuaja, kudo që të banoni.
30 Në qoftë se dikush vret një person, vrasësi do të vritet në bazë të deponimit të dëshmitarëve; por nuk do të dënohet askush në bazë të deponimit të një dëshmitari të vetëm.
31 Nuk do të pranoni asnjë çmim për shpengimin e jetës së një vrasësi që është dënuar me vdekje, sepse ai duhet të vritet.
32 Nuk do të pranoni asnjë çmim për shpengimin e një vrasësi që ka ikur në qytetin e tij të strehimit, me qëllim që të kthehet të banojë në tokën e tij para vdekjes së kryepriftit.
33 Nuk do të ndotni vendin ku jetoni, sepse gjaku ndot vendin; nuk mund të bëhet asnjë shlyerje për vendin, për gjakun që është derdhur në të veçse me anë të gjakut të atij që e ka derdhur.
34 Nuk do të ndotni, pra, vendin ku banoni, dhe në mes të të cilit banoj edhe unë, sepse unë jam Zoti që banon midis bijve të Izraelit.
79 O Perëndi, kombet kanë hyrë në trashëgiminë tënde, kanë përdhosur tempullin tënd të shenjtë, e kanë katandisur Jeruzalemin në një grumbull gërmadhash.
2 Trupat e vdekur të shërbëtorëve të tu ua dhanë për të ngrënë shpendëve të qiellit dhe mishin e shenjtorëve të tu bishave të fushave.
3 Kanë derdhur gjakun e tyre si ujë rreth Jeruzalemit, në mënyrë që asnjeri të mos i varroste.
4 Jemi bërë një turp për fqinjët tanë, tallja dhe gazi i atyre që na rrinë rreth e qark.
5 Deri kur, o Zot? A do të jesh i zemëruar përjetë? A do të flakërojë smira jote si një zjarr?
6 Lësho zemërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin dhe mbi mbretëritë që nuk përmendin emrin tënd,
7 sepse kanë gllabëruar Jakobin dhe kanë shkretuar banesën e tij.
8 Mos kujto kundër nesh fajet e të pabesëve tanë; nxito të na dalësh para me dhembshuritë e tua, sepse jemi shumë të vuajtur.
9 Na ndihmo, o Perëndi i shpëtimit, për lavdinë e emrit tënd, dhe na çliro dhe na fal mëkatet tona për hir të emrit tënd.
10 Sepse kombet do të thonin: "Ku është Perëndia i tyre?". Para syve tona bëju të njohur kombeve hakmarrjen e gjakut të derdhur të shërbëtorëve të tu.
11 Le të arrijë deri tek ti rrënkimi i robërve; sipas fuqisë së krahut tënd, shpëto ata që janë të dënuar me vdekje.
12 Dhe ktheju fqinjëve tonë shtatëfish të zezën që të kanë bërë o Zot.
13 Dhe ne populli yt dhe kopeja e kullotës sate, do të të kremtojmë përjetë dhe do të shpallim lavdinë tënde brez pas brezi.
27 Atë ditë Zoti do të ndëshkojë me shpatën e tij të ashpër, të madhe dhe të fortë Leviathanin, gjarpërin e shkathët, gjarpërin Leviathani dredha-dredha, dhe do të vrasë përbindëshin që është në det.
2 Atë ditë do të thuhet: "Vreshti që jep verë të kuqërremtë, këndoni për të.
3 Unë, Zoti, e ruaj, e vadis çdo çast, e ruaj natën e ditën me qëllim që askush të mos e dëmtojë.
4 Nuk ka zemërim tek unë. Kush do t’i vinte në luftë kundër meje ferrat dhe gjembat? Unë do të shkoja kundër tyre dhe do t’i digjja të gjitha tok.
5 Do të ishte më mirë që dikush të mbështetej te forca ime për të bërë paqe me mua, po, për të bërë paqe me mua".
6 Në ditët që do të vijnë Jakobi do të lëshojë rrënjë, Izraeli do të lulëzojë dhe do të lëshojë lastarë dhe do të mbushë faqen e dheut me fryte.
7 A ka goditur Perëndia Izraelin ashtu si ka goditur ata që e qëllonin atë? A e ka vrarë atë ashtu si ka vrarë ata që e vrisnin atë?
8 Ti je grindur me të me masë, duke e përzënë dhe duke e çuar larg. Ai e çoi në një vend të largët me frymën e tij të furishme, një ditë me erë lindore.
