Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Numrat 22

22 Pastaj bijtë e Izraelit u nisën dhe ngritën kampin e tyre në fushat e Moabit, matanë Jordanit, në bregun e kundërt të Jerikos.

Por Balaku, bir i Tsiporit, pa të gjitha ato që Izraeli u kishte bërë Amorejve;

dhe Moabi pati një frikë të madhe nga ky popull, që ishte kaq i madh; Moabin e zuri një frikë e madhe për shkak të bijve të Izraelit.

Kështu Moabi u tha pleqve të Madianit: "Tani kjo turmë do të gllabërojë gjithçka që kemi rreth nesh, ashtu si kau përlan barin e fushave". Balaku, bir i Tsiporit, ishte në atë kohë mbreti i Moabit.

Ai i dërgoi lajmëtarë Balaamit, birit të Beorit, në Pethori që është pranë Lumit, në vendin e bijve të popullit të tij, për ta thirrur dhe për t’i thënë: "Ja, një popull ka dalë nga Egjipti; ai mbulon faqen e dheut dhe është vendosur përballë meje.

Eja, pra, të lutem, dhe mallkoje për mua këtë popull, sepse është tepër i fuqishëm për mua; ndofta do t’ia dal ta mund dhe ta dëboj nga vendi im; sepse unë e di mirë që ai që ti bekon është i bekuar dhe ai që ti mallkon është i mallkuar".

Atëherë pleqtë e Moabit dhe pleqtë e Madianit u nisën duke mbajtur në dorë shpërblimin e shortarit dhe, kur arritën te Balaami, i treguan fjalët e Balakut.

Por Balaami u tha atyre: "Kalojeni natën këtu dhe do t’ju njoftoj përgjigjen që Zoti do të më japë". Kështu princët e Moabit mbetën me Balaamin.

Atëherë Perëndia i shkoi Balaamit dhe i tha: "Ç’janë këta njerëz që janë me ty?".

10 Dhe Balaami iu përgjegj Perëndisë: "Balaku, bir i Tsiporit, mbret i Moabit, më ka çuar fjalë:

11 "Ja, populli që ka dalë nga Egjipti mbulon faqen e dheut; prandaj eja dhe mallkoje për mua; ndofta do t’ia dal ta mund dhe ta dëboj"".

12 Dhe Perëndia i tha Balaamit: "Ti nuk do të shkosh me ta, nuk do ta mallkosh atë popull, se është një popull i bekuar".

13 Kështu Balaami u ngrit në mëngjes dhe u tha princërve të Balakut: Kthehuni në vendin tuaj, sepse Zoti nuk më dha leje të vij me juu".

14 Pas kësaj princët e Moabit u ngritën, u kthyen te Balaku dhe thanë: Balaami nuk pranoi të vijë me nee".

15 Atëherë Balaku dërgoi përsëri disa princa, në një numër më të madh dhe më të rëndësishëm në krahasim me të parët.

16 Ata erdhën te Balaami dhe i thanë: "Kështu thotë Balaku, bir i Tsiporit: "Asgjë nuk duhet të të ndalë të vish tek unë,

17 sepse unë do të të mbush me nderime dhe do të bëj të gjitha ato që do të më thuash ti; eja, pra, të lutem, dhe mallkoje këtë popull për mua"".

18 Por Balaami u përgjegj dhe u tha shërbëtorëve të Balakut: "Edhe sikur Balaku të më jepte shtëpinë e tij të mbushur me argjend dhe me ar, nuk mund të shkel urdhrin e Zotit, Perëndisë tim, për të kryer veprime të vogla apo të mëdha.

19 Prandaj, ju lutem, rrini këtu këtë natë, në mënyrë që të mësoj çfarë do të më thotë tjetër Zoti".

20 Dhe Perëndia i shkoi atë natë Balaamit dhe i tha: "Në rast se këta njerëz kanë ardhur të të thërresin, çohu dhe shko me ta; por do të bësh vetëm ato gjëra që unë do të të them".

21 Kështu Balaami u çua në mëngjes, shaloi gomaricën e tij dhe shkoi bashkë me princat e Moabit.

22 Por zemërimi i Perëndisë u ndez sepse ai ishte nisur; dhe Engjëlli i Zotit i doli rrugës si armik kundër tij. Ai i kishte hipur gomaricës së tij dhe kishte me vete dy shërbëtorë.

