M’Cheyne Bible Reading Plan
10 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë
2 "Bëj dy bori prej argjendi; do t’i bësh me argjend të rrahur; do t’i përdorësh për të thirrur asamblenë dhe për të lëvizur fushimet.
3 Nën tingullin e të dyjave gjithë asambleja do të mblidhet pranë teje, në hyrje të çadrës së mbledhjes.
4 Nën tingullin e njerës bori, prijësit, krerët e divizioneve të Izraelit do të mblidhen pranë teje.
5 Kur do t’i bini alarmit për herë të parë, ata që janë në lindje do të vihen në lëvizje.
6 Kur do t’i bini alarmit për herë të dytë, ata që janë në jug do të vihen në lëvizje; duhet t’i bini alarmit që të vihen në lëvizje.
7 Kur duhet të mblidhet asambleja do t’i bini borisë, pa i rënë alarmit.
8 Do t’u bien borive bijtë e Aaronit, priftërinjtë; ky do të jetë një statut i përjetshëm për ju dhe për trashëgimtarët tuaj.
9 Kur në vendin tuaj do të shkoni në luftë kundër armikut që ju shtyp, do t’i bini alarmit me boritë; kështu do të kujtoheni përpara Zotit Perëndisë tuaj, dhe do të çliroheni nga armiqtë tuaj.
10 Po kështu në ditët tuaja të gëzimit, në festat tuaja të caktuara dhe në fillim të muajve tuaj të parë, do t’u bini borive me rastin e olokausteve dhe të flijimeve tuaja të falënderimit; dhe kështu ato do të bëjnë që të kujtoheni përpara Perëndisë tuaj. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".
11 Por ndodhi që në vitin e dytë, në muajin e dytë, ditën e njëzetë të muajit, reja u ngrit mbi tabernakullin e dëshmisë.
12 Dhe bijtë e Izraelit u nisën për rrugë, duke lënë shkretëtirën e Sinait; pastaj reja u ndal në shkretëtirën e Paranit.
13 Kështu u nisën për rrugë herën e parë simbas urdhrit që Zoti kishte dhënë me anë të Moisiut.
14 I pari lëvizi flamuri i kampit të bijve të Judës, i ndarë simbas formacioneve të tij. Divizionin e Judës e komandonte Nahshoni, bir i Aminadabit.
15 Nethaneeli, bir i Tsuarit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Isakarit,
16 ndërsa Eliabi, bir i Helonit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Zabulonit.
17 Pastaj u çmontua tabernakulli dhe bijtë e Merarit dhe të Gershonit u nisën për rrugë, duke transportuar tabernakullin.
18 Pastaj u vu në lëvizje flamuri i kampit të Rubenit, i ndarë simbas formacioneve të tij. Divizionin e Rubenit e komandonte Elitsuri, bir i Shedeurit.
19 Shelumieli, bir i Tsurishadait, komandonte divizionin e fisit të bijve të Simeonit,
20 ndërsa Eliasafi, bir i Deuelit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Gadit.
21 Pastaj u vunë në lëvizje Kehathitët, duke transportuar sendet e shenjta; ata do ta ngrinin tabernakullin para ardhjes së tyre.
22 Pas kësaj u nis flamuri i kampit të bijve të Efraimit, i ndarë simbas formacioneve të tij. Divizionin e Efraimit e komandonte Elishama, bir i Amihudit.
23 Gamalieli, bir i Pedahtsurit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Manasit,
24 ndërsa Abidani, bir i Gideonit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Beniaminit.
25 Pastaj filloi të lëvizë flamuri i kampit të bijve të Danit, i ndarë simbas formacioneve të tij, që përbënte praparojën e të gjitha kampeve. Divizioni i Danit komandohej nga Ahiezieri, bir i Amishadait.
26 Pagieli, bir i Okranit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Asherit,
27 ndërsa Ahira, bir i Enanit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Neftalit.
