Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Numrat 27

27 Pastaj u afruan bijat e Tselofehadit, birit të Heferit, bir i Galaadit, bir i Makirit, bir i Manasit, i familjeve të Manasit, birit të Jozefit; dhe këto janë emrat e bijave: Mahlah, Noah, Hoglah, Milkah dhe Thirtsah,

dhe ato u paraqitën para Moisiut, para priftit Eleazar, prijësve dhe tërë asamblesë në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe thanë:

"Ati ynë vdiq në shkretëtirë, por nuk bënte pjesë në grupin e atyre që u mblodhën kundër Zotit, në grupin e Koreut, por vdiq për shkak të mëkatit të tij pa patur bij.

Pse duhet të humbasë emri i atit tonë në mes të familjes së tij nga që nuk pati bij? Na jep, pra, një pronë në mes të vëllezërve të atit tonë".

Atëherë Moisiu e shtroi rastin e tyre para Zotit.

Dhe Zoti i foli Moisiut duke i thënë:

"Bijat e Tselofehadit kanë hak. Po, do t’u japësh atyre si trashëgimi një pronë midis vëllezërve të atit të tyre dhe do t’u kalosh atyre trashëgiminë e atit të tyre.

Do t’u flasësh gjithashtu bijve të Izraelit dhe do t’u thuash: "Kur një njeri vdes pa lënë ndonjë bir, trashëgiminë e tij do t’ia kaloni bijës së tij.

Në qoftë se nuk ka asnjë bijë, trashëgiminë e tij do t’ua jepni vëllezërve të tij.

10 Në rast se nuk ka vëllezër, trashëgiminë e tij do t’ua jepni vëllezërve të atit të tij.

11 Dhe në rast se ai nuk ka asnjë vëlla, trashëgiminë e tij do t’ia jepni fisit më të afërt të familjes së tij; dhe ai do ta zotërojë". Kjo do të jetë për bijtë e Izraelit një formë e së drejtës, ashtu si e ka urdhëruar Zoti Moisiun.

12 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ngjitu mbi malin e Abarimit dhe sodit vendin që unë po ju jap bijve të Izraelit.

13 Mbasi ta kesh parë, edhe ti do të bashkohesh me popullin tënd, ashtu siç u bashkua Aaroni, vëllai yt,

14 sepse ngritët krye kundër urdhrit tim në shkretëtirën e Tsinit kur asambleja kundërshtoi, dhe nuk më shenjtëruat në ujërat para syve të tyre". (Këto janë ujërat e Meribës në Kadesh, në shkretëtirën e Sinit).

15 Pastaj Moisiu i foli Zotit, duke i thënë:

16 "Zoti, Perëndia i frymëve të çdo mishi, le të caktojë mbi këtë asamble një njeri

17 që të hyjë dhe të dalë para tyre, dhe t’i bëjë të hyjnë e të dalin, në mënyrë që asambleja e Zotit të mos jetë si një kope pa bari".

18 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Merr Jozueun, djalin e Nunit, njeriun brenda të cilit është Fryma, dhe vërë dorën tënde mbi të;

19 pastaj do ta paraqitësh para priftit Eleazar dhe para tërë asamblesë dhe do t’i japësh disa urdhra në prani të tyre,

20 dhe do ta bësh pjesëmarrës të autoritetit tënd me qëllim që tërë asambleja e bijve të Izraelit t’i bindet.

21 Ai do të paraqitet përpara priftit Eleazar, i cili do të kërkojë për të mendimin e shprehur nga Urimi përpara Zotit; me urdhër të tij do të hyjnë dhe do të dalin, ai dhe tërë bijtë e Izraelit, tërë asambleja".

22 Moisiu, pra, bëri ashtu si e kishte urdhëruar Zoti; mori Jozueun dhe e paraqiti përpara priftit Eleazar dhe tërë asamblesë;

23 pastaj vuri duart e tij mbi të dhe i dha urdhra ashtu si kishte urdhëruar Zoti me anë të Moisiut.

Psalmet 70-71

70 O Perëndi, nxito të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.

U turpërofshin dhe u hutofshin ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe u mbulofshin me turp ata që kërkojnë të keqen time.

Kthefshin kurrizin për shkak të turpit të tyre ata që thonë: "Ah, ah!".

U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, dhe ata që duan shpëtimin tënd thënçin vazhdimisht: "U përlëvdoftë Perëndia!".

Por unë jam i varfër dhe nevojtar; o Perëndi, nxito të më vish në ndihmë; ti je ndihma ime dhe çlirimtari im; o Zot, mos vono.

71 Unë po gjej strehë te ti, o Zot, bëj që të mos hutohem kurrë.

Në emër të drejtësisë sate, më çliro dhe më shpëto; zgjate veshin tënd ndaj meje dhe më shpëto.

Ti je për mua një kështjellë shpëtimi, ku unë mund të shkoj gjithnjë; ti ke urdhëruar shpëtimin tim, sepse je shkëmbi dhe kështjella ime.