23 Gomarica pa Engjëllin e Zotit që rrinte në rrugë me shpatën e tij të zhveshur në dorë, doli nga rruga dhe hyri nëpër ara. Atëherë Balaami e rrahu gomaricën për ta kthyer përsëri në rrugë.

24 Por Engjëlli i Zotit u ndal në një shteg të ngushtë midis vreshtave, ku kishte një mur nga një anë dhe një mur nga ana tjetër.

25 Kur gomarica pa Engjëllin e Zotit, u shtrëngua pas murit dhe e shtypi këmbën e Balaamit pas murit; kështu Balaami e rrahu përsëri.

26 Atëherë Engjëlli i Zotit shkoi tutje dhe u ndal në një vend të ngushtë, ku nuk mund të lëvizje as djathtas as majtas.

27 Gomarica pa Engjëllin e Zotit dhe u shtri nën Balaamin; zemërimi i Balaamit u shtua dhe ai rrahu gomaricën me bastunin e tij.

28 Atëherë Zoti ia çeli gojën gomaricës që i tha Balaamit: "Çfarë të kam bërë që më rreh në këtë mënyrë tri herë me radhë?".

29 Dhe Balaami iu përgjegj gomaricës: "Pse je tallur me mua; sikur të kisha një shpatë në dorë, tani do të të vrisja".

30 Gomarica i tha Balaamit: "A nuk jam vallë gomarica me të cilën ke udhëtuar gjithnjë deri më sot? Mos vallë jam mësuar të sillem kështu me ty?". Ai u përgjegj: "Jo".

31 Atëherë Zoti ia hapi sytë Balaamit dhe ai pa Engjëllin e Zotit që rrinte në rrugë me shpatën e tij të zhveshur në dorë. Dhe Balaami u përkul dhe ra përmbys me fytyrën për tokë.

32 Engjëlli i Zotit i tha: "Pse e rrahe plot tri herë gomaricën tënde? Ja, unë kam dalë si armiku yt, sepse rruga që ndjek ti nuk pajtohet me vullnetin tim;

33 gomarica më pa dhe më ka evituar plot tri herë; në rast se nuk do të më kishte evituar, me siguri do të të kisha vrarë duke e lënë atë të gjallë".

34 Atëherë Balaami i tha Engjëllit të Zotit: "Unë kam bërë mëkat, sepse nuk e dija që ti rrije në rrugë kundër meje; prandaj tani, në se ajo që po bëj nuk të pëlqen, atëherë unë do të kthehem prapa".

35 Por Engjëlli i Zotit i tha Balaamit: "Shko, pra, me këta njerëz; por do të thuash vetëm ato gjëra që do të të them unë". Kështu Balaami shkoi me princat e Balakut.

36 Kur Balaku dëgjoi që Balaami po vinte, shkoi ta takojë në qytetin e Moabit që ndodhet në kufirin e shënuar nga Arnoni, në skajin e fundit të territorit të tij.

37 Kështu Balaku i tha Balaamit: "A nuk të kisha dërguar të të thërrisja me urgjencë? Pse nuk erdhe tek unë? A nuk jam vallë në gjendje të të nderoj?".

38 Balaami iu përgjegj Balakut: "Ja, erdha te ti; por tani a mund të them diçka? Fjalën që Perëndia do të më vërë në gojën time, atë do të them unë".

39 Balaami shkoi bashkë me Balakun dhe arritën në Kirjath-Hutsoth.

40 Pastaj Balaku flijoi qe dhe dele dhe u dërgoi disa prej tyre Balaamit dhe prijësve që ishin me të.

41 Në mëngjes Balaku mori Balaamin dhe u ngjit në Bamoth Baal, dhe këtej ai pa pjesën skajore të popullit.

Psalmet 62-63

62 Shpirti im gjen prehje vetëm te Perëndia; nga ai vjen shpëtimi im.

Vetëm ai është kështjella ime dhe shpëtimi im, ai është streha ime e lartë; unë nuk do të luaj kurrë.

Deri kur do të vërtiteni kundër një njeriu, për të kërkuar të gjithë së bashku ta vrisni, ashtu si bëhet me një mur që bën bark dhe një gardh që lëkundet?

Ata mendojnë vetëm ta rrëzojnë nga lartësia e tij, gjejnë kënaqësi në gënjeshtër, bekojnë me gojën e tyre, por në zemrat e tyre mallkojnë. (Sela)

Shpirti im, gjej prehje vetëm te Perëndia, sepse shpresa ime vjen nga ai.