28 Kjo ishte radha e marshimit të bijve të Izraelit, simbas divizioneve të tyre. Kështu u vunë në lëvizje.
29 Por Moisiu i tha Hobabit, birit të Reuelit, Madianitit, vjehrri i Moisiut: "Ne po vihemi në marshim drejt vendit për të cilin Zoti ka thënë Unë do t’jua japp". Eja me ne dhe do të të bëjmë të mira, sepse Zoti i ka premtuar gjëra të mira Izraelit".
30 Hobabi iu përgjegj: "Unë nuk do të vij, por do të kthehem në vendin tim te të afërmit e mi".
31 Atëherë Moisiu i tha: "Mos na lërë, sepse ti e di ku duhet të fushojmë në shkretëtirë dhe ti do të jesh si sytë për ne.
32 Në qoftë se vjen me ne, çdo të mirë që do të na bëjë Zoti, ne do të ta bëjmë ty".
33 Kështu u nisën nga mali i Zotit dhe ecën tri ditë; dhe arka e besëlidhjes së Zotit shkoi para tyre gjatë një udhëtimi prej tri ditësh, për të gjetur një vend ku ata të pushonin.
34 Dhe reja e Zotit qëndronte mbi ta gjatë ditës, kur niseshin nga kampi.
35 Kur nisej arka, Moisiu thoshte; "Çohu, o Zot, me qëllim që të shkatërrohen armiqtë e tu dhe të ikin me vrap para teje ata që të urrejnë!".
36 Dhe kur ndalej, thoshte: "Kthehu, o Zot, pranë morisë së madhe të njerëzve të Izraelit!".
46 Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.
2 Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit,
3 dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij. (Sela)
4 Éshtë një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë, vendin e shenjtë ku banon shumë i Larti.
5 Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit.
6 Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri.
7 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)
8 Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë.
9 Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr.
10 Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë.
11 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)
47 Duartrokisni, o popuj; kremtojeni Perëndinë me britma triumfi.
2 Sepse Zoti, Shumë i Larti, është i tmerrshëm, një mbret i madh mbi gjithë dheun.
3 Ai do të na nënshtrojë popujt dhe kombet do t’i vërë nën këmbët tona.
4 Ai do të zgjedhë për ne trashëgiminë tonë, lavdinë e Jakobit që ai e do. (Sela)
5 Perëndia është ngritur në mes brohoritjesh gëzimi, Zoti me tingujt e borive.
6 Këndojini lavde Perëndisë tonë, këndojini lavde! Këndojini lavde mbretit tonë, këndojini lavde!
7 Sepse Perëndia është mbreti i gjithë dheut, këndojini lavde me zotësi.
8 Perëndia mbretëron mbi kombet; Perëndia ulet mbi fronin e tij të shenjtë.
9 Princat e popujve, populli i Perëndisë të Abrahamit, janë mbledhur bashkë; sepse Perëndisë i përkasin mburojat e tokës; atë e lëvdojnë me të madhe.
8 Ah, sikur të ishe ti si një vëllai im, që mënd në gjitë e nënës sime! Duke të gjetur jashtë do të të puthja, dhe askush nuk do të më përçmonte.
2 Do të të çoja dhe do të fusja në shtëpinë e nënës sime; ti do të më mësoje dhe unë do të të jepja për të pirë verë aromatike, lëng nga shega ime.
3 Dora e tij e majtë qoftë nën kokën time dhe e djathta e tij më përqafoftë!
4 O bija të Jerzalemit, ju lutem shumë, mos e shqetësoni dhe mos e zgjoni dashurinë time, deri sa kështu t’i pëlqejë.
5 Kush është ajo që del nga shkretëtira duke u mbështetur tek i dashuri i saj? Të kam zgjuar nën mollën, ku nëna jote të ka lindur, ku ajo që të ka lindur të ka nxjerrë në dritë.