Perëndia im, më çliro nga dora e të pabesit, nga dora e të çoroditurit dhe të atij që përdor dhunën.

Sepse ti je shpresa ime, o Zot, o Zot, besimi im që kurse isha fëmijë.

Ti ke qenë përkrahja ime qysh në bark të nënes sime; ti më nxore nga barku i nënës sime; ty do të drejtohet gjithnjë lëvdimi im.

Jam bërë për shumë njerëz si një mrekulli, por ti je streha e fortë.

Goja ime është plot me lëvdimet e tua dhe shpall lavdinë tënde tërë ditën.

Mos më hidh poshtë në kohën e pleqërisë; mos më braktis kur forca ime po pakësohet.

10 Sepse armiqtë e mi flasin kundër meje, dhe ata që kanë ngritur pusi kundër jetës sime thurrin komplote bashkë,

11 duke thënë: "Perëndia e ka braktisur; ndiqeni dhe kapeni, sepse nuk ka njeri që ta çlirojë".

12 O Perëndi, mos u largo nga unë; Perëndia im, nxito të më ndihmosh.

13 U ngatërrofshin dhe u asgjesofshin kundërshtarët e jetës sime; u mbulofshin me poshtërsi dhe me turp ata që dëshërojnë të më bëjnë të keqen.

14 Por unë do të kem shpresa gjithnjë dhe do të të lëvdoj gjithnjë e më tepër.

15 Goja ime do të tregojë tërë ditën drejtësinë tënde dhe çlirimet e tua, sepse nuk njoh numrin e tyre.

16 Do të thellohem në veprat e fuqishme të Zotit, të Zotit, dhe do të kujtoj drejtësinë tënde, vetëm tënden.

17 O Perëndi, ti më ke mësuar që në fëmijëri; dhe deri më sot unë kam shpallur mrekullitë e tua.

18 Edhe tani që jam plakur dhe jam thinjur, o Perëndi, mos më braktis deri sa t’i kem treguar këtij brezi fuqinë tënde dhe mrekullitë e tua gjithë atyre që do të vijnë.

19 Edhe drejtësia jote, o Perëndi, arrin deri në lartësitë e qiejve; ti ke bërë gjëra të mëdha. O Perëndi, kush të përngjan ty?

20 Ti, që më bëre të provoj shumë fatkeqësira, të rënda, do të më japësh përsëri jetën dhe do të më bësh të ngrihem lart nga humnerat e tokës.

21 Ti do të rritesh madhështinë time dhe do të kthehesh të më ngushëllosh.

22 Dhe unë do të lëvdoj me harpe për besnikërinë tënde, o Perëndia im, dhe do të këndoj lavdet e tua me qeste, o i Shenjti i Izraelit.

23 Buzët e mia do të ngazëllojnë kur do të këndoj lavdet e tua bashkë me shpirtin tim, që ti ke shpenguar.

24 Edhe gjuha ime do të flasë tërë ditën për drejtësinë tënde, sepse janë turpëruar dhe janë hutuar ata që kërkonin të më bënin të keqen.

Isaia 17-18

17 Profecia kundër Damaskut. "Ja, Damasku do të pushojë së qëni një qytet dhe do të bëhet një grumbull gërmadhash.

Qytetet e Aroerit do të braktisen; do të bëhen kullota për kopetë që do të pushojnë aty pa i trembur askush.

Efraimit do t’i hiqet fortesa, Damaskut mbretëria; dhe pjesa tjetër e Sirisë do të jetë si lavdia e bijve të Izraelit," thotë Zoti i ushtrive.

"Atë ditë do të ndodhë që lavdia e Jakobit do të zhduket dhe shëndoshja e tepërt e trupit e tij do të konsumohet.

Do të ndodhë ashtu si kur korrësi mbledh grurin dhe me krahun e tij pret kallinjtë; do të ndodhë ashtu si kur mblidhen kallinjtë në luginën e Refaimit;

Do të mbeten disa vile për të mbledhur, ashtu si kur shkunden ullinjtë: dy apo tre ullinj në majë të degëve më të larta, katër ose pesë mbi degët më të ngarkuara," thotë Zoti, Perëndia i Izraelit.

Atë ditë njeriu do ta kthejë shikimin e tij në drejtim të Krijuesit të tij dhe sytë e tij do të shikojnë të Shenjtin e Izraelit.

Nuk do të drejtohet më te altarët, vepër e duarve të tij dhe nuk do të shikojë më atë që kanë bërë gishtërinjtë e tij as te Asherimët dhe te altarët për temjan.

Atë ditë qytetet e fortifikuara të tij do të jenë si një vend i braktisur në pyll ose si një degë e braktisur përpara bijve të Izraelit, dhe kjo do të jetë një shkretim.