Vetëm ai është kështjella ime dhe shpëtimi im; ai është streha ime e lartë; unë nuk do të luaj kurrë.

Te Perëndia është shpëtimi im dhe lavdia ime; kështjella ime e fortë dhe streha ime janë te Perëndia.

Ki besim tek ai vazhdimisht, o popull, hap zemrën tënde para tij; Perëndia është streha jonë. (Sela)

Me siguri, njerëzit e shtresës së ulët nuk janë veçse avull dhe njerëzit e shtresës së lartë nuk janë veçse gënjeshtarë; po t’i vësh mbi peshore të gjithë së bashku janë më të lehtë se vetë avulli.

10 Mos kini besim te zhvatja dhe mos ushqeni shpresa të kota te grabitja; mos shkoni mbas kotësisë; në rast se pasuritë janë të bollshme, mos u kushtoni zemrën.

11 Perëndia ka folur një herë; dy herë kam dëgjuar këtë, që fuqia i përket Perëndisë;

12 edhe ty, o Zot, të përket mirësia, sepse do të shpërblesh cilindo sipas veprave të tij.

63 O Perëndi, ti je Perëndia im, unë të kërkoj në mëngjes; shpirti im është i etur për ty; ty të dëshiron mishi im në tokë të thatë dhe të djegur, pa ujë.

Kështu të admirova në shenjtërore, duke soditur forcën tënde dhe lavdinë tënde.

Me qenë se mirësia jote vlen më tepër se jeta, buzët e mia do të të lëvdojnë.

Kështu do të të bekoj deri sa të jetoj dhe në emrin tënd do të ngre duart e mia.

Shpirti im do të ngopet si të kishte ngrënë palcë dhe dhjamë, dhe goja ime do të të lëvdojë me buzë të gëzuara.

Të kujtoj në shtratin tim, të mendoj kur rri zgjuar natën.

Duke qenë se ti ke qenë ndihma ime, unë këndoj tërë gëzim në hijen e krahëve të tu.

Shpirti im mbahet ngushtë te ti; dora jote e djathtë më mban.

Por ata që kërkojnë jetën time për ta shkatërruar, do të zbresin në pjesët më të ulta të tokës.

10 Ata do t’i dorëzohen pushtetit të shpatës dhe do të bëhen pre e çakejve.

11 Por mbreti do të gëzohet te Perëndia; kushdo që betohet për të do të përlëvdohet, sepse goja e gënjeshtrave do të detyrohet të mbyllet.

Isaia 11-12

11 Pastaj një degëz do të dalë nga trungu i Isaias dhe një filiz do të mbijë nga rrënjët e tij.

Fryma e Zotit do të pushojë mbi të; fryma e diturisë dhe e zgjuarësisë, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e frikës të Zotit.

I dashuri i tij do të qëndrojë në frikën nga Zoti, nuk do të gjykojë nga pamja, nuk do të japë vendime sipas fjalëve që thuhen,

por do t’i gjykojë të varfërit me drejtësi dhe do të marrë vendime të drejta për njerëzit e përulur të vendit. Do ta godasë vendin me shufrën e gojës së tij dhe me frymën e buzëve të tij do ta bëjë të vdesë të pabesin.

Drejtësia do të jetë brezi i ijëve të tij dhe besnikëria brezi i anëve të tij.

Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin; viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë.

Lopa do të kullosë bashkë me arushen, të vegjëlit e tyre do të rrinë bashkë, dhe luani do të ushqehet me kashtë si kau.

Foshnja e gjirit do të lozë mbi vrimën e gjarpërit dhe fëmija e zvjerdhur do të vërë dorën e tij në çerdhen e nëpërkës.

Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.

10 Atë ditë do të ndodhë që rrënja e Isaias do të ngrihet si një flamur për popujt; kombet do ta kërkojnë dhe vendi i prehjes së tij do të jetë i lavdishëm.

11 Po atë ditë do të ndodhë që Zoti do të shtrijë dorën e tij për herë të dytë për të shpenguar mbetjen e popullit të tij që shpëtoi nga Asiria dhe nga Egjipti, nga Pathrosi dhe Etiopia, nga Elami, nga Shinari, nga Hamathi dhe nga ishujt e detit.

12 Ai do të ngrerë flamurin për kombet, do të mbledhë të dëbuarit e Izraelit dhe do të grumbullojë ata që u shpërndanë nga Juda në të katër anët e dheut.