9 Në këtë mënyrë do të shpagohet padrejtësia e Jakobit, dhe ky do të jetë gjithë fryti i heqjes së mëkatit të tij, kur do t’i kthejë tërë gurët e altarit si gurë gëlqereje të thërmuar; kështu Asherimët dhe altarët e temjanit nuk do të ngrihen më.
10 Qyteti i fortifikuar do të jetë i shkretuar, një vend i pabanuar dhe i braktisur si një shkretëtirë; aty do të kullosë viçi, i cili do të shtrihet dhe do të hajë degët.
11 Kur degët e tij do të thahen, do të thyhen dhe do të vijnë gra për t’i djegur. Me qenë se është një popull pa zgjuaësi, prandaj Ai që e ka bërë nuk do t’i vijë keq për të, Ai që e ka formuar nuk do t’i japë hir.
12 Po atë ditë do të ndodhë që Zoti do të shijë grurin nga rrjedha e lumit deri te përroi i Egjiptit, dhe ju do të mblidheni një nga një, o bij të Izraelit.
13 Atë ditë do të ndodhë që të bjerë buria e madhe, dhe ata që kanë humbur në vendin e Asirisë dhe ata që janë shpërndarë në vendin e Egjiptit do të vijnë dhe do të adhurojnë Zotin mbi malin e shenjtë, në Jeruzalem.
5 Kushdo që beson se Jezusi është Krishti, ka lindur nga Perëndia; dhe kushdo që do atë që e ka ngjizur, do edhe atë që ka qenë ngjizur nga ai.
2 Nga kjo ne dimë ti duam bijtë e Perëndisë: kur duam Perëndinë dhe zbatojmë urdhërimet e tij.
3 Sepse kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda.
4 Sepse çdo gjë që ka lindur nga Perëndia e mund botën; dhe kjo është fitorja që e mundi botën: besimi ynë
5 Cili është ai që e mund botën, veç se ai që beson se Jezusi është Biri i Perëndis?
6 Ky është ai që erdhi me anë të ujit e gjakut, Jezu Krishti; jo vetëm me anë të ujit, por me anë të ujit e me anë të gjakut. Dhe Fryma është ai që dëshmon, sepse Fryma është e vërteta.
7 Sepse tre janë ata që dëshmojnë në qiell: Ati, Fjala dhe Fryma e Shenjtë; dhe këta të tre janë një.
8 Edhe tre janë ata që dëshmojnë mbi dhe: Fryma, uji dhe gjaku; dhe këta të tre janë të një mendimi.
9 Në qoftë se ne pranojmë dëshminë e njerëzve, dëshmia e Perëndisë është më e madhe, sepse kjo është dëshmia e Perëndisë që ai dha për Birin e tij.
10 Ai që beson në Birin e Perëndisë ka këtë dëshmi në vetvete; ai që nuk beson te Perëndia, e ka bërë atë gënjeshtar, sepse nuk i besoi dëshmisë që Perëndia dha për Birin e tij.
11 Dhe dëshmia është kjo: Perëndia na dha jetën e përjetshme dhe kjo jetë është në Birin e tij.
12 Ai që ka Birin, ka jetën; ai që nuk ka Birin e Perëndisë, nuk ka jetën.
13 Jua shkrova këto gjëra juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, që të dini se keni jetën e përjetshme dhe që të besoni në emrin e Birit të Perëndisë.
14 Kjo është siguria që kemi përpara tij: nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, ai na e plotëson:
15 Dhe nëse dimë se ai na i plotëson të gjitha ato që i kërkojmë, ne dimë se i kemi ato që i kërkuam atij.
16 Në se dikush sheh vëllanë e vet se kryen një mëkat që nuk çon në vdekje, le t’i lutet Perëndisë, dhe ai do t’i japë jetën, atyre që bëjnë mëkat që nuk çon në vdekje. Ka mëkat që çon në vdekje nuk them që ai të lutet për këtë.
17 Çdo paudhësi është mëkat; por ka mëkat që nuk çon në vdekje.
18 Ne dimë se kushdo që ka lindur nga Perëndia nuk mëkaton; ai që ka lindur nga Perëndia e ruan veten e tij, dhe i ligu nuk e prek atë.
19 Ne dimë se jemi nga Perëndia dhe se gjithë bota dergjet në ligësi.
20 Por ne dimë se Biri i Perëndisë erdhi dhe na dha të kuptuarit, që ne të njohim atë që është i Vërteti; dhe ne jemi në të Vërtetin, në Birin e tij Jezu Krisht; ky është i vërteti Perëndi dhe jeta e përjetshme.
21 Djema, ruani veten nga idhujt.