10 Sepse ke harruar Perëndinë e shpëtimit tënd dhe nuk je kujtuar për Shkëmbin e forcës sate, prandaj mbolle plantacione dhe i ke shartuar me shartesa të huaja.

11 Ditën që i mbolle i rrethove me një gardh; në mëngjes mbijnë farat e tua, por vjelja do të jetë një tog rrënojash ditën e sëmundjes dhe të dhembjes së pashërueshme.

12 Ah, zhurma e një numri të madh popujsh, që zhurmojnë si gjëmimi i detit dhe si buçima e kombeve, zhurmojnë si buçima e ujërave të fuqishme!

13 Kombet zhurmojnë si buçima e shumë ujërave, por Perëndia i kërcënon, dhe ata ikin larg, të shtyrë si byku i maleve përpara erës, si një dredhë pluhuri përpara shakullimës.

14 Në mbrëmje, ja tmerri, dhe para mëngjesit nuk ka më asgjë. Kjo është pjesa e atyre që na plaçkitin, që na bëjnë pre.

18 Mjerë ai vend me krahë të zhurmshëm që ndodhet matanë lumenjve të Etiopisë,

që dërgon lajmëtarë me anë të detit në anijeza prej papirusi mbi ujërat, duke thënë: "Shkoni, o lajmëtarë të shpejtë, në drejtim të një kombi shtatlartë dhe lëkurëndritur, në drejtim të një populli të cilin e kanë frikë që nga fillimi i tij e më pas, komb i fuqishëm që shkel çdo gjë, vendi i të cilit ndahet nga lumenjtë".

Ju të gjithë, banorë të botës dhe ata që banojnë mbi tokë shikoni flamurin kur ky do të ngrihet mbi malet dhe dëgjoni borinë kur ajo do të bjerë!

Sepse kështu më ka thënë Zoti: "Do të rri i qetë dhe do të shikoj nga banesa ime si një nxehtësi e kthjellet dhe e ndritshme në dritën e diellit, si një re vesë në vapën e korrjes".

Sepse para korrjes, kur lulëzimi ka marrë fund dhe lulja është bërë një vile në fazën e pjekurisë, ai do t’i presë degëzat me kmesë dhe do të shkulë e do t’i presë shermendët.

Ata të gjithë tok do të mbeten të braktisur shpendëve grabitqarë të maleve dhe kafshëve të tokës; zogjtë grabitqarë do të kalojnë mbi ta gjatë verës dhe kafshët e tokës do të kalojnë mbi ta gjatë dimrit.

Në këtë kohë do t’i sjellë oferta Zotit të ushtrive një komb shtatlartë dhe lëkurëndritur, një popull që e kanë frikë që nga fillimet e tij e më pas, një komb i fuqishëm që shkel çdo gjë, vendi i të cilit përshkohet nga lumenj; do të çohen në vendin ku ndodhet emri i Zotit të ushtrive, në malin Sion.

1 Pjetrit 5

U bëj thirrje pleqve që janë midis jush, unë që jam plak bashkë me ta dhe dëshmitar i vuajtjeve të Krishtit dhe që jam gjithashtu pjesëmarrës i lavdisë që ka për t’u zbuluar:

ruani tufën e Perëndisë që është midis jush, duke e mbikqyrur jo me detyrim, por me dëshirë, jo për përfitim të pandershëm, po me vullnet të mirë,

dhe jo si zotëronjës mbi ata që ju janë besuar, por duke u bërë shembull për tufën.

Dhe kur të shfaqet kryebariu, do të merrni kurorën e lavdisë që nuk fishket.

Gjithashtu ju, të rinjtë, nënshtrojuni pleqëve. Po, nënshtrojuni të gjithënjeri tjetrit dhe vishuni me përulje, sepse Perëndia i kundërshton krenarët, por u jep hir të përulurve.

Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë ne kohën e duhur,

dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju.

Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë.

Kundërshtojeni, duke qëndruar të patundur në besim, sepse e dini se të njëjtat vuajtje po i heqin vëllezërit tuaj të shpërndarë nëpër botë.

10 Dhe Perëndia i çdo hiri, që ju thirri në lavdinë e tij të përjetshme në Krishtin Jezus, mbasi të keni vuajtur për pak kohë, do t’ju bëjë të përsosur ai vetë, do t’ju bëjë të patundur, do t’ju forcojë dhe do t’ju vërë themel.

11 Atij i qoftë lavdia dhe pushteti për shekuj të shekujve. Amen.

12 Ju shkrova shkurt me anë të Silvanit, që më duket një vëlla besnik, duke ju bërë thirrje dhe duke ju dëshmuar se hiri i vërtetë i Perëndisë është ai në të cilin qëndroni.

13 Kisha që është në Babiloni, që është zgjedhur bashkë me ju, ju përshëndet. Edhe Marku, biri im, ju përshëndet.

14 Përshëndetni njeri tjetrin me një të puthur dashurie. Paqja mbi ju të gjithë që jeni në Krishtin Jezus Amen.