6 Më vër si një vulë mbi zemrën tënde, si një vulë mbi krahun tënd; sepse dashuria është e fortë si vdekja, xhelozia është e ashpër si Sheoli. Flakët e saj janë flakë zjarri, një flakë që përvëlon.
7 Ujërat e mëdha nuk do të mund ta shuajnë dashurinë, as lumenjtë ta përmbytin. Në rast se dikush do të jepte tërë pasuritë e shtëpisë së tij në këmbim të dashurisë, do të përbuzej me siguri.
8 Ne kemi një motër të vogël që ende nuk ka sisë; çfarë do të bëjmë për motrën tonë ditën që do të flitet për të?
9 Në qoftë se është një mur, do të ndërtojmë mbi të një pallat prej argjendi; në qoftë se është një portë, do ta forcojmë me dërrasa kedri.
10 Unë jam një mur, dhe sisët e mia janë si kulla; prandaj në sytë e tij jam bërë si ajo që ka gjetur paqen.
11 Salomoni kishte një vresht në Baal-Hamon; ai ua besoi disa rojtarëve, secili prej tyre duhet t’i çonte si fryt të tij një mijë sikla argjendi.
12 Vreshti im, që është imi, ndodhet para meje. Ti, Salomon, mbaji një mijë siklat dhe rojtarët e frytit të tij marrshin dyqind.
13 Ti që banon në kopshte, shokët po dëgjojnë zërin tënd; bëj ta dëgjoj edhe unë.
14 Eja shpejt, i dashuri im, dhe ngjaji një gazele apo një sute në malet e aromave!
8 Dhe pika kryesore e atyre gjërave që po themi është kjo: ne kemi një kryeprift të tillë, i cili qëndron në të djathtën e fronit të Madhërisë në qiejt,
2 shërbenjës i shenjtërores dhe të tabernakullit të vërtetë, të cilin e ngriti Perëndia e jo njeriu.
3 Sepse çdo kryeprift vihet për të ofruar dhurata dhe flijime, prandaj është e nevojshme që edhe ky të ketë diçka që të kushtojë.
4 Po të ishte Ai mbi dhe, nuk do të ishte as prift, sepse ka priftërinj të cilët ofrojnë dhuratat sipas ligjit,
5 që shërbejnë sipas shëmbullit dhe hijes së gjërave qiellore, ashtu si i qe folur Moisiut, kur po gatitej të ndërtonte tabernakullin: “Shiko,” tha Ai, “t’i bësh të gji-tha sipas modelit që të qe treguar në mal.”
6 Po tani Krishti mori një shërbesë edhe më të shquar, sepse është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, që bazohet mbi premtime më të mira,
7 sepse, në qoftë se Besëlidhja e parë do të qe e patëmetë, nuk do të qe nevoja të kërkohej vend për një tjetër.
8 Sepse Perëndia, duke i qortuar, thotë: “Ja po vijnë ditët kur do të bëj një Besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës,
9 jo si besëlidhja që bëra me etërit e tyre, ditën që i mora për dore për t’i nxjerrë jashtë nga toka e Egjiptit, sepse ata nuk qëndruan besnikë në Besëlidhjen time, dhe unë i braktisa, thotë Zoti.
10 Dhe kjo është besëlidhja që unë do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve, thotë Zoti: unë do t’i shtie ligjet e mia në mendjet e tyre dhe do t’i shkruaj në zemrat e tyre, dhe do të jem Perëndia e tyre dhe ata do të jenë populli im.
11 Dhe askush nuk do të mësojë më të afërmin e tij, askush vëllanë e vet, duke thënë: "Njih Perëndinë!". Sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli e deri tek më i madhi prej tyre,
12 sepse unë do të jem i mëshirshëm për paudhësitë e tyre dhe nuk do të kujtoj më mëkatet e tyre dhe keqbërjet e tyre.”
13 Duke thënë "një besëlidhje e re," ai e vjetëroi të parën; edhe ajo që vjetrohet dhe plaket është afër prishjes.