13 Smira e Efraimit do të zhduket dhe kundërshtarët e Judës do të asgjesohen; Efraimi nuk do ta ketë më zili Judën dhe Juda nuk do të ketë më armiqësi me Efraimin.

14 Ata do t’u sulen me turr Filistejve nga pas, në drejtim të perëndimit, bashkë do të plaçkitin bijtë e lindjes; do të vënë dorën e tyre mbi Edomin dhe mbi Moabin, dhe bijtë e Amonit do të jenë nënshtetas të tyre.

15 Zoti do të shkatërrojë plotësisht gjuhën e detit të Egjiptit dhe me fuqinë e frymës së tij do të lëvizë dorën e tij mbi lumin dhe do të godasë duke e ndarë në shtatë kanale, kështu që të ketë mundësi të kapërcehet me sandale.

16 Do të ketë një rrugë për mbetjen e popullit të tij që ka mbetur në Asiri, ashtu si pati një rrugë për Izraelin ditën që doli nga vendi i Egjiptit.

12 Atë ditë do të thuash: "Unë të kremtoj, o Zot. Edhe pse ishe i zemëruar me mua, zemërimi yt me mua u qetësua dhe më ka ngushëlluar.

Ja, Perëndia është shpëtimi im; unë do të kem besim dhe nuk do të kem frikë, sepse Zoti, po, Zoti është forca ime dhe kantiku im, dhe ka qenë shpëtimi im".

Ju do të merrni me gëzim ujin nga burimet e shpëtimit.

Atë ditë do të thoni: "Kremtoni Zotin, thërrisni emrin e tij, i bëni të njohura veprat e tij midis popujve, shpallni që emri i tij është i lartësuar.

Këndojini lavde Zotit, sepse ka bërë gjëra të madhërishme; kjo të dihet mbi gjithë tokën.

Bërtit dhe ngazëllohu nga gëzimi, o banore e Sionit, sepse i madh është i Shenjti i Izraelit në mes tuaj".

Jakobit 5

Dhe tani ju, o pasanikë: qani dhe vajtoni për të këqijat që do t’ju zënë!

Pasuria juaj u kalb dhe rrobat tuaja i brejti tenja.

Ari dhe argjendi juaj u ndryshkën, dhe ndryshku i tyre do të jetë një dëshmi kundër jush dhe do t’ju përpijë mishërat si zjarr; keni mbledhur thesare në ditët e fundit.

Ja, paga që u keni ngrënë puntorëve që ju korrën arat, po këlthet; dhe klithmat e atyre që korrën, arritën në vesh të Zotit të ushtrive.

Jetuat mbi tokë ndër qejfe dhe shkapërderdhje; i ushqyet zemrat tuaja si për ditë të të therurit.

Dënuat dhe vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshtoi.

Tani, pra, vëllezër, jini të durueshëm deri në ardhjen e Zotit; shikoni si e pret me durim bujku frytin e çmuar të tokës, deri sa të marrë shiun e parë dhe të fundit.

Jini të durueshëm edhe ju dhe forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit është afër.

Mos u ankoni nga njeri tjetri, vëllezër, që të mos dënoheni; ja, gjykatësi është te dera.

10 O vëllezër të mi, merrni si shembull vuajtjeje dhe durimi profetët, që folën në emër të Zotit.

11 Ja, ne shpallim të lum ata që duruan; ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri.

12 Dhe, para së gjithash, vëllezër të mi, mos bëni be as për qiellin as për dheun, as mos bëni ndonjë be tjetër; por le të jetë “po” -ja juaj “po” dhe “jo” -ja “jo,” që të mos bini nën dënim.

13 A vuan ndonjë nga ju? Le të lutet. A është i gëzuar ndokush? Le të këndojë psalme!

14 A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit,

15 dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë; dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t’i falen.

16 Rrëfeni fajet njeri tjetrit dhe lutuni për njeri tjetrin, që të shëroheni; shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt.

17 Elia ishte një njeri me të njëtat pasionet tona, dhe u lut intensivisht që të mos binte shi, edhe nuk ra shi mbi dhe për tre vjet e gjashtë muaj.

18 Dhe u lut përsëri dhe qielli dha shi edhe dheu dha frytin e vet.

19 Vëllezër, në qoftë se ndonjë nga ju del nga rruga e së vërtetës dhe dikush e kthen,

20 le ta dijë se ai që e kthen mëkatarin nga të gabuarit e rrugës së tij, do të shpëtojë një shpirt nga vdekja dhe do të mbulojë një shumicë mëkatesh.